ATV

Author: ATVLive

  • Ismajli pas fitores: Jam profesionist, nuk kam pasur kurrë polemika me trajnerin, i pranoj të gjitha vendimet e tij

    Ismajli pas fitores: Jam profesionist, nuk kam pasur kurrë polemika me trajnerin, i pranoj të gjitha vendimet e tij

    Shqipëria u gjend në disavantazh me fillim të pjesës së dytë kur Konoplya realizoi për avantazhin e ukrainasve për 1-0 në minutën e 49’të të takimit.

    Ismajli u shfaq menjëherë pas pesë minutave për të barazuar shifrat në 1-1, teksa vetëm dy minuta më pas shpëtoi një gol të sigurt nga sulmi i ukrainasve.

    Per fitoren e kuqezinjëve u përkujdes Jasir Asani që realizoi gol të bukur pas asistimit të Rey Manaj në minutën e 66’të të takimit.
    Pas ndeshjes për media foli, Ismajli.

    “Ne Europin ishin zgjedhje të trajnerit, duhet pranuar zgjedhjet e tij. Ajo është e kaluara duhet të shikojmë përpara. E rëndësishme ishte që sot dolëm me tre pikë.

    Nuk kam pasur polemika me trajnerin, jam profesionist, i kam pranuar zgjedhjet e tij me sportivitet. Shkrimet e portaleve nuk janë të vërteta, sa i përket ndeshjes, falenderoj Zotin për këtë ndeshje kaq të madhe, e ndihmova ekipin jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm, këtë paraqitje ia dedikoj familjes time”, tha Ismajli.

  • Kaluan ilegalisht kufirin, kapen dy shtetas të Serbisë në Leposaviq

    Kaluan ilegalisht kufirin, kapen dy shtetas të Serbisë në Leposaviq

    Kaluan ilegalisht kufirin, kapen dy shtetas të Serbisë në Leposaviq

    Dy shtetas të Serbisë janë ndaluar pasi kanë hyrë nëpër rrugë ilegale nga Serbia në Kosovë.

    Pas intervistimit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    “KALIM I PAAUTORIZUAR I KUFIRIT- Zernosek, Leposaviq 07.09.2024, 22:45. Njësiti policor ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë në të cilën gjendeshin dy të dyshuar meshkuj serb shtetas të Serbisë të cilët kanë hyrë nëpër rrugë ilegale nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.”

  • Musliu: “Protestuesit” e Vuçiqit dështuan për shkak të mungesës së serbëve nga Kosova

    Musliu: “Protestuesit” e Vuçiqit dështuan për shkak të mungesës së serbëve nga Kosova

    Numri i vogël i serbëve nga Kosova ishte arsyeja e dështimit të “protestuesve” të Aleksandër Vuçiqit në bllokimin e pikëkalimeve kufitare në anën serbe. Kështu thotë drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, derisa ka thënë se ky organizim ishte një dështim i qartë.

    Përmes një reagimi në rrjete sociale, Musliu ka thënë se serbët që morën çjesë në këto bllokada, kishin kompetenca të policisë dhe u mbështetën edhe nga Moska.

    “‘Protestuesit’ e Vuçiqit dështuan me bllokada rrugesh, edhe pse kishin kompetenca e te drejta te policise. Paramendoni qe keta ‘protestues’ ndalonin dhe identifikonin shoferet, e pastaj vendosnin t’i lejojne ose jo te kalojne. Ata e ndaluan ‘protesten’ per shkak se ne mes te tyre nuk kishte numer te mjaftueshem serbesh nga Kosova, pervec disa proksive nga Beogradi. Ky organizim ishte nje deshtim i qarte, pavaresisht se u perkrah nga Vucic, Vulin e Radoicic. Madje u perkrah edhe nga Moska”, ka shkruar ai.

    Grupe serbe kanë bllokuar te premten pikëkalimet kufitare në anën serbe, të cilët protestonin “kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës”. Aty janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar, të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë kanë kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se, një familjeje, e cila po udhëtonte drejt Gjermanisë, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.

    Ndersa kryediplomatja Donika Gërvalla ka thënë se shteti serb ka gisht në këtë ngjarje.

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se gjatë javës së ardhshme në Kosovë do të ketë rënie të temperaturave.

    “Do të jetë një javë mjaftë dinamike dhe me rënie të temperaturave”, njofton IHK.

    Të hënën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat në pjesën e dytë të ditës parashihen që vende -vende të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-14gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare.

    Ditën e martë moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me shi. Reshjet e shiut të shoqëruara me rrufe parashihen ta përfshijnë gjithë territorin e Republikës.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperendimi me shpejtësi 1-8m/s.

    Të mërkurën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24gradë Celsius.Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-3m/s.

    Ditën e enjte do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta. Vranësirat . Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-26gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare.

    Të premten moti do të mbajë me diell dhe vranësira të shpërndara . Vranësitrat në pjesën e dytë të ditës vende-vende parashihen të shoqërohen me riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-26 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimt me shpejtësi 1-5m/s.

