ATV

Author: ATVLive

  • Ngërçi politik, presidentja Osmani takon ambasadoren amerikane në detyrë

    Ngërçi politik, presidentja Osmani takon ambasadoren amerikane në detyrë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.

    Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe ecuria e formimit të institucioneve të reja.

    Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat me interes të përbashkët, në veçanti fushën e mbrojtjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

  • Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet anëtare me të drejta të plota e ACCF-së

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet anëtare me të drejta të plota e ACCF-së

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Asociacionin e Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF).

    Vendimi u mor gjatë Kongresit të 10-të të ACCF-së, mbajtur nga 6 deri më 8 maj 2025 në Bukuresht, Rumani.

    Ky anëtarësim forcon më tej bashkëpunimin ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila tashmë është pjesë e Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese dhe një nga themelueset e Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese.

  • Zeqiri: Bllokimi i Kuvendit po rrezikon pagat në Komunën e Zubin Potokut

    Zeqiri: Bllokimi i Kuvendit po rrezikon pagat në Komunën e Zubin Potokut

    Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po shkakton telashe serioze edhe në nivel lokal.

    Për tri komunat, Zubin Potok, Prishtinë dhe Gjilan, ky ngër politik po rrezikon funksionimin normal të tyre.

    Për pasojat konkrete në Komunën e Zubin Potokut ka folur kryetari Izmir Zeqiri.

    Ai theksoi se situata është tejet shqetësuese, sa rrezikohen edhe pagat për shërbyesit komunalë.

    “Neve, tri komuna të Republikës së Kosovës, jemi me probleme të njëjta. Por po flas specifikisht për komunën time , kjo na ka shkaktuar telashe të mëdha sepse nuk kemi mundur të ecim përpara me projektet kapitale. Dyshojmë se mund të rrezikohen edhe pagat e personelit dhe shërbyesve komunalë, sepse Kuvendi nuk është ulur që nga nëntori i vitit të kaluar, dhe kjo na sjell probleme serioze”, tha Zeqiri.

  • ​FFK pajisë me Licencë C për trajnere 30 vajza

    ​FFK pajisë me Licencë C për trajnere 30 vajza

    Federata e Futbollit e Kosovës për herë të parë ka organizuar një kurs të veçantë për trajneret e kategorisë së femrave, në përputhje me standardet e FIFA-s për Licencën C. Pas një periudhe disa mujore me ligjërata dhe trajnime, sot është finalizuar puna me shpërndarjen e licencave për 30 vajza të reja, të cilat në të ardhmen synojnë ta ushtrojnë profesionin e trajnereve të futbollit.

    Licencat u ndanë nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u.d. sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Markus Ëeidner, si dhe shefja e Departamentit të Edukimit, Sanije Krasniqi.

    Presidenti Ademi i përgëzoi vajzat për rrugëtimin që kanë zgjedhur për t’u bërë trajnere futbolli, si dhe u dëshiroi suksese në të ardhmen. Ai po ashtu u kërkoi atyre që të përkushtohen edhe më shumë në avancimin e futbollit të femrave.

    “Uroj që të gjitha mësimet që i keni marrë gjatë këtij kursi t’i shohim me rezultatin tuaj në fushë. Mos u mjaftoni me Licencën C, por përkushtohuni për kualifikime të tjera, që në mënyrë profesionale dhe bashkërisht ta ngrisim futbollin e femrave. Ne kemi parë se ka shumë talente dhe me projektet tona do të mundohemi t’ua lehtësojmë rrugën drejt qëllimeve dhe sukseseve tuaja”, tha Ademi.

    Olsa Musliu, njëra nga pjesëmarrëset në këtë kurs u shpreh e lumtur që është pajisur me këtë licencë, derisa pohoi se ky do të jetë motiv shtesë për t’u përkushtuar edhe më shumë në futbollin kosovar.

