ATV

Author: ATVLive

  • Policia e Kosovës organizon aksion vullnetar për dhurimin e gjakut

    Policia e Kosovës organizon aksion vullnetar për dhurimin e gjakut

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ka organizuar aksion vullnetar për dhurimin e gjakut, me pjesëmarrjen e kadetëve të Policisë së Kosovës.

    Ky aktivitet humanitar u zhvillua me datën 12.05.2025 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike – Vushtrri, ku kanë dhuruar gjak 167 kadetë policorë nga 280 kadetë policorë sa numëron gjenerata e 62-të.

    Qëllimi i këtij aksioni është të kontribuojmë në shpëtimin e jetëve përmes dhurimit vullnetar të gjakut dhe të promovojmë vlerat humane dhe solidaritetin shoqëror që përfaqësojnë pjesëtarët tanë.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në shërbim të qytetarëve, jo vetëm për sigurinë publike, por edhe për përkrahjen e kauzave humane dhe shëndetësore.

  • Policia po e ruan Trendafiloven

    Policia po e ruan Trendafiloven

    Pas anulimit të konferencës së planifikuar për media në Prishtinë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova është kthyer në hotelin në të cilin po qëndron në kryeqytet.

    Ka të paktën tre vetura të Policisë së Kosovës që ndodhen brenda këtij hoteli. Përveç tyre, ka edhe vetura të EULEX-it, të cilat e kanë sjellë kryetaren e gjykatës.

    Vizita e Trendafolovës në vendin tonë u kundërshtua ashpër nga veteranët e UÇK-së, të cilët u mblodhën pranë hotelit për të shprehur indinjatën e tyre.

    Ajo pritet që nesër në ora 13:00 të fluturojë drejt Hagës në Holandë.

  • ​Musk i bashkohet Trumpit në drekën VIP në Arabinë Saudite në pjesën e parë të turneut të madh diplomatic

    ​Musk i bashkohet Trumpit në drekën VIP në Arabinë Saudite në pjesën e parë të turneut të madh diplomatic

    Presidenti amerikan Donald Trump shoqërohet nga Elon Musk dhe personalitete të tjera VIP në Arabinë Saudite gjatë udhëtimit të parë të madh diplomatik të mandatit të tij të dytë.

    Presidenti amerikan po pritet nga Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në një drekë të bollshme.

    Trump shpreson të sigurojë investime të reja të rëndësishme në SHBA në udhëtimin katër-ditor në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Itinerari i Trump nuk e përfshin Izraelin, me çështjet ekonomike – në vend të shqetësimeve diplomatike ose të sigurisë – në krye të listës së prioriteteve të Trump, shkruan korrespondenti ynë i Amerikës së Veriut Anthony Zurcher.

    Udhëheqësit arabë me siguri do ta shtyjnë Trumpin të bëjë më shumë për të lehtësuar vuajtjet në Gaza, thotë korrespondenti ynë kryesor ndërkombëtar Lyse Doucet.

  • ​Bizneset e Kosovës kërkojnë shtyrjen e liberalizimit të energjisë ose do të ketë protesta

    ​Bizneset e Kosovës kërkojnë shtyrjen e liberalizimit të energjisë ose do të ketë protesta

    Bizneset, në bashkëpunim me odat përkatëse, kanë kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parasheh liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset. Sipas tyre, ky vendim është i papërballueshëm dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të shumë ndërmarrjeve. Nëse kërkesa për anulim nuk merret parasysh, ata kanë propozuar si zgjidhje subvencionimin e kostos shtesë për bizneset. Në të kundërtën, kanë paralajmëruar masa më të ashpra, përfshirë edhe protesta.

    Këto kërkesa u bënë të ditura në një takim që Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, Klubin e Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, që kanë zhvilluar me bizneset që preken nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke e konsideruar se bizneset nuk janë përgatitur për një treg të lirë të energjisë, paraqiti edhe kërkesat e bizneseve por edhe vetë përfaqësuesve të bizneseve.

