ATV

Author: ATVLive

  • Grenell: Para katër vjetësh i bashkuam liderët e Kosovës e Serbisë në Zyrën Ovale për marrëveshjen historike, Biden-Harris s’arritën ta zbatonin

    Grenell: Para katër vjetësh i bashkuam liderët e Kosovës e Serbisë në Zyrën Ovale për marrëveshjen historike, Biden-Harris s’arritën ta zbatonin

    Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kujtuar “marrëveshjen historike”, nënshkrimi i së cilës u bë katër vjet më parë.

    Grenell shkroi në se “ekipi Biden-Harris nuk arriti ta zbatonte atë”.

    “Sot katër vite më parë i kemi bashkuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në Zyrën Ovale me Presidentin Donald trump dhe ata nënshkruan një marrëveshje historike për t’i normalizuar dhe zgjeruar ekonomitë e tyre”, shkroi Grenell në X.

    Postimit, ai ia ka bashkuar një fotografi nga një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe një fotografi nga nënshkrimi i marrëveshjes nga kryeministri i atëhershëm i vendit, Avdullah Hoti dhe Vuçiqi.

  • Ministrja e Jashtme e Finlandës arrin në Kosovë, pritet në Aeroportin “Adem Jashari” nga Donika Gërvalla

    Ministrja e Jashtme e Finlandës arrin në Kosovë, pritet në Aeroportin “Adem Jashari” nga Donika Gërvalla

    Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen tashmë ka arritur në Kosovë.

    Ajo është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nga ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla dhe ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen.

    Fotografitë nga ardhja e ministres finlandeze i ka publikuar ambasada e Finlandës në Kosovë.

    Gjatë kësaj vizite Valtonen do të ketë takim me drejtues të institucioneve të Kosovës.

    Ajo fillimisht do të pritet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku pas takimit do të mbahet konferenca për media.

    Ndërkaq në orën 15:00, Valtonen do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.

  • 27-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës, Osmani: Me krenari u identifikua si shqiptare, veprat e saj krenari e frymëzim

    27-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës, Osmani: Me krenari u identifikua si shqiptare, veprat e saj krenari e frymëzim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 27-vjetorin e vdekjes së humanistes shqiptare, nobelistes Shën Tereza, ka thënë se përkushtimi i saj për më të varfrit dhe dashuria për njerëzit duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane.

    Osmani në një postim në Facebook shkruan se Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim.

    “Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit. Nënë jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim. Përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane”, shkruan ndër të tjerash në postimin e saj.

  • ​Bota shënon Ditën e Bamirësisë për nder të Shën Terezës

    ​Bota shënon Ditën e Bamirësisë për nder të Shën Terezës

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

    Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve dhe palëve të interesuara në të gjithë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.

    Kjo ditë shënohet edhe në njohjen e rolit të bamirëseve në lehtësimin e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis vendeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave bamirëse dhe individëve, përfshirë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës.

    Në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm të miratuar në Shtator 2015, Kombet e Bashkuara pranojnë që çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj, përfshirë varfërinë ekstreme, është sfida më e madhe globale dhe një kërkesë e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm.

    Agjenda gjithashtu kërkon një frymë të solidaritetit global, duke filluar nga ndërmarrjet e vogla e deri te kooperativat e mëdha dhe organizatat e shoqërisë civile dhe ato filantropike në zbatimin e Agjendës të përqendruar në nevojat e më të varfërve dhe më të prekurve nga krizat humanitare.

    Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

    Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

    Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve e jetimëve. Ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

    Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Ndërsa Papa Françesku më 4 korrik 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza.

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të dendura.

    Sipas institutit, vranësirat gjatë ditës mund të sjellin riga shiu me shkarkime rrufesh.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë”, thuhet në njoftim.

  • Shqipëria destinacioni evropian që sfidon pritshmëritë e turistëve

    Shqipëria destinacioni evropian që sfidon pritshmëritë e turistëve

    Me rritjen e kostove të pushimeve verore, turistët po kërkojnë destinacione që ofrojnë eksperienca të pazakonta pa ndikuar në buxhetin e tyre, shkruan Unzela Khan në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

    Ne kemi zbuluar disa vende jo shumë të njohura por miqësore me portofolin, që sfidojnë pritshmëritë standarde të turistëve, duke siguruar aventura të vërteta me shpenzime minimale.

    Jason Higgs, një ekspert udhëtimesh, ka identifikuar nëntë vende të çmuara të fshehura – që janë të përballueshme por të pasura në përvojë – mes të cilave kryeson Shqipëria.

    Shqipëria, destinacioni evropian me dete blu të ndezur dhe qytete të bukura – ka një kosto mesatare ditore prej vetëm 27 euro.

    “Hulumtimi ynë tregon se disa nga përvojat më të paharrueshme të udhëtimit mund të gjenden në qoshet më pak të eksploruara të botës”, tha Higgs.

