ATV

Author: ATVLive

  • “Financial Times”: Asadi dërgoi 250 milionë dollarë para të gatshme në Rusi

    “Financial Times”: Asadi dërgoi 250 milionë dollarë para të gatshme në Rusi

    Sipas të dhënave të zbuluara nga “Financial Times”, regjimi i rrëzuar i Bashar al-Asadit në Siri dërgoi me avion rreth 250 milionë dollarë para të gatshme në Moskë midis viteve 2018-2019, mes përshkallëzimit të sanksioneve perëndimore dhe thellimit të varësisë financiare nga Rusia për mbështetje ushtarake dhe ekonomike, transmeton Anadolu.

    Dokumentet e marra nga e përditshmja britanike zbulojnë se Banka Qendrore e Sirisë dërgoi dërgesa me dollarë dhe euro, që peshonin gati dy tonë, në aeroportin “Vnukovo” të Moskës. Këto fonde u depozituan në bankat ruse të sanksionuara nga SHBA-ja.

    Transferimet erdhën gjatë një periudhe kur Siria, duke luftuar me rezervat e huaja të pakta, mbështetej shumë në mbështetjen ushtarake ruse, përfshirë mbështetjen nga Grupi “Wagner”.

    “Regjimit do t’i duhej t’i nxirrte paratë jashtë vendit në një strehë të sigurt për të qenë në gjendje t’i përdorë ato për të siguruar jetesën e bukur për regjimin dhe rrethin e tij të ngushtë”, tha David Schenker, ish-ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt.

    Paratë e Sirisë u përdorën për qëllime të ndryshme, përfshirë pagesat për grurin, shpenzimet ushtarake dhe shërbimet e shtypjes së parave në Rusi.

    Një burim i njohur me transaksionet tha: “Kur një vend është plotësisht i rrethuar dhe i sanksionuar, ata kanë vetëm para të gatshme”.

    – Rrethi i brendshëm i Asadit e dërgoi pasurinë në Rusi

    Hetimi i “Financial Times” thekson gjithashtu se si familja dhe bashkëpunëtorët e Asadit transferuan asetet në Rusi.

    Që nga viti 2013, të afërmit e Asadit blenë të paktën 20 apartamente luksoze në Moskë duke përdorur marrëveshje të ndërlikuara financiare.

    Eyad Hamid, një studiues i lartë në Programin e Zhvillimit Ligjor Sirian, tha: “Rusia ka qenë një strehë për financat e regjimit të Asadit për vite me radhë”, duke nënvizuar rolin e saj si një qendër për shmangien e sanksioneve.

    Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar regjimin e Asadit për korrupsion të përhapur dhe aktivitet kriminal për të financuar luftën e tij. Thesari i SHBA-së ka sanksionuar shumë subjekte siriane dhe ruse të përfshira në lehtësimin e këtyre transfertave të parave.

    Malik al-Abdeh, një analist sirian tha se “Shteti sirian mund të ketë paguar shtetin rus për një ndërhyrje ushtarake”.

    Këto zbulime hedhin dritë mbi mënyrën sesi regjimi i Asadit e mbajti veten financiarisht gjatë luftës shkatërruese civile të Sirisë ndërsa sanksionet perëndimore e shtynë atë më tej në orbitën e Moskës.

    Asadi, i cili sundoi Sirinë me një grusht të hekurt për gati 25 vjet, u arratis në Rusi më 8 dhjetor pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut.

    Kjo erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham (HTS) pushtuan qytetet kryesore në të gjithë vendin, në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.

  • FSK mbanë ligjëratë me nxënës për rrezikun nga mjetet piroteknike

    FSK mbanë ligjëratë me nxënës për rrezikun nga mjetet piroteknike

    Në kuadër të aktiviteteve vjetore, Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, po mban ligjërata rreth “Rrezikut nga mjetet piroteknike” me nxënës të Shkollave të Mesme të Ulëta në Republikën e Kosovës.

