ATV

Author: ATVLive

  • Ministrat Maqedonci, Nagavci dhe Haxhiu sot me konferencat e fundit për sivjet

    Ministrat Maqedonci, Nagavci dhe Haxhiu sot me konferencat e fundit për sivjet

    Ministrat sot do t’i mbajnë konferencat e tyre të fundit për vitin 2024.

    Nga ora 10:00, para mediave do të paraqitet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do ta mbajë konferencën e e fundit për media për sivjet nga ora 12:00.

    Në ora 14:00 do të mbajë konferencë për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

  • Zyrtarët amerikanë i bëjnë homazhe Jimmy Carter

    Zyrtarët amerikanë i bëjnë homazhe Jimmy Carter

    Politikanë të shumtë, përfshirë presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe presidentin e sapozgjedhur Donald Trump, bënë homazhe për ish-presidentin amerikan Jimmy Carter, i cili vdiq dje në Gjeorgji, në moshën 101-vjeçare.

    Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden e quajtën Carter një “udhëheqës të jashtëzakonshëm, burrë shteti dhe humanitar” si dhe një “mik të dashur”, raportoi Sky News. “Por ajo që është e jashtëzakonshme për Jimmy Carter është se miliona njerëz në të gjithë Amerikën dhe botën, të cilët nuk e kanë takuar kurrë, e mendojnë atë si një mik të dashur,” thanë Joe dhe Jill Biden në një deklaratë për vdekjen e Carter.

    Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, tha se “sfidat me të cilat është përballur Jimmy si president kanë ardhur në një moment vendimtar” për SHBA-në dhe se ai “ka bërë gjithçka në fuqinë e tij për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanët”. “Ne i detyrohemi atij falënderimi për këtë”, tha Trump. Ish-presidenti i SHBA Bill Clinton, i cili punoi me Jimmy Carter pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, dhe gruaja e tij Hillary Clinton thanë se Carter “jetoi për t’u shërbyer të tjerëve – deri në fund“. Jimmy Carter, presidenti i 39-të dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, vdiq sonte në moshën 101-vjeçare në shtëpinë e tij në Plains, Georgia, djali i tij James E. Carter III, pa specifikuar shkakun e saktë të vdekjes./abcnews.al

  • Sot inaugurohet Laboratori i Forenzikës

    Sot inaugurohet Laboratori i Forenzikës

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë inauguron sot Laboratorin e Forenzikës.

    Në këtë ngjarje marrin pjesë e para e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Ngjarja fillon nga ora 14:00 në Agjencinë e Forenzikës.

  • ​Osmani e Kurti shprehin ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit të SHBA-së, Jimmy Carter

    ​Osmani e Kurti shprehin ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit të SHBA-së, Jimmy Carter

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter.

    Presidentja Osmani tha se presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi.

    “Presidenti Carter i tregoi botës se udhëheqja ka të bëjë me shërbimin, dhembshurinë dhe një besim të palëkundur te njerëzimi. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të të gjithëve. Ne e mbajmë familjen e tij në mendimet tona ndërsa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, ka shkruar Osmani në X.

    Edhe kryeministri Kurti duke i shprehur ngushëllime familjes dhe popullit amerikan në emër të qeverisë, tha se presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej.

    “Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së presidentit Jimmy Carter dhe popullit amerikan për ditën e ndarjes nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij modeste në një familje të klasës punëtore në Plains, Georgia, Presidenti Carter i lë botës një trashëgimi të madhe shërbimi për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. U preftë në paqe”, ka shkruar Kurti në X.

    Ish-presidenti amerikan dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Jimmy Carter vdiq në moshën 100-vjeçare, njoftuan mediat amerikane.

    Demokrati Carter shërbeu si presidenti i 39-të i SHBA nga 1977 deri në 1981.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti më 30 dhjetor do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta.

    Sipas institutit, në mëngjes do të ketë ngrica dhe kushte për mjegull.

    “Temperaturat minimale ndërmjet -7 deri -3°C, ndërsa maksimale 3-7°C. Do të fryjë erë e lehtë nga verilindja”, thuhet në njoftim.

  • ​Fjalët e fundit të Fishtës

    ​Fjalët e fundit të Fishtës

    Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

    Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

    Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

    Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vet me fjalët: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

    Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

    Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

    Gjergj Fishta u lind në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik.

    Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

    Krijimtaria artistike

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

    Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

    Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimi i papërsëritshëm i përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homeri i Shqipërisë”.

    Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

    Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tri vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”. Më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

    Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve.

    Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

    Aktiviteti i tij patriotik

    Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

    Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

    U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

    Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të dendura politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në vitin 1937.

  • ​Sot Dita e Veteranit

    ​Sot Dita e Veteranit

    Sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

    Kjo ditë sjell në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, aty ku nisi rruga e lirisë.

    Në këtë ditë kujtohet deri në përjetësi Prekazi, Gllogjani e të gjitha vatrat e luftës, që i rezistuan makinerisë ushtarake serbe duke mos u përkulur deri në fitore.

  • Gjendja në pikat kufitare

    Gjendja në pikat kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi fluksin në kufi.

    Aktualisht nuk ka pritje më shumë se 5 minuta për të hyrë e për të dalë nga Kosova në asnjë nga pikat kufitare.

  • 33 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

    33 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

    Sot mbushen 33 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

    33 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

    Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

  • Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, mban konferencë për media

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, mban konferencë për media

    Sot kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për media.

    Konferenca do të nisë në ora 13:00 dhe do të mbahet në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.Tema e diskutimit nuk është bërë e njohur në këtë komunikatë.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për medie. (Objekti i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, rr. “Luan Haradinaj”).