ATV

Author: ATVLive

  • Kurti flet për anëtarësimin në BE me shefin e ri të saj në Kosovë

    Kurti flet për anëtarësimin në BE me shefin e ri të saj në Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti, në takimin me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.

    Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ofroi bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

    Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022, është e përkushtuar për të kryer reformat e nevojshme për anëtarësim. Plani i Rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave.

    Kurti foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët.

    Tutje, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

  • Dy ish-nënkryetarët e komunave paralele serbe intervistohen sot në stacionin policor në veri

    Dy ish-nënkryetarët e komunave paralele serbe intervistohen sot në stacionin policor në veri

    Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.

    E dy ish-nënkryetarët, Ivan Zaporozhac dhe Igor Simiq do të intervistohen sot në stacionin e Policisë në veri të Mitrovicës.

    Ivan Zaporozhac momentalisht është duke u intervistuar në stacionin policor, ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq do të intervistohet sot në veri në ora 16:00.

  • Stano: Kosova t’i evitojë veprimet e pakoordinuara që mund t’i rrisin tensionet

    Stano: Kosova t’i evitojë veprimet e pakoordinuara që mund t’i rrisin tensionet

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të evitojnë çdo veprim të njëanshëm dhe hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që mund të kontribuojnë në rritje të tensioneve edhe më tepër.

    Stano në konferencë për media është pyetur lidhur me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri dhe ftesës së pesë zyrtarëve të Listës Serbe nga Policia e Kosovës për intervistim mbi dyshimin për “falsifikim të dokumenteve”.

    “Ne kemi një situatë që edhe ashtu është tashmë shumë e paqëndrueshme, e shqetësimi ynë kryesor është…e ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës – të evitojnë çdo veprim e hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që kontribuojnë në rritje të tensioneve dhe përshkallëzimin edhe më tepër të tensioneve. Kështu që po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje të zgjidhim më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku i takon – në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.

  • Më 6 shtator, Lajçak viziton Kosovën

    Më 6 shtator, Lajçak viziton Kosovën

    Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të premten, më 6 shtator pritet të vizitojë Kosovën.

    Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kësaj radhe, sipas burimeve të REL, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

    Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas bllokut mund të rrisin tensionet në veri të vendit.

    BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

    Stano ka folur edhe për ftesën për intervistim të politikanëve serbë nga institucionet e Kosovës, të cilët kanë udhëhequr strukturat paralele serbe, që u mbyllën nga Kosova.

    Ata po dyshohet për “falsifikim dokumentesh”. Por, partia Lista Serbe e ka cilësuar ftesën për intervistim si “përndjekje politike” të serbëve.

    “BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe përcjellim qartë mesazhet tona. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë asaj që kemi thënë më herët. Situata është mjaft e ndjeshme dhe mesazhi është që të evitohen hapat që mund të nxisin tensionet. Shpresojmë të zgjidhim këto çështje aty ku duhet. Vendi është në procesin e dialogut”, tha Stano.

    Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

    Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

    Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

    Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

  • Kapen 340 kg duhan të kontrabanduar në brezin kufitar Kosovë-Serbi

    Kapen 340 kg duhan të kontrabanduar në brezin kufitar Kosovë-Serbi

    Policia dhe Dogana e Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar mes fshatit Dobrosinë në Serbi dhe në fshatin Stublinë të Kosovës.

    Aty është vërejtur të enjten një automjet që bartte duhan të llojeve të ndryshme, gjithsej 340 kilogramë të fshehur në najlon të zi.

    Vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro.

  • Lista Serbe del në konferencë: Institucionet paralele ofronin shërbime juridike, nuk e kanë shkelur ligjin

    Lista Serbe del në konferencë: Institucionet paralele ofronin shërbime juridike, nuk e kanë shkelur ligjin

    Përfaqësues të Listës Serbe mbajtën më 5 shtator një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me ftesën që kanë marrë nga autoritetet e Kosovës për intervistim. Nga kjo parti, thanë se do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.

    Autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serbe, që u mbyllën në fund të gushtit. Personave që u janë dërguar këto thirrje për intervistim janë zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Në konferencën për media, Igor Simiq, duke folur në emër të personave që kanë marrë këto ftesa për intervistim, tha se ato i shohin si “përndjekje politike” jo vetëm të individëve që kanë udhëhequr institucionet paralele, të cilët janë ftuar për intervistim.

    Ai tha se ky vendim është “persekutim i popullit serb”, pasi sipas tij, institucionet e mbyllura ofronin shërbime për qytetarët.

    “Nuk është çështja se si do të veprojë nesër Igor Simiqi, Ivan Zaporozhiani, por si do t’ia bëjnë njerëzit të cilëve u shërbyen sa ishim në krye [të institucioneve paralele]. Sa i përket këtyre institucioneve, autoritetet e Kosovës gjithmonë e kanë ditur ekzistencën e tyre. Nuk është asgjë e re që këto institucione kanë ekzistuar në këtë qytet dhe për to është diskutuar në nivel ndërkombëtar, dhe është negociuar në Bruksel se sido të funksionojnë këto institucione në të ardhmen”, tha Simiq.

    Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

    Simiq tha se këto institucione kanë ofruar shërbime juridike për të gjithë qytetarët, dhe “nuk kanë shkelur asnjë ligj”.

    Gjatë konferencës, Simiq, që më herët kishte qenë deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, foli edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

    Qeveria e Kosovës ka shprehur synimin që kjo urë të hapet, por ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve të cilët kanë argumentuar se për shkaqe sigurie, ura nuk duhet të hapet tani.