    “Këto destinacione ofrojnë kursime të konsiderueshme, dhe gjithashtu zhytje autentike kulturore dhe bukuri natyrore mahnitëse”, shtoi ai.

    Shqipëria – ky thesar ballkanik krenohet me peizazhet malore mahnitëse, qytetet e bukura bregdetare dhe trashëgiminë e pasur kulturore.

    Nga qyteti historik i Beratit në Rivierën piktoreske Shqiptare, Shqipëria ofron një mori përvojash me kosto të përballueshme krahasuar me fqinjët e saj evropianë.

    “Në Shqipëri, ju mund të shpenzoni mesatarisht 27-37 euro në ditë, duke përfshirë akomodimin, transportin dhe ushqimin. Ushqimet e kuzhinës së shijshme mesdhetare si mishi i qengjit, djathi dhe ushqimet e detit janë shumë të lira”, tha Higgs./ATSH

  • Kaplohet nga zjarri një shtëpi në Pejë

    Kaplohet nga zjarri një shtëpi në Pejë

    Një shtëpi në fshatin Brestovik të Pejës është përfshirë nga zjarri ditën e djeshme.

    Si pasojë e kësaj zjarri ka filluar të përhapej edhe në një shtëpi tjetër.

    Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se njësitet policore dhe zjarrfikësit së bashku edhe me banorët kanë shuar zjarrin në tërësi.

    Sipas policisë nuk raportohet për persona të lënduar , ndërsa rasti është duke u hetuar.

    “Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur një shtëpi që e kishte kapluar zjarri dhe kishte filluar të përhapej edhe në një shtëpi tjetër. Njësitet policore, zjarrfikësit s’ bashku edhe me banorët kanë shuar zjarrin në tërësi. Të lënduar nuk ka, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • ​Tentim vrasje në Pejë, Policia jep detaje

    ​Tentim vrasje në Pejë, Policia jep detaje

    Një person i paidentifikuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të riu në Pejë më tre shtator, derisa rasti në Polici është raportuar ditën e djeshme.

    Në raportin 24 orësh të policisë, bëhet e ditur se viktima sipas raportimit të babait të tij, ka pësuar lëndime, por ende nuk dihet nëse ka pranuar tretman mjekësor.

    Për shkak të frikës, sipas raportimi të ankuesit viktima ka rezervuar një biletë avioni dhe është larguar menjëherë pas incidentit.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe kanë gjetur e konfiskuar dy fishekë dhe dy gëzhoja cal-7.62.

    Viktima sipas Policisë nuk ka qenë i qasshëm për njësitet policore për t’u intervistuar.

    “Me datë 04.09.2024 ankuesi kosovar ka raportuar se, me datën dhe kohën e cekur, persona të panjohur për motive ende të panjohura kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës-djalit të tij. Viktima, sipas ankuesit ka pësuar lëndime, por tretman mjekësor nuk dihet nëse ka pranuar pasi sipas ankuesit i njëjti nga frika ka rezervuar biletën e aeroplanit dhe është larguar. Njësitet në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 2-fishekë dhe 2 gëzhoja cal-7.62 mm. Viktima nuk ka qenë i qasshëm për njësitet policore për t’u intervistuar. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Shtëpia e Bardhë: Ndryshimet e qeverisë së Ukrainës nuk do të zvogëlojnë mbështetjen e SHBA-së

    Shtëpia e Bardhë: Ndryshimet e qeverisë së Ukrainës nuk do të zvogëlojnë mbështetjen e SHBA-së

    Administrata e Shteteve të Bashkuara pret që niveli i bashkëpunimit dhe mbështetjes për Ukrainën të mbetet i pandryshuar pas riorganizimeve të fundit në qeverinë ukrainase, të njoftuara të mërkurën.

    Kjo është sipas këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për komunikimin e sigurisë kombëtare, John Kirby, i cili foli në një konferencë të mërkurën.

    “Kjo nuk do të ndryshojë mënyrën se si ne ndërveprojmë me Ukrainën, sigurisht që nuk do të ndryshojë mbështetjen që ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë atyre”, tha përfaqësuesi nga administrata Joe Biden.

    Ai gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara në këtë kontekst nuk i ofrojnë asnjë këshillë Ukrainës se si të menaxhojnë demokracinë e tyre.

    Siç raporton Ukrinform, disa ministra nga Qeveria e Ukrainës kanë dorëzuar dorëheqjet të mërkurën.

  • AKP shiti 46 asete, kjo është vlera financiare

    AKP shiti 46 asete, kjo është vlera financiare

    Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mbajti sot ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve numër 68 përmes metodës së likuidimit dhe shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.

    Sipas AKP-së, për 46 asete sa ishin në shitje gjithsej u pranuan 56 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1 milion e 534 mijë e 817 euro.

    “Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, si dhe investitorëve të pranishëm. Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se rezultatet e ofertave mund të gjinden në ueb faqen e AKP-së: www.pak-ks.org.

    Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.