ATV

Author: ATVLive

  • ​Sot përurohen renovimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë

    ​Sot përurohen renovimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë

    Renovimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK do të përurohen sot.

    Në ceremoni marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori I Italisë Antonello De Riu, drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

    Ceremonia e përurimit mbahet duke filluar nga ora 11:00.

  • ​115 vjet nga Kongresi i Dibrës

    ​115 vjet nga Kongresi i Dibrës

    Kongresi i Dibrës, i njohur si Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt nga data 23 deri më 29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.

    Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.

    Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti, dhe krijuan një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse ishin në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.

    Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që pati qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër pranohet rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.

    Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.

    Në këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë osmanlinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; kërkohej gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

    Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.

    Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.

    Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshpëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë. /KP/

  • MPJD: Gjurmët e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përshtaten me ato të Faton Hajrizit

    MPJD: Gjurmët e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përshtaten me ato të Faton Hajrizit

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë më detajet e fundit lidhur me rastin që ka ndodhur në Serbi, ku dyshohet se u vra qytetari kosovar, Faton Hajrizi.

    Përmes një komunikate për media, MPJD njofton se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

    Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftim

    Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.
    Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast.

  • Departamenti amerikan i Shtetit e emëron pasuesin e Escobarit: Aleksander Sasha Kasanof

    Departamenti amerikan i Shtetit e emëron pasuesin e Escobarit: Aleksander Sasha Kasanof

    Aleksander “Sasha” Kasanof është njeriu i zgjedhur për ta pasuar Gabriel Escobarin.

    Kasanof, siç tregon faqja e Departamentit amerikan të Shtetit, nga e premtja e 19 korrikut është Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Ballanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

    Sasha ka shërbyer më parë si Asistent Ekzekutiv i ish Nënsekretares për Çështjet Politike Victoria Nuland dhe ushtrues i detyrës së Nënsekretarit për Çështjet Politike John Bass. Ai ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë, siç thuhet në web-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

    DASH tregon se ai ka marrë çmimin James Clement Dunn për ekselencë për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kyiv gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit të mëvonshëm të Rusisë në Ukrainë.

    Detyrat e Sashës në Washington përfshijnë: Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Zëvendësdrejtor i Stafit të Sekretariatit Ekzekutiv, Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe Zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale. Ai është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton. Sasha flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht.

  • ​Të shtëna me armë zjarri në aheng, një i arrestuar në Pejë

    ​Të shtëna me armë zjarri në aheng, një i arrestuar në Pejë

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person nё Nabergjan të Pejёs, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri nё njё aheng.

    Personi i dyshuar ka pranuar se posedon edhe armё tё tjera, tё cilat janё sekuestruar: njё armё pistoletё Canik, njё karikator tё sё njejtёs armё, 16 gёzhoja, një pushkё 20-tshe, një karikator i pushkёs dhe dy gёzhoja kalibri 7.62×39.

    I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё prokurorit tё shtetit lirohet nё procedurë tё rregullt.

  • Mbyllen edhe dy pompa të “Nis Petrollit” në veri

    Mbyllen edhe dy pompa të “Nis Petrollit” në veri

    Gjatë ditës së sotme, janë mbyllur sot dy pompa të derivateve në Mitrovicën Veriore.

    Këto dy pompa gjenden njëra në Zveçan edhe tjetra në Leposaviq.

    Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se këto pika i takonin kompanisë serbe “Nis Petroll”.

    “Nuk ka pas ndonjë incident gjatë këtij aksioni, ku policia ka qenë asistuese e AKP-së”, tha Elshani.

    Kurse gjatë javës së kaluar në veri të Kosovës janë mbyllur edhe tre pompa të kësaj kompanie që vepronin ilegalisht.

  • Një muaj paraburgim për të arrestuarit që dyshohet se e ndihmuan Faton Hajrizin të arratisej nga burgu

    Një muaj paraburgim për të arrestuarit që dyshohet se e ndihmuan Faton Hajrizin të arratisej nga burgu

    Dy personave që dyshohet se e ndihmuan Faton Hajrizin të arratisej nga burgu, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Kështu ka bërë të ditur Gjykata Themlore Mitrovicë – Dega në Vushtrri.

