ATV

Author: ATVLive

  • Liga e Kombeve, Kosova fiton tri pikët e para në grup

    Liga e Kombeve, Kosova fiton tri pikët e para në grup

    Dardanët janë kthyer nga Qiproja me fitore bindëse në Ligën e Kombeve.

    Ndeshja në Larnaka në kuadër të Ligës C, grupi 2, ka përfunduar me rezultatin 4:0.

    Në këtë mënyrë Kosova vazhdon fitoret në përballjet e deritanishme ndaj Qipros, pas atyre në vitin 2022 – 5:1 dhe 2:0.

    Serinë e golave në stadiumin “AEK Arena” e nisi Vedat Muriqi në minutën e 8-të nga penalltia dhe atë të 21-të, pas asistimit të Donat Rrudhanit.

    Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e futbollistëve të Franco Foda, me dy gola të shpejtë nga Albion Rrahmani në minutën e 48-të pas asistimit të Milot Rashicës dhe Lumbardh Dellova gjashtë minuta më vonë, pas asistimit tjetër të Rrudhanit.

    Emir Sahiti pati rast të mirë për 5:0 në minutën e 79-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

    Fitorja e sotme është e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës në futboll, në kohën kur ajo ndodhet në krizë pas përjashtimit të tre lojtarëve nga grumbullimi për shkak të shkeljes së rregullave.

    Kosova renditet e dyta në tabelë me tri pikë nga dy ndeshje të zhvilluara në grup, ndërsa prin Rumania me tri pikë, por me gol-diferencë më të mirë dhe një ndeshje më pak më të zhvilluar.

    Qipro renditet e treta me tri pikë nga dy ndeshje të zhvilluara. Lituania, e cila sonte luan si mysafire ndaj Rumanisë në “Steaua” të Bukureshtit, renditet e fundit në grup pa asnjë pikë.

  • Kosova nuk ndalet, shënon edhe dy gola ndaj Qipros

    Kosova nuk ndalet, shënon edhe dy gola ndaj Qipros

    Kombëtarja e Kosovës ka shënuar edhe dy gola ndaj Qipros si mysafire.

    Albion Rrahmani në minutën e 48-të ka ngritur epërsinë e “Dardanëve” për 3:0.

    Ndërsa Lumbardh Dellova në minutën e 55-të ka shënuar edhe golin e katërt.

    Kujtojmë, Vedat Muriqi shënoi dy gola në pjesën e parë kundër qipriotëve të papërshtatshëm.

  • FMN drejt një reformimi të ri dhe një ekonomi globale më e drejtë

    FMN drejt një reformimi të ri dhe një ekonomi globale më e drejtë

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Tetëdhjetë vjet më parë, delegatë nga 44 vende u mblodhën në Bretton Woods, New Hampshire – SHBA, për të vendosur rendin e ri monetar ne marrëdhëniet mes vendeve të marrëveshjes për të koordinuar rindërtimin pas Luftës së Dytë Botërore dhe promovuar bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Institucionet për të cilat ata hodhën themelet – Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, që përmes një rrugëtimi të gjatë reformues dhe transformues qëndrojnë në zemër të rendit monetar dhe financiar aktual global.

    Po sot? Tetëdhjetë vjet më pas?

    Tetëdhjetë vite më pas, përballimi i pabarazisë është bërë një problem jetik për të siguruar rritjen ekonomike në shekullin e ardhshëm. Sot vjen paralajmërimi për një dimension të ri të botës, detyrimi për të korrigjuar atë që ka qenë më se e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – sundimin e pabarazisë së lartë ekonomike.  “Ne kemi detyrimin për të korrigjuar atë që ka qenë më se e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – sundimin e pabarazisë së lartë ekonomike.” (Kristalina Georgieva, Drejtore Ekzekutive e FMN-së).

    Njerëzimi thjesht nuk mund të realizojë skenarin e ambicieve të larta për rritjen ekonomike nëse nuk nxisim një ekonomi globale më të drejtë. Sot është koha të njohim nevojën për të vendosur një matje më të mirë të pasurisë që shkon përtej Produktit të Brendshëm Bruto tradicional, i cili vlerëson jo vetëm kapitalin e prodhuar, por edhe natyrën, njerëzit dhe strukturën e shoqërive. Sepse, siç e tha Keynes në vitin 1942: “Në fund të fundit, pothuajse gjithçka është e mundur.”

    RIKTHIM TE KEYNES-I: NË FOKUS, PËRBALLJA ME PABARAZINË.

