ATV

Author: ATVLive

  • ​25 vjet nga themelimi i PDK-së

    ​25 vjet nga themelimi i PDK-së

    Më 10 tetor të vitit 1999 është formuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti që nga themelimi ka pasur kryetar Hashim Thaçin.

    Pasi që Kushtetuta nuk lejon mbajtjen njëkohësisht të postit të presidentit dhe të kryetarit të partisë, Thaçi dha dorëheqje nga funksionet e tij në parti.

    Pas kësaj, PDK ka mbajtur Kuvendin zgjedhor ku për kryetar ka zgjedhur Kadri Veselin.

    Organ ekzekutiv i PDK-së është Kryesia, e cila zgjidhet nga Këshilli Drejtues.

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur historinë e saj qeverisëse nga viti 2001-2004, kur atëbotë u zgjodh kryeministër Bajram Rexhepi bashkë me dy ministra nga tabori i kësaj partie.

    Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, PDK-ja konfirmohet si forca e parë politike në vend.

    PDK në zgjedhjet e mbajtura më 2019, u radhit e treta, në të cilin vend ra për herë të parë në historinë e saj. /KP/

  • Kolapsi i Shtetit në Badovc

    Kolapsi i Shtetit në Badovc

    Gjatë vikendit e kisha idenë që të merrem me dy tragjedi që ndodhën në rajon dhe të tentoj të alarmoj për situatën në Kosovë.

    Vërshimet në Bosnje e Hercegovinë kanë vrarë më shumë se 20 veta dhe ka të tjerë të pagjetur, shumica kanë vdekur në Donja Jablanicë, një vend banim që gjendet nën një gurëthyes të madh, që
    për më shumë se 20 vjet ka punuar ose pa licencë, ose duke shkelur kushtet i licencës.

    Edhe një herë, një gurëthyes, për 20 vjet ka përdorë vazhdimisht eksploziv pa licencë, ose në kundërshtim me licencën, e ka gërry malin, e ka shkatërrua mjedisin dhe pas reshjeve të mëdha, kemi tragjedinë më të madhe nga vërshimet në këtë shekull.

    Nën ujë gjatë vikendit ishte edhe Vlora, qyteti historik dhe turistik i shqiptarëve, që kur ka të reshura po paguan çmimin për planifikim të keq urban, për ndërtime të egra e shkelje tjera.
    Meqë vala e të reshurve të mëdha në rajon, kësaj here e kurseu Kosovën, plani ishte që të merrem me paralajmërim, me tentim për alarm të situatës.

    Ideja ishte që të mbushemi mend nga tragjedia në Bosnje e Hercegovinë, e më në fund të merremi me gurëthyesit që i kanë shkatërruar lumenjtë e Kosovës, me gurëthyes që kanë gërry male dhe ekosistem në Kosovë dhe shteti i ka toleruar.

    Ideja ka qenë me tregu që në periudhën 2009 – 2014 kanë qenë rreth 200, 200 operatorë ilegal që kanë eksploatuar dhe degraduar lumenjtë e Kosovës.

    Me fjalë tjera, nëse në kohën e Hashim Thaçit dhe kompanisë, ka ndodhë një krim i madh në këtë vend, ai krim është ndaj ambientit të këtij vendi dhe ndaj lumenjve që janë shkatërruar për përfitim të gurëthyesve dhe kompanive të lidhura me to.

    Gjendja kuptohet që është e keqe edhe më tutje. Veç sa për ilustrim, për dy vjet në periudhën 2019 – 2021 nga 200 inspektime në terren, në 118 është shqiptuar vendim për ndalim pune.

    60 % të inspektimeve në lumenj janë pasuar me vendime për ndalim pune, e numri është edhe më i madh, meqë nuk është inspektuar krejt Kosova.

    Ideja ka qenë që nga një tragjedi në Bosnje e Hercegovinë, të mos raportojmë sikur për një tragjedi në Zelandë të Re, sepse Bosnja e Kosova janë afër, kanë klimë të ngjashme, janë shtete jo serioze dhe të korruptuara deri në asht, kanë lejuar gurëthyesit të shkatërrojnë mjedisin dhe nuk kanë kapacitete të kërkim shpëtimit kur ndodhin vërshime të mëdha.