    “Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurëve H.XH dhe E.B, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurëve H.XH dhe E.B dhe të njëjtëve i’u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore Mitrovicë – Dega në Vushtrri”, thuhet në njoftim

  • Lëvizja e lirës në Ballkan vazhdon të mos vlejë për Kosovën dhe Bosnjën

    Lëvizja e lirës në Ballkan vazhdon të mos vlejë për Kosovën dhe Bosnjën

    Kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës drejt Bosnje e Hercegovinës, është duke vazhduar, edhe pse në kuadër të Procesit të Berlinit, me 3 nëntor 2022, janë nënshkruar marrëveshjet për njohje të ndërsjella të letërnjoftimeve, diplomave e dokumenteve të tjera. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, por një gjë e tillë, ende nuk është bërë nga ana e Bosnje dhe Hercegovinës.

    Pavarësisht marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, e cila buron nga Procesi i Berlinit, as kosovarët e as boshnjakët, nuk mund të udhëtojnë lirshëm nga Kosova për në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. Kjo për shkak se marrëveshja për lëvizje me letërnjoftime, nuk ka gjetur mbështetje nga të gjitha entitetet e Presidencës boshnjake.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, thotë për Radio Kosovën se përderisa etniteti serb në krye me presidentin e Republika Serpska, Milorad Dodik, e shkel marrëveshjen, ajo është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë politikanët boshnjakë që janë në qeveri si dhe me deputetë nga parti të ndryshme politike, të cilët janë të gatshëm që të votojnë dhe ratifikojnë marrëveshjen në Kuvendin e Bosnjës dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

    “Lobimi ynë me përfaqësuesit dhe kryetarin e Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës është duke vazhduar. E kemi mbështetjen e përfaqësuesve të boshnjakëve dhe përfaqësueseve kroatë, dhe presim që edhe serbët ta kuptojnë se kjo marrëveshje, duhet të ratifikohet. Kjo duke e pasur parasysh se në bisedime me bashkësinë ndërkombëtare, ata thonë se janë faktorë stabiliteti, pajtimi dhe nënshkruajnë marrëveshje, por kur kthehen në Bosnje i bllokojnë proceset në fjalë”, thotë Rexhepi.

    Se a pritet që kjo marrëveshje të vendoset në një të ardhme të afërt në rend dite në Këshillin e Ministrave në Bosnje dhe Hercegovinë, ende nuk është e sigurt. Por, zëvendëskryeministrja Rexhepi thotë se në bazë të bashkëbisedimeve të saj me autoritetet boshnjake, fillimisht procesi duhet të kalojë në Qeveri, e pastaj të votohet nga deputetët në Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës.

    “Ne bëjmë presion të vazhdueshëm te Qeveria e Bosnje e Hercegovinës. Ministri Konakoviq ka premtuar se marrëveshjen do ta fusë në rend dite. Gjithashtu, bëjmë presion të vazhdueshëm edhe te përfaqësuesit boshnjakë në parlament, por njëkohësisht kemi kërkuar edhe nga presidenti turk, RexhepTaip Erdogan, që të bëjë presion te përfaqësuesit e Republikës Srpska, që t’i zbusin qëndrimet e tyre rreth kësaj çështjeje”, tha Rexhepi.

    Mosratifikimi i marrëveshjes dhe regjimi i vizave, i ka penguar udhëtimet e qytetarëve boshnjakë që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Rasim Demiri, kryetar i Koalicionit “Vakat”, thotë për Radio Kosovën se edhe atij, dy herë i është refuzuar viza për udhëtim në Bosnje e Hercegovinë.

    “Më besoni, unë personalisht konsiderohem si viktimë e regjimit të vizave, sepse dy herë kam tentuar që të marrë vizë dhe e njëjta më është refuzuar nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës. Besoni, është proces shumë i ndërlikuar sepse kërkohen shumë dokumente. Në Bosnje, për herë të fundit kam qenë në vitin 2015-16, edhe atë, jo si përfaqësues i boshnjakëve e as si Rasim Demiri, por ishte një vizitë parlamentare, ku vizat na janë lëshuar në Brukse”, deklaroi ai.

