ATV

Author: ATVLive

  • ​Numërohen mbi 93% e kutive në Shqipëri, këto janë rezultatet

    ​Numërohen mbi 93% e kutive në Shqipëri, këto janë rezultatet

    Deri në orën 06:55 numëruesit në të gjithë vendin kanë numëruar 4890 kuti votimi nga 5225 që janë në të gjithë Shqipërinë.

    Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat në çdo qark të përkthyera në mandate, japin një tablo ku Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.

    Kështu socialistët kanë deri tani 82 mandate, ku rezultatin më të mirë e kanë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan, raporton Top Channel.

    Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike ka zbritur në 51 mandate, pasi Partia Mundësia e Agron Shehajt i ka marrë një mandat në Tiranë.

    Sa i përket partive të reja, PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike në Kuvend me 3 mandate, koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka 1 mandat, ndërkohë Lëvizja Bashkë 1 mandat.

    Deri tani PS prin me mbi 230 mijë vota para.

  • ​Pengu izraelito-amerikan Edan Alexander kthehet në Izrael pas lirimit nga Hamasi

    ​Pengu izraelito-amerikan Edan Alexander kthehet në Izrael pas lirimit nga Hamasi

    Ushtria izraelite thotë se pengu izraelito-amerikan Edan Alexander është kthyer në Izrael pasi u lirua nga Hamasi.

    Alexander, 21 vjeç, po shërbente në një njësi elitare këmbësorie në kufirin me Gazën kur u kap nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Nga 251 pengjet, 59 mbeten në Gaza, deri në 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

    Izraeli thotë se do të ketë “një korridor të sigurt” në Gaza për lirimin e Aleksandrit, por nuk është zotuar për një armëpushim.

    Vizita e Presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme fillon të martën – ai e quan lirimin e planifikuar të Aleksandrit “lajm të shkëlqyer”.

    Një zyrtar i lartë palestinez i thotë BBC-së se njoftimi i Hamasit është menduar si një gjest vullneti të mirë para mbërritjes së Trump.

    Hamasi gjithashtu thotë se lirimi ka për qëllim të lehtësojë një marrëveshje ndihme – Gaza ka qenë nën një bllokadë izraelite për më shumë se dy muaj.

  • Gjyqtarja e Kosovës, e angazhuar në rastin Zoran Vukotiq, shënjestër e sulmeve nga përdorues serbë në TikTok

    Gjyqtarja e Kosovës, e angazhuar në rastin Zoran Vukotiq, shënjestër e sulmeve nga përdorues serbë në TikTok

    Në rrjetin social TikTok ka nisur një fushatë denigruese ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani Hajra, e cila aktualisht është duke udhëhequr një rast të ndjeshëm gjyqësor ndaj Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

    Në një nga videot që po qarkullon në këtë platformë, gjyqtarja kërcënohet dhe etiketohet si “gjyqtare e rreme”, një pretendim që synon të njollosë figurën e saj publike dhe të cenojë kredibilitetin e saj profesional.

    Kjo video qe përfshinë kërcënime dhe sulme të tjera drejt shtetit të pavarur të Kosovës është publikuar nga një përdorues i TikTokut me emrin ‘MiljanRakic15’, i cili vazhdimisht poston video me përmbajtje të tilla, nxitës, ofenduese dhe denigruese për zyrtarët shtetërorë të Kosovës. Ai gjithashtu sjell video me shtrembërim të historisë sikurse në rastin e gjyqtares Namani Hajra e cila është e angazhuar në drejtimin e njërit prej proceseve më delikate që lidhen me krimet e luftës në Kosovë, çështje që kanë ndjeshmëri të lartë shoqërore dhe historike.

  • Vrasjet e ushtarëve shqiptarë të vrarë në armatën e ish-Jugosllavisë, plagë të hapura që kërkojnë drejtësi

    Vrasjet e ushtarëve shqiptarë të vrarë në armatën e ish-Jugosllavisë, plagë të hapura që kërkojnë drejtësi

    Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë organizoi forum diskutimi me temën: Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e ish-Jugosllavisë, raporton Ekonomia Online.

    Drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, theksoi rëndësinë e dokumentimit dhe kërkimit të drejtësisë për rastet e identifikuara të vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Armatën e Ish-Jugosllavisë .

    “Bëjmë një thirrje për ndërgjegjësim, dokumentim dhe përgjegjësi. Kjo seri forumesh ka për qëllim të sjellë në vëmendje kapituj që janë heshtur që shpesh janë anashkaluar nga kujtesa. Është përpjekja jonë për të krijuar një kujtesë të thellë dhe të qëndrueshme. Djemtë shqiptarë, shumica moshë e re, nuk ranë në lufte, por u vranë në paqe. Ky forum është hapi i parë i projektit që të zbulojë të vërtetën dhe është përpjekje për drejtësi. Instituti ynë nuk synon vetëm të përkujtojë, por edhe të ndërtohet një platformë institucionale”, tha Hetemi.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo është një dëshmi se institucionet nuk i harrojnë viktimat.