    “Kushtet agrometeorologjike do të jenë në përmirësim e sipër, duke përfshirë edhe kushtet hidrike”, thuhet në njoftim.

  • “Më shtrenjtë se në Amerikë”, qytetarët ankohen për çmimet e produkteve ushqimore

    “Më shtrenjtë se në Amerikë”, qytetarët ankohen për çmimet e produkteve ushqimore

    Çmimet e disa produkteve ushqimore në vend vazhdojnë të ngritën vazhdimisht. Për këtë, ankohen qytetarët, të cilët shprehen se jeta e tyre po u rëndohet çdo ditë e më shumë me çmimet e larta, kjo për shkak të ardhurave të ulëta që ata kanë, ndërsa kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të marrin masa.

    Në tregun e gjelbër në Prishtinë, qytetarët këtë javë kanë paguar deri 1 euro për kilogram në disa perime, derisa shprehen të shqetësuar për këtë dukuri. Njëjtë vlerësojnë edhe ekspertë të ekonomisë, të cilët thonë se Kosova vazhdon të përballet me inflacion të lartë.

    Qytetari Xhemailadin Arifi, i cili ndodhet përkohësisht në Kosovë, thotë se çmimet janë të larta në krahasim me të ardhurat që marrin qytetarët në vendin tonë.

    E derisa krahason çmimet në vendin ku jeton, Amerikës me Kosovën, thotë se disa produkte atje janë më lirë.

    Edhe një qytetare tjetër, Drita Kazazi ankohet për çmimet e larta, derisa thotë se me një pension 100 euro mezi arrijnë t’ia dalin.

    Po ashtu, edhe qytetari tjetër i cili mundohet t’ia dalë me një pension, Skender Jashari, thotë se çmimet janë të larta. Ndërsa, shton se po presin t’u dalë pensioni që të mund të furnizohen me perime, pasi sicc thotë ai, tashmë është edhe koha e turshive.

    Ndërkaq, njohës të ekonomisë derisa kërkojnë nga institucionet të sigurojnë mbrojtje sociale edhe në aspektin e ushqimit, të cilat janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, thonë se gjatë këtyre tre viteve, kjo dukuri ka marrë përmasa alarmante.

    Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku thotë se inflacioni i paraqitur në Kosovë ka karakter global.

    Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi thotë se shteti është dashtë të bëjë më shumë në këtë drejtim.

    Në anën tjetër, shitësit Ismet Baliuankohen për rënien e blerësve. Baliu thotë për KosovaPress, se çdo vit e më pak po kanë punë.

    Kujtojmë se edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në korrik të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Inflacioni mujor ishte 0,3% në korrik 2024.

  • Maqedonia e Veriut kremton 33-vjetorin e pavarësisë

    Maqedonia e Veriut kremton 33-vjetorin e pavarësisë

    Maqedonia e Veriut sot shënon 33-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, me të cilin u shpall shtet i pavarur dhe sovran.

    Referendumi u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.

    Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

    Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

    Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…

    Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

    Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

    Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohej si Maqedonia e Veriut.

    Maqedonia e Veriut ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.

    Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia e Veriut kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa më 27 mars 2020 u bë anëtarja e 30-të e NATO-s.

  • 24 vjet nga hyrja e Shqipërisë në OBT

    24 vjet nga hyrja e Shqipërisë në OBT

    Më 8 shtator 2000, zyrtarisht Shqipëria i bashkohet Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Shqipëria aplikon një regjim liberal tregu, ndërsa Kosova ende nuk është anëtarësuar në këtë organizatë.

    Tregtia e jashtme është liberalizuar që në vitin 1990 dhe ndjek standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Tregtisë.

    Prej 24 vjetësh ajo është anëtare e OBT-së dhe aplikon regjimin e OBT-së mbi procedurën e licencimit të importit. Si rezultat i liberalizimit të tregut dhe procesit të vazhdueshëm të përafrimit të kuadrit rregullator doganor me standardet e sistemit të BE-së, importi dhe eksporti i mallrave, si rregull i përgjithshëm, nuk varen nga ndonjë autorizim i veçantë.

    Marrëveshjet bilaterale ose multiraterale në të cilat Shqipëria është palë, mund të vendosin kuota, ose kërkesa kontrollesh. Gjithashtu, nevoja për pajisje me licencë ekziston në rastin e disa mallrave specifikë me qarkullim të kufizuar brenda vendit siç janë mallrat ushtarake dhe strategjike, materialet radioaktive dhe substancat psikotrope, ilaçet etj.

    Shqipëria është angazhuar të liberalizojë regjimin e saj tarifor duke zbatuar një proces të uljes së tarifave,- zbatojë të gjitha angazhimet që rrjedhin nga marrëveshjet mbi Barrierat Teknike në Tregti (TBT) dhe Standardet Sanitare dhe Fitosanitare (SPS);-Kodi Doganor Shqiptar thekson se vlerësimi doganor do të bëhet në përputhje me kërkesat e OBT-së;- Shqipëria është një anëtar i OBPI (Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale) që nga viti 1992 dhe ajo ka njohur disa marrëveshjeve ndërkombëtare në këtë fushë.