    Mirëpo, një tragjedi në Kosovë e ndërroi lojën – aksident trafiku në afërsi të urës së pariparuar të Badovcit, tre të vdekur!

    Pyetja e parë është – a jeni normal? Shumë thjesht – a jeni normal? Qysh është e mundshme mos të përfundohet një urë që më shumë se një vit.

    Qysh është e mundshme të mos përfundojnë akse rrugore nga 20-30 kilometra që 7, 8 ose 10 vjet, qysh është e mundshme që ndërrohen 4-5 kabinete qeveritare, ka rrezik që është gjashtë të ndërrohen dhe të mos përfundohen ca rrugë?

    Çka jemi kah flasim, çfarë kot shteti është more ky?

    Prapë, pse në Kuvend nuk dëgjoj debat dhe kërkesa për llogaridhënie për këto punë – sepse shumicën e deputetëve i kemi të lodhtë!

    Edhe jo bre, nuk jam kah them që ministri aktual është përgjegjës për vdekjen e atyre tre të rinjve. Jam kah flas për një tragjedi që tregon që ka kollapsu shteti.

    Tragjedia si kjo në Badovc duhet të shërbejë si alarm për ata që projektojnë, ata që ekzekutojnë projekte, për ata që japin buxhetin për zjarrfikës, për kërkim shpëtim, për polici, për
    shërbime emergjente mjekësore, për prokurori dhe gjykata. Ky është zinxhiri i institucioneve publike që kanë dështu vazhdimisht dhe me mos punën e tyre kanë bërë që të vdesin tre të rinj në aksident.

    Edhe nëse mendoni që jam kah e medializoj Badovcin, që është një tragjedi, por rast i izoluar, keq e keni! 15 mijë, 15 mijë, 15,000 aksidente kanë ndodhë në periudhën janar – gusht të këtij viti. 10 mijë veta të lënduar, 68 të vdekur në trafik, vec janar – gusht 2024.

    Kuptohet që ministrat aktual kanë përgjegjësi më së shumti, por këto statistika nuk janë problem i një qeverie – këto janë dëshmi të një shteti në kollaps!!!

    Nëse 6-10 vjet duhen që të përfundojë një rrugë, nëse për 16 vjet nuk ndërtojmë një qendër spitalore, nëse për 16 vjet nuk e ndërtojmë një bazën, një stadium, një termocentral, nëse 8 vjet duhet që të përfundojë një lëndë në gjykatë, nëse arsimin e kemi për faqe të zezë, shteti është në kollaps!!!

    Njerëz, Uji i ndotur, ajri i ndotur, toka e gërryer, rrugët e këqija! Prej Kuvendit, mos pritni gjë, se s’keni çka me pritë, sepse politika këtë debat nuk e nisë, e edhe nëse e nisë, nuk e mban në fokus! Nëse edhe tragjeditë si kjo nuk e kthejnë debatin kah problemet reale, por do të vazhdoni të merreni me budallë të tiktokut – në rregull jemi!

  • ​Për tetë muaj janë larguar mbi 100 ushtarë nga FSK-ja, arsyet e migrimit jashtë vendit

    ​Për tetë muaj janë larguar mbi 100 ushtarë nga FSK-ja, arsyet e migrimit jashtë vendit

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se aktualisht kanë vështirësi të shërbimit me ushqim për ushtarët e FSK-së, mirëpo theksoi se po punojnë të krijojnë vetëqëndrueshmëri për sigurimin e ushqimit. Ai tha se pas skandimit të kontratës të operatorit për furnizim me ushqim janë në një fazë tranzitore, ku po furnizohen përmes kontratave që janë të lidhura nga Autoritetin Qendror të Prokurimit, derisa tha po ndihmohen vetëm me personel nga Mensa e studentëve dhe Shërbimi Korrektues. Maqedonci gjatë raportimit në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje tha se shumëllojshmëria e ushqimit për ushtarët mundet me mungua në këtë fazë deri sa të zgjidhet situata e operatorit ekonomik, i cili po trajtohet nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Para deputetëve, ministri Maqedonci foli edhe për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, ku tha se deri tani gjatë vitit 2024 janë larguar 119 ushtarë vullnetarisht, mirëpo shtoi se për 300 pozita të reja të rekrutimit kanë aplikuar 1555 persona.

