ATV

Author: ATVLive

  • ​Problemet në shpërndarjen e teksteve shkollore në Prizren, i raporton Veselaj Gutaj

    ​Problemet në shpërndarjen e teksteve shkollore në Prizren, i raporton Veselaj Gutaj

    Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit nuk ka bërë shpërndarjen me teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për vitin 2023-2024.

    Kështu ka deklaruar drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Luljeta Veselaj Gutaj gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit Fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Ajo ka bërë me dije se ka pasur fëmijë që komuniteti shkollor ia ka gjetur librat.

    Kryetari i këtij komisioni Shemsedin Dreshaj ka pyetur drejtoreshën Veselaj Gutaj se cilat janë problemet që ka hasur kjo drejtori lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore.

    “Informatat kanë qenë shumë të mangëta në raport me pyetjet që i kemi dorëzuar. Cilat janë problemet që i keni hasur si drejtori e arsimit, lidhur me shpërndarjen e teksteve? Kur është bërë kompletimi i literaturës për nxënës? Sa nxënës nën moshën 6 vjeçare kanë mbetur pa tekste?”, ka pyetur ai.

    Gutaj, është përgjigjur se arsyeja që kjo drejtori nuk ka bërë shpërndarjen e teksteve është sepse nuk kanë qenë të informuar.

    Informatën për subvencionim kjo komunë e ka marrë pas një deklarate të MAShT në media.

    Gjithashtu, ajo ka shtuar se prindërit nga buxheti i tyre kanë blerë librat dhe këtë e dëshmon me deklarata të prindërve.

    “Drejtoria e Arsimit në Prizren nuk e ka bërë shpërndarjen me tekste sepse 10 ditë para se te filloj viti shkollor ka dale ministrja e Arsimit me një komunikatë për media dhe jemi njoftuar përmes mediave se do të bëhet subvencionimi. Vetë prindërit i kanë ble librat, ne nuk kemi bë shpërndarje. Ne kemi pas nxënës që nuk ka pasur libra fare. Kemi fëmijë që komuniteti shkollor ia ka gjetur librat. Kemi edhe deklarata të prindërve. Shkolla Lekë Dukagjini që ma listuar dhe protokolluar procesverbalin që prindërit kanë blerë librat pa u bërë rimbursimi dhe nuk u kanë dalë mjetet në gjirollogari emër mbiemër cilën klasë”, ka thënë ajo.

    Ndërkaq, mbledhja është ndërprerë pasi që nuk ka pasur kuorum.

  • Biden: Tërheqja ishte gjëja e duhur për t’u bërë

    Biden: Tërheqja ishte gjëja e duhur për t’u bërë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendimi i tij për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje, ka qenë “gjëja e duhur për t’u bërë”.

    Biden i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me ndihmësit e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.

    Këto ishin të parat prej tij, prej se u tërhoq nga gara më 21 korrik.

    Ai i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, e cila tani duhet të sigurojë nominimin e partisë si kandidate për presidente.

    “E di që lajmi [për tërheqjen time] ishte befasues dhe i vështirë për t’u dëgjuar, por ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.

    Ai tha se ekipi ka punuar “me shpirt” për ta ndihmuar atë që të qëndronte në detyrë edhe për një mandat të dytë, por shtoi se “nuk do të shkojë askund” dhe se do të mbetet “plotësisht i angazhuar” në fushatë.

    “Shpresoj që ju t’i jepni Kamalës një pjesë të zemrës dhe shpirtit tuaj, që ma keni dhënë mua”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.

    “Ne ende duhet ta shpëtojmë këtë demokraci. Trump paraqet ende rrezik për këtë komb”, tha Biden duke iu referuar kandidatit republikan për president, Donald Trump.

    Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor.

  • Dy gra lëndohen në ashensorin e një objekti në Vushtrri, dërgohen në spital

    Dy gra lëndohen në ashensorin e një objekti në Vushtrri, dërgohen në spital

    Mbrëmë pak para mesnate dy gra janë lënduar në ashensorin e një objekti banesor në Vushtrri.

    Viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor, derisa Policia e Kosovës ka dal në vendin e ngjarjes.

    Lajmi e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.

    “Është raportuar se dy viktima f/sh/k kanë pësuar lëndime në ashensor. Rasti është iniciuar dhe po hetohet për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithëshëm””, tha ai.

