ATV

Author: ATVLive

  • Gruaja misterioze 400-vjeçare ‘vampir’ rikthehet në jetë me rindërtim të fytyrës

    Gruaja misterioze 400-vjeçare ‘vampir’ rikthehet në jetë me rindërtim të fytyrës

    Bazuar në një model të kafkës së saj dhe informacion nga ADN-ja e nxjerrë, studiuesit kanë rikrijuar fytyrën e një gruaje të varrosur në Pien, një fshat në Poloninë veriore, në vitet 1600.

    Me një drapër në qafë dhe një dry në gishtin e madh të këmbës së majtë, kufoma e një gruaje të re të gjetur në Poloninë veriore nuk do të kishte qenë në gjendje të ngrihej nga varri i saj i pashënuar, sipas folklorit lokal të shekullit 17, por identiteti i saj dhe mënyra se si përfundoi në një gjendje të tillë janë sekrete që studiuesit thonë se sapo kanë filluar t’i zhbllokojnë.

    Arkeologët e bënë zbulimin e zymtë për herë të parë në vitin 2022 dhe kanë studiuar mbetjet për të kuptuar se kush ishte gruaja dhe pse ajo, dhe ndoshta të tjerët të varrosur në të njëjtën fushë rreth 400 vjet më parë “si vampirë apo demonë”.

    Rindërtimi mbresëlënës 3D i Zosia, siç i vunë nofkën vendasit, hedh dritë mbi njeriun e gjetur në varrin e frikshëm.

    Arkeologu Dariusz Polinski, i cili udhëhoqi ekipin që zbuloi eshtrat e Zosia, tha se ishte një moment plot emocione kur ai pa rindërtimin nga artisti suedez i mjekësisë ligjore Oscar Nilsson për herë të parë.

    “Ai shtoi aq shumë ndjenja, aq shumë emocione”, tha Polinski, një profesor i historisë mesjetare pranë Universitetit Nicolaus Copernicus në Torun, Poloni. “Nuk ishte një maskë.”

    Udhëtimi i ekipit hulumtues për zbulimin e identitetit të Zosia është paraqitur në dokumentarin “Field of Vampires” që transmetua më 30 tetor në televizionin PBS.

    Për Nilsson, i cili rindërtoi me kujdes fytyrën e Zosia duke përdorur argjilën e vendosur në një model të kafkës së saj të printuar në 3D, ishte emocionale të shihte gruan e re ashtu siç mund të shfaqej në jetë.

    “Jam mësuar të rindërtoj fytyrat, por edhe në këtë rast po pres me padurim t’i kthej një dinjitet njerëzor. Ajo meritonte diçka më të mirë,” tha ai.

    Zosia u gjet e varrosur me një drapër në qafë dhe një dry në gishtin e këmbës, një praktikë popullore që synonte të ndalonte të vdekurit të ktheheshin në jetë.

    Nga 18 deri në 20 vjeç kur vdiq, Zosia ka të ngjarë të kishte një gjendje shëndetësore që mund ta ketë bërë atë të prirë për të përjetuar dhimbje koke të rënda kronike dhe periudha të fikëti sipas analizës së shtyllës kurrizore, tha Polinski.

    Megjithatë shkaku i vdekjes së saj mbetet i panjohur dhe analizat e detajuara mjekësore janë në vazhdim.

    Informacioni i mbledhur nga ADN-ja dhe izotopet kimike në mbetjet e saj treguan se ajo mund të ketë origjinën nga Skandinavia jugore, ndoshta nga Suedia. Gjatë shekullit të 17-të, Polonia dhe Suedia zhvilluan një sërë luftërash, kështu që Zosia mund të kishte qenë një e huaj brenda komunitetit të saj. Evropa në shekullin e 17-të ishte gjithashtu nën kontrollin e asaj që njihet si Epoka e Vogël e Akullit, një periudhë ftohjeje që në disa vende çoi në dështimin e të korrave dhe zinë e bukës.