    “Jemi bashkë në këtë forum për ushtarët e vrarë në Armatën e Jugosllavisë. Kjo histori është e shtrirë në një periudhë të gjatë. Rasti i parë ishte në korrik të vitit 1951, ku u vra ushtari i parë. Ai ishte Ramadan Gashi. Sot e asaj dite nuk e kanë marrë trupin dhe asnjë shpjegim. Vit pas viti u vranë ushtarë shqiptarë. Institucionet e Kosovës i njohin ata me emër, historitë e rasteve të tyre dhe krimet e kryera nga shteti i Serbisë. Kërkohet drejtësi. Janë 135 raste që do të evidentohen. Këto janë njëra nga arsyet që është bërë ky institut”, tha Kurti.

    Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” Blerina Rogova- Gaxha, theksoi nevojën për ndërtimin e kujtesës institucionale.

    “Ajo që jemi përpjekur është rindërtimi i historisë, të memorizojmë dhe të risjellim momentet kyçe, sepse kështu kuptojmë historinë. Politika shtypëse dhe diskriminuese serbe nuk kishte target vetëm shpirtin e tyre, por nënshtrimin. Kjo është thirrje për sensibilizim, thirrje për drejtësi për të gjitha viktimat. Jemi dëshmitarë moralë që kjo ndihmon mobilizimin e kujtesës në formë institucionale. Duhet të punojmë që jeta dhe vdekja e tyre të mos mbeten vetëm numra dhe statistikë. Ato duhet të dokumentohen”, tha Rogova- Gaxha.

    Ish- i burgosuri politik, Riza Xhakli, dha dëshmi personale për padrejtësitë e përjetuara në Armatën e ish –Jugosllavisë pas montimit të rastit të Aziz Kelmendit në kazermën e Paraçinit.

    “Jemi njohur nga afër. Ishim bashkë në shërbim ushtarak. Ishte djalë i qetë, i mençur. Ishte student shembullor. Sot jam për të dëshmuar se jam njëri nga ata që u dënua padrejtësisht “, tha Xhakli.

    Gani Morina nga Këshilli i familjarëve të ushtarëve të vrarë në Armatën e ish -Jugosllavisë tha se këto janë plagë të hapura, që kërkojnë drejtësi dhe kujtim të denjë.

    “Jemi për të trajtuar një dhimbje krenare. Mbarimi i Luftës së dytë botërore për ne nuk solli liri. U mbushën burgjet me ushtarë, njerëzit vriteshin dhe pushkatoheshin. Vrasjet selektive e shpërfaqnin fytyrën kriminale, siç e kishte Jugosllavia”, tha Morina.

  • ​Shkaktoi aksident vdekjeprurës por dënohet vetëm me dy vjet burg

    ​Shkaktoi aksident vdekjeprurës por dënohet vetëm me dy vjet burg

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Z. R., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për “Rrezikimi i trafikut publik”.

    Sipas komunikatës, gjyqtari Driton Sadiku, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësorë, të pandehurin e shpalli fajtorë dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje dy vjet dhe dënim plotësues, ashtu që të akuzuarit i merret leja e vozitjes, si dhe i ndalohet marrja e lejes së re të vozitjes në kohëzgjatje prej dy vjet, i cili dënim rrjedh nga data kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.

    “Koha e mbajtur në burg nuk llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit plotësues. Pas skadimit të këtij afati i akuzuari mund ta marrë lejen e vozitjes sipas kushteve të përgjithshme të parapara për marrjen e lejes përkatëse të vozitjes. I pandehuri akuzohet se “ me datën 17 mars 2024, në fshatin Skivjan, Komuna e Gjakovës, nga pakujdesia rrezikon sigurinë e trafikut publik dhe me këtë i shkakton vdekjen tani të ndjerit, B. D., në atë mënyrë që natën kritike derisa i pandehuri Z. R. ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Volvo ”, me të arritur në vendin e lartcekur duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes si dhe kushteve e rrethanave në rrugë dhe pa u siguruar mirë hyn në tejkalim të automjetit “Audi”, të cilën e drejtonte e dëmtuara, E. J., ku në përball kalim ishte i ndjeri B. D., duke drejtuar automjetin e tipit “Vë Golf”, dhe në pamundësi që t’i shmanget aksidentit, me pjesën e parë ballore të automjetit të tij e godet automjetin e të ndjerit në pjesën e parë dhe më pas nga inercioni i goditjes vetura e të pandehurit përplaset në pjesën e pasme të veturës së të dëmtuarës E. J., me ç’ rast përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy automjete, të nesërmen me datën 18 mars 2024, në QKUK në Prishtinë, ndërron jetë tani i ndjeri B. D., ndërsa lëndime trupore pëson edhe vet i pandehuri.”, thuhet në njoftim.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

  • PDK-ja e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e së enjtes të ftuar me të gjitha partitë nga Vjosa Osmani

    PDK-ja e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e së enjtes të ftuar me të gjitha partitë nga Vjosa Osmani

    Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ me të gjitha partitë politike të thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të enjten në ora 13:00.