    “Kërkesa e parë kishte me qenë që sa më shpejt me ZRrE-në dhe me qeverinë në detyrë… edhe ZRrE-së vetëm po i duhet një zotim, nuk është se po i duhet që sot me ia ndarë 50 milionë, por po i duhet vetëm një zotim që gjatë muajve të ardhshëm do të subvencionojë shumën prej 50 milionëve. Ky kishte me qenë hapi i parë. Po besoj që është më transparente dhe mënyra më e mirë e mundshme që do t’i kishte shpëtuar bizneset. Pajtohem që 1 vit do të ishte pak, por ne minimumi po themi 1 vit të na shtyhet që të përgatiten edhe institucionet, edhe tregu, edhe biznesi… Nëse nuk do të ketë reagim prej Qeverisë së Kosovës në detyrë dhe nga ZRrE, atëherë do të shohim edhe hapat tjerë që po propozohen, edhe format e protestës,” deklaroi Rafuna.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Kosovës, Skenderë Krasniqi krahas kërkesës që vendimi ZRrE-së për liberalizimit të tregut energjetik për biznese të anulohet. Ai këtë vendim e quan të palogjikshëm.

    Krasniqi paralajmëroi protesta në rast se nuk tërhiqet ky vendim nga ZRrE.

    “Dy muaj më herët me marr një vendim të tillë është aq anormale nga një institucion, ndërkohë që nuk është përgatitur terreni në treg kemi vetëm një kompani vetëm KEDS e cila po ofron sepse të gjitha kompanitë tjerë nuk janë duke ofruar çmim, këta po vazhdojnë me të njëjtën kompani vetëm me çmime 200-300 më shumë përqind….Mendoj që së paku për 1 vit apo 2 duhet të shtyhet që të përgatiten bizneset dhe pastaj ZRRE duhet t’i lejoj edhe bizneset me investua, ne po e kemi problemin më të madh se ZRrE ua ka ndal bizneseve me investua në energji elektrike duke i kufizuar edhe me sasinë të investimit në bazë të konsumit e jo në bazë të punësimit që i ka edhe duke mos ia blerë atë, por duke ia kompensua. Janë vendime të palogjikshme në dëm të bizneseve…Do të duhej të shikojmë edhe mënyra të tjera edhe një protestë për javën e ardhme si kundërshtim ndaj këtij vendimi”, tha ai.

    Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi thekson se bizneset nuk e kanë pas kohën e duhur për t’u përgatitur që të përballemi me tregun e lirë të energjisë.

    Ai thotë se ky është vendim i rëndë të cilit asnjë biznes nuk mund t’i mbijetojë.

    “Padyshim është vendim i rëndë dhe e ka gjetur biznesin në një situatë të mbijetesës një rritje kaq e madhe e çmimit për një kohë kaq të shkurt i vendos para një sfide të cilës po thuajse asnjë biznes nuk mund ta mbijetoj…Arsyeja që kemi ardhur deri në këtë situatë është mos përgatitje për një terren të tillë se ne kemi thënë vazhdimisht se nuk jemi kundër liberalizimit të tregut, por liberalizimi i tregut duhet të bëhet me përgatitje”, theksoi ai.

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Kosovarë, Kushtrim Ajvazi para përfaqësuesve të bizneseve paraqiti dy kërkesa. Kërkesa e parë është shtyrja e hyrjes në fuqi të vendimit të ZRrE-së për liberalizim të tregut energjik për bizneset për së paku një vit, derisa kërkesa e dytë është kërkesa për subvencionim të kësaj kostoje shtesë për prodhuesit.