    Në një fjalim të mbajtur në King’s College, Cambridge, Shefja e FMN-së argumentoi se bota ndodhej në një pikë kthese, duke bërë një krahasim me Depresionin e Madh të viteve 1930, kur ekonomisti i shquar britanik John Maynard Keynes shkroi esenë e tij të famshme “Mundësitë ekonomike për nipërit tanë”. Ajo theksoi se përballimi i pabarazisë është jetik për të siguruar rritjen në shekullin e ardhshëm dhe se mënyra e vetme për shtimin e vrullit të rritjes ekonomike globale gjatë shekullit të ardhshëm është përballimi i pabarazisë, e cila sa vjen e thellohet nëpërmjet rritjes nëntëfish të standardit të jetesës. “Pabarazia ekonomike mbetet tepër e lartë, brenda dhe midis vendeve”,- tha ajo.

    Pesimizmi dhe rinia. Keynes iu drejtua edhe pesimisteve në esenë e tij në një periudhë ku bota dukej e mbytur në depresionin e madh duke parë mundësinë për rritje dhe prosperitet. Duke qenë femra e dytë që drejton FMN, që nga krijimi i saj 80 vjet më parë, Georgieva, kërkoi në auditorin e King ‘s College, sytë e pesimistëve tek të rinjtë. Ashtu si në kohën e Keynes, edhe sot ka shumë pesimistë përreth.

    Të rinjtë sot përballen me sfida të mëdha, madje edhe në vendet më të pasura: nga pagesa për arsimimin e tyre, tek gjetja e punës dhe blerja e një shtëpie, tek të qenit thellësisht i shqetësuar se si ndryshimi i klimës do të ndikojë në jetën e tyre. Është e lehtë të jesh pesimist. Vetëm shikoni këto tituj. Shumë njerëz—të rinj e të moshuar—po ndjejnë se ekonomia nuk po funksionon për ta. Shumë nuk janë vetëm të shqetësuar, por të zemëruar. Për shumë njerëz, besimi është gërryer. Dhe ne po e shohim këtë lojë – në shoqëri dhe në politikë.

    Sigurisht, ne nuk duam që nipërit tanë të jetojnë në një Epokë zemërimi? Për këtë, ne duhet të jemi të qartë për rreziqet. Por, gjithashtu, shikoni mundësitë – dhe shfrytëzoni ato.

    Në një cikël historik mund të them që ndodhemi pothuajse në të njëjtën gjendje shpirtërore për të cilën Keynn shkroi 100 vjet më parë, sigurisht që sot çdo gjë është thellësisht ndryshme ku ndryshimet e mëdha janë të dukshme dhe njerëzimi ka bëre përpara më hapa gjigandë. Shqipëria, pra vetë ne jemi dëshmitarë në vetë të parë të ndryshimeve të mëdha në vetëm 34 vite. Në mënyre gjeniale ai parashikoi të njëjtat gjendje në të cilat një pjesë e shoqërisë ndodhet sot.

    “Unë parashikoj që të dy gabimet e kundërta të pesimizmit që tani bëjnë kaq shumë zhurmë në botë, do të provohen të gabuara në kohën tonë – pesimizmi i revolucionarëve që mendojnë se gjërat janë aq të këqija sa asgjë nuk mund të na shpëtojë veç ndryshimit të dhunshëm, dhe pesimizmi i reaksionarëve që e konsiderojnë ekuilibrin e jetës sonë ekonomike dhe sociale aq të pasigurt, saqë nuk duhet të rrezikojmë asnjë eksperiment”,-thotë John Maynard Keynes.

    Të lidhura dhe të risjella në kohë mesazhet e drejtuara nga Drejtoria Ekzekutive e FMN-së tregojnë për një tentativë të ndryshimit të kursit të FMN-së, për një qasje të re dhe një strategji të re të zhvillimit ekonomik, me një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve sociale, pra një kurs të ri reformimi të FMN-së. Ajo kërkon të reflektojë ndaj gabimeve të 80 viteve të jetës së institucioneve të Bretton Woods-it. “Ne kemi detyrimin për të korrigjuar atë që ka qenë më se e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – sundimin e pabarazisë së lartë ekonomike. Hulumtimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se zvogëlimi i pabarazisë në rrafshin e të ardhurave mund të arrihet duke mundësuar një rritje të lartë dhe të qëndrueshme”,- tha ajo.

    Referuar të dhënave, shkalla e pabarazisë në 30 vitet e fundit u bë problem edhe në transformimet që pësuan vendet e lindjes pas rënies së murit të Berlinit. Këtu, pabarazia u krijua me ritme shumë të shpejta. Vetëm në post-krizën e pandemisë së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, hendeku mes të varfërve dhe të pasurve u thellua më tej. Pesë burrat më të pasur të botës nga viti 2020 e kanë dyfishuar pasurinë e tyre, sipas një studimi të fundit të publikuar nga organizata Oxfam. Sipas studimit, në vitin 2020 pesë më të pasurit e botës zotëronin një pasuri prej 450 miliardë dollarësh. Ndërkohë, kjo pasuri është rritur tani në 869 miliardë dollarë. Oxfam thekson se të gjithë miliarderët në këtë periudhë kohore deri në vitin 2023 e kanë rritur pasurinë e tyre në 3.3 trilionë dollarë, kjo në një kohë kur gati 5 miliardë njerëzit më të varfër të botës kanë humbur 20 miliardë dollarë pasuri. “Pabarazia ekonomike mbetet tepër e lartë, brenda dhe midis vendeve”, – tha Shefja e FMN.

