ATV

Author: ATVLive

  • ​Spalletti i bindur se Italia do të jetë rival i fortë i çdo kundërshtari

    ​Spalletti i bindur se Italia do të jetë rival i fortë i çdo kundërshtari

    Italia mund të bëhet një skuadër e madhe nëse luan në maksimumin e saj, tha trajneri Luciano Spalletti të mërkurën, përpara një ndeshjeje kundër Belgjikës, të cilën ai e përshkroi si vendimtare për shpresat e tyre për përparim në Ligën e Kombeve.

    Italia, në krye të Grupit të Dytë pasi fitoi të dyja ndeshjet muajin e kaluar, pret Belgjikën sot dhe Izraelin të hënën. Belgjika është e barabartë me tre pikë me Francën e vendit të dytë dhe Izraeli është në fund me zero pikë.

    “Ne do të bëhemi menjëherë një ekip i madh në çdo ndeshje ku do të jemi në gjendje të japim më të mirën nga vetja ”, tha Spalletti në një konferencë për shtyp, përcjellë KosovaPress.

    “Është një ndeshje vendimtare për të ardhmen tonë ”, tha Spalletti, duke shtuar se mesfushori i Romës, Lorenzo Pellegrini do të ishte në formacionin fillestar.

    Italia do të jetë pa mesfushorin e dëmtuar të Interit, Nicolo, së bashku me Federico Chiesan të Liverpool-it.

  • UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale

    UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale

    Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 18-vjeçare, janë dhunuar apo janë sulmuar seksualisht në gjithë botën, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

    Këto janë shifrat e para të agjencisë lidhur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në nivel global, dhe janë publikuar një ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.

    Të dhënat nënkuptojnë që një në tetë vajza është e prekur nga kjo formë e dhunës.

    Nëse në të dhëna përfshihen edhe format tjera të dhunës seksuale, sikurse ato që kryhen online apo dhuna verbale, atëherë numri do të shkonte në mbi 650 milionë, që do të thotë se çdo e pesta vajzë është përballur me një formë dhune, ka thënë UNICEF.

    Situata është më e komplikuar në rajonet më cenueshme, sikurse ato me institucione më të dobëta, me prani të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, apo me prani të shumë refugjatëve që i ikin dhunës dhe pasigurive.

    Në këto situata, shkalla e dhunimeve dhe sulmeve seksuale mund të rritet në më shumë se çdo të katërtën vajzë.

    Edhe djemtë dhe burrat e rinj preken nga dhuna seksuale, ka raportuar agjencia.

    Vlerësohet që rreth 240 deri në 310 milionë djem – rreth një në 11 – kanë përjetuar dhunë apo sulme seksuale gjatë fëmijërisë.

    Sipas të dhënave, rastet më të shpeshta të dhunës seksuale ndodhin gjatë adoleshencës.

    Rajonet me numrin më të madh të rasteve të dhunës seksuale te fëmijët janë: Afrika sub-Sahariane, më pas Azia Lindore dhe Juglindore, Azia Qendrore dhe Jugore dhe më pas Evropa dhe Amerika Veriore.

    Raporti është përpiluar pas kryerjes së anketave në më shumë se 120 shtete dhe territore në periudhën 2010-2022, ka thënë UNICEF.

  • NASA ndan foto nga hapësira të uraganit Milton që goditi Floridan

    NASA ndan foto nga hapësira të uraganit Milton që goditi Floridan

    NASA ka shpërndarë foto të uraganit Milton teksa kalonte mbi Gjirin e Meksikës, në brigjet e gadishullit Jukatan.

    Në kohën kur u bënë fotografitë, uragani ishte në kategorinë 5.

    Në Meksikë, autoritetet në shtetin e Jukatanit raportuan dëme të vogla nga Milton pasi kaloi në det të hapur.

    Linjat e energjisë elektrike, dritat e rrugëve dhe pemët u rrëzuan pranë bregut dhe çatitë e disa strukturave të vogla u shkatërruan, ka njoftuar guvernatori i Jukatanit, Joaquin Diaz, shkruan skynews.

