Me rastin e Ditës ndërkombëtare të parandalimit të vetëvrasjes, organizata “Linja e Jetës”, do të përmbyll peticionin për projektligjin për parandalim të vetëvrasjes.
Me rastin e kësaj dite, do të mbahet edhe tryezë diskutimi me temën “Ta ndryshojmë narrativën si flasim për vetëvrasjen”, ndërsa në orën 19:00 para Teatrit Kombëtar do të ndezën qirinj si shenjë përkujtimi për jetët e humbura.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se të dhënat e raportit të tyre tregojnë që në vitin 2023 ka pasur regres në luftimin e korrupsionit nga prokuroritë dhe gjykatat.
“Sa i përket prishjes së komoditetit që po i pritojnë KPK-ja dhe KGJK-ja, në këtë rast prokurorët dhe gjyqtarët, sipas të dhënave që FOL e ka bërë një raport për vitin 2023, nga 1 mijë e 106 lëndë të korrupsionit sa kanë qenë në punë, në shtatë prokuroritë themelore dhe atë Speciale gjatë vitit 2023, vetëm 476 prej tyre kanë qenë të trashëguara nga viti paraprak dhe 630 lëndë të reja. Prokuroritë kanë zgjedhur veç 500 lëndë, që i bie diku në përqindje rreth 45% të të gjitha lëndëve në punë”, tha Demolli-Nimani
Sipas saj, kjo i bie që lëndët që i kanë në punë nuk i trajtojnë seriozisht. Ajo tha se e njëjta përqindje është edhe tek gjykatat.
“Nga 128 lëndë të korrupsionit, 104 prej të cilave kanë qenë të trashëguara dhe 24 të reja, kanë arritur t’i zgjidhin vetëm 56 lëndë apo 44% të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë. Viti 2023 kemi vlerësu që ka pasur regres sa i përket luftimit të korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, duke u bazuar në statistikat që i kemi marrë nga KPK dhe KGJK”, tha Demolli-Nimani.
Moti sot do të jetë kryesisht me shi dhe i vranët.Reshjet e shiut të shoqëruara me rrufe parashihen të përfshijnë të gjithë Kosovën.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë Celsius”, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
“Do të fryjë erë kryesisht nga veriperendimi me shpejtësi 1-8m/s”.
Viti i ri shkollor, filloi të hënën e kaluar, por as këtë herë, kushtet nuk u përmirësuan për nxënësit me nevoja të veçanta.
Organizata të ndryshme civile që merren me këtë kategori, kritikojnë institucionet që kërkesat e tyre për infrastrukturë më të mirë, por edhe trajtim më të dinjitetshëm nuk po përfillen.
“Po hasin në vesh të shurdhër dhe nuk po marrin ndonjë hap përpara me bë një progres sa më të mirë edhe me qenë një gjë më e mirë për neve, të ndihemi më mirë në vendin ku ne jemi duke qëndruar dhe nuk po marrim shërbime të duhura si gjithë fëmijët e tjerë”, tha Eldin Gashi nga shoqata “Hëna”.
Duke kërkuar qasje të barabartë për të gjithë nxënësit, sipas Remzije Krasniqit, nga KOMF-i, në mesin e 300 mijë nxënësve, vetën 3.965 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në klasat të rregullta.
“Politikat duhet të jenë më të përshtatura me nevojat e nxënësve, derisa duhet të rritet llogaridhënia dhe bashkëpunimi mes prindërve, mësimdhënësve dhe komunitetit. KOMF-i bën thirrje që të gjithë akterët si nga Qeveria, niveli komunal, qendror, prindërit, mësimdhënësit të jenë të gatshëm për të diskutuar dhe të jenë të gatshëm se si të vazhdohet tutje për t’u përkrahur arsimi”, tha Krasniqi.
Ndërsa, nga “Save the Children Kosova”, bëjnë të ditur se vetëm 609 shkolla në Kosovë kanë infrastrukturë adekuate për personat me aftësi të kufizuar.
“Vazhdojmë të kemi shumë shkolla në Kosovë, të cilat nuk kanë qasje të mirëfilltë, sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara. Nga 1094, vetëm 609 prej tyre kanë qasje adekuate”, tha Lulavere Behluli nga “Save The Children Kosova”.