    Prandaj, zvogëlimi i pabarazive dhe sigurimi që askush të mos mbetet prapa janë pjesë përbërëse e arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pabarazia brenda dhe midis vendeve është një shkak i vazhdueshëm për shqetësim.

    REFORMIMI I FMN-SË APO NJË BRETTON WOODS I RI?

    Kjo është një pyetje, pjesë e debateve qe po zhvillohen, sidomos pas krijimit dhe zgjerimit të BRICS dhe pas luftës në Ukrainë, që shumë e bëjnë, shumë e mendojnë, por të gjithë ngurojnë. Kjo për faktin se askush nuk di se kush do të jetë në qendër të një Bretton Woodsi të ri. Do të jetë dollari, do të jetë euro, do të jenë të gjitha këto dhe do të dalë një para digjitale e garantuar nga të gjithë? Sa afër aq edhe larg ideja e një Bretton Woods-i të ri. Duket se edhe kësaj dileme, të paktën për momentin fjalimi i shefes së FMN i dha përgjigje duke shprehur sigurinë se institucionet e Breton Woods-it do të vazhdojnë rrugëtimin e vet, përmes reformimit të institucioneve të veta. Sa i përket “sulmit që po i bëhet dollarit amerikan, të gjithë e pranojnë se roli i dollarit, pas daljes së euros, ka rënë disi në arenën ndërkombëtare, por s’duhet harruar dhe të gjithë e dinë që sterlina humbi hegjemoninë e saj dy shekuj pas ripozicionimit të Anglisë në tregun ndërkombëtar, ndërsa Holanda humbi dominimin e saj 100 vjet pas krizës së tulipanëve. Të gjithë e dinë që diçka do të ndodhë, por askush nuk e di se kur, çfarë, dhe si do të ndodhë. Duhet të presim, ndoshta shumë.

    STRATEGJIA: NJË EKONOMI GLOBALE MË E DREJTË

    Kristalina Georgieva tha se liderët botërorë kanë përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm për të ndërtuar një ekonomi që arrin të zgjidhë problemin e ngrohjes globale, përdor teknologjinë e IA në mënyrë të përgjegjshme dhe redukton nivelet e larta të pabarazisë. “Ne thjesht nuk mund të realizojmë skenarin e ambicieve të larta për rritjen ekonomike nëse nuk nxisim një ekonomi globale më të drejtë.”

    Duke u bërë thirrje qeverive në mbarë botën që të përqendrojnë vëmendjen në tre fusha kryesore prioritetesh, ajo tha se ishte thelbësore të adresohen emergjencat klimatike, të investohet në teknologji të reja si IA dhe të investohet te njerëzit nëpërmjet përballimit të pabarazisë.

    Përmes paraqitjes se dy skenarëve të mundshëm për 100 vitet e ardhshme, të hartuar nga stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Georgieva tha se bota mund të presë një “rrugë me ambicie të ulët,” me Produktin e Brendshëm Bruto global rreth tre herë më të madh dhe standardin e jetesës dy herë më të lartë sesa sot.

    Duket se strategjia e shefes së FMN-së për zhvillimet e ardhshme të ekonomisë globale në përgjithësi afrohet me strategjinë e paraqitur nga Nobelisti i shquar në ekonomi, Joseph E. Stiglitz, në shumë punime të fundit të tij; “The Price of Inequality,” “Creating a Learning Society,” si dhe esenë “A New Growth Strategy for Developing Nations,” në të cilat ai flet për një strategji të re të zhvillimit ekonomik, sidomos në vendet në zhvillim, e cila bazohet në “Politikat e reja industriale për tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e shërbimeve që thithin fuqinë punëtore.”

    1. Tranzicioni i gjelbër

    Ka shumë prioritete kyçe të investimeve që lidhen me tranzicionin e gjelbër. E para, është transformimi i sistemit energjetik, i cili përfshin kalimin nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme të energjisë. Kjo kërkon dekarbonizimin e përdorimit të energjisë në vendet në zhvillim dhe heqjen graduale të termocentraleve me qymyr në veçanti. Kjo kërkon investime të reja masive në infrastrukturë dhe elektrifikim, dhe në burime të reja energjie të gjelbër si dielli, era dhe hidrogjeni.