    “Deri më tani nga 19 operatorë të cilat janë të licencuar vetëm KESCO ka arritur me na dhënë ofertë dhe kjo është vetëm ofertë në lidhje me çmimin dhe një prej kushteve të kontratave që kërkon që ne duhet të depozitojmë së paku dy muaj të faturës vjetore që të nënshkruajmë kontratën…. Qëndrimi jonë që vendimi të shtyhet së paku edhe për 1 vit sepse është periudha jashtëzakonisht e shkurtër kohore po flasim që jemi edhe 15 ditë kur fillon 1 qershori asnjë prej prodhuesve sa unë kam komunikim nuk kanë nënshkruar dhe as nuk i dinë kushtet e kontratës dhe as nuk i di kushtet e tregut të lirë kjo është e padrejtës sepse përveç çmimit aty ka edhe kritere të tjera në kontratë që parashohin penallti për prodhuesit….Kërkesa e dytë është subvencionimi i kësaj kostoje shtesë për prodhuesit sepse prodhuesit tanë zemra e ekonomisë“, tha ai.

    Pronari i një kompanie, Sadik Krasniqi deklaroi se përveç si informacion për kalim të bizneseve në treg të lirë energjetik nuk kanë asnjë informacion tjetër.

    “Të vetëm informatë ka qenë emaili që e kemi marrë se duhet të kaloni në tregun e lirë, asnjë informatë tjetër nuk kemi, asnjë fletushkë nuk është dal cilat janë kompetencat, cilat janë obligimet e furnizuesit, cilat janë obligimet tona, cilat janë përparësitë tona. Nuk kemi asnjë informatë, asnjë garancion që rrjeti energjetik a e përballon tregun e lirë në rast se ne dalim në tregun e lirë dhe na ndalet rryma”, tha ai.

    Drejtori ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, Mergim Prishtina thekson se kompanitë prodhuese duhet të jenë kundër liberalizimit të tregut të energjisë.

    “Tek pjesa e prodhimit mendoj se duhet të jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë tek prodhimi…Nëse KEK-u nuk është i liberalizuar si prodhues vendor pse duhet ne me qenë të liberalizuar unë mendoj se në të ardhmen ne duhet me vendos si kusht që nëse liberalizohen prodhuesit të liberalizohen të gjithë prodhuesit edhe prodhuesit e energjisë“, theksoi ai.

    Krahas këtyre dy bizneseve të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të shumë bizneseve tjera që janë të atakuara dhe njëzëri kërkuan anulim të vendimit të ZRrE-së për liberalizim të tregut energjetik për 1300 biznese.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se nga 1 qershorit bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ky vendim ka ngjall reagime e kundërshtime nga bizneset vendore. /kp

  • ​Gucati: Prokuroria në Hagë punon me dosje të Serbisë

    ​Gucati: Prokuroria në Hagë punon me dosje të Serbisë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestoi të martën duke hedhur tym të zi para hotelit ku kryetarja e Gjykatës Speciales pritej të mbante një konferencë për media.

    Pas protestës së veteranëve konferenca e Trendafiloves u anulua.

    “Reagimi ka qenë që Trendafilova të mos vjen në Kosovë fare, ne e dimë se vizita e saj, sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen vetëm për një të keqe, një të zezë të Kosovës dhe ka ardhur sot pikërisht më 13 maj, kur dita sigurimit shtetëror të Serbisë, ku për shqiptarët është një ditë famëkeqe, është një ditë zie. Kemi fëmijë të pagjetur, baballarë, nëna, motra dhe ajo e ka gjetur këtë ditë të vijë këtu”, tha Gucati.

    Tutje, Gucati shtoi se “nuk ka asgjë personale me kryetaren e Dhomave të Specializuara”, por kundërshtimi i tij, siç tha ai, është me punën e saj dhe prokurorinë e specializuar në Hagë që sipas tij punon me dosje të Serbisë.

    “Trendafilova nuk është e mirë për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës, ne kemi problem me prokurori nuk kemi problem me gjykatë, e cila punon me dosje të Serbisë dhe me dosje të shqiptarëve të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë. Trendafilova e ka anuluar takimin në bazë të informacioneve, ndoshta mund të jetë brenda. Shpresoj dhe besoj që qëllimi ynë është i arritur, kështu që ky është informacioni”, shtoi Gucati.