    Faton Abdullahu, zëdhënësI i PDK-së:

    Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja.

    Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.

  • ​Presidentja Osmani fton liderët e partive politike për një takim kosultativ

    ​Presidentja Osmani fton liderët e partive politike për një takim kosultativ

    Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, ka bërë që presidentja e vendit, Vjosa Osmani të reagoi rreth kësaj situate në vendin tonë.

    Presidentja Vjosa Osmani tashmë ka ftuar në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend.

    Siç njofton Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, presidentja e vendit ka propozuar që takimi të mbahet më 15 maj.

    “Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, thotë Bekim Kupina, këshilltar për media i Vjosa Osmanit.

    Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi që deputetët kanë dështuar edhe në përpjekjen e 14-të, ta konstituojnë Kuvendin e ri.

    Dështimi më i fundit ndodhi të dielën e 11 majit, kur kanë kaluar tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

    Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të dielën kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

  • Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

    Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

    Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot një takim në objektin e Qeverisë të Kosovës, shkruan KosovaPress.

    Ambasadori francez, Olivier Guerot, ai i BE-së, Aivo Orav dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves kanë dalë tashmë nga objekti i qeverisë dhe janë larguar nga aty.

    Ndonëse këto takime ishin të zakonshme të hënave, kjo është hera e parë që ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në Qeveri, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    KosovaPress i ka dërguar pyetje qeverisë, gjegjësisht Zyrës për Informim për të mësuar më shumë lidhur me këtë takim dhe do të ju informojë në momentin që do të marrë një përgjigje.

    Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa deri më tash nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës. Propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare mbetet i papranueshëm për partitë e tjera (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës).

    Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përkatësisht votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

  • ​Aksionet globale rriten pasi SHBA-të dhe Kina ranë dakord të ulin tarifat për 90 ditë

    ​Aksionet globale rriten pasi SHBA-të dhe Kina ranë dakord të ulin tarifat për 90 ditë

    Aksionet globale janë rritur pasi SHBA-të dhe Kina ranë dakord të ulin tarifat për mallrat e njëra-tjetrës për 90 ditë, në një deeskalim të madh të luftës së tyre tregtare.

    Tarifat amerikane për importet kineze do të bien nga 145% në 30%, ndërsa tarifat kineze për mallrat amerikane do të bien nga 125% në 10%, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Është një ulje më e madhe se sa pritej, shkruan korrespondenti i BBC-së, – por 30% është ende një tarifë e lartë.

    13 orë më parë u raportua se zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë se arritën një marrëveshje tregtare me Kinën pas dy ditë negociatash në Gjenevë.

    Shtëpia e Bardhë njoftoi një “marrëveshje tregtare me Kinën” në një deklaratë sot, por nuk zbuloi detaje.

    Marrëveshja u arrit më shpejt sesa prisnin shumica e vëzhguesve pasi tarifat prej njëqind e dyzet e pesë për qind të Donald Trump mbi importet kineze praktikisht ndaluan gjashtëqind miliardë dollarë në tregtinë vjetore midis dy ekonomive më të mëdha botërore, raporton KosovaPress.

  • Ramadani: Rron Broja për ne është si Rodri te Manchester City

    Ramadani: Rron Broja për ne është si Rodri te Manchester City

    I ftuar në emisionin “Ekipi A” në ATV, trajneri i Dritës Zekerija Ramadani tregoi për vështirësitë e shpalljes Kampion të Kosovës këtë sezon.

    “Nuk ka dorëzim, me dhimbje, pa dhimbje, me kartona, me suspendime, asnjëherë nuk jemi ankuar. Mua më kanë munguar tre futbollistë dhe nëse ka munguar Rroni mundësia i është dhënë lojtarëve nga banka rezervë.”

    E sa i përket mungesës së Brojës ai u shpreh:

    “Në fillim të muajit prill Rroni u lëndua dhe ne nuk arritëm të mposhtim Prishtinën dy herë, Malishevën, Ferizajin dhe nuk luanim siç luajmë ne prandaj për ne Rroni është si Rodri te Munchester City.”

    Për më shumë, shikoni videon më poshtë: