ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: I pakuptimtë insistimi i Kurtit me Haxhiun, demokratët në SHBA ndërruan kandidatin për president

    Krasniqi: I pakuptimtë insistimi i Kurtit me Haxhiun, demokratët në SHBA ndërruan kandidatin për president

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka marrë shembull vendimin e partisë demokrate në SHBA për ta ndërruar Joe Bidenin me Kamala Harrisin për garën presidenciale.

    Ai ka thënë se është i pakuptimtë insistimi i Albin Kurtit për ta mbajtur Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit.

    “Unë shpreh keqardhje për situatën në të cilën krejt institucionet kanë mbetur peng i VV-së, e cila përkundër insistimit tonë për ndërrim të kandidates, ani pse nuk e ka votën, ajo vazhdon. Në situata aktuale ndërrohen kandidatët në mes të garës. Edhe në SHBA në mes të garës partia demokrate ndërroi kandidatin për president, është e pakuptimtë insistimi i Kurtit për Haxhiun”, ka thënë Krasniqi.

    “Unë si kryetar i PDK-së do të vazhdojë përpjekjet për zhbllokimin e situatës. Mirëpres edhe ftesën e Osmanit për takim dhe shpresoj që të ketë diskutime për një rrugë për dalje nga kriza”, ka thënë ai.

  • Dështon për herë të 15-të konstituimi i Kuvendit

    Dështon për herë të 15-të konstituimi i Kuvendit

    Për të 15-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet. Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve Tahir dhe Nebih Meha, në përvjetorin e 44-të të rënies së tyre në përleshje me policinë okupatore serbe.

    Gjatë seancës, Komisioni Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – vota të pamjaftueshme për të ecur me procesin.

    Seanca u ndërpre dhe u caktua që të vazhdojë më 15 maj, në orën 10:30. /ATV/

  • Peci: Guxo s’ka marrë ftesë nga presidentja, do të duhej sepse jemi subjekt i regjistruar në KQZ

    Peci: Guxo s’ka marrë ftesë nga presidentja, do të duhej sepse jemi subjekt i regjistruar në KQZ

    Deputeti Faton Peci, i cili është bashkëkryetar i partisë Guxo ka thënë se nuk kanë marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takimin e thirrur për subjektet politike.

    “S’kemi marrë ftesë, do të duhej me marrë ftesë sepse jemi subjekt politik i regjistruar në Komisionin Qendror Zgjedhor pavarësisht që s’kemi garuar vetëm. Kemi garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha shkurt ai para gazetarëve.

    Pjesëmarrjen në takim deri më tani e kanë konfirmuar liderët e partive që deri vonë kanë qenë në opozitë, derisa nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ende s’janë përgjigjur nëse do t’i shkojnë Osmanit në takim.

    Përgjigje nuk ka dhënë sot as kreu i VV-së, Albin Kurti. Kurti para gazetarëve nuk e ka thënë asnjë fjalë, i pyetur se a do të jetë prezent në takimin e së enjtes të thirrur nga presidentja Osmani.

  • Tentimi i 15-të për konstituimin e Kuvendit

    Tentimi i 15-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot (e martë) do të mbahet seanca e radhës e 15-ta në tentim për konstituimin e Kuvendit.

    Edhe kjo seancë nuk pritet të sjellë ndonjë të re pasi partitë politike nuk kanë dhënë sinjale për ndryshim qëndrimesh.

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut, e cila po kundërshtohet nga PDK, LDK e AAK.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari në disa seanca ka propozuar votim të fshehtë për kryeparlamnetarin, por që nuk është votuar komisioni në mungesë do të votave.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të hënën ka dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimet e kryesuesit të seancës.

    Dështimi i konstituimit të Kuvendit ka bërë që presidentja Vjosa Osmani t’i thërras në një takim të përbashkët partitë politike.

    Ky takim është caktuar më 15 maj.

    PDK, LDK e AAK kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Nga Vetëvendosje nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të hënën.

  • Anëtarësimi në KiE, Kosova s’është në rend dite në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ministrave

    Anëtarësimi në KiE, Kosova s’është në rend dite në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ministrave

    Kosova nuk pritet të jetë në rend dite për anëtarësim në Këshillin e Evropës as në mbledhjen e komitetit të Ministrave që mbahet sot.

    Në mbledhjen që do ta mbajë Komiteti i Ministrave sot dhe nesër, Kosova nuk figuron si pjesë e agjendës.

    Një përfaqësueset e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, deputetja e PDK-’së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se nuk e sheh asnjë mundësi që Kosova të jetë në agjendë.

    “Si një vend që për momentin jemi pa institucione, pa përfaqësim, si një vend që nuk kemi aleatë që flasin për ne, që lobojnë për shtetin e Kosovës, unë nuk shoh që të ketë asnjë hap pozitiv dhe nuk e shoh asnjë mundësi që Kosova të jetë në agjendë, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Ministrave”, ka deklaruar ajo.

    Sipas saj, një kthesë pozitive mund të vije vetëm nga një qeverisje e re.

    “E kemi pas një qeveri e cila nuk ka qenë bashkëpunuese me aleatët tanë, e cila nuk i ka përmbushë premtimet të cilat i ka dhënë karshi aleatëve tanë dhe prandaj ne jemi një shtet që nuk ka asnjë përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Musliu-Shoshi.

