ATV

Author: ATVLive

  • ​U ‘sëmur’ në SHBA por shkoi në Rusi, Islami: Vuçiq përpiqet ta luajë rolin e ndërmjetësuesit

    ​U ‘sëmur’ në SHBA por shkoi në Rusi, Islami: Vuçiq përpiqet ta luajë rolin e ndërmjetësuesit

    Aleksandar Vuçiq po përpiqet në vazhdimësi të përfitojë edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga Rusia, thotë eksperti i sigurisë, Avni Islami, derisa flet për vizitën që presidenti serb po zhvillon në Moskë.

    Vuçiq do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj, pavarësisht kundërshtimit të Bashkimit Evropian.

    Komisionarja për Zgjerim e bllokut, Marta Kos tha ditë më parë se nëse Vuçiq shkon në Moskë, ajo do ta ketë shumë më të vështirë t’i ndihmojë Serbisë të qëndrojë e përkushtuar në rrugën evropiane.

    Më 9 maj, Rusia shënon 80-vjetorin e fitores kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.

    “Duke ditur që Aleksandër Vuçiq në kohën e Millosheviq ishte zëdhënës i propagandës dhe informacionit, ai edhe pse sot është president i Serbisë, ende jeton me të kaluarën dhe përpiqet që përmes propagandës dhe gënjeshtarëve të tij të arrijë sukseset e tij. U pa që mediat, të cilat janë nën kontroll të tij në Serbi, e proklamuan se presidenti Vuçiq do të takohet me Donald Trump në Amerikë dhe se e tëra kjo ishte lojë. Kjo tregon se ai është i pasinqertë dhe kjo tregon se në SHBA nuk është pritur një lojë e tillë e tij, sepse në fakt ai nuk ishte i sëmurë. Biseda ose takimi me Donald Trump do t’i shërbente si trampolinë që ai të shkojë drejt Moskës, ku do të merr pjesë së bashku me presidentin Putin në një paradë atje. Kjo tregon se ky përpiqet në vazhdimësi të përfitojë nga Lindja dhe Perëndimi, nga Rusia dhe SHBA-ja”, potencon Islami.

    Përveç tjerash, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se Vuçiq po përpiqet përmes shtetit serb ta luajë rolin e ndërmjetësuesit mes SHBA-së dhe Rusisë.

    “Matematikat e fuqive të mëdha janë të mëdha. Pa dyshim që ky (Vuçiq) është dashur që të ndëshkohet. Duhet theksuar edhe një fakt, se ky përpiqet që përmes shtetit serb ta luajë një rol si një lloj ndërmjetësuesi në mes SHBA-së dhe Rusisë. Por, faktikisht amerikanët dhe rusët nuk janë të interesuar për ndërmjetësues, sepse ata flasin dhe bisedojnë në mënyrë diplomatike me diplomatë e vet”, thotë Islami.

    Para Moskës, Vuçiq udhëtoi për në Amerikë dhe kishte planifikuar të takohej me zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, si dhe me presidentin amerikan, Donald Trump.

    Mediat në Beograd më pas raportuan se Vuçiq u shtrua në Spitalin ushtarak në Beograd.

    Ish-diplomati serb Nebojsha Vujoviq, tha se Vuçiq peshkoi veten e tij, pasi mendoi “të bëjë një foto me Trumpin për të zbutur kërcënimin nga Evropa dhe për të shkuar në Moskë”.

    Islami ndër të tjera flet edhe për arrestimin e fundit të një personi të dyshuar për spiunazh.

    Prokuroria Speciale njoftoi se pas hetimeve disamujore ka arrestuar H.S, i dyshuar për spiunazh. Sipas njoftimit, aksioni dhe arrestimi u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si dhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

    Islami thotë për KosovaPress se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë prova të mjaftueshme për personin e arrestuar, por edhe për të tjerë që i shërbejnë BIA-s serbe.