    Agnesa Gashi, tashmë e kualifikuar me Licencën C, theksoi se nuk ka qenë shumë e lehtë deri te kualifikimi në këtë kategori për shkak të trajnimeve dhe ligjëratave të shumta, por se dëshira për futbollin ka bërë që t’i përvishet punës pavarësisht sfidave.

    Edhe shefja e Departamentit të Edukimit në FFK, Sanije Krasniqi, u shpreh e lumtur për punën që është bërë në përgatitjen profesionale dhe zhvillimin e vajzave të reja, të cilat në të ardhmen pritet të punojnë si trajnere në futbollin e femrave në Kosovë. Ajo theksoi se këto kurse janë të nevojshme sepse ndikojnë drejtpërdrejt në njohuri shtesë për vajzat.

    KosovaPress

    Ky kurs, bashkë me shumë projekte të tjera që FFK ka në plan-program për zhvillimin e futbollit të femrave, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe pjesëmarrjes së vajzave në këtë sport.

  • Haradinaj kujton komandant Drinin dhe të rënët e 8 majit

    Haradinaj kujton komandant Drinin dhe të rënët e 8 majit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot komandant Ekrem Rexhën – Drini, një prej emrave më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë më 8 maj.

    “Ekrem Rexha – Drini, ishte ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me aftësitë e tij si udhëheqës dhe vizionar, la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lavdishme. I afërt dhe i respektuar nga të gjithë, humbja e tij ishte një goditje e madhe për vendin dhe një dhimbje e thellë për familjen dhe bashkëluftëtarët,” shkruan Haradinaj në një postim në Facebook.

    Ai përkujtoi gjithashtu sakrificën e banorëve të fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, të cilët më 8 maj të vitit 1999, u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot.

    Në përvjetorin e kësaj date, Haradinaj përkujtoi edhe Betejën e Llapushnikut, të zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998, një ndër betejat që ndryshoi rrjedhën e luftës çlirimtare duke i ndërprerë armikut një ndër arteriet kryesore të furnizimit.

    “Me përulje e respekt kujtojmë dhe nderojmë 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës. Njëkohësisht, në ditën e tyre kujtojmë dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë,” u shpreh Haradinaj.

    “Gjaku i tyre u bë themel i lirisë sonë, dhe kujtimi për ta do të mbetet i gjallë brez pas brezi. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!”, përfundoi Haradinaj.

  • Dënohet me një vit burg e akuzuara për vdekjen e këmbësorit në Prishtinë

    Dënohet me një vit burg e akuzuara për vdekjen e këmbësorit në Prishtinë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Yllka Berishës, duke e dënuar me 1 vit burgim dhe dënim plotësues ndalimi i drejtim të automjetit në kohëzgjatje prej dy vitesh, për akuzën se shkaktoi aksident më 26 shkurt të vitit të kaluar, ku mbeti i vdekur një këmbësor.

    Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten, gjyqtari Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjyqtari Berisha njoftoi se të akuzuarës Berisha në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Ndaj vendimit të Themelores, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 17 korrik 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e akuzuara Yllka Berisha më 26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, nga pakujdesia e derisa ishte duke ngasur veturën e saj, ka vepruar në kundërshtim me nenin 53 LRTRR-së, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë gjatë kthimit gjysmërrethor, duke mos u siguruar se një veprim i tillë mund të paraqes rrezik jo vetëm për veten e vet, por edhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik dhe duke mos pasur përqendrimin e duhur rreth drejtimit të automjetit, nuk kishte marrë harkun e nevojshëm për kthim gjysmërrethor në mënyrë të sigurt.

    Aktakuza thotë se në kthim e sipër duke parë rrezikun frenon vrullshëm dhe nuk mund të ndalet, vazhdon derisa kalon mbi trotuar dhe mbi shtegun për çiklistë, pastaj vazhdon derisa me pjesën ballore të automjetit e kishte goditur shtyllën e semaforit që është ngjitur me vendkalim të këmbësorëve, me atë rast shtylla e semaforit ishte anuar dhe si pasojë me pjesën e sipërme e kishte goditur në kokë kembësorin- tani të ndjerin Sh.H., i cili në atë moment ishte duke qëndruar në vendkalim të këmbësorëve në afërsi të semaforit, me qëllim që të kalojë rrugën. Si pasojë e aksidentit, këmbësori kishte pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja vdekje në vendin e aksidentit.