    Së dyti, transformimi i bujqësisë mund të çojë në më shumë produktivitet – standarde më të larta jetese për fraksionet e mëdha të popullsisë ende të varura nga ai sektor.. Kjo do të kërkojë një gamë të gjerë investimesh publike në bujqësi, pyje, tokë dhe dete e oqeane.

    Së treti, një fushë tjetër është ulja e cenueshmërisë së vendeve në zhvillim ndaj dëmtimeve nga ndryshimet klimatike. Kjo ka nevoja të rëndësishme për ndërtimin e mbrojtjeve kundër rritjes së nivelit të lumenjve, detit, shkretëtirëzimit dhe nxehtësisë ekstreme përmes investimeve në sistemet e ushqimit dhe ujit, qëndrueshmërinë e infrastrukturës dhe zonave urbane, dhe menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe përmbytjet. 

    2. Punë më të mira në shërbime

    Investimi në tranzicionin e gjelbër do ta kthente atë që në thelb është një kosto për vendet në zhvillim në një mundësi rritjeje. Por nuk është e qartë nëse kjo do t’i përgjigjej pyetjes: nga do të vijnë punët më të mira dhe më produktive? Tranzicioni klimatik mund të krijojë vende të reja pune në ndërtimin e objekteve diellore dhe të erës, në infrastrukturë dhe në aktivitete zbutëse, por jo e njëjta gjë mund të thuhet për bujqësinë. Modernizimi bujqësor duke përdorur teknologji të reja dhe diversifikimi në kultura fitimprurëse kanë potencial të konsiderueshëm në shumë vende në zhvillim. Por është e vështirë të parashikohet bujqësia si një sektor që thith fuqinë punëtore për ekonominë në vazhdim, pasi teknologjitë e reja kursejnë fuqi punëtore dhe kërkojnë kapital.

    Atëherë, shërbimet do të mbeten sektori kryesor thithës i fuqisë punëtore në ekonomitë e vendeve në zhvillim. Kjo përbën një sfidë të madhe për ta. Sot, vendet e punës po krijohen kryesisht në një segment shumë të ndryshëm të ekonomisë—një përzierje e madhe e vetë-pronësisë ose firmave shumë të vogla, zakonisht të patregtueshme dhe shpesh informale. Pyetja kryesore është: si mund të rritet produktiviteti dhe kërkesa në këto aktivitete shërbimi që thithin fuqinë punëtore? Për këtë mund të ndiqet një strategji me tre drejtime për qeveritë. Së pari, inkurajoni krijimin e vendeve të punës me aftësi më të ulëta nga firmat më të mëdha që operojnë në shërbime të patregtueshme. Së dyti, të ofrohen inpute publike dhe qasje në investime për rritjen e produktivitetit për ndërmarrjet më të vogla. Së treti, investoni në teknologji që plotësojnë dhe jo zëvendësojnë punëtorët me aftësi të ulëta në sektorët e shërbimeve.

    Praktika e politikës industriale ndërlidh pesë elemente kyçe: përfshirjen, koordinimin, monitorimin, kushtëzimin dhe zhvillimin institucional. E para, nga këto i referohet krijimit të një dialogu strategjik dhe bashkëpunimit me firmat për të sqaruar informacionin mbi pengesat dhe mundësitë për investime produktive, duke përfshirë dështimet e tregut.

    Elementi i dytë është koordinimi i politikave. Ndryshe nga modeli standard, nuk ka asnjë supozim se taksat/subvencionet pigouviane do të jenë adekuate ose se ato mund të specifikohen paraprakisht. Mjetet juridike të nevojshme mund të variojnë nga ndryshimet në rregulloret e veçanta të qeverisë tek ofrimi i trajnimeve ose teknologjive specifike deri te stimujt financiarë (kujtoni skemën e punësimit të taksisë në Haryana). Në shumë raste, financat dhe absorbimi i riskut kanë qenë vendimtare.

    Së treti, mësimi i qeverisë duhet të sistematizohet dhe të pasqyrohet në veprimet dhe vendimet e mëvonshme. Kjo kërkon një përpjekje të qartë për të monitoruar dhe vlerësuar rezultatet e vendimeve të politikës industriale. Shumë nga këto vendime do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në rezultate dhe gabime nën optimale. Ajo që ka rëndësi për suksesin e politikave industriale nuk është aftësia për të “zgjedhur fituesit” (ose për të identifikuar projekte me ndikime të mëdha të jashtme), por aftësia për të “lënë të humburit të shkojnë,” një kërkesë më pak e vështirë, por ende kërkuese.