  • ​Interi prezanton fanellën historike

    ​Interi prezanton fanellën historike

    Interi dhe Nike kanë prezantuar fanellën e re të shumëpritur për sezonin 2024/25. Tringjyrëshi rikthehet në fanellën e destinuar për t’u bërë ikonë dhe, për herë të parë, ylli i dytë historik është i pranishëm në fanellë.

    Fanella e re mban të qëndisur në gjoks të kaluarën e lavdishme të klubit, por mbi të gjitha përfaqëson ambiciet e tij për të ardhmen, përcjellë KP.

  • Nëse pini qumësht çdo ditë, mësoni si ndikon në organizmin tuaj

    Nëse pini qumësht çdo ditë, mësoni si ndikon në organizmin tuaj

    Produktet e bulmetit duhen shmangur ose nuk duhet tepruar me konsumin e tyre sepse kanë tendencën të shkaktojnë probleme me tretjen, mbipeshën e të tjerë.

    Pikëpyetjet janë të shumta, sidomos për ndikimin që pirja çdo ditë e qumështit tradicional ka në organizëm.

    Qumështi ndihmon për rënien në peshë

    Pirja çdo ditë e qumështit ndihmon në rënien në peshë, sidomos tek femrat. Ai përmban pak kalori dhe shumë ushqyes. Megjithatë, përpos rënies në peshë, femrat nuk mund të shmangin dot fryrjen në stomak që shkakton qumështi.

    Qumështi është burim i mirë proteinash

    Në çdo 30 ml të qumështit të lopës gjendet 1 gramë proteinë e cilësisë së lartë dhe e pasur me amino acide. Kjo proteinë frenon nepsin dhe ju mban të ngopur për shumë kohë. Alternativat bimore të qumështit përmbajnë më pak proteinë, ndaj janë më pak të shëndetshme, raporton AgroWeb.

    Masa muskulore

    Qumështi ndihmon në ruajtjen e masës muskulore për shkak të amino acideve që ai përmban. Për më tepër, proteina shtazore nga qumështi i lopës përthithet më lehtë nga trupi dhe forcon muskujt.

    Burim kalciumi

    Qumështi është i pasur me vitamina dhe minerale, veçanërisht kalcium dhe vitaminë D. Kalciumi gjendet lehtë edhe tek barishtet, por ju duhet të hani dhjetë racione me spinaq për të përfituar të njëjtën sasi kalciumi që gjendet në një gotë me qumësht lope.

    Qumështi kundër plakjes

    Pirja e qumështit çdo ditë ndihmon në parandalimin e osteoporozës tek gratë. Vitamina D që gjendet tek qumështi ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave dhe masës muskulore me kalimin e moshës. Humbja e masës muskulore si pasojë e plakjes është më e madhe tek femrat se tek meshkujt.

    Qumështi ju mbron nga sëmundjet

    Përmbajtja e vitaminës A, K2 dhe acidet yndyrore tek qumështi dhe nënproduktet e tij ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

    Qumështi shkakton akne

    Nga ana tjetër, qumështi shkakton inflamacion dhe pirja çdo ditë e tij nxit shfaqjen e akneve që eliminohen me shumë vështirësi.

    Qumështi shkakton fryrje dhe probleme me tretjen

    Stomaku e ka të vështirë të përpunojë këtë produkt bulmeti. Me kalimin e moshës, sistemi tretës dobësohet dhe qumështit shkakton fryrje të mëdha që zgjasin për gjithë ditën. Nga ana tjetër, qumështi i pasterizuar dhe i përpunuar përmban baktere (të mira e të këqija) që prishin ekuilibrat në mikrobiomën e stomakut. Kjo mund të shkaktojë probleme afatgjatë në sistemin tretës dhe në tru. Prandaj ekspertët rekomandojnë që krahas qumështit të konsumoni produkte të tjera më pak të përpunuara siç është kosi.

  • ​Ballkani luan sot në Ligën e Konferencës

    ​Ballkani luan sot në Ligën e Konferencës

    Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, do të vazhdojë rrugëtimin e tyre në garat evropiane duke u paraqitur në Ligën e Konferencës.

    Skuadra e trajneri Ilir Daja pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve, sot do të ballafaqohet nga skuadra nga Malta, Hamrun, raporton KosovaPress.

    Ky ballafaqim do të zhvillohet sot me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

  • Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

    Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

    Gazetari taxhik, Temur Varki, është habitur kur e ka pranuar një thirrje prej policisë së Parisit, në fund të marsit, disa ditë pasi militantë prej vendlindjes së tij, të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), janë dyshuar se kanë kryer një masakër në Moskë.

    Dy zyrtarë e kanë marrë në pyetje për komunitetin e vogël të imigrantëve taxhikë në Francë.

    “Kë e njihni? Sa prej tyre? Ku?”, ka rikujtuar Varki ta kenë pyetur zyrtarët, dhe njëri prej tyre ka folur rusisht, gjuhë e përdorur shpesh në Azinë Qendrore, ku gjendet Taxhikistani.

    Varki, refugjat në Francë, i cili ka punuar për media të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, u ka thënë zyrtarëve policorë se njeh pak taxhikë në Francë dhe ata janë kryesisht disidentë.

    “Por, nuk e njoh asnjë xhihadist”, u ka thënë ai.

    Pak ditë para se të nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris, më 26 korrik, shërbimet franceze të sigurisë janë duke bërë përpjekje të shumta për të siguruar informacione dhe për të thelluar lidhjet me taxhikët në Francë, sipas dhjetëra njerëzve të afërt me këto zhvillime, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

    Aty përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës, policë, diplomatë dhe migrantë të Azisë Qendrore, të cilët janë kontaktuar prej autoriteteve.

    Këto operacione vijnë pas dy sulmeve të mëdha të këtij viti, për të cilat autoritetet deklarojnë se janë kryer prej anëtarëve taxhikë të grupit Shteti Islamik i Korasanit (IS-K), degë e IS-it, që është emëruar sipas rajonit historik të Korasanit, e që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

    Sulmet me bomba në Iran, më 3 janar, kanë vrarë rreth 100 njerëz në një ceremoni përkujtimore për komandantin e vrarë iranian, Qassem Soleimani, derisa më 22 mars, në Moskë, sulmuesit kanë shtënë me armë në sallën e koncerteve Crocus, duke vrarë më shumë se 120 njerëz.

    Autoritetet franceze kanë thënë se tashmë kanë penguar kryerjen e një sulmi islamik në Olimpiadë, duke arrestuar në maj një çeçen, 18-vjeçar, të dyshuar për planifikim të një sulmi terrorist në emër të IS-it, në stadiumin e futbollit Saint-Etienne, në të cilin do të luajnë Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

    Duke marrë parasysh të kaluarën koloniale dhe rritjen e disponimit kundër myslimanëve, por edhe përfshirjen historike në luftërat në Lindje të Mesme dhe ato afrikane, Franca ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve islamiste.

    Muajin e kaluar, shefi policor i Parisit, Laurent Nunez, ka thënë se “terrorizmi islamist është shqetësimi ynë kryesor” në Olimpiadë, ndonëse autoritetet kanë thënë se nuk kanë vërejtur kërcënime direkte kundër Lojërave.

    Taxhikistani, i prekur prej luftërave civile në vitet ’90, është vendi më i varfër në ish-republikat sovjetike.

    Ai varet prej remitencave të migrantëve, që jetojnë kryesisht në Rusi, dhe përbëjnë gati gjysmën e hyrave në ekonomi.

    Burrat e varfër dhe të izoluar të diasporës taxhike kanë dalë të jenë shënjestra atraktive për rekrutim prej anëtarëve të grupit IS-K, sipas shumë ekspertëve të sigurisë.

    Megjithatë, inteligjenca franceze ka pak asete të Azisë Qendrore, ka thënë një burim për Reutersin, prandaj vështirë depërton ne komunitetin e tyre.

    Sipas Asociacionit të Taxhikëve të Francës, në këtë vend janë rreth 30 familje taxhike.

    Ky burim i inteligjencës ka thënë se IS-K përbën kërcënim relativisht të ri, pasi të rekrutuarit që jetojnë jashtë vendit mund të radikalizojnë shtetasit e Azisë Qendrore në Francë, për të kryer sulme në tokën franceze.