Po ashtu, sfidë është vlerësuar edhe trajnimi joadekuat i mësimdhënësve, mungesa e metodave të mësimdhënies gjithëpërfshirëse, mungesa e pajisjeve mbështetëse teknologjike e asistuese.
Rënkimin e nënës, Sevdies, për djalin e saj Ali Paçarizi, i cili u vra më 27 shtator të vitit 1998, fotoreporteri Alan Chin e bëri të jehojë edhe pas 27 vjetëve.
Këtë fotografi, ai e shkrepi ditën kur pjesëtari i UÇK-së u vra nga forcat serbe në Dragobil të Malishevës.
Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, ai thotë se sa herë e sheh këtë fotografi i kthehen emocionet dhe kujtimet e luftës në Kosovë.
“Unë kam ardhur në Kosovë për herë të parë në vitin 1997. Pas kësaj kohe u zhvillu lufta dhe vazhdova të qëndroj për të bërë fotografi. Në mesin e tyre është edhe kjo fotografi e cila ngërthen në vete emocione të përziera”, tha Chin.
Nëna dhe vëllezërit e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës aktualisht jetojnë në Itali, ndërkaq kontaktet mes tyre dhe fotoreporterit vazhdojnë.
“Po jemi parë, nëna e tij ka qenë ta shoh edhe për së afërmi fotografinë, ata punojnë dhe veprojnë atje si ndërtues. Aliu është njëri prej 11 djemve të Sevdies”, tha Chin.
Periudha e luftës, kur kishte ardhur enkas në Kosovë për të shkrepur fotografi, e shtyu atë të vijë edhe më pas. Sipas tij, Kosova është prej vendeve që ka ndryshuar më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit që po ashtu përjetuan luftën.
“Unë kam ardhur edhe më herët, eksperienca që kam pasur në Kosovë, më jep emocione të përziera, ka qenë periudhë e vështirë atëherë, kurse tash është krejtësisht ndryshe”, tha Chin.
Fotografia e familjarëve duke qëndruar mbi kufomën e Ali Paçarrizit, ishte vetëm njëra nga fotografitë e Alan Chin-it, e cila bëri bujë edhe ndërkombëtarisht.
Madje, ishte shfaqur edhe në ballinën e gazetës “The New York Times” ku edhe tash Alan Chin vazhdon punën si fotoreporter.
Katër raste me ethet e Nilit Perëndimor janë regjistruar në Kosovë.
Personat e infektuar me këtë sëmundje që transmetohet nga mushkonjat, janë nga Fushë-Kosova, Prizreni e Lipjani.
Rastet fillimisht janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ata janë liruar për shtëpi.
Ndërkaq, derisa rastet me Ethet e Nilit Perëndimor janë rritur, ato të COVID-19, janë ulur.
Në Klinikën Infektive vetëm një pacient me koronavirus po trajtohet, nga 13 sa ishin më 20 gusht.
Sipas drejtorit Arben Vishaj, pacienti është në mjekim intensiv, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, pavarësisht insistimit të televizionit, IKSHPK-ja, në një përgjigje me shkrim, tregon vetëm për numrin e rasteve pozitive në periudhën 7 deri më 20 gusht.
Sipas këtij institucioni, në këtë periudhë janë regjistruar 661 raste pozitive dhe tri viktima.
“Nga 661 rastet e raportuara gjatë kësaj periudhe kohore, sipas grup-moshave rezulton se grup-mosha më e prekur janë: 50-59 vjeç me 119 raste dhe grup-mosha 20-29 vjeç me 116 raste, me moshë mesatare prej 49.3 vjeç. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe muajit paraprak, nga fillimi i muajit gusht 2024, vërehet ngritje e numrit të rasteve të raportuara me COVID-19, veçanërisht në javën e fundit me mesatare 54 raste pozitive të raportuara në baza ditore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Megjithatë, pas kësaj date, IKSHPK-ja thotë se ka raste të reja pozitive, por nuk tregoi as për testimet, e as për rastet pozitive.
Mospublikimi i të dhënave, sipas infektologut Shemsedin Dreshaj, nuk është vendim i duhur. Ai thotë se qytetarët duhet të jenë të informuar për këtë situatë.