    Së katërti, dhe në lidhje me këtë, politikat e suksesshme industriale zakonisht ofrojnë stimuj të fortë për pajtueshmëri. Në Azinë Lindore, mbështetja financiare nuk ishte një dhuratë; mbështetja e vazhdueshme kërkonte sukses të vazhdueshëm nga ana e firmës, shpesh me tregues objektivë, si eksportet

    Së pesti, politikat e suksesshme industriale kërkojnë institucione të reja dhe zhvillim institucional. Në shumë vende, bankat e zhvillimit luajtën një rol të rëndësishëm. Krijimi i rregullimeve institucionale në mënyrë që ato të mos kapeshin, por në të njëjtën kohë të ishin të ndjeshme ndaj dështimeve të tregut dhe nevojave sociale, ishte vendimtare. Ato sjellin ndërtimin e një lloji të ri marrëdhëniesh bashkëpunimi midis qeverisë dhe firmave private, me përgjegjësi dhe detyrime të ndërsjella.

    REFLEKTIM PER SHQIPERINE

    Në katër vitet e ardhshme, Shqipëria ka nevojë për një strategji të re që të përmbushë sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi i shpejtë në sektorët e turizmit, teknologjisë dhe ekonomisë së gjelbër, të asaj blu dhe cirkulare. Kjo do të përfshijë një përpjekje të vazhdueshme për të ridimensionuar ekonominë dhe për të akomoduar strukturat e reja që nxisin një rritje të qëndrueshme dhe inovative. Procesi i ridimensionimit duhet të synojë, gjithashtu, mbështetje të fortë për sektorët që përfitojnë nga këto zhvillime, duke përfshirë politika të suksesshme për të mbështetur ndërmarrjet dhe projektet e reja që kontribuojnë në ekonominë e gjelbër dhe blu, në shërbime që krijojnë vende pune.

    Në mënyrë të përputhshme, një reformë sociale, tashmë e nisur, është e domosdoshme për të adresuar pabarazitë që kanë shpërthyer si rezultat i këtyre zhvillimeve. Politikat duhet të synojnë vazhdimin e ngushtimit të diferencave të të ardhurave dhe mundësive midis grupeve të ndryshme të popullsisë. Kjo do të përfshijë investime në edukim dhe shëndetësi, si dhe masa për të siguruar që rritja ekonomike të jetë e barabartë dhe të ofrojë mundësi për të gjithë qytetarët. Ndërtimi i institucioneve të forta dhe krijimi i një klime të favorshme për rritjen e qëndrueshme do të jenë kyçe për një transformim të suksesshëm dhe të gjithanshëm.

    Nëse pesimizmi është sot një qasje globale, Shqipëria ka shansin që të fuqizojë stimujt optimistë të zhvillimit ekonomik dhe përkrahjes pa kushte të brezit të ri në sidat për një zhvillim të shpejtë apo një rritje të qëndrueshme ne vazhdimësi.

  • Aktakuzë ndaj zyrtarit të komunës së Mamushës, ia mundësoi 124 personave fitimin e shtetësisë

    Aktakuzë ndaj zyrtarit të komunës së Mamushës, ia mundësoi 124 personave fitimin e shtetësisë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj M.S, turk, shtetas i Kosovës, që gjendet në paraburgim që nga 5 marsi i këtij viti. Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.

    Ai dyshohet se në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në komunën e Mamushës ka nxjerrë dokumente zyrtare të falsifikuara dhe ka ndërhyrë në regjistrin zyrtar duke shënuar të dhëna të rreme me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentet zyrtare dhe regjistrimin me përmbajtje të rreme. Kështu ai ka lëshuar ekstrakte të lindjes dhe ua ka mundësuar 124 personave ta fitojnë shtetësinë e Kosovës.

    “Sipas aktakuzës, nga data 20.01.2021 në vazhdimësi deri më datë 05.01.2024, i pandehuri M.Ş., – në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mamushës, me dashje i tejkalon dhe keqpërdor autorizimet e tij ligjore, i njëjti nxjerr dokumente zyrtare të falsifikuara dhe ndërhynë në regjistrin zyrtar duke shënuar të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e tij dhe me vulën zyrtare vërteton dokumentet zyrtare dhe regjistrin me përmbajtje të rreme, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht i regjistron në sistemin e gjendjes civile duke u lëshuar ekstrakte të lindjes dhe ua mundëson fitimin e shtetësisë 124 (njëqind e njëzet e katër) personave, të cilët i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës. Me këto veprime në vazhdimësi kryen veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.”

    Po ashtu, ai ka hyrë në sistemin kompjuterik të një zyrtari tjetër dhe ka regjistruar të dhëna në sistemin e gjendjes civile dhe i ka regjistruar 113 persona në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë.