    Ekipet trajnuese të Deminimit të FSK-së, sipas një njoftimi, kanë për qëllim vetëdijesimin e nxënësve për rrezikun që mund të shkaktojnë mjetet piroteknike gjatë përdorimit të tyre, veçanërisht tani në prag të festave të fundvitit.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar në ngritjen e nivelit të sigurisë në të gjitha fushat, me këtë rast kërkon bashkëpunim me prindërit në mënyrë që të zvogëlojmë incidentet që mund të shkaktohen gjatë përdorimit të këtyre mjeteve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • ​Pozitë e opozitë komentojnë emërimin e Grenell si i dërguar presidencial për misione speciale

    ​Pozitë e opozitë komentojnë emërimin e Grenell si i dërguar presidencial për misione speciale

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donal Trump ka emëruar Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione speciale. Opozita në Kosovë kanë komentuar një gjë të tillë, duke thënë se pushteti tashmë ka dëmtuar relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, tha se vendimet e presidentit të zgjedhur duhet të shihen si hap para drejt bashkëpunimit.

    “Natyrisht që vendimet e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës raport me politikën dhe gjeo-strategjinë janë vendime që duhet shikuar hapat përpara në frymën e bashkëpunimit e jo në frymën e kundërshtisë. Mendoj që situata është dramatikisht më ndryshe në terren në Republikën e Kosovës me atë çfarë ka qenë në vitin 2020 dhe me marrëveshje të cilën janë arritur që ne prapë edhe sot e asaj dite vlerësojmë se ka mundur të ketë pasoja në veçanti për shembull ndarja apo menaxhimi i Liqenit të Ujmanit me Serbinë. Që e konsiderojmë dhe e kemi konsideruar edhe në atë kohë që është një cenim i sovranitetit të Republikës së Kosovës për projekt dhe për infrastrukturë vitale, të cilën Kosova dhe qytetarët e saj në sistemin e kaluar kanë paguar dhe e kanë në pronësi”, deklaroi jo.

    Shefi i Grupit Parlamentar te PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar zgjedhjen e Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme.

    “Unë besoj që Republika e Kosovës do të ketë një qeveri të re, një kryeministër të ri, siç është Bedri Hamza, i cili i ka dyert e hapura edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në State Departament. Dhe unë besoj shumë që Kosovës po i hapet një perspektivë e re edhe në raport me ShBA-të. Këta që tashmë po shkojnë kanë qenë jashtëzakonisht të papjekur, e kanë dëmtuar agjendën shumë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Tahiri.

    Sa i përket deklarimeve të pozitës pas dorëzimit në Kushtetuese të dhjetëra ligjeve, Tahiri deklaroi se pushteti është nën masa dhe nuk i pyet askush.

    “Ky pushtet i sanksionuar me i thënë këto është e palogjikshme, këta janë të sanksionuar. Ju imagjinoni prej qershorit të vitit 2023 ky është një pushtet i sanksionuar, janë nën masa, janë nën sanksione. Çfarë kuptimi ka agjenda ndërkombëtare. Janë vetëm figura, këta nuk t’i pyet askush për asgjë dhe janë krejt të pa rëndësishëm. Këtu vetëm një e mirë është që jemi në prag të zgjedhjeve dhe qeveria do ta ketë një kryeministër të ri, siç është Bedri Hamza”, përfundoi ai.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se emërimi i Grenell është vendim sovran i shtetit tjetër.

    “Është vendim sovran i shtetit tjetër nuk kemi çka…normalisht që do të bashkëpunojmë me këdo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e caktojnë si përfaqësues të tyre për ndërmjetësimin e krizave nëse konsiderohet problemi në Ballkanin Perëndimor si problem krizash që hyn në fushëveprimtarinë e tij. Nuk jemi ne ata që përcaktojmë se kush do të jetë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

    Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj akuzoi pushtetin për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Zyrtarët amerikan kanë thënë se ne nuk kemi raporte me këtë qeveri, e kanë sanksionuar këtë qeveri dhe kemi raporte të mira me popullin e Kosovës. Besoj që do të vazhdojnë në këtë drejtim sepse për herë të parë në histori ka ndodhur që shqiptarët dhe gjithë ata ushtarët e facebook -ut të LVV-së i kanë atakuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i kemi aleatët kryesor, aleatë trandicional”, përfundoi deputetja e AAK-së. /kp

  • ​S’ka gjobë për Kurtin, arsyetohet mosparaqitja e tij në Prokurorinë Speciale

    ​S’ka gjobë për Kurtin, arsyetohet mosparaqitja e tij në Prokurorinë Speciale

    Prokuroria Speciale e Kosovës e ka arsyetuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti i cili nuk u paraqit sot për të dëshmuar në një rast penal. Ndaj tij nuk do të pasojë gjobë pasi që mos-paraqitja e tij u tha se u bë për shkak se ai ishte në një udhëtim jashtë vendit – të planifikuar më herët.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi tha se paraditen e së hënës janë njoftuar se kryeministri e ka të pamundur paraqitjen në këtë institucion. Ajo tha se do të përgatitet një tjetër ftesë për Kurtin.