    “Arrestimi i djeshëm i një të dyshuari ku mendohet se ka prova të mjaftueshme se ishte bashkëpunëtor i BIA-s dhe se në të njëjtën kohë i njëjti kishte qenë në Siri dhe është akuzuar për terrorizëm. Unë besoj se institucionet e sigurisë së Kosovë kanë prova të mjaftueshme jo vetëm për këtë, por edhe për disa të tjerë. Kur merret parasysh që brenda një viti janë arrestuar pesë bashkëpunëtorë ose agjentë të BIA-së, kam theksuar se ky është vetëm fillimi dhe se në Kosovë vlojnë bashkëpunëtorë e agjentë të BIA-së”, thotë Islami./kp

  • Arrestohen dy të dyshuar për posedim të marihuanës dhe para kesh në Ferizaj

    Arrestohen dy të dyshuar për posedim të marihuanës dhe para kesh në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për posedim të substancave narkotike në Ferizaj. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit në veturën dhe shtëpitë e tyre, janë gjetur dhe sekuestruar 1,559.80 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 6. 256 euro para kesh dhe disa dëshmi tjera relevante për rastin, raporton KosovaPress.

    “Fsh. Bibaj, Ferizaj 07.05.2025 – 15:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi gjatë kontrollit në veturën dhe shtëpitë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar: 1559.80 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 6256 euro para kesh si dhe disa dëshmi tjera relevante për rastin”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Policia njofton se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Qetësi në qytetet ukrainase në orët e para të armëpushimit të shpallur nga Kremlini

    Qetësi në qytetet ukrainase në orët e para të armëpushimit të shpallur nga Kremlini

    Qytetet ukrainase duken të jenë të qeta mëngjesin e së enjtes, pasi ka hyrë në fuqi një armëpushim treditor i shpallur nga Rusia. Thuhet se nuk ka pasur asnjë sulm me dronë apo raketa mëngjesin e sotëm, pas disa netësh bombardimesh të pareshtura.

    Megjithatë, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se avionët rusë hodhën dy herë bomba të telekomanduara mbi rajonin Sumi në verilindje të vendit, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

    Sulmi i parë ndodhi pothuajse tri orë pasi hyri në fuqi armëpushimi, ndërsa i dyti brenda dy orësh. Nuk ka të dhëna për dëmet e shkaktuara.

    Kryeqyteti Kiev është i qetë në orët e para të ditës, por nuk është e qartë nëse luftimet janë ndalur edhe në vijën e frontit.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalli armëpushimin 72-orësh për të përkuar me aktivitetet përkujtimore të 80-vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

    Ai po i mirëpret në Moskë presidentin kinez, Xi Jinping, dhe liderë të tjerë për festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, që përfshijnë edhe një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq.

    Mes të ftuarve janë edhe kryeministri sllovak, Robert Fico, që ka kritikuar hapur mbështetjen e BE-së për Ukrainën, si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili vizitoi Moskën pavarësisht trysnisë nga BE-ja se kjo vizitë mund të dëmtojë ambiciet e Serbisë për anëtarësim në bllok.

    Kremlini njoftoi se Putin do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët më 9 maj.

    Ukraina nuk e ka pranuar armëpushimin, duke theksuar se Putini e shpalli atë vetëm për ta krijuar një përshtypje se kërkon përfundimin e luftës.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi në një fjalim më 7 maj se alarmet për sulme ajrore kishin rënë në të gjithë vendin pas një nate me sulme të rënda.

    “Gjatë natës pati një tjetër sulm rus me raketa dhe dronë – sulme balistike dhe mbi 140 dronë kamikazë vetëm në një natë”, tha Zelensky. “Ishte zhurmë në Kiev dhe në qytete të tjera. Fatkeqësisht ka të plagosur dhe të vrarë.”

    Ai theksoi se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj propozimit për një armëpushim 30-ditor në këtë luftë, e cila nisi pasi Rusia e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

    Propozimi për armëpushim 30-ditor u bë nga Shtetet e Bashkuara në mars dhe u pranua nga Ukraina.

    Rusia ka thënë se një marrëveshje e tillë mund të hyjë në fuqi vetëm nëse vendosen mekanizma për zbatimin e saj.

    Të dyja vendet përballen me trysni nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Putin ka shprehur gatishmërinë për paqe, por zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se “rusët po kërkojnë shumë”, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të sjellë palët në tryezën e bisedimeve.

    Vance shtoi se Ukraina nuk duhet të mbetet e fiksuar pas idesë së një armëpushimi 30-ditor, duke thënë se “dallimet janë të thella”, por ai është “mjaft optimist” për mundësinë e përfundimit të luftës.