    “Po ashtu, në datat e lartëcekura, i pandehuri M.Ş., pa autorizim dhe me qëllim që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete dhe për personat tjerë, si dhe me qëllim që t’i shkaktoj dëm personit tjetër – Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës (ARC), hyn në sistemin kompjuterik të tjetrit – zyrtarit N.M., të cilit fillimisht arrin t’ia siguroj fjalëkalimin privat dhe më pas ia përdorë userin, nga ku regjistron të dhëna në sistemin e gjendjes civile dhe më pas në periudha të ndryshme kohore, i regjistron në sistem 113 (njëqind e trembëdhjetë) persona, të cilët pa qenë fare në librat amë të lindjes, dhe pa pasur fare dosje të verifikimeve, i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të të pandehurit përmes hyrjes pa autorizim në sistemin kompjuterik të tjetrit, ua mundëson personave të lartcekur pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës. Me këto veprime në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike.”

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Po ashtu prokurori, ka propozuar që përveç dënimit kryesor të pandehurit t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe të bëhet anulimi i veprimeve juridike të kundërligjshme, në drejtim të 124 (njëqind e njëzetë e katër) personave, të cilët janë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme dhe të obligoj ARC-në që t’i shpallë të pavlefshme dokumentet e tyre të nxjerra në emër të Republikës së Kosovës, duke përfshirë po pa u kufizuar në: certifikata, letërnjoftime dhe pasaporta.”

  • Vdes personi që e qëlloi veten me armë zjarri në lagjen Bregu i Diellit

    Vdes personi që e qëlloi veten me armë zjarri në lagjen Bregu i Diellit

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku një person i ka dhënë fund jetës. Vdekja e viktimës është konstatuar në Emergjencë, ndërsa tashmë kanë nisur hetimet.

    Bëhet fjalë për një 42-vjeçar, i cili e ka qëlluar veten me armë zjarri dhe përkundër ndihmës së ofruar nuk ka arritur të mbijetojë.

    Në Emergjencë i ndjeri është dërguar pa shenja jete, ku edhe është konfirmuar vdekja nga ekipi mjekësor.

    Nga Policia Rajonale në Prishtinë akoma nuk janë deklaruar për rastin.

  • Kina dhe Rusia me stërvitje të përbashkëta ushtarake

    Kina dhe Rusia me stërvitje të përbashkëta ushtarake

    Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi se gjatë këtij muaji do të mbajë stërvitje detare dhe ajrore me Rusinë, duke nënvizuar afërsinë mes dy ushtrive, teksa Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës fqinje.

    Ministria tha se stërvitjet “Veriu i Bashkuar -2024” do të mbahen në Detin e Japonisë dhe në Detin e Okotskit, por nuk dha më shumë detaje.

    Në njoftim u tha se stërvitjet detare dhe ajrore synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin strategjik mes dy shteteve dhe “forcimin e aftësive që së bashku të përballen me kërcënimet e sigurisë”.

    Ministria kineze tha po ashtu se dy marinat do të lundrojnë së bashku në Paqësor, për herë të pestë, dhe së bashku do të marrin pjesë në stërvitjet “Oqeani i Madh-24” që do të mbahet në Rusi. Por, as për këto stërvitje nuk u dhanë detaje të tjera.

    Kina ka refuzuar ta kritikojë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Për këtë luftë, që është në vitin e tretë, Pekini ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për provokim të presidentit rus, Vladimir Putin.

    Përderisa Kina nuk i ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë armë Rusisë, Pekini është shndërruar në konsumatorin kryesor të gazit dhe natës ruse, por edhe furnizues i mjeteve elektronike dhe pajisjeve të tjera, që kanë përdorime civile dhe ushtarake. /REL

  • ​Bullgaria e Japonia diskutojnë marrëdhëniet parlamentare

    ​Bullgaria e Japonia diskutojnë marrëdhëniet parlamentare

    Kryetari i Asamblesë Kombëtare Bullgare Raya Nazaryan dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë Fukushiro Nukaga diskutuan në një konferencë për media në Asamblenë Kombëtare sot për intensifikimin e marrëdhënieve parlamentare midis Bullgarisë dhe Japonisë.

    Vizita zyrtare filloi me një ceremoni të vendosjes së kurorave në Monumentin e Ushtarit të Panjohur në qendër të Sofjes.

    Viti 2024 shënon tre përvjetorë në marrëdhëniet mes dy vendeve: 115 vjet nga kontaktet e para zyrtare, 85 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe 65 vjet nga rivendosja e tyre.

    Nazaryan vuri në dukje se ky takim është emblematik dhe i shumëpritur, takimi i parë i tillë në 24 vjetët e fundit, për më tepër, në sfondin e një viti që shënon tre përvjetorët.

    “Këtë vit kemi arritur të forcojmë marrëdhëniet parlamentare në nivel të grupeve të miqësisë, kryetarëve, komisioneve parlamentare”, tha kryetari i Asamblesë Kombëtare, duke shtuar se ky është delegacioni i tretë japonez në Bullgari në gjashtë muajt e fundit.