    Dryni dhe drapri ishin prej hekuri, një metal që mendohej se ofronte mbrojtje kundër të mbinatyrshmes, por Polinski thotë se objektet nuk vendoseshin në trup në të njëjtën kohë.

    “Fillimisht ajo u varros në një arkivol në një pozicion natyral, me kokën në drejtim të perëndimit dhe në një jastëk dhe drynin në gishtin e këmbës,” tha ai.

    Megjithatë, tha ai, dukej se fuqia mbrojtëse e drynit nuk ishte e mjaftueshme për ata që kishin frikë.

    “Ndoshta për shkak të ndonjë fatkeqësie ose vdekjes së dikujt tjetër, ata vendosën të hapnin varrin dhe drapri u fiksua mbi fytin e saj për të penguar që kufoma të ngrihej nga të vdekurit”, tha Polinski.

    Hapja dhe shqetësimi i varreve në këtë mënyrë ishte relativisht i zakonshëm gjatë shekullit të 17-të, pasi njerëzit shpesh ia atribuonin fatkeqësinë veprimtarisë së mbinatyrshme të të vdekurve, tha Polinski.

    “Të vdekurit u fajësuan për ngjarje të ndryshme. Personi i ndjerë besohej se ishte një lloj shkas për ndonjë sëmundje apo vdekje”, tha ai duke shtuar se gjetjet do të publikohen në një revistë shkencore vitin e ardhshëm. /CNN

  • Strategji me ChatGPT

    Strategji me ChatGPT

    Zgjedhjet janë afër dhe partitë kanë filluar me tubime, për më shumë kanë filluar me premtime! Tash për sonte, i kisha dy opsione. Të kaloj nëpër programe zgjedhore të partive, ose të kaloj nëpër ato që po thuhet në tubime.

    Mirëpo, për programe zgjedhore nuk voton gati asnjë kosovar, kështu që me këtë llaf nuk u mora. Fundja, as programet zgjedhore dhe as programet qeveritare nuk realizohen kurrë. At që e marrin pushtetin rrejnë, kurse programet janë listë e dëshirave.

    Mirëpo, ky vend do të duhej të kishte nja 3-4 politika të harmonizuara dhe të miratuara koncensualisht, ashtu që sektorët vital mund të zhvillohen pa marrë parasysh se kush është në pushtet.
    Edhe a e dini çka? Këta dokumente ekzistojnë!

    E dini që për shembull Kosova ka Strategji Kombëtare për Zhvillim. Pa i hy detajeve, e sheh që në faqen e parë bre të parën, shkruan Kosova ka nevojë për përmirësim të furnizimit me energji elektrike, transport më të mirë rrugor, hekurudhor e ajror.

    Autostrada e rrugë kombëtare nuk janë përfunduar që gati 10 vjet dhe nuk do të përfundohen edhe kush e di se sa kohë, termocentrale të reja nuk ka dhe NUK DO TË KETË, planet për hekurudha i kemi ose të kohës së osmanëve ose të austro-hungarezëve, kurse infrastrukturën e kemi të kohës së Shokut Tito, sa për transport ajror, ka rritje mbresëlënëse, mirëpo, jemi më keq se rajoni.

    Për më tepër, Kosova ka edhe dokumente strategjikë sektorialë.

    A e dini që p.sh. vendi ka Strategji Kombëtare për Arsim 2022 – 2026 kur OBJEKTIVI STRATEGJIK NR 1 është Rritje e përfshirjes dhe qasje e barabartë në edukimin në fëmijërinë e hershme. Janë premtu 160 çerdhe, nuk janë ndërtuar as 10% e këtij numri.

    Kosova ka edhe Strategji të Sigurisë 2022 – 2027, dokument 30 faqe, që nuk e ka asnjë fusnotë, ama bash asnjë hiç. Për më tepër, asnjë fjali në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë 2022 – 2027 nuk I kushtohet as shërbimit të detyrueshëm ushtarak që ka qenë premtim para zgjedhor pa lidhje, e as Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, që është vendim I Qeverisë I miratuar këtë vit.