    Sipas hulumtuesit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, nuk ka ndonjë afat specifik se kur duhet të bëhet ftesa e radhës për intervistim.

    “I mbetet në vlerësim prokurorëve të rastit që të përcaktojnë datën e radhës duke u bazuar në agjendën e tyre në punën e tyre të përditshme. Nuk ka ndonjë afat specifik si në rastin konkret”, shprehet ai.

    Shala thotë se shqiptimi i gjobës nuk aplikohet në rastet kur prokuroria e pranon si të arsyeshme mungesën.

    “Arsyet e dhëna në rastin konkret duket se i ka akceptuar si të pranueshme edhe Prokurori i Shtetit, dhe në këtë situatë përderisa vlerësohet se një mungesë dhe një mos paraqitje është e arsyeshme edhe nuk vije në shprehje çështja e shqiptimit të gjobave. Ndërsa, në situatën kur mos paraqitja nuk është e arsyetuar dhe arsyet nuk janë të pranueshme për Prokurorin e Shtetit, atëherë janë të përcaktuara edhe masat në Kodin e Procedurës Penale, është fillimisht gjobitja në vlerë prej 250 eurove, dhe pastaj nëse përkundër gjobitjes nuk paraqitet apo refuzon të dëshmojë, Kodi ka përcaktuar situatat që mund të burgoset, por derisa të përfundojë procedura, por më se shumti kjo burgosje mund të zgjatë 1 muaj”, thotë Shala.

    Sipas Shalës, nëse Kurti nuk ka asgjë për të fshehur, ftesa për të dëshmuar nuk duhet të shihet problematike.

    “Vetë kjo ftesë për nga natyra e saj nuk ka asgjë problematike, thjesht kryeministri ftohet që të dëshmojë për një rast të caktuar dhe ftohet në cilësinë e dëshmitarit, ka raste kur një person nga cilësia e dëshmitarit përkundër që kur një person nga cilësia e dëshmitarit gjatë procedurës i ndryshohet cilësia në të pandehur. Mirëpo, nëse një kryeministri i vendit nuk ka thjesht asgjë për ta fshehur, nuk duhet ta sheh asgjë problematike thjesht ftesën për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Duhet ta shoh si diçka shumë normale…akuzat e tilla nuk është se janë diçka të mbështetura në gjendjen faktike, për shkak se konsiderohet të jetë thjesht një proces normal”, shprehet Shala.

    Pas deklarimit të Prokurorisë Speciale, nga Qeveria e Kosovës thanë se Kurti ka shprehur gatishmërinë “t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

    Nga Zyra e tij thanë se ai është jashtë vendit në “një agjendë të konfirmuar kohë më parë”./kp

  • “Nëse edhe unë vdes si pasojë e korrupsionit, politizoni vdekjen time”, studentët në Serbi bllokuan edhe sot trafikun

    “Nëse edhe unë vdes si pasojë e korrupsionit, politizoni vdekjen time”, studentët në Serbi bllokuan edhe sot trafikun

    Në shenjë solidariteti me 15 viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, studentët e Fakultetit të Organizimit dhe të Fakultetit të Shkencave Politike në Serbi kanë bllokuar për 15 minuta bulevardin Oslobogjenje.

    Nga të dyja anët u formuan kolona makinash, por aksioni kaloi pa incidente, shkruan danas, tarnsmeton KosovaPress.

    Qarkullimi është ndërprerë në Bulevardin e Oslobogjenje dhe para Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, ku edhe studentët kanë bërë nderime për viktimat në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

    Studentët e Fakultetit të Bujqësisë në Zemun kanë bllokuar trafikun në rrugën Nikolaj Ostrovski, duke nderuar viktimat e rënies së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

    Për dallim nga e diela, kur një vozitës hyri me veturën e tij në mes të studentëve, sot nuk ka pasur incidente apo provokime, sepse policia rrugore e ka bllokuar hyrjen në atë rrugë nga të dy anët – nga sheshi Avijatiqari dhe nga rruga 22 Tetori.