    Ndërkohë, Sabina Cudiq, deputete boshnjake në Parlamentin e Bosnje Hercegovinës, më herët i pati thënë Radio Kosovës se “Bosnja dhe Hercegovina ka një udhëheqje komplekse dhe për atë Republika Srpska refuzon edhe masat më të moderuara, siç është njohja e dokumenteve të udhëtimit, si e drejtë elementare për lirinë e lëvizjes.

    “Fatkeqësisht, do ju gënjeja nëse do thosha se ka ndryshime domethënëse në politikën e jashtme të Bosnjës, përballë Kosovës. Megjithatë, po mundohemi që të sigurojmë që përmes Procesit të Berlinit, studentët dhe qytetarët e vendeve tona, të lëvizin lirshëm, diçka që unë personalisht jam dëshmitare, ku anëtarë të familjes sime që janë kosovarë, nuk mund të lëvizin. Ajo që shpresoj është që si hap i parë, të jetë normalizimi i raporteve ndërmjet vendeve tona. Kërkoj më shumë durim dhe mirëkuptim nga kosovarët që të kuptojnë se politika jonë e jashtme është delikate, sepse ka një koordinim me Republikën Serbe dhe me të gjithë mekanizmat e tjerë të spektrit politik që përbëjnë qeverinë. Në këtë kontekst, fatkeqësisht, nuk do të shohim përparim”, pati thënë Cudiq.

    Liria e lëvizjes për kosovarët në Bosnje dhe Hercegovinë, vazhdon të bllokohet nga politikanët serbë të Bosnjës. Kur marrëveshja u nënshkrua, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, ishte anëtari i partisë së Milorad Dodikut (SNSD) Zoran Tegeltija. Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës prandaj qytetarët e të dyja shteteve, nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse, obligohen që paraprakisht të pajisen me vizë hyrëse.

  • Refuzohet kërkesa e ZPS-së për apelimin e vendimit për përjashtimin e disa provave të një dëshmitari kundër Selimit

    Refuzohet kërkesa e ZPS-së për apelimin e vendimit për përjashtimin e disa provave të një dëshmitari kundër Selimit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është refuzuar kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për apelimin e vendimit për përjashtimin e disa provave në lidhje më një dëshmitar i cili kishte dhënë pretendime të reja lidhur me Rexhep Selimin.

    “Për këto arsye, Paneli REFUZON kërkesën për certifikim për të apeluar Vendimin e Kundërshtuar”, thuhet në vendimin e 18 korrikut 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, më 19 qershor 2024, ishte miratuar kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit që disa prova në lidhje me një dëshmitar të përjashtohen nga procesi gjyqësor pasi trupi gjykues kishte konstatuar se kishin efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin.

    Madje, sipas DhSK-së, trupi gjykues kishte udhëzuar Prokurorinë që të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë gjatë dhënies së dëshmisë prej dëshmitarit dhe të paralajmëronte dëshmitarin të mos fliste për të gjatë dëshmisë.

    Sipas vendimit, këto prova kishin të bënin me dy pretendime ndaj Selimit: vrasja e një personi dhe rrahja dhe vrasja e një personi tjetër.

    “Në Vendimin e Kundërshtuar, Paneli përjashtoi provat që pritej që W04846 të jepte në lidhje me dy çështje që pretendoheshin se ishin të lidhura me Z. Selimin, dhe urdhëroi ZPS-në të mos nxjerrë prova në lidhje me këto çështje. Dy çështjet ishin: (i) vrasja e një individi (“Pretendimi i Parë”); dhe (ii) rrahja dhe vrasja e një individi tjetër (“Pretendimi i Dytë”) (kolektivisht “Akuzat”). Paneli vërejti se, siç ishte pranuar nga ZPS, ZPS nuk kishte ngarkuar Akuzat në Indiktimin e ngarkuar, as ZPS nuk kishte bërë referencë për to në Dokumentin Paragjyqës. Paneli theksoi se, ndonëse provat e “akteve dhe sjelljeve të padënuara të të Akuzuarit” mund të jenë të papranueshme për qëllimin e përcaktimit të fajësisë për krimet e ngarkuara, këto prova mund të jenë të pranueshme për qëllime të tjera të vlefshme. Megjithatë, në rrethanat specifike përpara tij, Paneli e përdori diskrecionin e tij për të përjashtuar Akuzat për shkak të vlerës së kufizuar provuese dhe potencialit për paragjykim të rëndësishëm të Akuzave”, thuhet në vendimin e 18 korrikut 2024.