“Numri i rasteve është rritur me ethet e Nilit, situata me këto dy sëmundje, edhe me Covid-19, duhet të merret seriozisht, të mbrohen qytetarët më shumë, të praktikojnë masat që ofron IKSHPK-ja. Megjithatë, të dhënat duhet të përditësohen më shpesh në mënyrë që populli të jenë në dijeni për rastet dhe situatën nëse është alarmante në mënyrë që të rritet më shumë kujdesi”, tha Dreshaj.
Më tej, ai tha se ka mundësi të rritet numri i sëmundjeve infektive.
“Numri i sëmundjeve infektive ka gjasa të rritet e të ketë më shumë pandemi për shkak se po jetojmë në epokën e globalizmit, ka më shumë qarkullim, udhëtime”, tha Dreshaj .
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë apel për kujdes të shtuar dhe në rast të shfaqjes së simptomave të konsultohen me mjekët.
Pas më shumë se një muaji pushim, deputetët të enjten do t’i kthehen punës.
Sallën e Kuvendit do ta gjejnë më ndryshe sesa që e lanë, meqë renovimet kanë përfunduar e salla është pajisur me mjete të reja teknologjike.
Në seancën e parë të sesionit vjeshtor, në rend dite janë pika të cilat do të duhej të kryheshin qysh në muajin mars.
Andaj monitoruesit e Kuvendit shprehen skeptikë se do të mund të përmbushet agjenda e paraparë.
Megjithatë, opozita thotë se do të angazhohet maksimalisht në këta muaj sa kanë mbetur.
Madje, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tregojnë se ku do të jetë fokusi i tyre gjatë kësaj kohe.
Ndër pikat e papërfunduara nga sesioni i kaluar, janë: Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, e Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.
Në seancën e së enjtes, për votim në lexim të dytë do të hidhet edhe Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Këto dy shtylla elektrike, të cilat janë gati për t’u rrëzuar janë kthyer në shqetësim për qytetarët të cilët frekuentojnë rrugën “Sylejman Vokshi”, në afërsi të sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Shtyllat janë vendosur në këtë vend para 40 viteve, por tash e tetë vite, ato bashkë me disa kabllo janë në gjendje jostabile.
Ejup Saraqi, që jeton në këtë lagje, thotë se ekipet e KEDS-it, ndonëse janë të njoftuar me situatën, nuk kanë intervenuar asnjëherë.
“Sa herë të kalojmë në këtë rrugë është me të vërtetë shqetësuese për faktin se unë banoj këtu pranë. Asnjëherë kurkush nuk i ka rregullu, pavarësisht se kemi bërë kërkesa. Këtu kalojnë shumë qytetarë, është një rrugë e frekuentuar edhe nga veturat”, tha Saraqi.
Megjithatë, KEDS-i në një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së, se do të intervenojë në evitimin e rrezikut.
“Ekipet e KEDS-it në terren tashmë janë në dijeni për këtë. Gjatë javës do të dalin në vend për të vlerësuar gjendjen e shtyllës elektrike. KEDS-i do të veprojë me qëllim të eliminimit të çfarëdo rreziku të mundshëm që mund të vijë”, thuhet në përgjigjen e KEDS.
Sidoqoftë, tash e disa vite, KEDS-i ka ndërruar më shumë se 10 mijë shtylla të vjetra elektrike duke i zëvendësuar me ato të betonit.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u kursye të hënën kur foli për Bashkësinë Ndërkombëtare.
Sipas tij, ndërmjetësuesit po e mbajnë anën e Serbisë, e nuk po e ndëshkojnë për veprimet, që, sipas tij, nuk janë të pakta.
Madje, edhe dialogu me Serbinë, derisa nuk ka trajtim të barabartë, duket i pavlefshëm.
Për këtë kryekuvendari Konjufca tha se dialogu me Serbinë vdiq me rastin e Banjskës, meqë ndërkombëtarët e dinë mirë se shteti serb e financoi këtë sulm, dhe nuk ndërmorën asgjë deri më tash.
Por për raportet me ndërkombëtarët, opozita fajin po e lë tek autoritetet vendore.
Sipas Konjufcës, mos-heqja e masave ndaj Kosovës, është një dëshmi shtesë e mbajtjes anë nga bashkësia ndërkombëtare, teksa shtoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë përpara, nëse të dyja vendet trajtohen njësoj.