    Zëdhënësja e Gjykatës Speciale në Hagë, Angela Griep, ka bërë të ditur se konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është anuluar për arsye të sigurisë publike.

  • Sali Berisha thërret protestë: Nuk i pranojmë zgjedhjet e përbindëshit elektoral Edi Rama

    Sali Berisha thërret protestë: Nuk i pranojmë zgjedhjet e përbindëshit elektoral Edi Rama

    Sali Berisha ka thirrur protestë për datën 16 maj 2025, në Shqipëri për atë që ai e quan ‘krim elektoral të kryebanditit Edi Rama’. Sa për zgjedhjet, Berisha tha se as që bëhet fjalë për t’i pranuar ato.

    “Me datën 16, në orën 17:00, në bulevadrin ‘Zogu i parë’ për të senzibiluzuar opinionin public botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet.

    Protesta do të jetë paqësore.

    Ne garantojmë se nuk do të ketë probleme që të cënojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë por duam që ata ta mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narko-diktaror, që nuk njef ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij.

    Sic e shifni dhe po e ndiqni në media, që i përgëzoj për raportet që kanë bërë, disa prej tyre shumë të cmuara dhe shumë të guximshme, ne, nuk bëhet fjalë kurrë që të pajtohemi me këto zgjedhje. Jo. Të harrojë kush. Ne kemi bërë gjithcka në përputhje me ligjin, sa na takonte ne si opozitë që Shqipëria të ketë zgjedhje. Tani opozita ka detyra që do ti përmbushë me shumë dinjitet dhe shumë vendosmëri.

    Protesta e datës 16, është një protestë në emër të një populli që votën ia dikton revolja pas kokes, sic ka ndodhur në Peshkopi”, tha Berisha në konferencë për gazetarë.

    Ai tha se zgjedhjet e 11 majit, u diktuan ‘nga bandat’.

    “Zgjedhjet e 11 majit u diktuan që të gjitha nga krimi, bandit kriminale të qeverisë, ishin active në dhjetë qarqe të Shqipërisë, një 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale.

    Skenat që ju patë në Vorë, ku bandat diktojnë në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhi kryebanditi Blendi ‘Xhabafti’ mori vota dhjetë herë më shumë se kandidati i dytë në lista.

    Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet, por skena si Vora, ishin të zakonshme.

    Të numërojnë cdo votë në dëshminë e respektit tonë të palëkundur, ndaj atyre qe në kushte terrori kanë votuar për opozitën”, tha ai.

    “Zgjedhjet që blihen në mënyrë të tillë nuk ka parë toka”, tha Berisha.

  • Kosova jashtë agjendës së ministerialit të Këshillit të Evropës

    Kosova jashtë agjendës së ministerialit të Këshillit të Evropës

    Kosova nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, takim ky që mbahet në Luksemburg.

    Kjo është bërë e ditur nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

    “Megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar, anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg”.

    “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe jo të trajtohet si mjet pazari apo levë presioni. Ky trajtim është një sinjal shqetësues për rajonin, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin”.

    “Megjithatë, procesi i anëtarësimit është i pakthyeshëm dhe institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë komunikimin me shtetet anëtare, duke ecur me vendosmëri drejt anëtarësimit si shteti i 47-të i Këshillit të Evropës, sipas opinionit zyrtar të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate”, shkruan ai.

    Republika e Kosovës, aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.

  • Thaçi ankohet për mangësi në aktakuzën ndaj tij kundër administrimit të drejtësisë

    Thaçi ankohet për mangësi në aktakuzën ndaj tij kundër administrimit të drejtësisë

    Ish-Presidenti Hashim Thaçi përmes mbrojtjes së tij të kryesuar nga avokatja Sophie Menegon ka parashtruar ankesë në Gjykatën Speciale në Hagë me arsyetimin se aktakuza ndaj tij për pengim të drejtësisë është e mangët dhe ka paqartësi.

