ATV

Author: ATVLive

  • KEK do të furnizojë shkollat e dy komunave me thëngjill

    KEK do të furnizojë shkollat e dy komunave me thëngjill

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se bordi i saj ka miratuar propozimin e menaxhmentit për furnizimin e shkollave në komunat Obiliq dhe Fushë Kosovë me thëngjill.

    Në njoftimin e lëshuar ky vendim është një tregues i bashkëpunimit të ngushtë mes KEK-ut dhe këtyre dy komunave, me fokus të veçantë në angazhimin e KEK për mbështetje ndaj komunitetit dhe përmirësimin e kushteve arsimore në zonat përreth operimeve të korporatës.

    “Sipas këtij vendimi, KEK do të ndajë 1320 ton thëngjill për të ndihmuar institucionet arsimore, duke siguruar ngrohjen e shkollave gjatë sezonit dimëror. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një ambienti më të mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit”.

    “Bordi ka marrë këtë vendim pas sigurimeve nga menaxhmenti se sasia e thëngjillit nuk do të ndikojë në furnizimin e dy termocentraleve. KEK mbetet e angazhuar për të forcuar marrëdhëniet me komunitetin dhe për të ofruar zgjidhje që përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët”, thuhet në njoftim.

  • ​FFK shkruan për shkëlqimin e Zhegrovës ndaj Real Madridit

    ​FFK shkruan për shkëlqimin e Zhegrovës ndaj Real Madridit

    Federata e Futbollit të Kosovës, ka shkruar për paraqitjen fantastike të Edon Zhegrovës në Ligën e Kampionëve për skuadrën e tij Lille kundër Real Madridit. Zhegroba ishte lojtari më i mirë i asaj ndeshje duke bërë që me paraqitjen e tij, yjet galaktik të duken më të vogël se zakonisht.

    Reprezentuesi kosovar pas ndeshje tha se e kishe ëndërr që të luajë në nivelet e tilla, duke e quajtur edhe ditë historike për atë, raporton KosovaPress.

    “10-shi i Kombëtares së Kosovës mbrëmë u shpall “Lojtari i ndeshjes” në përballjen e ekipit të tij, LOSC Lille, kundër klubit mbretëror Real Madrid, në kuadër të garës më të madhe të klubeve, Ligës së Kampionëve, të cilën e fituan me rezultat 1:0”, ka shkruar FFK në faqen zyrtare.

    Zhegrova në këtë ndeshje luajti për 90 minuta dhe ishte lojtari kyç në fitoren e rëndësishme të ekipit të tij, me 62 prekje me topin, 88% saktësi të pasimeve dhe shtatë duela të fituara.

  • ​Përurohet Ortopedia e re: Pacientët do të marrin shërbime moderne

    ​Përurohet Ortopedia e re: Pacientët do të marrin shërbime moderne

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot është përuruar Klinika e re e Ortopedisë, për të cilën u tha se është me kushte moderne dhe ndikon në uljen e listës së pritjes për pacientët.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kjo klinikë bashkëkohore ka gjithsej 22 dhoma e 44 shtretër dhe tani e tutje qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbimet më moderne mjekësore.

    Vitia theksoi se kostoja e ndërtimit të këtij objekti është rreth 2.8 milionë euro.

    “Një klinikë moderne me rreth 3 mijë 500 metra katror e me 22 dhoma e 44 shtretër që do të thotë se kemi nga dy pacientë në një dhomë, dhoma me klimatizim e mekanizëm të thirrjes për infermierë dhe mjekë, dhoma për regjistrim të secilit mjekë dhe infermierëve që vjen në kontroll pas thirrjes së pacientëve…Jam jashtëzakonisht i lumtur që kjo klinikë moderne me gjithë këto investime që diku janë rreth 2.8 milionë euro tash po hapet dhe është në shërbim të pacientëve që do t’i marrin këto shërbime në këto kushte moderne”, tha ai.

    Ministri, Vitia potencoi se investimet në këtë klinikë do të ndikojnë të ketë ulje në listën e pritjes, për çka u zotua se shumë shpejtë do të nis ofrimi i shërbimeve ortopedike edhe në spitalet regjionale.