    Shqipëria është angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes TRIPS dhe gjithë legjislacionin për të drejtat e autorit. Shqipëria ka nënshkruar edhe memorandumin përkatës në lidhje me Regjimin e Pronësisë Intelektuale.

    Eksporti i mallrave nuk i nënshtrohet ndonjë takse të veçantë eksporti, tarife apo barriere tjetër. Gjithashtu, importi i mallrave nuk i nënshtrohet ndonjë detyrimi taksor importi përveç se detyrimit doganor. Importi i mallrave është subjekt i TVSH dhe disa produkte si duhani, pijet alkoolike dhe lëndët djegëse janë subjekt akcize.

  • Trump: Nëse Harrisi fiton zgjedhjet, Izraeli nuk do të ekzistojë më

    Trump: Nëse Harrisi fiton zgjedhjet, Izraeli nuk do të ekzistojë më

    Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha sot se Izraeli është “i dënuar” nëse zëvendëspresidentja Kamala Harris fiton zgjedhjet në nëntor.

    “Nëse nuk i fitoj këto zgjedhje, Izraeli, me Kamala Harris në krye të Shteteve të Bashkuara, do të dënohet”.

    “Izraeli do të zhduket. Në një vit, dy vjet. Izraeli nuk do të ekzistojë më”, u tha Trump mbështetësve në Wisconsin.

    Kandidati republikan pretendoi se ai është “i vetmi” që mund t’i japë fund kaosit në Lindjen e Mesme dhe të parandalojë Luftën e Tretë Botërore.

    “E mira që dua për ne është të fitojmë, sepse përndryshe do të keni probleme siç nuk i kemi pasur kurrë më parë. Mund të jenë zgjedhjet tona të fundit”, tha ai.

    Trump dhe Harris po përgatiten për debatin e tyre të parë, i cili do të zhvillohet të martën në Filadelfia dhe do të moderohet nga gazetarët e ABC News, David Muir dhe Lindsay Davis.

  • Ivica Daçiq shkon për vizitë zyrtare në Kinë

    Ivica Daçiq shkon për vizitë zyrtare në Kinë

    Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, është nisur për një vizitë zyrtare në Kinë të shtunën.

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se ai do të marrë pjesë në Forumin Global për Bashkëpunim dhe Siguri Publike në Lianyungang, ku do të bisedojë me ministrin e Sigurisë Publike të Kinës, Wang Xiaohong.

    Ai pritet t’i vizitojë edhe oficerët e policisë serbe të cilët po punojnë me kolegët e tyre kinezë në patrullime të përbashkëta.

    Në tri vjetët e fundit, policë nga Kina dhe kolegët e tyre nga Serbia kanë patrulluar në Beograd, Novi Sad dhe Smederevë, qytetet më të vizituara nga turistët kinezë në Serbi.

    Daçiq do të marrë pjesë edhe në stërvitjet e njësive speciale të policisë në Guangzhou, sipas MPB-së serbe.

    Serbia i ka forcuar marrëdhëniet me Kinën prej se Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandër Vuçiq erdhi në pushtet në vitin 2012.

    Presidenti kinez, Xi Jinping, e vizitoi Beogradin në maj, për herë të dytë në dhjetë vjetët e fundit.

    Kina dhe Serbia, e cila ka qenë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se një dekadë, nënshkruan një deklaratë për partneritetin strategjik mes dy vendeve në vitin 2016.

    Shtatë vjet më vonë, Pekini dhe Beogradi nënshkruan një marrëveshje për tregti të lirë.

    Vitet e fundit, Kina ka bërë investime të shumta në Serbi, më të mëdhatë prej të cilave janë në fabrikën e hekurit dhe çelikut në Smederevë dhe fabrikën e gomave Linglong në Zrenjanin.

    Në Serbi, Kina e ndërtoi urën e Beogradit Pupin përtej Lumit të Danubit.

  • Burri nga Shtimja raporton në polici se një predhë e ka goditur murin e shtëpisë së tij

    Burri nga Shtimja raporton në polici se një predhë e ka goditur murin e shtëpisë së tij

    Një burrë nga Komuna e Shtimes ka raportuar në Policinë e Kosovës se një predhë e fishekut të armës së zjarrit e ka goditur murin e shtëpisë së tij.

    Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit ditor, ku thuhet se predha e fishekut të armës së zjarrit ka ngelur brenda fasadës së shtëpisë. PK’ja ka konfiskuar predhën në vendngjarje.

    “Petrovë, Shtime / 06.09.2024 – 11:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një predhë e fishekut të armës së zjarrit kishte goditë murin e shtëpisë së tij dhe kishte mbetur brenda fasadës së shtëpisë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dëshmi kanë konfiskuar një predhë të fishekut të armës së zjarrit. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në njoftimin e PK’së.

    Rasti po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.