    Por, ZPS-ja kishte parashtruar se vendimi për përjashtimin e këtyre provave i privon ata nga mundësia për të nxjerrë dhe mbështetur prova tjera të rëndësishme.

    “ZPS argumenton se Çështjet e Parë dhe të Dytë, individualisht dhe/ose kolektivisht, ndikojnë në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave, pasi Vendimi i Kundërshtuar e privon ZPS-në nga mundësia për të nxjerrë dhe mbështetur prova të rëndësishme për, ndër të tjera, ndërmarrjen e përbashkët kriminale të akuzuar dhe gjendjen mendore të të Akuzuarit, dhe minon aftësinë e Panelit për të vlerësuar dëshmitë e Ë04846. Së fundmi, ZPS pretendon se zgjidhja apelative e Çështjeve të Parë dhe të Dytë do të përparojë materialisht procedurat pasi do të sqarojë fushën e lejueshme të provave të Ë04846 dhe dëshmitarëve të ngjashëm”, thuhet në vendim.

    Megjithatë, në vendim thuhet se Paneli kishte shpjeguar se akuzat e dytë ishin paragjykuese për shkak se përbente një akt të pretenduar kriminal të Selimit i cili nuk ishte në aktakuzë dhe as në parashtresat paraprake të ZPS-së.
    “Për më tepër, në Vendimin e Kundërshtuar, Paneli shpjegoi se Akuzat e Dytë ishin paragjykuese sepse: (i) ishte një akt i pretenduar kriminal i Z. Selimi që nuk ishte akuzuar në Aktakuzë, as nuk ishte përmendur në Parashtresën Paraprake; (ii) “fakti që një dëshmitar thotë se një i Akuzuar ka kryer një krim në një rast të mëparshëm… ka një potencial paragjykimi ndaj të Akuzuarit pasi mund të prezantohet për të sugjeruar ‘karakterin e keq’ të të Akuzuarit, ose për të treguar se ai kishte një ‘prirje për të vepruar në një mënyrë të caktuar’”; dhe (iii) koha dhe natyra e Akuzës së Dytë e bëri atë paragjykuese”, thuhet në vendim për çka ZPS-ja nuk ishte pajtuar me këto përfundime.

    Me teje, Paneli kishte gjetur se vlera provuese e pretendimit të dytë ishte e kufizuar për të tejkaluar efektin paragjykues që t’i lejohet më pas ZPS-së për ta paraqitur në prova.

    “Më tej, siç kërkohet nga Rregullat, Paneli vlerësoi rëndësinë dhe vlerën provuese ‘prima facie’ të Pretendimit të Dytë dhe e balancoi atë kundrejt efektit paragjykues të asaj prove. Bazuar në një vlerësim të tillë, Paneli konkludoi se vlera provuese ‘prima facie’ e Pretendimit të Dytë ishte mjaftueshëm e kufizuar për t’u tejkaluar nga efekti paragjykues që do të rezultonte nga lejimi i ZPS-së për të paraqitur provat”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, Charles Smith III në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues ka refuzuar kërkesën e ZPS-së që ta apelojë vendimin për përjashtimin e këtyre provave që lidhen më dëshmitarin W04846.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq mbyllen përkohësisht nga inspektorati

    ​Dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq mbyllen përkohësisht nga inspektorati

    Dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas konstatimit të operimit pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.

    Ky noftim ka ardhur nga ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë duke thënë se ky aksion është realizuar me sukses nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

    “Verifikimi i dokumentacionit përkatës ishte në qendër të këtij operacioni, duke siguruar që çdo operator ekonomik të respektojë rregullat dhe ligjet në fuqi. Kujdes! Të gjitha subjektet që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësiaë dhe Tregtisë, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ndaj atyre që operojnë në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese strikte sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrollet edhe në ditët në vijim”, përfundon njoftimi.