    Pra, Qeveria ka miratuar vendim DOKTRINOR për mbrojtje, që nuk figuron në strategji të mbrojtjes.

    Dduke kaluar nëpër Strategjinë e Mbrojtjes dhe duke e pa që askush nuk e merr seriozisht atë dokument, më hyri mendja që mundem për 30 minuta me e shkru një dokument më të mirë.

    Isha gabim. Për 20 minuta, bashkë me shokun tim CHATGPT e kam përpilu një dokument të njëjtë, nëse jo më të mirë sesa Ministra. Asnjë fusnotë, një listë dëshirash dhe vlerësime çka ChatGPT ka në arkiv.

    Për me ju kallëzu sa palidhje e kemi Strategjinë e Mbrojtjes, veç i kam thënë Chat GPT me e shkru një strategji të mbrojtjes për Kosovën, për 20 minuta e kam një dokument më të mirë.

    Të dyja dokumentet i bëj publike në linkun e këtij program në youtube dhe krahasojini shënimet.

    Mund të vazhdoj dhe të ju kallëzoj që Kosova Strategjia për Sundimin e Ligjit, Strategjia kundër Krimit të Organizuar, Strategjia kundër Korrupsionit, Strategjia kundër Terrorizmit, Strategjia kundër Trafikimit të Narkotikëve, po e dini tash për çka po flas.

    Më fjalë tjera nëse dikush në Kosovë ju flet për Strategji – mos I besoni fort. Më shumë strategji kanë trajnerë të ekipeve të futbollit në Ligë të Bullgarisë, sesa shteti i Kosovës.

    Nëse strategjitë janë dokumente kot, e kemi të lehtë të konstatojmë pse premtimet zgjedhore janë llafe koti dhe pse programet qeveritare janë lista të dëshirave.

    Tash, çka po shihe kohëve të fundit janë premtimet për rritje të pagave, të gjithë po premtojnë rritje, secili premtim më i madh, e më i pa bazuar se tjetri.

    Tjetër çka po vërehet janë aktivitet me diasporë. Nëse është e vërtetë ajo që po thotë zv.km, për votuesit e Stuttgartit dhe të Prizrenit, mbase edhe ia vlen.

    Pra, pas Stuttgartit, garant edhe Prizrenin do ta vizitojë edhe Donika Gërvalla, edhe përfaqësuesit e partive tjera.

    Për mua më interesante është çka do të thonë në Prizren, sesa në Stuttgart, ama edhe më interesante është nëse sivjet sefte dikush në program do të vendosë diçka të meçme, të matshme e të realizueshme.

    Për lista të dëshirave, kemi boll!

  • Abdixhiku nga tubimi në Prishtinë: LDK shpresa e parë dhe e fundit të Republikës së Kosovës

    Abdixhiku nga tubimi në Prishtinë: LDK shpresa e parë dhe e fundit të Republikës së Kosovës

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur Turneun e Ndryshimit në Prishtinë e që do të vazhdojë edhe në 10 qytete tjera të Kosovës si dhe në diasporë.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdxhiku tha se ky turne e këto tubime, nuk janë vetëm manifestim i fuqisë elektorale të LDK-së, por edhe thirrje e afrimit e përbashkimit me secilin qytetarë të Republikës së Kosovës.

    “Më e madhe është kjo kënaqësi, kur takohemi kështu, kaq shumë, në një vend, si vulë e momentumit tonë të mirë, si një frymë e pandalshme për ndryshim! Sepse, LDK është e popullit. Sepse LDK i takon qytetarëve të Kosovës”, tha Abdixhiku para anëtarëve të 5 degëve të Prishtinës.

    Ai tha se sa herë që gjërat shkojnë keq e mbrapshtë, qytetarët kanë një adresë të vetme për të zgjidhur këto probleme.

