ATV

Author: ATVLive

  • ​Mungesa e rrymës, Haliti: Është kthyer terri pas 25 viteve, e papranueshme

    ​Mungesa e rrymës, Haliti: Është kthyer terri pas 25 viteve, e papranueshme

    Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti deklaroi se është e papranueshme ndërprerja e energjisë elektrike në këtë kohë dimri, ku temperaturat kanë filluar të bien me të madhe.

    Për KosovaPress, Haliti derisa thotë se është kthyer terri pas 25 viteve, thekson se me ndërprerjen e rrymës janë shtuar problemet në qytet që lidhen edhe me funksionimin e emergjencës. Porse, nënvizon se para se të gjithash ka problematikë në funksionimin elementar të shtetit.

    “Është kthyer terri pas 25 viteve. 2024/2025 ndërrimi i motomoteve është afruar dhe është kthyer terri. Është e papranueshme mërgata me ardhë dhe mos me pas energji elektrike. Është e papranueshme këto ditë të ftohta, ku kanë filluar të zbresin shumë, të kthehet terri. Prandaj, kemi problematika edhe në qytet, emergjencë, kemi problematika në funksionim elementar të shtetit”, thotë Haliti.

    Gjatë ditëve të fundit shumë zona të vendit kanë mbetur në terr për orë të tëra. KOSTT dhe KEDS kanë raportuar për rritje enorme të konsumit me uljen e temperaturave deri në 1400 MW në orë dhe mbingarkesë në sistem, andaj është bërë thirrje për kursim. Ndërkohë nuk kanë munguar protestat e qytetarëve në shenjë pakënaqësie.

  • Kritikat për ndeshjen Rumani-Kosovë, Ademi ka një përgjigje për Lorik Canën

    Kritikat për ndeshjen Rumani-Kosovë, Ademi ka një përgjigje për Lorik Canën

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është kthyer të flas edhe njëherë për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës e cila u ndërpre në minutat shtesë të saj për shkak të fyerjeve dhe ofendimeve që tifozët vendas i bënë kundër futbollistëve të Kosovës.

    Vendimi për ta lënë ndeshjen pak para përfundimit të saj u kritikua nga shumë njohës të futbollit por edhe ish-futbollist, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana. Ky i fundit në një intervistë për KosovaPress kishte ngritur dyshime nëse futbollistët e Kosovës do ta braktisnin ndeshjen po të ishin duke fituar në ato momente.

    Duke iu përgjigjur Canës, i pari i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se pa qenë brenda fushës dhe pa u përballur me presionin që është bërë ndaj lojtarëve gjatë asaj ndeshje, askush nuk mund të jap vlerësimin e drejtë.

    “Pa qenë brenda në fushë është e vështirë të vlerësosh, është e lehtë të flasësh nga studiot por 90 minuta në tensione të tilla, madje edhe më herët, para ndeshjes…Por ai ka qenë momenti i fundit, kulmi ka qenë aty sepse ka pasur tensione të vazhdueshme edhe me grupe, pra e kanë ndryshuar taktikën kësaj radhe, kanë qenë grupe të caktuara nga katër apo pesë veta nëpër pjesë të ndryshme, ka qenë tensioni edhe i lojtarëve brenda. Pikërisht ai lojtari i cili është inkuadruar dhe ka ndodhur incidenti në fund me të, ai është futur pak minuta para incidentit dhe ai ka hyrë me një detyrë. Ne i kemi mbështetur futbollistët që kanë dal dhe jemi bashkë në çfarëdo që të ndodh.”, ka thënë Ademi.