    Për këto veprime, e akuzuara Berisha ngarkohej me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par.9 lidhur par 6 dhe par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • ​Abdixhiku mbetet te propozimi për qeveri tranzicionale: Deri atëherë, LDK merret me zgjedhjet lokale

    ​Abdixhiku mbetet te propozimi për qeveri tranzicionale: Deri atëherë, LDK merret me zgjedhjet lokale

    Zgjidhjen e ngërçit politik në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh përmes një qeverie tranzicionale por kjo parti tani do të merret me zgjedhjet lokale, tha të enjten më 8 maj kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Kohë për të humbur më nuk kemi. Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët”, shkroi ai në Facebook.

    Por deri atëherë, sipas Abdixhikut, LDK-ja do të merret me proceset që i ka përpara.

    “Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë. Do të merret me Zgjedhjet Lokale. Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë”, tha Abdixhiku.

    Ai bëri të ditur se nga sot do të nisin konsultimet e brendshme për kandidatët për kryetarë të komunave e për këshilltarë lokalë.

    Lumir Abdixhiku propozoi një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit më 2026, sipas tij, si zgjidhje për të dalë nga situata aktuale politike.

    Kuvendi ka mbetur në ngërç pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrin të sigurojë 61 vota për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

  • ​KGjK miraton propozimin për pushim bllok në sistemin gjyqësor

    ​KGjK miraton propozimin për pushim bllok në sistemin gjyqësor

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për pushim bllok në sistemin gjyqësor nga 21 korrik deri më 20 gusht për periudhën verore, dhe nga 24 dhjetori deri më 8 janar për periudhën dimërore. Në këtë propozim përjashtohen kujdestaritë lidhur me trajtimin e lëndëve me prioritet ligjor dhe rasteve emergjente, raporton KosovaPress.

    Po në këtë mbledhje, u miratua edhe draft Kodi i Mirësjelljes dhe Etikës Profesionale për Nëpunësit në Administratën e Sistemit Gjyqësor, si dhe draft vendimit për vlerësimin e performancës së anëtarëve të KGjK-së.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme e ka votuar edhe propozimin për pushim vjetor në bllok në sistemin gjyqësor.

    Muaji qershor, korrik si dhe fundi i dhjetorit dhe fillimi i janarit po konsiderohen problematik për organizim të punës për shkak të fluksit të madh të pushimeve nga stafi, prandaj është propozuar që nga 25 korrik e deri më 20 gusht si dhe nga 24 dhjetori e deri më 8 janar gjykatat të ketë pushimin zyrtar.

    Kjo nuk vlen për kujdestaritë dhe trajtimin e rasteve emergjente dhe me prioritet ligjor.

    “Kur flasim për muajin korrik dhe gusht vërehet një efikasitet pak më i ulët i gjykatave në nivel vendi. Po ashtu edhe fundi i muajit dhjetor dhe fillimi i muajit është një prej periudhave kur efikasiteti i gjykatave bie për shkak të shfrytëzimit të pushimeve. Po ashtu statistikat tregojnë se gjatë kësaj periudhe kemi edhe numër të madh të seancave të shtyra dhe të seancave jo produktive numri më i madh i seancave janë mungesa e avokatëve, mungesa e prokurorëve, mungesa e stafit dhe çështjeve të tjera…gjykatat të pushojnë në pushim zyrtar atë duke filluar nga data 25 korrik deri më 21 gusht për periudhën verore, dhe 24 dhjetor e deri më 8 janar të vitit kalendarik ky është rekomandimi i Këshillit. Pezullohen të gjitha seancat gjyqësore dhe propozohet që në rastin konkret që gjatë kësaj periudhe që pjesa më e madhe e pushimeve të shfrytëzohen gjatë kësaj periudhe kohore. Përjashtimisht nga ky rekomandim janë kujdestaritë lidhur me trajtimin e lëndëve me prioritet ligjor dhe rasteve emergjente”, theksoi ai.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se pushimi në bllok i gjykatave do të ndikonte që puna e sistemit gjyqësor gjatë periudhës tjetër të vitit të jetë më efikase dhe më e mirëfilltë.