    Ministri Maqedonci tha se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të klasifikuar me asnjë operatorë për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së, por pranoi se një kontratë e njëjtë fillimisht është klasifikuar dhe më pas deklasifikuar, por që nuk dha detaje të tjera pasi tha diskutimi në komision duhet të bëhet me dyer të mbyllura.

    “Aktualisht jemi në koordinim dhe në punë e sipër për të zgjidhur çështjen e shërbimit të ushqimit. Kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe porsa të përfundojë ne do të japim informacion shtesë. Fokusi ynë është që të ndërtojmë një koncept të ri që do të garanton vetëqëndrueshmëri në ushqim për FSK-në. Koncept i cili do të praktikohet në vazhdimësi. Normalisht ne jemi në një situatë pak më të vështirë këtë periudhë për shkak të stagnimit të kësaj çështje të kontratës dhe tranzicionit të shërbimit të ushqimit me kapacitete vetanake, duke shfrytëzuar furnizimin me autoritetin qendror të prokurimit. Arsyet që kanë ardhur deri këtu janë kryesisht për shkak të tej zgjatjes në aspektin e viteve të problemit të furnizimit të qëndrueshëm të FSK-së. Prej vitit 2015 deri në vitin 2024 për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata ekstrem emergjente për çështjen e ushqimit. Kjo ka bërë që ne të vlerësojmë që ne duhet të shikojmë dhe analizojmë këtë aspekt dhe kemi ardhur në përfundim se ne duhet të bëjmë një zgjidhje afatgjate për çështjen e ushqimit”, tha ai.

    Mosvazhdimi me të njëjtin operatorë ekonomik për furnizim me ushqim të ushtarëve të FSK-së e mirëpriti deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai dha disa shembuj që sipas tij i njëjti operatorë nuk ka dërguar pije siç ka qenë e paraparë në kontratë, mirëpo ushtarët kanë pi një imtim siç tha të “Coca Cola”.

    Megjithatë, ai tha se mbetja pa ushqim në kazermat e FSK-së është për keqardhje dhe shqetësuese.

    “Unë e kam pa raportin e auditimit dhe nxjerri lista se çfarë ushqimi dhe pije që duhet të përmbahen, pasi ushtarët janë të rinjtë. Besoni se aty shkruhet Coca-Colë origjinale por ai e pinte një tjetër që s’po dua me i thënë emrin por është ngjyrë këpucëve, ujë dhe sheqer me bo me pi ta prish lukthin. Me pi djemtë tanë i kemi shkatërruar, mirë që është ndal. Por nuk arsyetohet mbetja pa ushqim në kazermë qofshin me operatoren të ri”, theksoi ai.

    Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se Ministria e Mbrojtjes ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur pasi ka qenë e ditur se me 30 shtator skadon kontrata për furnizim me ushqim për ushtarët.

    Ai tha se sigurimin e ushqimit nga vet FSK-ja është një koncept që se praktikon asnjë vend anëtarë i NATO-s, por gjithmonë kontraktohen operatorë të jashtëm.

    “Është e para herë sa kuptoj unë që ka pasur tendenca që kjo procedurë të klasifikohet fillimisht si sekrete dhe pastaj si procedurë ekstreme emergjente. Po flasim për një çështje që ju keni qenë në njohuri se kur skadon kontrata e operatorit ekonomik për të furnizuar me ushqim. Kjo ka qenë një kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur dhe m’i ngrit të gjitha procedurat se kur përfundon ajo kontratë ju të përzgjidhni operatorin më të mirë dhe kualitativ. Gjithmonë duke u bazuar në disa standarde, veçanti në ato standarde të NATO-s…Ju e dini shumë mirë se një prej operatorët më të besueshëm për forcat e NATO-s kudo në glob është një shqiptar, i cili furnizon me ushqim. Si është e mundur kur ne kemi operatorë të certifikuar që janë të besueshëm për Britaninë e Madhe, ShBA-në nuk mundemi me gjetë operatorë të besueshëm për FSK-në”, deklaroi Quni.