    Ai nuk raportoi për viktima apo plagosje.

    Ndërsa tani, uragani Milton ka zbritur në tokë në Florida, ka njoftuar Qendra Kombëtare e Uraganeve.

    Bëhet e ditur se më shumë se 1.5 milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.

  • Hamza paralajmëron padi për shpifje ndaj deputetit të VV-së: Kurrë hiç nuk e kam taku Listën Serbe

    Hamza paralajmëron padi për shpifje ndaj deputetit të VV-së: Kurrë hiç nuk e kam taku Listën Serbe

    Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka folur rreth një statusi të deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi, i cili e akuzoi për takim të fshehtë me Listën Serbe.

    Në një deklarim për Mitropol, Hamza ka paralajmëruar padi për shpifje kundër Rrustemit.

    “Kurrë hiç nuk i kam taku. Nëse dikush ka një fotografi, e lus ta publikoj. Për këtë shpifje ndaj meje unë me avokatin tim do ta padis deputetin Adnan Rrustemi” – ka deklaruar Hamza.

  • Kuvendi sot mban seancë

    Kuvendi sot mban seancë

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë.

    Kjo seancë pritet të fillojë në ora 11:00.

    Rendi i ditës

    1. Votimi për emërimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
    5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
    7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
    10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
    12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
    14. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
    15. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
    16. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    17. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    18. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
    19. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
    20. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
    21. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
    22. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
    23. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
    24. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.
  • Erdogani sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Erdogani sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë të enjten një vizitë zyrtare në Tiranë.

    Sipas mediave turke ai pritet të mbërrijë në Tiranë në orën 11:00 të paradites ndërsa agjenda parashikon një pritje të tij dhe delegacionit turk nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

    Pas takimit te dy liderëve, delegacionet do të drejtohen drejt xhamisë së re të Namasgjasë ku do të bëhet edhe hapja e saj.

    Agjenda parashikon që kreu i shtetit turk të largohet nga Shqipëria në pasdite ku më pas do t’i drejtohet Beogradit.

  • Ndalohet një person i dyshuar për kanosje ndaj një gazetari

    Ndalohet një person i dyshuar për kanosje ndaj një gazetari

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari Vehbi Kajtazi për shkak të punës dhe profesionit të tij, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të identifikimit të dyshuarit dhe sigurimit të prezencës së të njëjtit në procedurën penale.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari V.K., për shkak të punës dhe profesionit të tij, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të identifikimit të dyshuarit dhe sigurimit të prezencës së të njëjtit në procedurën penale”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, veprimet e ndërmarra kanë rezultuar fillimisht me arrestimin e të dyshuarit nga Policia e Kosovës, ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja”, sipas KPRK-së.

    Më tej thuhet se Prokuroria në koordinim me Policinë po vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore lidhur me këtë rast.

  • Përmes protestës së sotme, serbët kërkojnë lirimin e Arsenjeviqit

    Përmes protestës së sotme, serbët kërkojnë lirimin e Arsenjeviqit

    Partia Demokratike Serbe ka bërë të ditur se sot do të organizojnë protestë.

    Në njoftimin e kësaj partie thuhet se protesta do të fillojë nga ora 10:00 dhe përmes saj kërkohet lirimi i menjëhershëm i liderit të tyre, Aleksandar Arsenjieviq, i cili u arrestua dje nga Policia e Kosovës.

    Tutje, bëhet e ditur se kjo protestë do të zhvillohet te Stacioni Policor në veri të Mitrovicës, teksa në njoftim u tha se kjo protestë nuk ka karakter politik, por sipas tyre, qytetar.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten do të mbajë mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale sipas IHMK do të lëvizin ndërmjet 5-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

  • ​Dita Botërore e Shëndetit Mendor

    ​Dita Botërore e Shëndetit Mendor

    10 tetori është shpallur nga OKB si Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor.

    Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra apo konflikte.

    Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta.

    Shëndeti mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet meqenëse vlerësohet se sot në botë vuajnë nga shqetësimet mendore më shumë se 450 milion njerëz. /KP/