    “Mos të caktohen seanca që do të dështojnë sepse e theksuam se ka pas numër të madh të seancave që kanë dështuar dhe do të mbahen seanca që përfshihen në listën esenciale të shërbimeve…Kjo do të nënkuptonte që në periudhën tjetër gjykata do të ishte shumë më efikase dhe puna në gjykata do të organizohej në mënyrë më të mirëfilltë. Tek lista esenciale e shërbimeve bashkë me zyrën ligjore të përfshihet edhe veprimet që lidhen me procedurën paraprake për masat e hetimit dhe vëzhgimit sepse mund të jenë procedura që mund ta diktojnë procedurën e hetimeve në raste të caktuara”, deklaroi Zogaj.

    Kryetarja e Komisionit për hartimin e këtij Kodi, Drita Rexhaj, Drita Rexhaj tha se përmes këtij Kodi synohet ruajtje e dinjiteti dhe imazhit të sistemit gjyqësor si dhe rritja e besimit qytetar në këtë institucion.

    “Është një dokument që përbën rregulla të detajuara, objektiva të cila kanë për qëllim të përcaktojnë rregullat e etikë së nëpunësve në administratën e sistemin gjyqësor me qëllim me e ruajtur dinjitetin dhe imazhin e sistemit gjyqësor duke rritur edhe besimin e qytetarëve në punën e gjyqësorit i cili draft është i hartuar me Njësinë e Inspektimit Gjyqësor dhe Zyrën Ligjore… Dispozitat e këtij kodi janë të detyrueshme për gjithë nëpunësit në administratën e sistemit gjyqësorë, i cili përfshirë nëpunësit civil e punësuar në Këshill, nëpunësit civil të punësuar në sekretariat dhe për ata në PZAP dhe për të gjithë nëpunësit në gjykatat e Kosovës”, theksoi ajo.

    Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj shpreson që ky kod do të kontribuoj në rritjen e integritetit të sjelljes gjyqësore.

    “E kisha quajtur reformë në administratën gjyqësorë ka rëndësi për shkak se ne përveç që kemi një numër të madh të punësuarve në administratë kemi po ashtu një numër të zyrtarëve të ri që janë bërë pjesë e administratës dhe që realisht nuk kanë marr njohuri të duhura për mirësjelljen në administratën gjyqësore. Shpresoj që ky kod ka me i kontribua rritjes se integritetit të sjelljes gjyqësore në përgjithësi por njëkohësisht edhe të përgjegjësisë dhe efikasitetit në gjykata”, theksoi Zogaj.

    Në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është miratua dhe draft vendimi për vlerësimin e performancës së anëtarëve të KGjK-së si dhe janë themeluar komisionet përkatëse.

    Kryetarja e Komisionit për hartimin e këtij draf-vendimi, Drita Rexhaj tha se vlerësimi i performancës së anëtarëve të KGJK-së ka impakt në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

    “Edhe si komision, kemi ardhur në konkludim që duhet të kemi një vendim i cili përmban vlerësimin e perfomancës së krejt kategorive të anëtarëve të KGJK-sën për përudhen e vlerësimit të performancës po ashtu përmban burimet e informacionit, kriteret e këtij vendimi i bashkëngjiten edhe formularët në të cilët janë të përcaktuar qartë kriteret e vlerësimit të perfomancës duke përfshirë edhe poentimin. Edhe shkallët e vlerësimit edhe kriteret janë në një linjë harmonike edhe me vlerësimin e përfomancës gjyqtarëve në sistemi gjyqësor”, theksoi ajo.