    Nukaga theksoi se është i lumtur që ka mundësinë të festojë këtë moment të rëndësishëm, përvjetorin e trefishtë në marrëdhëniet dypalëshe, së bashku me kryetarin e Asamblesë Kombëtare Raya Nazaryan. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për pritjen e ngrohtë të Grupit të Miqësisë me Bullgarinë në Dhomën e Këshilltarëve të Parlamentit japonez, i cili në gusht zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje.

    Bashkëpunimi ekonomik dhe biznesor midis Bullgarisë dhe Japonisë dominoi në bisedimet mes dy drejtuesve të parlamentit.

    “Temat për të cilat po diskutojmë, përveç marrëdhënieve të mira shumëvjeçare mes dy vendeve, janë forcimi i marrëdhënieve ekonomike në mjedisin e biznesit, energjia, turizmi dhe rritja e eksportit të mallrave bullgare në Japoni”, tha Nazaryan.

    Sipas tij, falë ambasadave në Sofje dhe Tokio, është hartuar një plan për mbajtjen e konferencave dhe forumeve të ndryshme deri në fund të vitit dhe për vitin e ardhshëm, të cilat do të forcojnë bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet dypalëshe, partneritetin në fushën e inovacionit, teknologjisë, inteligjencës artificiale, robotikës.

    Gjatë bisedimeve u konstatuan edhe rezultatet e mira në marrëdhëniet dypalëshe, përkatësisht memorandumet e nënshkruara ndërmjet Institutit Bullgar për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) dhe agjencisë kombëtare japoneze të kërkimit RIKEN për kërkime të përbashkëta në fushën e inovacionit, teknologjisë. dhe inteligjencës artificiale.

    Pala bullgare shprehu mirënjohje për kompaninë Toyota e cila ka nisur një projekt bashkëpunimi me INSAIT.

    Nukaga tha se Bullgaria është “një partner i rëndësishëm për Japoninë me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta”, duke shtuar se do të dëshironin të zgjeronin bashkëpunimin me Bullgarinë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

    Kompanitë japoneze dhe qendrat kërkimore po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje specialistëve të shkëlqyer të IT të Bullgarisë ndërsa vendi përpiqet të bëhet një qendër rajonale inovacioni, tha Nukaga.

    Ai theksoi se në tetor të këtij viti një delegacion biznesi japonez nga Organizata e Tregtisë së Jashtme të Japonisë do të vizitojë Bullgarinë.

    “Shpresoj se në këtë mënyrë do të bashkëpunojmë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tona ekonomike”, shtoi Nukaga.

    Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë vuri në dukje se vitin e ardhshëm World Expo 2025 do të mbahet në Osaka dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’i treguar Japonisë dhe botës “sharmin” e Bullgarisë.

    Fukushiro Nukaga gjatë vizitës së tij në Bullgari do të zhvillojë bisedime me presidentin Rumen Radev dhe me kryeministrin në detyrë Dimitar Glavçev. /BTA

  • ​Draghi: “BE-ja ka nevojë për ndryshim rrënjësor”

    ​Draghi: “BE-ja ka nevojë për ndryshim rrënjësor”

    Ish-kryeministri dhe bankieri qendror Mario Draghi publikoi të hënën një raport mbi konkurrencën e BE-së duke thënë se, “nëse kushtet politike dhe institucionale janë të pranishme, BE-ja duhet të vazhdojë – bazuar në modelin e Next GenerationEU – të nxjerrë mjete të përbashkëta borxhi, të cilat do të përdoren për të financuar projekte të përbashkëta investimi që synojnë rritjen e konkurrencës dhe sigurisë” në Evropë.

    “Nevoja financiare për BE-në për të arritur objektivat e saj është e madhe” dhe për të arritur objektivat e përshkruara në raportin e Draghi “të paktën 750-800 miliardë euro janë të nevojshme në investime shtesë vjetore, sipas vlerësimeve të Komisionit, me vlerë 4,4- 4.7% e PBB-së së BE-së në vitin 2023”, thuhet në raport.

    “Për të bërë një krahasim, investimet e Planit Marshall në periudhën 1948-51 ishin ekuivalente me 1-2% të PBB-së së BE-së”, theksohet në raport.

    Në përgjithësi, raporti theksoi se “vlerat themelore të Evropës janë prosperiteti, barazia, liria, paqja dhe demokracia në një mjedis të qëndrueshëm.

    “BE-ja ekziston për të garantuar që evropianët mund të përfitojnë gjithmonë nga këto të drejta themelore.

    “Nëse Europa nuk do të jetë në gjendje t’i garantojë më ato, ajo do të humbasë arsyen e saj për të ekzistuar.

    “E vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë sfidë është të rritemi dhe të bëhemi më produktivë, duke ruajtur vlerat tona të barazisë dhe përfshirjes sociale.

    E vetmja mënyrë për t’u bërë më produktive është që Evropa të ndryshojë rrënjësisht”, ka shkruar Draghi në hyrje.