  • Gjithçka vendoset sot në Ligën e Evropës, skuadrat angleze pritet të përballen në finale

    Gjithçka vendoset sot në Ligën e Evropës, skuadrat angleze pritet të përballen në finale

    Në orën 21:00 në fushë do të zbresin katër skuadra për të zhvilluar ndeshjet e kthimit për gjysmëfinalet e Ligës së Evropës.

    Mançester Junajtid është një hap larg finales së madhe duke qenë se triumfoi me 3 gola në Spanjë. Sot në “Old Trafford” do të kërkojë sërish fitoren. Mesa duket në finale do të përballen dy skuadra angleze duke qenë se Totenhem fitoi ndaj Bodo/Glimt dhe shihet si favorit për fitore edhe në mbrëmje.

  • PDK kërkon qeveri të re nga opozita, Haradinaj kundër tryezës me VV-në

    PDK kërkon qeveri të re nga opozita, Haradinaj kundër tryezës me VV-në

    Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet edhe në përpjekjen e dymbëdhjetë për shkak të mungesës së marrëveshjes midis partive politike, duke thelluar më tej krizën institucionale.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka propozuar krijimin e një qeverie tranzicionale, një ide që ka hasur në kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ndërsa partitë e tjera kanë shprehur gatishmërinë për ta diskutuar.

    PDK-ja ka theksuar se është e angazhuar për formimin e një qeverie të re, përbërë nga partitë që kanë qenë në opozitë gjatë mandatit të kaluar.

    Sipas PDK-së, ky është opsioni më i mirë për vendin, pasi do të mundësonte rikthimin e Kosovës në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euroatlantik.

    Ndërkohë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Debat Plus mbrëmjen e së enjtes, ka theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në tryezën për krijimin e një qeverie tranzicioni që përfshin Lëvizjen Vetëvendosje, duke i referuar përpjekjeve të tjera të partive opozitare për të negociuar me Albin Kurtin.

    Haradinaj e cilësoi të palogjikshëm nxitimin e Kurtit për të shpallur veten kryeministër kur akoma nuk kishte marrë përgjigje nga LDK-ja pas letrës për koalicion.

    Në anën tjetër, Haradinaj ka shprehur gatishmërinë për të komunikuar dhe bashkëpunuar me opozitën, por pa krijuar “ura” me VV-në.

  • Ambasada gjermane dhe Zyra e BE-së shënojnë çlirimin e Gjermanisë në Prishtinë

    Ambasada gjermane dhe Zyra e BE-së shënojnë çlirimin e Gjermanisë në Prishtinë

    Sot do të mbahet në Shtëpinë e Evropës një ceremoni e organizuar nga Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë, për të shënuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë dhe çlirimin e Gjermanisë.

    Ceremonia do të mbahet në ora 18:30.

  • Luftë për medalje në Evropian – Betim Maliqi në gjysmëfinale, synon të bronztën

    Luftë për medalje në Evropian – Betim Maliqi në gjysmëfinale, synon të bronztën

    Karateisti i Kosovës, Betim Maliqi, ka siguruar një vend në luftën për medalje të bronztë në Kampionatin Evropian të Karatesë që po mbahet në Yerevan të Armenisë.

    Maliqi, që garon në kategorinë deri 75 kilogramë, u mposht ngushtë në gjysmëfinale nga karateisti malazez, Nemanja Mikuliq, me rezultat 1:0. Ai do të rikthehet në tatami të shtunën për të luftuar për medalje të bronztë, pas një performance mbresëlënëse gjatë fazës paraprake.

    Në rrugëtimin drejt gjysmëfinales, Maliqi e mposhti në raundin e katërt ukrainasin Andrii Zaplitnyi. Më herët ai eliminoi edhe kroatin Ivan Martinac dhe rumunin Gabriel Aurelian Iodache.

    Paraqitje të mirë në Evropian pati edhe Jakup Ajdari, i cili e nisi fuqishëm garën. Ai eliminoi kampionin evropian në fuqi, grekun Konstantinos Mastrogiannis, pastaj edhe çekun Jachym Tinavsky dhe më pas karateistin vendas, Gor Nersisyan.