    Kryesuesi i këtij institucioni të drejtësisë, Albert Zogaj u shpreh se vlerësimi i performancës është në harmoni me kërkesën e Këshillit të Evropës.

    Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe draft rregullorja për Arkivat në Sistemin Gjyqësor.

    Anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Drita Rexhaj tha se drafi i rregullores për Arkivat në sistemin gjyqësor synon ta rregulloj procedurën dhe standardet e operimet në arkivat e sistemit gjyqësor.

    Ky draft parasheh edhe transparencën dhe llogaridhënien derisa është përcaktuar edhe dorëzimi i lëndëve.

    Anëtari i KGjK-së, Fahret Vellija tha se po planifikohet se disa gjykata që kanë lëndë me afat të ruajtjes së përhershme të dorëzohen në Agjencinë për Arkiva të Kosovës.

    “Është dakorduar që disa lënda që e kanë afatit të ruajtjes së përhershme të dorëzohen pranë kësaj agjencie dakordimi është që të gjitha lëndët deri në vitin 2000 të dorëzohen pranë kësaj agjencie. Çka është qëllimi këtu të vazhdojmë edhe më tutje me rregullimin e arkivave në sistemin gjyqësor i cili është një prej prioriteteve për këtë vit dhe vitin e ardhshëm”, theksoi ai.

    Kjo draft rregullore është mirëpritur edhe nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj i cili kërkoi nga të gjitha gjykatat të mobilizohen për zbatimin e strategjisë për arkivat.

    “Ne kemi arkiv, dhe kemi material arkivor më shumë se secili institucion në fakt nuk kemi pas një rregullore që adreson çështjen e arkivës dhe ky dokument ndërvepron edhe me aktet tjera që janë miratuar dhe kërkoj nga të gjitha gjykatat që me pas mobilizim për zbatim e strategjisë për arkivat në tre drejtime, lëndë arkivore në tri lëndë arkivore në arkivin e shtetit, lëndë edhe në arkivat në objektet që ka vendos KGJK risistemim dhe regjistrimit e secilës dosje përfshirë edhe mostrat e sigurisë“, tha ai.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme e ka miratuar edhe draft Udhëzimin Administrativ për Vula në Sistemin Gjyqësor si dhe ka shpall konkursin për administratorë të Gjykatës Supreme të Kosovës, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykatës Komerciale, Gjykatës Themelore në Prizren, Pejë, Gjilan dhe Ferizaj./kp

  • Kreativët e filmave nigerianë zhvendosen drejt YouTube-it, ndërsa platformat e transmetimit tërhiqen

    Kreativët e filmave nigerianë zhvendosen drejt YouTube-it, ndërsa platformat e transmetimit tërhiqen

    Për një fundjavë të tërë në mars, rrjetet sociale në Nigeri u pushtuan nga “ethet” e një komedie romantike, sipas The Guardian. Mijëra nigerianë, përfshirë ata në diasporë, debatuan për filmin Love in Every Word, ku një biznesmen i pasur punëson një grup valltarësh për të marrë numrin e një ekzekutiveje të reklamave.

    Megjithëse kritikohej për skenarin, melodrama e filmit tërhoqi shumë publik. Klipet dhe memet u përhapën shpejt, ndërsa shikuesit fantazonin për “odogwu”-n e tyre, një fjalë igbo për burrë të fuqishëm.

    Filmi arriti 1 milion shikime në YouTube brenda 24 orëve dhe 5 milionë brenda tre ditësh. Regjisorja Omoni Oboli tha, “Zoti e bëri dhe jam vetëm mirënjohëse”.