    “Kanë një shtëpi dhe një shtëpi të vetme, kanë Lidhjen Demokratike të Kosovës – shpresën e parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës. Këtë LDK, që e kërkojnë tash e sa kohë, tashmë e kanë. Këtë LDK, që kërkon, përbashkon, që ngritet mbi çdo sfidë, tashmë e kanë”, tha Abdixhiku.

    Abdixhiku tha se LDK si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e ka për obligim të shtrijë dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës.
    “Kur LDK ngritët në këmbë bashkë, s’ka asgjë që e ndanë, s’ka asgjë që e ndalë! Kjo rrugë s’bëhet pa ne! Këtë rrugë na takon ta bëjmë ne”, tha Abdixhiku.

  • ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron Donald Trump

    ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron Donald Trump

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka përgëzuar Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

    Në deklaratë, KASH po ashtu përgëzon popullin amerikan për një tjetër shembull të shkëlqyer të ushtrimit të demokracisë, që frymëzon botën dhe rikujton vlerat e lirisë dhe drejtësisë.

    “KASH mbetet i bindur se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të thellohen mbi bazën e vlerave tona të përbashkëta dhe interesave strategjike për zhvillim dhe siguri, si aleatë në NATO. Besojmë se mbështetja e SHBA-së për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët do të forcohet më tej, duke kontribuar në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhmen e gjithë rajonin tonë”, thuhet në deklaratë.

  • ​Njerëzit e pamartuar rrezikohen më shumë nga depresioni, sipas studimit

    ​Njerëzit e pamartuar rrezikohen më shumë nga depresioni, sipas studimit

    Njerëzit e pamartuar mund të kenë rreth 80 për qind më shumë gjasa të përjetojnë depresion sesa ata që janë të martuar, sugjeron një studim i ri.

    Studimi zbuloi se rreziku i depresionit për njerëzit e pamartuar mund të jetë më i lartë te burrat dhe ata që kishin më shumë arsim.

    Shkencëtarët sugjerojnë se gjetjet mund të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve që janë në rrezik më të lartë të sëmundjes.

    Autorët sugjerojnë se nivelet më të ulëta të depresionit te të martuarit mund të jenë për shkak se çiftet janë në gjendje të mbështesin shoqërisht njëri-tjetrin, të kenë qasje më të mirë në burimet ekonomike dhe të kenë një ndikim pozitiv në mirëqenien e njëri-tjetrit.

    Ata analizuan të dhënat nga më shumë se 100 mijë njerëz në shtatë vende, duke përfshirë gati 7 mijë nga Britania e Madhe.

    “Analiza jonë ndër-shtetërore sugjeron se individët e pamartuar mund të jenë në rrezik më të madh të depresionit dhe çdo përpjekje për të zbutur këtë rrezik duhet të marrë parasysh rolin e kontekstit kulturor, seksit, arritjeve arsimore dhe përdorimit të substancave,” kanë shkruar Kefeng Li nga Universiteti Politeknik i Makaos dhe kolegët e tij në revistën “Nature Human Behaviour.”

    Studimi, i cili shqyrtoi gjithashtu njerëzit në SHBA, Meksikë, Irlandë, Korenë Jugore, Kinë dhe Indonezi gjatë një periudhe prej katër deri në 18 vjet, zbuloi se të qenit i pamartuar lidhej me një rrezik 79% më të lartë të simptomave të depresionit në krahasim për ata që janë të martuar.

    Gjithashtu zbuloi se njerëzit e divorcuar kishin një rrezik 99% më të lartë për të shfaqur shenja depresioni. Ndërkohë, ata që ishin të ve, kishin një rrezik 64% më të lartë se ata që ishin të martuar. Sipas studimit, personat e pamartuar në vendet perëndimore kishin një rrezik më të lartë të depresionit se ata në vendet lindore.

    Rreth 280 milionë njerëz në mbarë botën kanë depresion ose rreth 5% të popullsisë së rritur botërore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Autorët vunë në dukje se të dhënat u mblodhën nga pyetësorët e vetë-raportuar dhe jo nga diagnozat klinike të depresionit. Ata gjithashtu thanë se të gjitha çiftet e analizuara ishin heteroseksualë.