    Si dëshmi, ky burim e ka përmendur rastin e një burri taxhik, që është arrestuar më 2022, për organizim të një sulmi në Strasburg. Ky burim ka thënë se ai person ka qenë duke vepruar sipas udhëzimeve të anëtarëve të grupit IS-K, jashtë shtetit.

    Një burim tjetër ka thënë se Franca ka identifikuar dhjetëra anëtarë të grupit IS-K në shumë shtete rreth Afganistanit, të cilët kanë prezencë të madhe online dhe tentojnë të bindin të rinjtë në shtetet evropiane, që janë të interesuar për t’iu bashkuar grupit, për të kryer sulme.

    Ata persona, më pas, lidhin të rekrutuarit me njëri-tjetrin, për t’u pajisur me dokumente të rreme dhe armë, dhe që ky proces mund të zgjasë disa javë.

    Ministria e Jashtme e Taxhikistanit, nuk ka pranuar të komentojë lidhur me këtë temë.

    Ceremoni komplekse

    Përveç Varkit, Reuters ka folur me dy taxhikë tjerë dhe një uzbek, që jeton në Francë, të cilat janë kontaktuar prej policisë dhe janë marrë në pyetje për komunitetet e tyre.

    Nadejda Atayeva, aktiviste uzbeke për të drejta të njeriut në qytetin veriperëndimor, Le Mans, ka thënë se ua ka dhënë zyrtarëve numrin kontaktues të Varkit, pasi është takuar me zyrtarët policorë në Paris.

    “Jam pyetur për kontakte të taxhikëve që u besoj. Më është thënë se kanë dashur të flasin me taxhikët për të marrë mendimin e tyre për zhvillimet në Moskë”, ka thënë ajo.

    Sebastien Peyrouse, akademik francez që i ka informuar agjencitë franceze dhe amerikane për natyrën e militantëve të Azisë Qendrore, ka thënë se Parisi mund të ketë qenë i ngadalshëm për të shmangur kërcënimin e mundshëm taxhik.

    “Franca është fokusuar më shumë te njerëzit e radikalizuar të Lindjes së Mesme, prej Algjerisë, veriut të Afrikës, sesa në ata të Azisë Qendrore”, ka thënë ai.

    “Mendoj që Franca është befasuar me atë që ka ndodhur në Moskë, dhe mund të jetë pak vonë”.

    Inteligjenca ruse, ndonëse ka informacione të detajuara për rrjetet e militantëve të Azisë Qendrore, ka dështuar që të parandalojë sulmin në sallën Crocus, ka thënë Edward Lemon, ekspert i Taxhikistanit, që ka kontakte të shpeshta me agjencitë perëndimore të spiunimit.

    Inteligjenca e këmbyer në mes të Rusisë dhe Francës për Shtetin Islamik, dhe grupet tjera ekstremiste, është zvogëluar dukshëm pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, ka thënë ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në prill të këtij viti.

    Dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, që koordinojnë sigurinë e ekipit amerikan në Olimpiadë, i kanë thënë Reutersit se, kanë besim në përgatitjet e Francës.

    Pa hyrë në hollësi, ata kanë thënë se tentimet franceze për të krijuar lidhje të ngushta me popullatën taxhike, kanë reflektuar për një praktikë e zakonshme kundër terrorizmit, për të mësuar më shumë për figurat kërcënuese brenda komunitetit.

    “Secili do të kishte më shumë” informacione për kërcënimet prej Azisë Qendrore, ka thënë njëri prej tyre.

    Luftëtarë të ikur prej Sirisë

    Kërcënimi më i madh prej militantëve taxhikë në Evropë vjen prej dhjetëra burrave të radikalizuar që kanë luftuar në Siri dhe kanë depërtuar në kontinentin evropian prej Ukrainës, sipas Lemonit dhe dy ekspertëve tjerë për Azinë Qendrore.

    Vitin e kaluar, autoritetet gjermane kanë arrestuar gjashtë persona të Azisë Qendrore, për të cilët ka pasur dyshimet se kanë tentuar të krijojnë një organizatë terroriste.

    Këta persona, me shtetësi turkmene, taxhike dhe kirgize, kanë hyrë në Gjermani prej Ukrainës, pak pasi ka nisur pushtimi rus, më 2022, kanë thënë prokurorët.

    Ata tani janë në burg, në pritje të gjyqit.