    Simiq tha ky është momenti që “bashkësia ndërkombëtare të tregojë fytyrën e saj”.

    “Do të shohim nëse do të bëjnë ndonjë gjë”, shtoi ai.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve serbe. Perëndimi e ka cilësuar këtë si veprim të njëanshëm të institucioneve të Kosovës.

    Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

    Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

    Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht. /REL

  • Policia gjermane e qëlloi për vdekje të dyshuarin afër konsullatës izraelite në Munih

    Policia gjermane e qëlloi për vdekje të dyshuarin afër konsullatës izraelite në Munih

    Policia gjermane e qëlloi për vdekje një “person të dyshimtë” afër qendrës për dokumentimin e nazizmit dhe konsullatës izraelite në qytetin Munih të enjten.

    Sipas policisë në Bavari, burri u qëllua me armë dhe zona u rrethua përreth Karolinenplatz-it. Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, tha më vonë se i dyshuari kishte vdekur, raporton televizioni BBC.

    Policia tha se një person ishte vërejtur në zonë dhe dukej se po mbante një armë zjarri, ndërsa policët pastaj hapën zjarr me armë zyrtare.

    Autoritetet e sigurisë thanë se nuk kishte shenja për ndonjë të dyshuar tjetër dhe i bënë thirrje publikut që të mos publikonin pamje të incidentit në rrjete sociale.

  • Presidenti i Izraelit viziton Tiranën, do takohet me Begajn dhe me Ramën

    Presidenti i Izraelit viziton Tiranën, do takohet me Begajn dhe me Ramën

    Presidenti izraelit, Isaac Herzog do të vizitojë Shqipërinë më 11 shtator. Pos Shqipërisë, ai do të shkojë edhe në Serbi.

    Një zyrtar i lartë i Izraelit tha për “The Times of Israel” se, gjatë udhëtimit, i cili do të zgjasë vetëm një ditë, Herzog pritet të takohet me homologët e tij Aleksandar Vuçiqin dhe Bajram Begajn, shkruan A2-shi.

    Kreu i shtetit hebraik do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

  • Punimet e pllakave dhe shkallëve në “Sante” kushtojnë gjysmë milioni euro, përfundojnë brenda 180 ditësh

    Punimet e pllakave dhe shkallëve në “Sante” kushtojnë gjysmë milioni euro, përfundojnë brenda 180 ditësh

    Rreth gjysmë milioni euro është kostoja e ndërtimit të pllakave, shkallëve dhe tarracave në lagjen “Sante” në “Dardani”, ndërsa punimet pritet të përfundojnë për 180 ditë, raporton Ekonomia Online.

    Aty, të enjten punimet i vizitoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori për Investime Kapitale dhe Menaxhimin e Kontratave, Krenar Xhaferi.

    Kryetari Përparim Rama, tha se në këtë lagje nuk është investuar me dekada, ndërsa shpreson se ky investim i rregullon problemet që ka pasur kjo zonë.

    “Është një zonë me quajt një zonë historike që tregon një rrugëtim të Kryeqytetit, një zonë që nuk është investuar me dekada të tëra apo kurrë, apo investimet që kanë qenë këtu kanë qenë veç e veç dhe kemi një gje dje të mjerueshme sot. Prej sot e tutje kemi një plan dinamik 180 ditësh me një investim rreth gjysmë milion euro me një dizajn të ri i cili i përshtate hapësirave të kësaj kohë. Një dizajn retro edhe një përmirësim i dukshme pra i gjithë atyre hapësirave këtu për gjithë qytetarë që jetojnë në këtë pjesë dhe të tjerët që do ta vizitojnë. I rregullon edhe kanalet edhe këto hapësirat e hyrjeve në këtë zonë, po ashtu korridoreve, pra një numër të madh të problemeve që ka pasur kjo zonë”, tha Rama.

    Drejtori për Investime Kapitale dhe Menaxhimin e Kontratave, Krenar Xhaferi, tha se kjo lagje ka qenë në gjendje shumë të keqe.

    “Ne jemi rritur në këto hapësira nuk janë trajtuar më herët, gjitha detajet janë menduar janë menduar edhe hapësirat jashtë urbane duke menduar ulëset, duke i menduar shportat e bërllokut pjerrinat. Kujtoj që ‘Dardania’ e ka merituar këtë sepse është e pa trajtuar moti dhe është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe”, tha ai.

  • QKMK thirrje mërgimtarëve: Shmangni udhëtimet në pikë-kalimet kufitare me Serbinë

    QKMK thirrje mërgimtarëve: Shmangni udhëtimet në pikë-kalimet kufitare me Serbinë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar(QKMK), u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës që të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në pikë-kalimet kufitare me Serbinë.

    Në njoftim thuhet se kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 Shtator 2024, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt pikë kalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

    “Njoftohen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e mërgatës që planifikojnë të kalojnë tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në Pikë Kalimet Kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 Shtator 2024, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt PKK me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

    Me tutje thuhet se autoritetet kompetente të RKS në bashkëpunim me partnerët, i kanë marrë të gjitha veprimet për menaxhim të situatës së paralajmëruar dhe ju inkurajojnë që të ndiqni me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informoheni vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.

    QKMK dhe autoritetet kompetente do të vazhdojnë t’u mbajnë të informuar për çdo zhvillim të ri.

    Për më shumë thirrni në 045198606, 045 198000 dhe në numrin 080050095 (pa pagesë).

    Ndërsa, një ditë më parë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës(MPJD), u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shmangin pikë-kalimet kufitare me Serbinë.