  • ​Australia zotohet të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 16-vjeç

    ​Australia zotohet të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 16-vjeç

    Qeveria e Australisë është zotuar të prezantojë atë që e përshkroi si legjislacion “udhëheqës në botë” për të ndaluar fëmijët nën 16-vjeç nga mediat sociale.

    Legjislacioni do të futet në parlamentin e vendit gjatë dy javëve të fundit të sesionit të këtij viti, duke filluar nga 18 nëntori.

    Kryeministri Anthony Albanese tha se mediat sociale po dëmtojnë fëmijët dhe se kufiri i moshës do të hyjë në fuqi një vit pasi të miratohet ligji – me platforma duke përfshirë Facebook, Instagram, X dhe TikTok duke përdorur ata 12 muaj për të punuar se si të përjashtohen fëmijët australianë nën 16-vjeç.

    Platformat do të penalizohen për shkelje të kufirit të moshës, por fëmijët e mitur dhe prindërit e tyre jo. Nuk do të ketë përjashtime për fëmijët që kanë pëlqimin e prindërve, ose që kanë tashmë llogari. Albanese tha se do të kishte përjashtime në rrethana të tilla si nevoja për të vazhduar qasje në shërbimet arsimore.

    Pronari i Facebook dhe Instagram Meta tha se platformat e tij do të respektojnë çdo kufizim moshe që qeveria dëshiron të vendosë.

    Grupi i Industrisë Digjitale (DIGI), një organ përfaqësues i cili përfshin Meta, TikTok, X dhe Google si anëtarë, tha se masa mund t’i inkurajojë fëmijët të eksplorojnë pjesë më të errëta dhe të parregulluara të internetit, ndërkohë që ua ndërpresin qasjen në rrjetet mbështetëse.

    Mbi 140 akademikë australianë dhe ndërkombëtarë me ekspertizë në fushat që lidhen me teknologjinë dhe mirëqenien e fëmijëve i dërguan një letër të hapur Albanese muajin e kaluar duke kundërshtuar një kufi moshe të mediave sociale si “një instrument i hapur për të trajtuar rreziqet në mënyrë efektive”.

    YouTube ka të ngjarë të jetë gjithashtu brenda fushëveprimit të legjislacionit, tha ministrja e Komunikimit e Australisë, Michelle Rowland. /SkyNews

  • “B2” jashtë funksionit, Kosova po importon 1.5 milion euro rrymë në ditë

    “B2” jashtë funksionit, Kosova po importon 1.5 milion euro rrymë në ditë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Korporata Energjetike e Kosovës e ka ndalur prodhimin në njësinë B2 të termocentralit Kosova B, të mërkurën mbrëma, për shkak të problemeve teknike.

    ATV-ja ka mësuar se shkak për këtë ishte një rrjedhje e brendshme dhe deri më tani nuk ka një afat për rikthimin e saj në funksion.

    Aktualisht, sipas zëdhënësit të KEDS-it, Lulzim Krasniqi, prodhimi vendor mbulon vetëm gjysmën e nevojës për konsum.

    “Së fundmi është rëndu situata për shkak të konsumit nga konsumatorët tanë, por edhe rritjes së çmimit të energjisë në bezhën ndërkombëtare. Aktualisht, kemi një prodhim vendor prej rreth 450 megavat për orë, ndërkaq në anën tjetër konsumi u rrit për 18 %, se deri në 900 megavat në kohën e pikut të kërkesës së konsumit të saj”, tha Krasniqi.

    Në këto rrethana, sipas Krasniqit, furnizimi i pandërprerë me energji elektrike është i varur nga importi me çmime të larta.

    “Kemi rritje të çmimit, është paguar deri në 700 euro për megavat në orë ndërkaq pritet të importohen 1.5 milion euro në ditë”, tha Krasniqi.

    Rrjedhimisht, sipas tij, edhe faturat e energjisë elektrike pritet të jenë më të larta se zakonisht.