    Nollywood, industria e dytë më e madhe e filmit në botë për nga vëllimi, po zhvendoset drejt YouTube-it, pasi platformat globale të transmetimit po tërhiqen nga tregu afrikan për shkak të mungesës së fitimit. Amazon Prime, platforma e tretë më e madhe në Nigeri, hoqi të gjithë stafin në Afrikë në janar 2024. Edhe Netflix ka ulur ndjeshëm blerjet e përmbajtjes origjinale.

    Sipas ish-zyrtares së Amazon Prime, Jessica Abaga, “modeli i biznesit ende nuk po funksionon në favor të tyre në tregun afrikan”. Gjithashtu, kërcënimi i Trump për tarifa 100% për filmat e huaj ka ndikuar në tregjet e mediave.

    Një tjetër problem është infrastruktura e dobët kinematografike: për 200 milionë banorë në Nigeri ka vetëm 102 kinema. Kriza ekonomike ka bërë që shumë të mos përballojnë bileta, duke zgjedhur YouTube-in falas.

    Sipas Abaga, YouTube ofron hyrje pa kosto dhe liri krijuese, ndryshe nga platformat që kërkojnë cilësi të lartë. Por kjo do të thotë edhe mungesë kontrolli cilësor. Oboli e pranon këtë: “Publiku vendos nëse do të na shpërblejë apo ndëshkojë”.

    Kjo ka krijuar një treg të pamëshirshëm: Oboli prodhon një film në javë dhe ka mbi 60 tituj në kanalin e saj në YouTube. Shumë aktorë janë kthyer në regjisorë; skenaristët paguhen pak dhe filma xhirohen për disa ditë në shtëpi me qira.

    Për të promovuar filmat, ekipi realizon video vallëzimi në TikTok. Në disa raste, anëtarët e ekipit shfaqen në kornizat e filmit për shkak të mungesës së kohës për post-produksion.

    Pirateria mbetet problem: disa publikojnë filma të vjedhur me emrin e kanalit të tyre. Aktorja Bimbo Ademoye denoncoi se filmi i saj ishte rishpërndarë në mbi 50 kanale të tjera.

    Regjisorja Nora Awolowo, e cila do të shfaqë filmin e saj Red Circle në kinema në qershor, e mbështet trendin e YouTube-it, por shpreson për një model të qëndrueshëm për të ardhmen. “Problemi ynë është shpërndarja. Duhet të arrijmë te publiku dhe të përfshijmë qeverinë në këtë proces”.

    Regjisori i njohur Chris Ihidero propozon ringjalljen e Televizionit Shtetëror Nigerian (NTA), që dikur prodhonte programe origjinale, por tashmë është reduktuar në një zë propagandistik. “Nuk ka zëvendësim për investimin në përmbajtje cilësore në platformat falas”, tha ai. “Kjo është detyrë ligjore e NTA-së, dhe ajo ka dështuar në këtë për dekada me radhë.”

  • ​Mbahen homazhe në nderim të Ekrem Rexhës, Kurti: Drini ka qenë intelektual e luftëtar i paepur

    ​Mbahen homazhe në nderim të Ekrem Rexhës, Kurti: Drini ka qenë intelektual e luftëtar i paepur

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, në nderim të 25-vjetorit të rënies së Ekrem Rexhës- komandant Drinit, raporton KosovaPress.

    Kurti e vlerësoi Rexhën si një figurë të shquar të luftës dhe të mendimit strategjik për çlirimin e vendit.

    “Ekrem Rexha, komandant Drini ka qenë veprimtar intelektual e luftëtar i paepur i cili me pushkë në dorë dhe me strategji në mendje u përball me armikun e okupatorit serb dhe sot shënojmë 25 vjetorin e vrasjes së tij. Më ç’rast bëmë homazhe këtu tek varri tij dhe shprehem mirënjohjen tonë të thellë tek familja tij që e dhanë një bir kaq të vlefshëm për kombin shqiptar”, ka thënë Kurti.

    Ndërkaq në ora 11:00, Kurti do të bëjë homazhe te memoriali në lagjen Bazhdarhane – Shtëpia e Bardhë.