    Pavarësisht kësaj, deputeti nga LVV-ja, Dimal Basha e konsideroi të domosdoshëm vetëqëndrueshmërinë e FSK-së sa i përket ushqimit të ushtarëve. Ai tha se i njëjti operatorë ekonomik (Beni Dona)ka marrë tenderë për 12 vjet radhazi në FSK, por që ka pasur raste të shpeshta të helmimit të ushtarëve.

    “S’u bo temë kaq e madhe kur ushtarët janë helmuar me ushqimin që kanë marrë nga këta operatorë ekonomik. Është ngrit shqetësimi kur një operatorë ekonomik që ka marrë tenderin për 12 vjet rend bëhet temë…Mendoj se shqetësim për mua ka qenë helmimi i ushtarëve. Disa prej raporteve të institucioneve kemi aty se ky operatorë ekonomik që ka ushqyer ushtarët ka sjell mish prej Brazilit dhe janë helmuar ushtarët tonë. Ky është shqetësimi jonë”, tha Basha.

    I pyetur për raportet me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, ministri Maqedonci tha se mund të ketë mospajtime, por që nuk ka raporte të këqija me të njëjtin.

    Ai nuk pranoi të diskutojë për emra të kompanive të tjera që kanë aplikuar për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së.

    “Sa i përket çështjes së raporteve(me zëvendësministrin Shemsi Syla), vlerësoj se në çdo shoqëri, rreth dhe çdo institucion njerëzit mund të kenë mospajtime në aspektin sesi shohin gjërat dhe vlerësojnë çështje të caktuara. Por kjo nuk nënkupton raporte të këqija personale apo ndër njerëzore me zëvendësministrin”, theksoi Maqedonci.

    Sa i përket largimit të ushtarëve nga FSK-ja, ministri Maqedonci tha se gjatë këtij viti deri tani janë larguar 119 ushtarë në mënyrë vullnetare.

    Mirëpo ai tha se është inkurajuese që për 300 pozita të lira për ushtarë kanë aplikuar 1555 persona.

    “Në vitin 2024 kemi 119 ushtarë që vullnetarisht kanë kërkuar ndërprerjen e shërbimit, që është diku tre për qind e totalit të numrit aktual që i kemi në FSK. Normalisht, për ne, mua dhe komandantin e FSK-së çdo largim është i dhimbshëm. Për ne është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme që të kemi njerëz në FSK, sidomos ata që përgatisin dhe edukojnë për të qenë pjesë e FSK-së. Për këtë qëllim kemi kërkuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore që të bëjnë një plan për mbajtjen e personelit. Nuk është vetëm trend largimi te ne, psh në Mbretërinë e Bashkuar janë 6.5 për qind e ushtarakëve britanik që kanë lënë ushtrinë vetëm gjatë vitit 2023. Por çka është për t’u theksuar është fakti dhe jemi të inkurajuar se kemi interesim të jashtëzakonshëm për bashkëngjitje të FSK-së. Deri tani janë 1555 aplikues që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së. Kjo i bien gjashtë pjesëtarë për një pozitë për 300 pozita”, shtoi ai.

    Detaje më të mëdha arsyet e largimit dhe pozitat e tyre i dha ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në FSK, kolonelë, Arife Halili.

    Ajo tha se përveç largimit të 119 pjesëtarëve të FSK-së deri tani ka pasur edhe 77 pensionime.