    Sipas programit për zbatimin e strategjisë së energjisë, këtë vit, për rehabilitimin e thellë të dy njësive prodhuese në termocentralet Kosova A dhe B, do të duhej të investoheshin rreth 200 milionë euro, por asnjëri nga dy projektet nuk ka nisur.

    Për këtë gjendje, sipas Kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, fajin e ka qeverisja aktuale.

    “Krejt kjo po pason në xhepin e qytetarëve, ata që po dëmtohen financiarisht janë qytetarët, vjetërsia e tyre dihet, defekte të tilla janë të pritshme, kjo qeveri ka dështuar në realizimin e mirëmbajtjes apo investimeve në termocentrale…”, tha Shala.

    Megjithatë, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, KEK-u nuk dha detaje për arsyet e ndaljes së prodhimit e as se kur pritet të kthehet në prodhim njësia B2.

  • Asnjë rast i dhunës në familje s’u dënua maksimalisht në Kosovë

    Asnjë rast i dhunës në familje s’u dënua maksimalisht në Kosovë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kodi penal parasheh dënimin maksimal prej 3 vjetësh për ata që ushtrojnë dhunë në familje.

    Por, deri më tani në Kosovë asnjë rast i tillë nuk është dënuar me kaq vjet burgim.

    Bazuar në këtë, në drejtim të institucioneve të drejtësisë u adresuan disa kritika e kërkesa.

    “Edhe sot më duhet me zë të lartë të thërras institucionet që të adresojnë përgjegjësitë që kanë, të mos i neglizhojnë rastet e dhunës në familje dhe që të marrin veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi, në raport me këto raste”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ndërkohë, derisa foli për programin kombëtar për kryerësit e Dhunës ndaj Grave të hartuar nga MD-ja, Haxhiu theksoi se janë trajnuar 15 profesionistë, ndërkaq ky program mori lëvdata nga zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.

    “Mangësi që është vërejtur gjatë pilotimit është kohëzgjatja e ulët e dënimeve, pra dënimet e ulëta kanë bërë që gjatë kohës sa të dënuarit kanë qenë duke e ndjekur këtë program, kanë përfunduar dënimet e tyre dhe mendoj se kjo ka sjellë situatën që ata është dashur ta ndërpresin këtë program. Programi kombëtar për kryesit e dhunës ndaj grave nuk është përgjegjësi të zbatohet vetëm nga MD-ja. Fillimi i zbatimit efektiv nis pikërisht atëherë kur prokurori ose gjyqtari e integrojnë programin si pjesë të dënimit dhe kryesve të dhunës, duke e mbajtur përgjegjës për krimin e bërë dhe duke i dhënë dënimin e merituar”, tha Haxhiu.

    “Është një program psiko-social që i mban kryesit përgjegjës për krimet që kanë kryer dhe i mëson ata që t’i ndalin këto sjellje të dhunshme dhe të ndërtojnë raporte të respektit të ndërsjellët. E shoh përkushtim tuaj për vlerat tona të përbashkëta dhe luftën kundër dhunës gjinore dhe grave dhe është privilegj të punojmë për ju…”, tha Tabkut Soykan, zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës.

    Në nëntor të vitit 2023, ministria e Drejtësisë ka lansuar “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili u pilotua në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 6 muaj.

  • Dyshohet se pranuan ryshfet për paisje me patentë shofer, arrestohen nënë e bir

    Dyshohet se pranuan ryshfet për paisje me patentë shofer, arrestohen nënë e bir

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nënë e bir, dyshohet se pranuan ryshfet nga dy kandidatë të cilët deshën të pajisen me leje të kategorisë B dhe C, pa iu nënshtruar fare testit teorik e as atij të vozitjes, për çka u arrestuan nga Policia e Kosovës.

    Si rrjedhojë autoshkolla, me pronarë të Kaçanikut që operon edhe në Komunën e Hanit të Elezit, u mbyll, por, njësoj nuk u veprua me selinë kryesore.

    Dy të arrestuarit dyshohen për dy vepra penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.