    Lemon beson se në Evropë jetojnë mijëra taxhikë, kryesisht në Poloni dhe Gjermani.

    Shumica prej tyre janë refugjatë politikë, që janë shpërngulur një dekadë më parë, pasi presidenti taxhik, Emomali Rakhmon, ka shpallur dy lëvizjet opozitare – Grupi 24 dhe Partia Islamike e Rezistencës – si parti terroriste dhe ekstremiste.

    Rakhmon, aleat i Rusisë, e ka udhëhequr Taxhikistanin për 30 vjet.

    Varki, kritik i hapur i Rakhmonit, ka thënë se ka kërkuar azil në Francë më 2016, sepse ai e pëlqen shumë kulturën dhe letërsinë franceze.

    Ai ka thënë se nuk ka biseduar kurrë me autoritetet franceze të sigurisë në Francë, derisa ata e kanë kontaktuar në mars.

    Muhammadiqboli Sadriddin, një tjetër disident taxhik, që jeton në Francë, ka thënë se edhe ai është ftuar prej policisë.

    “Më kanë pyetur se çfarë di”, ka thënë Sadriddin.

    Ai ka thënë se ka dashur të ndihmojë, por nuk e ka njohur asnjë taxhik me ide radikale.

    Tre ekspertë i kanë thënë Reutersit që tentimet e Francës për të depërtuar te komuniteti taxhik mund të kenë efekt të kundërt.

    Një ish-spiun amerikan, ka thënë në kushte anonimiteti se, inteligjenca franceze është duke bërë punë të mirë, në përgjithësi.

    Mirëpo, ai beson që rritja e presionit ndaj taxhikëve për informacion, mund t’i stigmatizojë ata dhe t’i frikësojë që të identifikojnë ndonjë individ të rrezikshëm.

    Jean-Francois Ratelle, specialist për militantët islamikë në Universitetin e Otavës, është pajtuar.

    “Ky ndërtim i marrëdhënies me komunitetin do të duhej të kishte ndodhur vite më parë. Nëse mendësia është te luftimi i terrorizmit, receta është e dështuar”, ka thënë ai. /REL

  • Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

    Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

    Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

    Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, është shprehur se ardhja e mundshme e Kamala Harrisit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mund të kishte ndikim edhe në politikën në Ballkan.

    Sipas tij, ajo është e ashpër ndaj Kinës, ashtu si presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump, por që është shprehur se “Kosova asaj mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina”, në aspektin e konflikteve territoriale.

    “Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se ajo duhet të ushqehet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republika Sërpskas. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”, ka shkruar Serwer në blogun e tij në internet.

    Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

    “Presidenti Vuçiq e ka orientuar Beogradin drejt Lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë. Furnizimet serbe me armatim për Ukrainë vlejnë, por ka mundësi që rrjedhin për çështje ekonomike…”, ka thënë ai.

    Për luftën në Ukrainë, Serwer ka thënë se Harris do që Kievi të fitojë dhe Moska të humbasë, por “ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen e territorit”.

    “Ky qëndrim mund të bartet në Ballkan. Nuk do të doja të isha ai që do t’i thoshte një presidenteje grua, me ngjyrë, se njerëzit e etnive të ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku”, ka shtuar Serwer, derisa “risi” e ka cilësuar marrjen e detyrës së zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor nga Alexander Kasanof.

  • ​Gërmoi me ekskavator pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, arrestohet në Leposaviq

    ​Gërmoi me ekskavator pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, arrestohet në Leposaviq

    Një person është në Leposaviq arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte gërmuar me ekskavator një sipërfaqe afër rrugës pa pasur pëlqimin nga institucionet e Kosovës.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në 20 korrik, ku nga i dyshuari është sekuestruar një ekskavator.

    Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

  • Vdes një person në Tërstenik të Drenasit, ra në kontakt me energjinë elektrike

    Vdes një person në Tërstenik të Drenasit, ra në kontakt me energjinë elektrike

    Një person ka humbur jetën tragjikisht të hënën pasdite në fshatin Tërstenik të Drenasit.

    Sipas DrenicaOnline viktima ka humbur jetën në kontakt me energjinē elektrike derisa po punonte në ujtje.

    Viktima është nga Vërboci, ndërsa ngjarja tragjike ka ndodhur në Tërstenik.

    Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.