    Sipas parashtrimit të 8 majit 2025, pika 1 dhe 3 e aktakuzës e ngarkon Thaçin me tentim për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare si veprime të përbashkëta të një grupi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Lidhur me këtë pikë, në parashtrimin e saj mbrojtja thotë se aktakuza është paqartë dhe nuk përmban detaje për faktet dhe materialet e pretenduara nga ZPS-ja.

    Në parashtrim theksohet se sipas aktakuzës, kjo vepër thuhet se është kryer duke iu referuar të paktën ndaj një personi zyrar i cili ka qenë duke i kryer detyrat zyrtare.

    Sipas mbrojtjes, neni 401 (2) parasheh pengimin e një zyrtari dhe nuk i referohet pengimit të një institucioni publik siç është ZPS-ja ose DhSK-ja.

    “Në rastet e vendosura nga gjykatat e Kosovës që përfshijnë nenin 401 (ose dy veprat penale të ngjashme përpara këtij neni), identifikohet një zyrtar individual që është penguar në kryerjen e një detyre. Pikërisht ky person zyrtar është viktima e veprës penale”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

    Mbrojtja thotë se aktakuza nuk jep askund identitetin e personit ose personave zyrtarë që pretendohet se Thaçi ka tentuar që t’i pengojë në përmbushjen e detyrave të tyre zyrtare.

    “Aktakuza thjesht pretendon se këta persona ishin “një gjyqtar, një prokuror, një zyrtar i gjykatës, zyrtar i prokurorisë ose një person i autorizuar nga gjykata dhe prokuroria”. Ky është thjesht një referim ndaj disa prej kategorive të viktimave që krijojnë një formë të rënduar të veprës penale sipas nenit 401 (5). Me fjalë të tjera, ZPS ka paraqitur vetëm elementët e neneve 401 (2) dhe (5). Nuk ka paraqitur asnjë fakt”, thuhet në parashtrim.

    Po ashtu, sipas mbrojtjes, identiteti i zyrtarëve publikë duhet të jetë fakt material dhe nëse ata nuk e dinë se cilin ose cilët zyrtarë pretendohet se i ka penguar Thaçi atëherë s’mund t’i përgjigjen akuzës.

    Ata thonë që jo veç që ZPS-ja ka dështuar që të specifikojë se cilët zyrtarë janë penguar dhe se cili ka qenë funksioni i tyre, por, sipas mbrojtjes, aktakuza nuk përmban asnjë detaj në lidhje me detyrat zyrtare të personave që pretendohet që janë penguar nga Thaçi.

    Veç kësaj, mbrojtja thotë se sipas aktakuzës veprat penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare të DhSK-së dhe ZPS-së dhe se nga kjo nxirret përfundimi se zyrtarët janë nga këto dy institucione.

    “Megjithatë, përtej kësaj, aktakuza nuk jep detaje. Lista e përmendur në paragrafin 23 të aktakuzës është mjaft e gjerë për të përfshirë çdo gjyqtar të DhSK-së, çdo prokuror të ZPS-së, çdo anëtar të stafit të ZPS-së dhe çdo anëtar të stafit të KSK-së (përfshirë Regjistrin ose Dhomat)”, thuhet në parashtrim.

    Mbrojtja thotë se aktakuza nuk përmban detaje as në lidhje me pengimin e zyrtarëve që pretendohet se është tentuar të bëhet nga Thaçi.

    “Ajo thjesht thotë se i akuzuari “bashkërendoi për të ndikuar dëshmitarët” por nuk shpjegon se si ndikimi ndaj dëshmitarëve do të kishte shkaktuar pengimin e një zyrtari publik. Në vendimet e mëparshme të DhSK-së, “pengim” është interpretuar të nënkuptojë “parandalim, pengim, vështirësim ose vonesë e lëvizjes, kalimit ose përparimit të diçkaje”. Mbrojtja rezervon qëndrimin e saj në lidhje me saktësinë e këtij interpretimi, i cili është një çështje që do të diskutohet në gjykim. Megjithatë, aktakuza nuk shpjegon se si ZPS pretendon se një plan për të kontaktuar dëshmitarët dhe për të “ndikuar” tek ta do të “parandalonte, pengonte, vështirësonte apo vononte” zyrtarët e DhSK-së apo ZPS-së në përmbushjen e detyrave të tyre”, thuhet tutje.