    Ndërsa, me qëllim që të zbardhet rasti, policia mblodhi edhe dëshmi të tjera.

    “Dy (2) telefona mobilë; Regjistratorë-libra – gjithsej pesë (5); Fletore regjistrimi; fletore interne dhe xhepi – gjithsej shtatë (7); Gjashtëdhjetekatër (64) dosje origjinale të kandidatëve; Njëzetenjë (21) certifikata mjekësore të shoferëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    E arrestuara H. S. është drejtoreshë e Kulturës në komunën e Kaçanikut dhe deri në një vendim të gjykatës, Komuna nuk do të ndërmarrë masa.

  • Mes status quo-së dhe njohjes, ndikimi i Trumpit në dialogun Kosovë-Serbi

    Mes status quo-së dhe njohjes, ndikimi i Trumpit në dialogun Kosovë-Serbi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Varësisht vëmendjes dhe përkushtimit të presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në vlerësimin e opinionistëve ky proces mund të gjendet mes një “status quo”-je të re dhe një zgjidhjeje eventuale.

    Duke përmendur rrethanat në të cilat ndodhet Kosova dhe pafuqinë e BE-së për të çuar e vetme procesin përpara, sipas Bekim Kabashit, kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, në një fazë fillestare mund të ketë ndikim negativ në dialog.

    “Kosova tash po hyn në një fazë të re kur është nën sanksione të BE-së, në një pasiguri të madhe në hapat integrues drejt BE-së dhe NATO-s, një humbje e madhe, e jashtëzakonshme, e një mundësie siç ka qenë ajo e anëtarësimit në Këshillin e Evropës – gjë për të cilin tanimë nuk mund të shpresojmë se mund të ndodhë, sepse ka divergjenca brenda partnerëve perëndimorë. SHBA-ja të mos flasim, tash është e pasigurt se si do të jenë këto raporte dhe se ku do të fokusohet SHBA-ja, presidenti Trump”, tha gazetari Bekim Kabashi.

    Duke përmendur se fokusi i Trumpit mund të jetë në zhvillime më të mëdha gjeo-politike, megjithatë Kabashi sheh një mundësi për lëvizje.

    “Ajo çfarë mund ta shpëtojë dhe ndihmojë Kosovën është, nëse interesi i arritjes së paqes me Kosovës dhe Serbisë lidhet me ndonjë interes gjeopolitik – e që është e mundshme. Kjo është përfundimi i luftës në Ukrainë. Nëse mund të ndërlidhet diçka me atje, atëherë Kosova dhe Serbisë do t’i bëhet presion për të shtyrë procesin e paqes. Përndryshe do të vazhdojmë kështu edhe për një periudhë të gjatë”, shtoi Kabashi.

    Derisa në fillim pret një rishikim të gjendjes në terren në raport me ujditë e Brukselit, atë të Uashingtonit, profesori Dritëro Arfi tha se normalizimi Kosovë-Serbi, me kompromise, mund të shihet si sukses i parë i Trump në politikën e jashtme.

    “Nëse Kosovën dhe Serbinë nuk mund ta zgjidhësh, Ukraina, Lindja e Mesme dhe Kina janë kafshata jashtëzakonisht të mëdha. Pra duke filluar nga hapet e vegjël dhe sukseset e vogla, mund të determinohet edhe suksesi i madh. Shpresoj që ndoshta kjo është logjika që administrata e re e Trump mund ta ndërtojë në Kosovë dhe në Serbi. Dhe, të mos befasohemi në shumë sesa këto marrëveshje, nuk përjashtohet as njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Arfi.

    Gjatë mandatit të Joe Biden, Kosova dhe Serbia nën lehtësimin e BE-së u dakorduan për marrëveshjen bazë dhe shtojcën, por pa ecur me zbatim.

    Paraprakisht, në fund të mandatit të parë të Trump, më 4 Shtator 2020, Kosova dhe Serbia u dakorduan për një listë zotimesh në Shtëpinë e Bardhë.