    Bllokada, ku morën pjesë rreth 200 studentë dhe aktivistë u zhvillua në heshtje absolute, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta ku ndër të tjera shkruhej: “Nëse edhe unë vdes si pasojë e korrupsionit, politizoni vdekjen time”, “Egjrat mbijetojnë në një kopsht të lënë pas dore si padrejtësia në gjendje të lënë pas dore”, “Po mbillni përralla, korrni padrejtësi”.

    Në pankarta shkruhej edhe “Jeta nuk është lojë, na ka zënë qeveria e kalbur”, “Jetët nuk janë sanë, nuk duhet t’i shkelim”, “Si mbjell, ashtu korr”, “Mbillni pakujdesi, korrni humbje”, “Në vendin e fshatarëve, përralla e përgjakshme vazhdon ende”.

    Kujtojmë se për shkak të mungesës së përgjegjësisë penale për tragjedinë në Novi Sad dhe dhunës ndaj studentëve gjatë protestave, i gjithë Universiteti i Beogradit është aktualisht në bllokadë, si dhe të gjitha fakultetet në Novi Sad.

    Studentët në Serbi që nga fundi i nëntorit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën socio-politike në vend. Ata kanë bllokuar fakultetet, ku aktualisht janë të bllokuara mbi 40 sosh.

    Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeveritarë serbë i kanë akuzuar studentët se po përpiqen të rrëzojnë pushtetin, duke i quajtur “mercenarë të huaj” e “rrugaçë”.

  • Bashar al Assad deklarohet për herë të parë që nga rënia e regjimit

    Bashar al Assad deklarohet për herë të parë që nga rënia e regjimit

    Ish-lideri sirian, Bashar al Assad ka lëshuar deklaratën e tij të parë që nga rënia e regjimit të tij.

    Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se kishte planifikuar të vazhdonte të luftonte forcat rebele përpara se Rusia ta evakuonte.

    Komentet, të parat në publik që nga përmbysja e regjimit të tij më shumë se një javë më parë, u bënë në kanalin Telegram të presidencës siriane, shkruan SkyNews.

    Deklarata thoshte se ai u largua nga Damasku për në Rusi më 8 dhjetor – “një ditë pas rënies” së regjimit, duke shtuar: “Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk e kam konsideruar dorëheqjen apo kërkimin e refugjatit. E vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist”.

    Në fund të deklaratës përmendet “shpresa që Siria do të jetë edhe një herë e lirë dhe e pavarur”.

  • ​Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit

    ​Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit

    Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e ish zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, i cili pak ditë më parë u fut në Listën e Zezë amerikane për korrupsion. Aksioni, ka të bëjë me furnizimin e VLT aparateve në Lotarinë Shtetërore në vlerë mbi 10 milionë euro. Megjithatë, Grubi, nuk është gjetur në shtëpi, ndërkaq sipas njoftimit të tij në Facebook ai ka udhëtuar jashtë shtetit për vizitë private dhe sapo të kryejë obligimet do të rikthehet në Shkup. Bastisje është kryer edhe në shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami njeriut të afërt të Grubit. Por, edhe ai nuk është gjetur në shtëpi, ndërkaq janë gjetur shumë e konsiderueshme e parave. Jozyrtarisht, flitet se Bajrami ndodhet në Kosovë. Njoftohet se bastisje janë kryer në gjithsej nëntë adresa, përfshirë edhe anëtarët e Komisionit për Furnizime Publike në Lotarinë Shtetërore.

    Lotaria Shtetërore është llogaritur nga përfaqësuesit e partive qeveritare si një nga institucionet e dyshuara për keqpërdorime të shumta financiare, gjatë kohës derisa me të ka udhëhequr Bajrami, apo njeriu i afërt Grubit, i cili u bë “non-grata” për SHBA-në për marrje të ryshfetit me qëllim që ta shpëtojë ish Shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov nga lëndët gjyqësore. Hetohen, tenderët e dyshimtë në Lotarinë Shtetërore që i kanë fituar kompani të afërta me BDI-në.