    Veç kësaj, mbrojtja pretendon se aktakuza nuk përmban detaje në lidhje me pretendimet për veprimet si një grup i përbashkët për të penguar punën e zyrtarëve.

    Sipas tyre, aktakuza identifikon tri grupe që pretendohet që kanë qenë të përfshira në kryerjen e krimit por që nuk shpjegon se cila ishte sjellja e Thaçit apo të tre grupeve që të përcaktohet si ‘veprim i përbashkët’.

    Krejt në fund, mbrojtja thotë se aktakuza nuk i siguron Thaçit informacionin minimal të nevojshëm që ai të kuptojë dhe t’i përgjigjet akuzave për pengimin e personave zyrtarë, të cilat akuza janë ngritur ndaj tij.

    Sipas mbrojtjes, këto akuza janë të mangëta dhe kërkon nga gjyqtarja e procedurës paraprake që të urdhërojë ZPS-në që ta ndryshojë aktakuzën në përputhje me mangësitë e identifikuara.

    Megjithatë, në rast që ZPS-ja nuk mund ta bëjë këtë, mbrojtja sugjeron si alternativë t’i hiqen Thaçit akuzat për pengim të personave zyrtarë.

    Ndryshe, më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konformimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së. Ky vendim kishte ardhur pasi Apeli ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ku është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • ​Trump po zgjeron shpejt biznesin në Lindjen e Mesme, kritikohet për përfitim personal

    ​Trump po zgjeron shpejt biznesin në Lindjen e Mesme, kritikohet për përfitim personal

    Lidhjet biznesore të familjes së presidentit të Shteteve të Bashkuar, Donald Trump, me Lindjen e Mesme janë më shumë se trefishuar që nga mandati i parë i presidentit, sipas një përllogaritjeje të CNN, duke përfshirë një sërë projektesh të reja të shpallura që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.

    Mes planeve në vazhdim për rrokaqiejve luksoze, fusha golfi dhe marrëveshje me kriptomonedha në rajon, Trump po udhëton këtë javë në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – jo vetëm si president i SHBA-së, por edhe si patriarku i një familjeje biznesi që vazhdon të zgjerohet në atë pjesë të botës.

    Lidhjet e tij financiare me Lindjen e Mesme kanë ngritur shqetësime tek etikistët qeveritarë, të cilët thonë se është e vështirë të përcaktohet nëse ai po vepron në interes të Shteteve të Bashkuara apo në favor të xhepit të tij.

    “Kur populli amerikan zgjedh një president, ai pret që ai person të punojë për ta, jo për përfitime personale”, tha Robert Weissman, bashkë-president i organizatës për të drejtat e konsumatorëve Public Citizen. Weissman dhe grupe të tjera mbikëqyrëse theksojnë se këto lidhje financiare krijojnë mundësi që fuqitë e huaja të përpiqen të ndikojnë në politikën amerikane përmes marrëveshjeve fitimprurëse biznesore.

  • Gucati: Trendafilova kur vjen në Kosovë, vjen për të zezë

    Gucati: Trendafilova kur vjen në Kosovë, vjen për të zezë

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, në protestën kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë, tha se reagimi ka qenë që Trendafilova mos të vijë në Kosovë fare, raporton EO.

    “E dimë se ajo kur vjen në Kosovë vjen për të zezë. Kemi fëmijë të pagjetur, baballarë, nëna. Ajo e ka gjetur këtë ditë të vijë këtu. Mendoj se ka ardhur vetëm ta destabilizojë Kosovën. Pjesëtarët e UÇK-së kanë jetuar për drejtësi”, tha Gucati.