    “Në bazë të deklarimeve të vetë pjesëtarëve që kanë bërë për ndërprerje të shërbimit, mbi 80 për qind janë migrim jashtë vendit dhe bashkim familjarë. Ka një numër prej tyre që nuk duan të tregojnë dhe thonë vetëm për shkaqe personale. Ka edhe shkaqe të tjera që është një përqindje shumë e vogël që janë specifikuar në kërkesat e tyre. Në këtë numër 119 janë edhe ata që kanë bërë kërkesa dhe ndërprenë shërbimin në fund të tetorit apo fillim të nëntorit. Në gradën ushtarë kemi 71 pjesëtarë që kanë ndërprerë shërbimin për këtë vit. 22 janë në gradën e parë të nënoficerit, 17 janë me gradën e dytë të nënoficerit, kurse grada euro 7, euro 8 dhe euro 9 që janë nënoficer nuk kemi ndërprerje të shërbimit…Është grada rreshter dhe rreshter shtabor, ndërkaq në gradën e togerit dhe majorit e kemi një ndërprerje të shërbimit vullnetar”, tha ajo.

    Mirëpo për numrin e aplikuesve u shpreh i shqetësuar deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili krahasoi me vitin 2020, ku tha se atëherë për 400 vende kanë aplikuar 5400 persona.

    “Në kohë pandemie në vitin 2020 për 400 vende për rekrutë të ri kanë aplikuar 5400. Në 5400 ke mundur me nxjerr më të mirën, kualitetin, kurse për 300 vende aplikojnë 1500. Kjo do të thotë se ka rënie të interesimit”, theksoi Quni.

    Komisioni më pastaj vazhdoi mbledhjen të mbyllur për media./KP/

  • ​Osmani në Tivat diskuton vizionin e Kosovës për të ardhmen e rajonit

    ​Osmani në Tivat diskuton vizionin e Kosovës për të ardhmen e rajonit

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka qëndruar në Tivat në takimin e liderëve të procesit Bërdo-Brione.

    Nga aty Osmani tha se kanë pasur mundësi të diskutojnë vizionin e Kosovës për të ardhmen e rajonit.

    “Falënderoj Presidentët Milatović, Pirc-Musar dhe Milanović për mirëseardhjen e tyre në takimin e liderëve të procesit Bërdo-Brione në Tivat, ku patëm mundësinë ta diskutojmë vizionin tonë për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Sipas Osmanit, Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim rajonal, të bazuar në fqinjësi të mirë, gjithëpërfshirje dhe qëllimin e përbashkët për integrim në institucionet euroatlantike.

  • Këto janë materialet e sekuestruara gjatë bastisjes në MMPHI

    Këto janë materialet e sekuestruara gjatë bastisjes në MMPHI

    Disa materiale, kompjuterë, dosje e dokumente, shihet të jenë sekuestruar nga hetuesit policorë gjatë bastisjes së zhvilluar sot në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

    Policia e Kosovës ka zbarkuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në të cilën po realizojnë një bastisje.

    Sekretari i përgjithshëm Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi nën shoqërimin e policisë është larguar nga objekti i kësaj ministrie.

    Prokuroria Speciale ka konfirmuar se në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po zhvillohet një aksion, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

  • ​FFK dhe komuna e Gjakovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

    ​FFK dhe komuna e Gjakovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka takuar kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Qëllimi i këtij takimi ishte dakordimi për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë komunë, me fokus të veçantë në ndërtimin e një fushe stërvitore.

    Gjatë takimit, presidenti Ademi theksoi rëndësinë e përkrahjes që FFK i ofron të gjitha komunave për zhvillimin e sportit, veçanërisht të futbollit. Ai vuri në dukje se Gjakova ka një rëndësi të veçantë për shkak të zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës sportive në këtë rajon, e veçmas stadiumit të qytetit, që po ndërtohet me ritëm të shpejtë dhe do t’i plotësojë standardet evropiane.

    Nënshkrimi i këtij memorandumi është një hap tjetër përpara në procesin e rregullimit të fushës të re stërvitore, e cila do t’i shërbejë komunitetit të futbollit në këtë komunë dhe do të ndihmojë në krijimin e kushteve më të mira për klubet kësaj treve.

  • Minatorëve iu dalin vetëm gjysma e rrogave, reagon sindikata

    Minatorëve iu dalin vetëm gjysma e rrogave, reagon sindikata

    Sindikata e Pavarur e Minatoreëve të Trepçës ka deklaruar se janë zhgënjyer edhe një herë sot pasi u është kompenzuar vetëm 51 për qind e pagës.