    Kushtet kryesore për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishin zbatimi i vendimit të Kushtetueses për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Kadrijaj: Presidentja duhet të japë ndonjë alternativë

    Kadrijaj: Presidentja duhet të japë ndonjë alternativë

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se në takimin e thirrur nga presidentja, pret një propozim se si do të dilet nga kjo situatë.

    “Kemi kërkuar që të trajtohet me prioritet. Ne nuk mund të caktojmë afate për Gjykatën Kushtetuese se kur do ta trajtojë. Ne e kemi bërë kërkesën, tani po presim vendimin e gjykatës”.

    “Do të shohim. E kemi pranuar se çdo diskutim në këtë situatë, edhe në këtë bllokadë, është i mirëseardhur. Do të shohim se si do të shkojë rrjedha e bisedimeve dhe çka do të propozojë presidentja. Do t’i shohim qëndrimet e partive të tjera. Presidentja do të duhet të japë ndonjë alternativë”. /eo

  • ​Edhe një tentim sot për konstituim të Kuvendit

    ​Edhe një tentim sot për konstituim të Kuvendit

    Deputetët do të mblidhen sërish sot, në një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e pesëmbëdhjetë për të formuar legjislaturën e nëntë.

    Deputetët kanë dështuar plot katërmbëdhjetë herë me radhë të formojnë trupat e Kuvendit.

    Procesi ka ngecur të kryeparlamentari, pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

    Partitë që deri më tash ishin në opozitë janë shprehur kundër emrit të propozuar nga partia e Albin Kurtit – i cili aktualisht është kryeministër në detyrë.

    Seanca konstituive ka nisur më 15 maj dhe deri më tash është arritur të bëhet vetëm betimi i deputetëve.

    Nga 15 maji, presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të nis përpejkjet për të zhbllokuar ngërçin në Kuvend.

    Kjo është bërë e ditur nga këshilltari për media, Bekim Kupina i cili tha të hënën se Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit.

    Sipas tij, ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para.

    Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Pasi Albulena Haxhiu nuk mori votat e nevojshme për disa seanca me radhë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Por, kjo u kundërshtua nga partitë e tjera.

    Çështjen e votimit të fshehtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – e ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese./KP

  • ​26 vjet nga barbaria serbe ndaj shqiptarëve në Korishë

    ​26 vjet nga barbaria serbe ndaj shqiptarëve në Korishë

    Sot mbushen 26 vjet nga “Dita e Martirëve” në Korishë, e njohur ndryshe si masakra e tmerrshme nga ushtria dhe policia serbe mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të kësaj ane.

    Ndryshe, më 13 maj 1999, u krye masakra e tmerrshme nga ushtria dhe policia serbe mbi popullatën e kësaj ane dhe fshatrave përreth duke i ndalur civilët e fshatrave Korishë, Budakovë, Bllacë, Reshtan , Mushtisht, dhe Grejkoc, duke vrarë 77 prej tyre./KP

  • ​44-vjetori i rënies së Nebih dhe Tahir Mehës

    ​44-vjetori i rënies së Nebih dhe Tahir Mehës

    Sot shënohet 44-vjetori i rënies së Nebih dhe Tahir Mehës, të cilët nga kulla e tyre në Prekaz, iu kundërpërgjigjen me armë policisë dhe ushtrisë jugosllave, që kishin shkuar t’i arrestonin.

    Në mëngjesin e 13 majit 1981, forca të mëdha policore dhe ushtarake kishin rrethuar kullën e Nebih dhe Tahir Mehës, të cilëve u kërkuan që të dorëzoheshin, por në vend të dorëzimit, ata iu përgjigjen me të shtëna të pushkëve, ku luftimet zgjatën për tërë ditën, deri në orët e mbrëmjes.

    Në luftime heroikisht kanë rënë Nebihu dhe Tahiri, kurse të vdekur kanë mbetur edhe disa policë serb, numri i saktë i të cilëve nuk është bërë i ditur asnjëherë.

    Për nder të dëshmorëve Meha, Komuna e Skenderajt ka njoftuar se mbahen aktivitete përkujtimore./KP

  • ​Nëntë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    ​Nëntë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    Si sot para nëntë vitesh Kosova u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s. FFK-ja mori 141 vota për anëtarësim, nga 164 votat valide në Kongresin e 66-të të FIFA-s që u mbajt në Meksiko City.

    Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar me datën 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

    Në Kongresin e FIFA-s, para votimit për anëtarësimin e FFK-së, të pranishmëve iu pati drejtuar anëtari i Këshillit të FIFA-s, Senesh Erzik, i cili theksoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e FIFA-s.

    Më pas një fjalim e mbajti edhe kryetari i atëhershëm i FFK-së, i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

    Në fund të fjalimit të tij Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të marrë votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA.

    Pas Vokrrit delegatëve iu drejtua nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, por pas përfundimit të fjalimit të tij presidenti i FIFA-s, Gianni Ifantino theksoi se Kongresi është trupi suprem që vendos për çështjen e Kosovës dhe kërkoi që të kalohet në votimin elektronik, ku Kosova mori 141 vota.

    Në fjalimin e tij para Kongresit pas pranimit Vokrri falënderoi presidentin e FIFA-s, zëvendëpresidentët dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të FIFA-s.

    “Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, pati deklaruar Vokrri, i cili në mënyrë simbolike mori emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino./KP