    Produktiviteti, theksoi Draghi, “është një sfidë ekzistenciale për BE-në”.

    Një çështje tjetër e përshkruar nga raporti është nevoja për të shtrirë votën e shumicës së cilësuar në “më shumë fusha, duke kërkuar gjithashtu – në rastet e një ngërçi – “bashkëpunim të forcuar” “Deri më tani, shumë përpjekje për të thelluar integrimin evropian midis shteteve anëtare janë penguar nga votën unanime”, thuhet në raport.

    Gjithashtu, duke folur për kërkimin dhe zhvillimin në sektorin e mbrojtjes, raporti i Draghi rekomandoi që të “rriten fondet evropiane” dhe të përqendrohen në “iniciativa të përbashkëta”.

    Kjo qasje mund të zhvillohet përmes “programeve të reja me përdorim të dyfishtë dhe një propozimi të programeve evropiane të mbrojtjes me interes të përbashkët” për të organizuar bashkëpunimin e nevojshëm industrial.

    “Asnjë shtet anëtar nuk mund të financojë, zhvillojë, prodhojë dhe mbështesë në mënyrë efektive të gjitha aftësitë dhe infrastrukturat e nevojshme për të ruajtur lidershipin” në teknologjitë më të avancuara të sotme, vuri në dukje raporti./ANSA/

  • Sejdiu: Situata e krijuar ndikon negativisht te Kosova, ndaj Qipros mund të fitojmë

    Sejdiu: Situata e krijuar ndikon negativisht te Kosova, ndaj Qipros mund të fitojmë

    Trajneri dhe analisti i njohur i futbollit kosovar, Gani Sejdiu ka thënë se situata e ditëve të fundit e ndodhur brenda Kombëtares së Kosovës, ku u përjashtuan tre lojtarë për shkak të thyerjes së rregullave të ekipit si (Muslija, Muriç dhe Edon Zhegrova) mund të ketë ndikim negativ në ecurinë e Kosovës në rrugëtimin e tyre në Ligën e Kombeve.

    “Dradanët” u mposhtën nga Rumania me rezultat 3-0 në Prishtinë, ndërsa sonte luajnë në udhëtim ndaj Qipros.

    “Edhe në këto raste gjithmonë duhet gjetur forcën për t’u rikuperuar nga një zhgënjim i tillë, kështu që për të dal nga kjo duhet të jemi të gjithë të bashkuar, sidomos në këso raste sepse kur fiton është më lehtë…Nuk diskutohet që në këtë periudhë shumë të shkurtër kohore nga takimi me rumunët tani me Qipron është kohë e shkurtër dhe pasojat do të jenë evidente. Ne do ta shohim, është fati ynë ndoshta që e kemi një kundërshtar ndoshta që nuk e ka nivelin e kualitetit që ndoshta që ta na rrezikoj shumë siç ka qenë Rumania dhe kjo mund të jetë një element që ne duhet ta shfrytëzojmë përkundër këtij rasti që na ka ndodhur”, ka thënë Sejdiu.

    Ai konsideron që më vështirë do të jetë që të zëvendësojet Edon Zhegrova në sulm, por shprehet i bindur se Qipro mund të mposhtet edhe me grupin e lojtarëve që kanë mbetur në dispozicion të trajnerit Franco Foda.

    “Te Zhegrova pak problem por megjithatë kemi zëvendësime, kemi alternativa edhe grupi i lojtarëve që ka mbetur unë mendoj që nëse kanë arritur selektorin me stafin e vet situatën ta rikuperojnë në kuptimin e motivit dhe ta lënë anash këtë problem që ka ndodhur i cili është në periudhë shumë të keqe, shumë të papërshtatshme, unë mendoj që padyshim që e kemi mundësinë dhe kualitetin si dhe ekipin për ta mposhtur Qipron.

    Ndeshja ndërmjet Qipros dhe Kosovës do të nis nga ora 18:00.

    Zhvillimet te Kombëtarja e Kosovës-Interviste-Gani Sejdiu

  • Raportohet se Policia ka konfiskuar dokumentacionin nga kasaforta e Bankës serbe në Leposaviq

    Raportohet se Policia ka konfiskuar dokumentacionin nga kasaforta e Bankës serbe në Leposaviq

    Po raportohet se organet e rendit sot kanë marrë dokumentacionin nga kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.

    Në pjesën ku ndodheshin zyrat e këtij institucioni serb, ndodhet një mjet i blinduar dhe rreth ndërtesës ku ishte e vendosur komuna paralele serbe shihen të parkuara automjete të policisë, raporton portali serb “Kosovo Online”.

    Përballë objektit janë edhe mobiliet të cilat po i nxjerrin punonjësit e zyrës së Shoqatës serbe “Më Përkrah”.