    “Janë katër salla operative ku tri nga to do të përdoren vazhdimisht, ndërsa njëra nga sallat do të përdoret ekskluzivisht për operacionet elektive për të zvogëluar listën e pritjes dhe natyrisht ky investim përveç shërbimit shumë më të mira, më moderne dhe më korrekte që do të marrin qytetarët e Kosovës do të mundësoj edhe uljen e listës së pritjes një problem tashmë që shumë vite në Klinikën e Ortopedisë për këtë lloj operacionesh dhe me punën e vazhdueshme që do ta bëjë Klinika e Ortopedisë tani me investimet që jemi duke i bërë edhe në spitalet regjionale për aktivizimin e këtyre operacioneve në spitale regjionale ne jemi të bindur që shumë shpejtë kjo listë e pritjes do të pësoj një rënie shumë substanciale. Shumë shpejtë do të fillojmë edhe me këso investimesh edhe në spitalet regjionale në mënyrë që edhe pacientët nga viset tjera nga Kosova të kenë mundësi të njëjtat shërbime t’i marrin edhe afër qyteteve të tyre”, tha ai.

    Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi u shpreh se pacientët e repartit të Ortopedisë që janë në Klinikën e Kirurgjisë nga java e ardhshme do të zhvendosen në ambientet e reja të kësaj klinike.

    Ai u shpreh optimistë se në vitin e ardhshëm do të rinovohet edhe Klinika Ortopedike ku aktualisht është funksionale dhe në shërbim të pacientëve.

    “Në bllokun operativ ka vazhduar gjithnjë, ndërsa zhvendosja e pacientëve sepse e kemi një pjesë në klinikat e vjetra tek Klinika e Kirurgjisë zhvendosja e pacientëve bëhet prej javës tjetër sepse janë në proces programet operative të tyre që të mos pengohet puna në pjesën operative prej javës tjetër pacientët do të zhvendosën këtu”, theksoi ai.

    E sa i takon pjesës së vjetër ku deri më sot ka qenë duke operuar Klinika Ortopedike sipas ministrisë të Shëndetësisë, Arben Vitia do të shfrytëzohet për vendosjen e pacientëve të klinikave që do të rinovohen në vijim.

    “Do të mbetet e zbrazët po them kushtimisht do të investimet dhe problemet që i kemi pasur gjatë investimeve, transformimeve dhe punimeve në disa reparte e klinika që i keni parë gjatë këtij viti ku ka qenë një sfidë jashtëzakonisht se nuk kemi pas ku t’i zhvendosim derisa janë bërë këto transformime ajo do të jetë një pjesë ku pastaj pacientët në klinikat e ardhshme që do të transformohen do ta kenë mundësinë që do të zhvendosën në atë pjesë”, u shpreh Vitia.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se me veprimet që po marrin deri në fund të vitit do të jetësohet shërbimi IFV në sektorin publik shëndetësor.

    “Pajisjet e IFV-së janë duke u montuar.. Ka ardhur për përditësimin e ri ku do të futen edhe barnat për IVF për barna në listën esenciale dhe kjo e përmbyll komplet ciklin që deri në fund të vitit ky shërbim kaq i nevojshëm për qiftet edhe gratë në Kosovë të merret edhe në shëndetësinë publike”, theksoi ministria Vitia.

    Lidhur me konferencën e Federatës Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, që është paralajmëruar për sot e ku pritet të paraqiten pakënaqësitë e punëtorëve shëndetësorë, kreu i këtij dikasteri theksoi se si Qeveri kanë bërë hapa pozitivë si në rritjen e pagës ashtu edhe tek krijimi i kushteve më të mira të punës.

    “Në aspektin e rritjes së pagave përmirësim të kushteve, aparaturës dhe infrastrukturës ne mendojë që kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë aq sa duhet. A janë bërë të gjitha natyrisht jo kishte me qenë arrogancë nëse them se janë bërë të gjitha, mirëpo e mira është se se të gjitha këto janë në plane dhe të gjitha këto janë duke u realizuar”, u shpreh ministri i Shëndetësisë./kp

  • ‘P. Diddy’ mohon akuzat ndaj tij, beson se është i pafajshëm

    ‘P. Diddy’ mohon akuzat ndaj tij, beson se është i pafajshëm

    Sean ‘P. Diddy’ Combs vazhdon të mohojë “me forcë” të gjitha akuzat për keqbërje kundër tij, kështu që ai ka të ngjarë të mos pranojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë, sipas avokatit të tij.