    Sipas raportimeve në media, Lotaria Shtetërore ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Hej” për marrjen me qira të ish restorantit Festina në Vizbeg , në të cilin janë ruajtur terminalet e lojërave të fatit të blera në vlerën e 19 milionë eurove. Marrëveshja e firmosur për 10 vjet, peshonte 2.6 milionë euro, përkatësisht 21.000 euro në muaj. Kjo kompani është e njohur në opinion, pasi në krye të saj kanë qenë njerëz të afërt apo të lidhur me familjen e Grubit dhe ish deputetit Jahoski.

    Megjithatë, Qeveria në shtator e prishi marrëveshjen, pasi siç tha edhe vetë kryeministri Hristijan Mickoski, Lotaria Shtetërore i paguante kompanisë qira që ishte trefish më e lartë nga ajo që e përcakton tregu. Ai theksoi se kontrata e prishur është bazë për përgjegjësi penale dhe se ekzistojnë dyshime serioze për kriminalitet nga pushteti i kaluar.

    Gjithashtu, po hetohet edhe dokumentacioni që ka të bëjë me shpalljet e realizuara, tenderët, kontratat e lidhura dhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues për prokurimet publike. Nën hetim është edhe themelimi i tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vezuv” dhe “Mozzart”.

    Në këto shoqëri, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë, ndërsa shoqëritë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, bashkëpronarë, kanë 49%. Për këto tri subjekte të reja, shumica parlamentare VMRO-DPMNE-VLEN paraqiti në fillim të korrikut edhe një kërkesë për interpretim autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit, duke konsideruar se themelimi i tyre është i paligjshëm dhe se ato duhet të mbyllen. Pasi Kuvendi dha interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për Lojërat e Fatit, më 27 shtator Qeveria i mbylli katër platformat e kazinove online për shkak të parregullsive në punë, lëshime dhe dyshime të bazuara për punë të paligjshme./Alsat.mk

  • Autoritetet franceze kanë frikë se cikloni Chido mund të lërë rreth 1 mijë te vdekur

    Autoritetet franceze kanë frikë se cikloni Chido mund të lërë rreth 1 mijë te vdekur

    Autoritetet lokale në ishullin përtej detit Mayotte të Francës kanë frikë se cikloni Chido mund të lërë gati 1 mijë të vdekur.

    Prefekti i Majotit, Francois-Xavier Bieuville i tha transmetuesit Mayotte La 1ere se mund të kishte disa qindra vdekje, “mbase do t’i afroheshim 1 mijë”.

    Ai theksoi se numërimi i viktimave në njerëz ishte i vështirë, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Stuhia e fuqishme, e cila goditi ishullin e Oqeanit Indian të shtunën, solli shira të rrëmbyeshëm dhe erëra që kaluan 200 kilometra në orë (124 milje në orë), sipas policisë.

    Lagje të tëra janë rrafshuar dhe infrastruktura kryesore ka pësuar dëme të konsiderueshme.

    Pasi u hoq alarmi i kuq, ekipet e shpëtimit nxituan në zonat e shkatërruara për të shpëtuar të mbijetuarit e mundshëm dhe për të gjetur trupa, por disa zona mbeten ende të paarritshme, sipas transmetuesit francez BFMTV.

    Presidenti Emmanuel Macron do të mbledhë një takim krize në Ministrinë e Brendshme të hënën në mbrëmje për të diskutuar situatën në rajonin më të varfër të vendit.

    Ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu tha të dielën në X se një urë ajrore u krijua midis Mayotte dhe territorit tjetër jashtë shtetit të Francës në të njëjtin rajon, ishullin Reunion, që ndodhet në lindje të Madagaskarit.

  • ​Mos-paraqitja e Kurtit në Prokurori, opozita: Mesazh dhe sinjal i gabuar për qytetarët

    ​Mos-paraqitja e Kurtit në Prokurori, opozita: Mesazh dhe sinjal i gabuar për qytetarët

    Opozita ka komentuar mos-paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale. Partitë opozitare kanë deklaruar se ky veprim është mesazh dhe sinjal i keq për qytetarët e Kosovës për anashkalim të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të vendit. Kryeministri Kurti nuk u paraqit sot në Prokurorinë Speciale ku ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se Kushtetuta ka përcaktuar pushtetet e ndara.