    Në një reagim në Facebook thuhet se ata janë në pritje të pagave të plota sot, dhe menaxhmenti duhet t’i kryej detyrat e tyre.

    “Deri kur do të vazhdoj një ofendim i tillë ndaj minatorëve dhe cili është qëllimi i vërtet i këtyre vendimeve të kundërligjshme?! Për muaj me radhë, që nga zgjedhja e menaxhmentit të ri në ndërmarrje kemi heshtur dhe toleruar, lloj lloj vendime dhe qasje që është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me interesat e minatorëve, me qëllimin e vetëm dhënia e hapësirës së mjaftueshme menaxhmentit të ri për të dëshmuar veten”.

    “Shpresojmë që menaxhmenti i ndërmarrjes shqetësimin tonë ta marr me seriozitetin më të lartë, duke bëre menjëherë ekzekutimin e plot të pagave. Ashtu që loja me bukën e minatorëve duhet të marr fund një herë e përgjithmonë. Ne jemi në pritje të pagave të plota sot. Menaxhmenti duhet ti kryej detyrat e tyre”, thuhet në reagim.

  • Konjufca shkon për ngushëllime në shtëpinë e Jakup Krasniqit pas vdekjes së vëllait të tij

    Konjufca shkon për ngushëllime në shtëpinë e Jakup Krasniqit pas vdekjes së vëllait të tij

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca bashkë me deputetët Avni Dehari, Hydajet Hyseni e Gani Krasniqi, kanë shkuar në shtëpinë e familjes së Jakup Krasniqit në Negroc të Drenasit, me rastin e vdekjes së Azem Krasniqit.

    Duke shprehur ngushëllimet për vdekjen e Azemit, vëllait të vogël të Jakupit, sipas Indeks Online ai tha se “baci Jakup e ka mbajtur afër vetes në Kuvend dhe e ka mësuar se si duhet shteti”.

    “Babai im ka qenë shok me bacin Jakup, kanë qenë bashkë në burg. Kam qenë edhe unë për pesë vjet nënkryetar i tij në kuvend dhe më ka mbajtur afër, më ka respektuar dhe më kë mësuar shumë gjëra. E çmoj shumë dhe kam një respekt të veçantë për të”, ka thënë Konjufca.

  • Trendafilova në Kosovë, Rohde: Gjermania e mbështet fortë punën e Gjykatës Speciale

    Trendafilova në Kosovë, Rohde: Gjermania e mbështet fortë punën e Gjykatës Speciale

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka pritur sot në një takim kryetaren e Dhomave të Specializuara të Republikës së Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

    Rohde ka thënë se ka rikonfirmuar përkrahjen e fort të Gjermanisë për punën e Speciales dhe për një fond kompensimi të viktimave për të garantuar drejtësi të barabartë për të gjithë.

    “Gjithmonë një kënaqësi për t’u takuar me presidenten e Dhomave të Specializuara. Theksova kontributin thelbësor të Dhomave për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe riafirmova mbështetjen e fortë të Gjermanisë për punën e tyre si dhe për një fond kompensimi të viktimave për të garantuar drejtësi të barabartë për të gjithë”, ka thënë Rohde.

  • ​Ndryshime në listën e Shqipërisë, Silvinjo fton një mesfushor të ri

    ​Ndryshime në listën e Shqipërisë, Silvinjo fton një mesfushor të ri

    Lista e Kombëtares A pëson sërish ndryshime. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se trajneri Silvinjo ka vendosur të afrojë në skuadër mesfushorin e Shpresave, Feta Fetai. Lojtari do të bashkohet me ekipin në stërvitjen e pasdites dhe do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.

    Ndryshime ka edhe në listën e ekipit Kombëtar U-21. Trajneri Alban Bushi ka vendosur të thërrasë në grumbullim mesfushorin e Tiranës, Hajrulla Tola si edhe portierin e Vorës, Arbër Jata. Portierët Simon Simoni dhe Endri Dema kanë ngarkesë në muskuj dhe për pasojë i duhen dy ditë të plota rikuperimi.

    Shqipëria U-21 do të luajë më 15 tetor kundër Armenisë në stadiumin “Air Albania” në ora 18:00.