    Reperi u akuzua për konspiracion të shantazhit, trafik seksual dhe transpirim për t’u përfshirë në prostitucion, gjë që nxiti arrestimin e tij në New York pas një aktakuze të jurisë së madhe.

    Akuzat penale kundër P. Diddy u ngritën pas një sërë padish civile, duke filluar nga fundi i vitit 2023 me një ankesë të paraqitur nga ish e dashura, Cassie Ventura, e cila u zgjidh jashtë gjykatës brenda një dite.

    Pas kësaj, Siguria Kombëtare kreu bastisje në shtëpitë e tij në Los Anxhelos dhe Mayami, ku dyshohet se gjetën 1000 shishe lubrifikues dhe vaj për fëmijë.

    Pavarësisht akuzave, avokati i manjatit të argëtimit këmbëngul se Diddy nuk po kërkon të pranojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë, sepse ai me të vërtetë beson se është i pafajshëm.

    Në The Downfall of Diddy të TMZ-së, Marc Agnifilo tha:

    “Nuk varet nga unë. Varet nga z. Combs”, duke shtuar, “dhe unë nuk shoh që [ai pranon një marrëveshje për pranimin e fajësisë] të ndodhë sepse ai beson se është i pafajshëm dhe për më tepër, ai beson se ai duhet të ngrihet jo vetëm për veten e tij – për familjen e tij dhe për të gjithë ata që janë shënjestruar nga qeveria federale”.

    Ekipi i Diddy më parë këmbënguli se ai ishte në shënjestër të qeverisë pas bastisjeve, duke e quajtur aktin një “mbipërdorim të madh të forcës në nivel ushtarak”.

    Ata pretenduan se Diddy bashkëpunoi me autoritetet gjatë, siç thonë ata, një “gjueti shtrigash të bazuar në akuza të pabaza të bëra në padi civile”.

  • KPM miraton Planin e Veprimit për monitorimin e fushatës zgjedhore

    KPM miraton Planin e Veprimit për monitorimin e fushatës zgjedhore

    Komisioni i Pavarur i Mediave ka miratuar Planin e Veprimit për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të vitit të ardhshëm, plan i cili paraqet aktivitetet që KPM-ja planifikon t’i ndërmerr në bazë të mandatit ligjor të përcaktuar me Ligjin e KPM-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Ky plan i veprimit sipas KPM-së është i ndarë në tri pjesë që përfshinë aktivitetet e planifikuara para fillimit të fushatës zgjedhore, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

    “Periudha para fushatës zgjedhore përfshinë aktivitetet e KPM-së në hartimin e Rregullores për sjelljen e mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, si obligim i paraparë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo periudhë përfshinë edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimin dhe sensibilizimin e të licencuarve të KPM-së me qëllim të njoftimit rreth obligimeve të mediave gjatë këtij procesi”, thuhet ndër të tjera në njoftimit e nxjerrë nga KPM-ja.

    Aktivitet tjetër sipas tyre në këtë periudhë është edhe ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Zyrës së KPM-së.

    Ndërkohë siç bëhet e ditur periudha gjatë fushatës zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve do të përfshijë monitorimin dhe vlerësimin e pajtueshmërisë së të licencuarve të KPM-së me legjislacionin në fuqi, si dhe vendimmarrjen e shpejtë në rast të shkeljeve të identifikuara.

    Ndërsa, periudha pas zgjedhore siç ka njoftuar KPM-ja do të fokusohet në prezantimin e të gjeturave nga monitorimi i të licencuarve gjatë periudhës zgjedhore.

    “Në përgjithësi, zbatimi i Planit të Veprimit do të bëhet brenda një periudhe shtatë mujore, shtator 2024 – mars 2025”, thuhet tutje në njoftim.

    Ndërkohë objektivat e KPM-së mbi procesin zgjedhor përfshijnë krijimin e akteve nënligjore të bazuara në ligj dhe konsultim publik, udhëzimin e mediave të licencuara për një qasje të drejtë dhe të paanshme gjatë fushatës zgjedhore, sigurimin e kushteve të barabarta dhe mos diskriminuese për qasjen e subjekteve politike të certifikuara në mediat e licencuara, informimin dhe sensibilizimin e duhur te subjekteve të licencuara, krijimin e kushteve të favorshme teknike për monitorim intensiv gjatë fushatës zgjedhore si dhe vendimmarrjen e shpejtë të masave proporcionale në rast të shkeljes së legjislacionit në fuqi.

  • Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë

    Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë

    “Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

    Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

    Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

    Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

    Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

    Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

    Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

    Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

    BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

    “Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

    Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.

    Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.

    “Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.

    Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.

    Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.

    Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg

    Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.

    “Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.

    Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.

    Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.

    Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.

    “Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.

    Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.

    Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.

    Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

    Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.

    Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë. /Radio Evropa e Lirë

  • Hargreaves: Jemi krenarë për rolin tonë në FSK për progresin e saj drejt të qenit profesionale

    Hargreaves: Jemi krenarë për rolin tonë në FSK për progresin e saj drejt të qenit profesionale

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se vendi i tij është krenar për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për rolin që ajo ka dhënë për këtë.

    Ai tha se FSK është profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse.

    “Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin që ka pasë në progresin e FSK-së drejt të qenit e aftë, profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse. Dje e përgëzova FSK-në për mbledhjen vjetore të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar në aspiratën e FSK-së për të ofruar siguri në Kosovë dhe Europë”.

    Ministria e Mbrojtjes dhe FSK dje mbajtën konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”.

    Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe atashetë ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Republikës së Kosovës.

  • Arrestohet një 22 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për 27 vepra penale të mashtrimit

    Arrestohet një 22 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për 27 vepra penale të mashtrimit

    Është arrestuar dje një 22 vjeçar në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe shpërdorimit të pasurisë së huaj.

    Sipas njoftimit ai dyshohet për 27 vepra penale (mashtrime dhe shpërdorime të pasurisë së huaj)

    “Puna disa mujore e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar: D.M, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se i arrestuari dyshohet të ketë marrë nga ankuesit ( numri më i madh i ankuesve janë taksistë), shuma të ndryshme të parave duke i mashtruar gjatë kryerjes së pagesave për shërbime dhe blerje”, thuhet në njoftim.

  • Dënohet me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë ish-drejtori i “Sallahut”, lirohet nga akuza ish-zyrtari në MI

    Dënohet me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë ish-drejtori i “Sallahut”, lirohet nga akuza ish-zyrtari në MI

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë ish-drejtorin e kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahun, ndërsa ka liruar nga akuza ish-drejtorin e Njësisë së Auditimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliun, të cilët akuzoheshin për korrupsion.

    Aktgjykimi është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi, Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Sallahu, pasi që për të është provuar se ka kryer veprat penale të “Keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik”, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

    Sipas gjykatësit Syla, me pëlqimin e të akuzuarit Sallahu, dënimi me burg mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë, ku një ditë burg do t’i llogaritej me 20 euro, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    I akuzuari Sallahu është obliguar gjithashtu të paguajë shpenzimet procedurale, duke përfshirë shumën prej 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro të tjera për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit.

    Ndërkaq, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Musliu është liruar nga akuza, pasi gjykata nuk ka arritur të provojë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në fund, gjykatësi Syla theksoi se palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh pas pranimit të tij.

    Ndryshe, në këtë çështje penale pjesë e akuzës ka qenë edhe Fadil Shehu, i cili ngarkohej me veprën penale “Deklarim i rremë nën betim”, por për të njëjtin është veçuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë dhe ndaj tij ka përfunduar procedura.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Musliu në nëntor të vitit 2020 i ka tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

    Aktakuza thotë se Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë.

    Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.

    Me këtë, i akuzuari Sallahu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • ​Përurohet Klinika e Ortopedisë, Vitia: Investimet ndikojnë në zvogëlimin e listës për pritje

    ​Përurohet Klinika e Ortopedisë, Vitia: Investimet ndikojnë në zvogëlimin e listës për pritje

    Është përuruar sot Klinika e re e Ortopedisë për të cilën ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është klinikë moderne me gjithsej 40 shtretër.

    Sipas ministrit Vitia ky investim dhe të tjerat investime që po bëhen në spitalet regjionale do të ndikojnë të zvogëlohet lista e pritjes për pacientë.

    Ministri Vitia tha se kostoja për ndërtimin e kësaj klinike është 2.8 milionë euro. Ndërsa, drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi u shpreh se nga java e ardhshme do të bëhet e zhvendosja e pacientëve nga hapësirat e vjetra në këto të rejat.