    “Në radhë të parë është një mesazh i keq për qytetarët e Kosovës, në këtë rast për mënyrën se si e trajton organin e akuzës. Dhe mendoj që ashtu siç e ka përcaktuar edhe Kushtetuta, pushtetet janë të ndara. Në këtë rast gjithkush duhet ta kryejë punën e vet, organi i akuzës është pikërisht për të mos lejuar që të ndodhin keqpërdorimet dhe për të luftuar dukuritë negative. Kryeministri është për të zhvilluar vendin, për ta qeverisur vendin. Janë dy institucione të ndara, në këtë rast organi i akuzës me siguri ka diçka që i duhet kryeministri qoftë në cilësinë e dëshmitarit, qoftë në cilësinë e të dyshuarit.

    Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi theksoi se mos-paraqitja e Kurtit për të dëshmuar është sinjal i gabuar.

    “Sinjali që dërgohet është sinjal i gabuar. Qytetarëve të Kosovës ju dërgohet sinjali nga kryeministri që ata mund të anashkalojnë Gjykatën dhe Prokurorinë dhe ky është një model i sjelljes në Lëvizjen Vetëvendosje. Modeli i sjelljes në argumentin se në të gjitha rastet kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vet kryeministri kanë qenë të akuzuar për dhunën që kanë ushtruar brenda institucioneve të Kosovës dhe jashtë tij, i kanë tejzgjatur rastet duke i çuar në parashtrim dhe ky po ashtu është një sinjal i gabuar për qytetarët e Kosovës ku drejtësia nuk është dhënë por është parashkruar rasti. Pra, janë vonuar mbi shtatë vite rastet dhe ky është një dëmtim i sistemit të demokracisë”, deklaroi Gashi.

    Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë që të mirëpresë prokurorët në zyrën e tij, për çka Gashi e ka kritikuar këtë veprim.

    “Hala më keq, hala më keq se thirret prokurori dhe epërsia politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin, në këtë rast mbi prokurorinë është e papranueshme. Është koncept i gabuar, koncepti i sjelljes së tij është i gabuar dhe nënkupton këndvështrimin e vlerësimin e kryeministrit dhe njerëzve të tij për drejtësinë”, shtoi Gashi.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj tha se “askush nuk është mbi ligjin”.

    “As zotëri Albin Kurti nuk është mbi ligjin dhe vet deklaratat e tyre se po ftohen në kohë zgjedhjeve kryeministri Albin Kurti që të paraqitet për të dëshmuar, nuk qëndrojnë sepse kemi qenë edhe ne deputetë që kemi pasur ftesa nga Gjykata Speciale për shkak të gazit lotsjellës dhe ju kemi përgjigjur sepse duhet t’i respektojmë organet e drejtësisë”, përfundoi ajo.

    Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti është pritur për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale por, zyra e kryeministrit e ka njoftuar Prokurorinë Speciale se shefi i ekzekutivit, ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe nuk mund të paraqitet.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress, tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë./kp

  • Maliqi publikon të dhënat e sondazhit: Kosovarët, u besojnë mediave tradicionale vendase më shumë se vendet në rajon

    Maliqi publikon të dhënat e sondazhit: Kosovarët, u besojnë mediave tradicionale vendase më shumë se vendet në rajon

    Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi i është referuar një sondazhi të ri rajonal të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që e vendos Kosovën në vendin e parë në rajon sa i përket besimit të qytetarëve në media.

    Ai publikoi në Facebook të dhënat që tregojnë se në Kosovë, më shumë sesa kudo në Ballkanin Perëndimor, qytetarët besojnë se mediat tradicionale vendase janë neutrale.

    “E shkëputa këtë të dhënë nga sondazhi i ri rajonal i RCC. Besimi i qytetarëve në media në rajon është shumë i ulët. Por vlen të theksohet si pozitive se në Kosovë megjithatë përqindja e atyre që besojnë se mediat tradicionale vendase janë neutrale është më e larta në rajon (42%). Shqipëria e ka përqindjen më të lartë të perceptimit të anshmërisë (64%). Ndërsa Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi prijnë për nga perceptimet e dezinformimit (30-32%)”, shkroi Maliqi.