    Megjithatë, lufta me Nersisyan u përsërit dhe në përballjen e dytë Ajdari u mposht, duke humbur mundësinë për kualifikim në gjysmëfinale.

    Në konkurrencën e femrave, Elmedina Istogu e kaloi me sukses xhiron e parë në kategorinë deri në 61 kilogramë, duke fituar 4:2 ndaj sllovakes Anna Vaczy. Megjithatë, në luftën e dytë ajo u ndal nga rumunia Mihaela Miruna Malauta, me rezultat 11:5.

    Ndërkohë, Fortesa Orana (kategoria mbi 68 kg) dhe Vlera Qerimi (61 kg) nuk arritën të kalojnë luftërat e para. Orana u mposht 7:2 nga belgja Ophelie Mulolo, ndërsa Qerimi u ndal 2:1 nga Angela Mojsovska nga Maqedonia e Veriut.

    Në disiplinën e katës, Alma Loki u eliminua në xhiron e parë nga ukrainasja Halyna Zaporozhchenko.

    Pavarësisht rezultateve, përfaqësuesit e Kosovës shfaqën angazhim dhe përkushtim në një kampionat të nivelit të lartë evropian, duke dëshmuar potencialin e karatesë kosovare në arenën ndërkombëtare.

  • ​LDK dorëzon sot kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave që u zgjodhën deputetë

    ​LDK dorëzon sot kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave që u zgjodhën deputetë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të dorëzojë sot, më 8 maj, kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që u betuan si deputetë.

    LDK-ja ka bërë të ditur se kallëzimi ka të bëjë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe “tejkalim të autorizimeve ndaj ish-kryeministrit Kurti dhe ish-ministrave, të rizgjedhur deputetë”.

    Kallëzimi do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës në orën 13:15.

    Dy javë më parë, LDK kishte bërë të ditur se do të ndërmarrë një veprim të tillë.

    Deputetja Hykmete Bajrami pati thënë se Kurti dhe ministrat në detyrë kanë bërë shkelje duke ushtruar funksionin në qeveri edhe pse kanë e kanë bërë betimin si deputetë.

    Deputetët e legjislaturës së nëntë janë betuar më 19 prill por ende nuk është arritur të bëhet konstituimi i Kuvendit.

    Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryeparlamentarit pasi Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat për Albulena haxhiun – e propozuar për kryetare të Kuvendit./KP

  • SHBA-ja dhe Britania e Madhe pritet të shpallin marrëveshjen për uljen e tarifave

    SHBA-ja dhe Britania e Madhe pritet të shpallin marrëveshjen për uljen e tarifave

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar pritet që sot të njoftojnë një marrëveshje për të ulur tarifat, raporton BBC, transmeton KP.

    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kërkuar një marrëveshje për të ulur tarifat që kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa për pothuajse çdo vend në botë muajin e kaluar.

    Presidenti Trump duket se aludoi për marrëveshjen kur postoi në mediat sociale të mërkurën në mbrëmje: “Konferencë e madhe për shtyp nesër në orën 10:00 të mëngjesit, Zyra Ovale, në lidhje me një marrëveshje të madhe tregtare me përfaqësuesit e një vendi të madh dhe shumë të respektuar. E para nga shumë të tjera!!!”.

  • ​Pakistani pezullon përkohësisht fluturimet në katër aeroporte

    ​Pakistani pezullon përkohësisht fluturimet në katër aeroporte

    Pakistani ka pezulluar përkohësisht të gjitha operacionet e fluturimeve në aeroportet në Islamabad, Karaçi, Lahore dhe Sialkot për shkak të “arsyeve operacionale” të enjten në mëngjes, tha autoriteti i aeroporteve të vendit, raporton BBC.

    Kjo vjen një ditë pasi India nisi sulme ajrore në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani në përgjigje të sulmit të muajit të kaluar në Pahalgam, ku u vranë 26 persona, transmeton KosovaPress.

    Të mërkurën, pati raportime se Pakistani mbylli disa aeroporte pas sulmeve. Por rregullatori i aeroporteve të vendit më vonë tha se hapësira ajrore e Pakistanit ishte e hapur dhe “e sigurt për aktivitetet e aviacionit civil”.