    Duke folur për KosovaPress, Ademi ka komentuar edhe çështjen e diskutuar në muajin tetor që kishte të bënte me ndalimin e performimit të këngës “Mora fjalë” nga këngëtarja Shkurte Fejza në stadiumin “Air Albania” në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Këngëtarja kosovare dy javë më parë e këndoi këtë këngë në ceremoninë e “Laureatëve 2024” të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, por Ademi thotë se kjo nuk ishte ndonjë kundërpërgjigje ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

    “Në federatë të futbollit vendimet i marr unë, në federatën shqiptare vendimet i merr Armand Duka dhe ai vendosë për objektivat që i ka me federatën e tij. Shkurta nuk është kurrfarë kundërpërgjigje, Shkurta është e Kosovës, është ikonë kombëtare dhe ajo e tha edhe vet që iu falënderoj shumë që çdoherë si himn ka qenë ajo këngë e Shkurtës në terrenet tona pavarësisht që ajo që ka ndodhur kur ka shkuar në Shqipëri, Shkurta është edhe e Kosovës edhe e Shqipërisë, është figurë kombëtare dhe ajo faktikisht ka shkuar të iu këndojë shqip edhe në stadiumet e Tiranës dhe gjetiu, por Shkurta e dimë prej nga është dhe nga ku ka dal. Asgjë nuk lidhet me atë punë, ishte dëshira jonë se kë donim ta merrnim, njëherë e marrim Shkurten, njëherë një këngëtar tjetër sepse ai nuk është koncert, ajo është ngjarje për fundvit dhe për ‘Laureatët’ por gjithsesi e thejmë pak me një muzikë, këtë rast me Shkurten, një ditë me Ilir Shaqirin, një ditë tjetër me ndonjë muzikant tjetër e kështu me radhë. Lidhje të tilla nuk më pëlqejnë sepse nuk bëjmë ne kështu, nuk bëjmë inate e as nuk jam tip që bëjë pas shpine apo nën tavolina.”, ka thënë Ademi.

    Ndryshe, marrëdhëniet ndërmjet FFK-së dhe FSHF-së nuk janë në pikën më të mirë të tyre, sidomos pasi kjo e fundit ka paraqitur kandidaturën e përbashkët me federatën serbe të futbollit për organizimin e Kampionatit Evropian të futbollit për grupmoshat U21 në vitin 2027.

  • ​“Udhëheqësit e NATO-s dhe Trump në Tiranë në 2027”, Rama bën bilancin e vitit

    ​“Udhëheqësit e NATO-s dhe Trump në Tiranë në 2027”, Rama bën bilancin e vitit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë sot bilancin e vitit, ku është ndalur edhe te samiti i udhëheqësve të NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.

    Sipas tij, ardhja e Presidentit Trump dhe krerëve të shteteve anëtare të NATO-s është tregues i faktit se sot Shqipëria është një vend i barabartë me vendet e tjera.

    “E pamendueshme, është mikpritja në Tiranë e samitit të NATO-s, në 2027, ne kemi filluar punën, së bashku me NATO-n për një inspektim të kushteve të infrastrukturës dhe logjistikës në Tiranë. Ardhja e presidentit të SHBA dhe udhëheqësve të NATO-s, është mesazh lidhur me Shqipërinë, pozicionin tonë politik. Ne kemi peshë modeste, por sot trajtohemi si të barabartë, në aspektin formal, por me një respekt që asnjëherë më parë nuk e kemi pasur në historinë tonë. Kjo është panoramë e Shqipërisë në sytë e Evropës dhe botës, e cila nuk është një fasadë, por rezultat i jashtëzakonshëm, i një pune të jashtëzakonshme, në të gjitha drejtimet”, tha Rama.

    Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe te rritja e pagave në administratë.

    “Ne kemi shkuar përtej objektivit të vendosur që në qershorin 2024 pagat të arrinin në nivelin mesatar 900 euro. Jemi në 968 euro dhe tavani i 1 mijë eurove është një shtrirje krahu larg. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes domethënëse të ekonomisë sepse një gjë është të duash të rrisësh pagat dhe pensionet, një gjë është ti rrisësh. Ne e gjetëm Shqipërinë një vend të zhytur në borxhe dhe pluhur. Vetëm larja e borxheve dhe kapja e ritmeve të financimit të atyre rrugëve të lëna rrugëve, na morën një kohë goxha të madhe. Sot jemi në kushte të tjera. Ne nuk kemi pasur një administratë që kishte motivimin por edhe mundësitë të shërbente me dinjitet. Sot e kemi falë një transformimi epokal që kemi bërë përmes kalimit të shërbimeve online. Në fillim të vitit të ri do të kemi një tjetër zhvillim domethënës, asistenti virtual që është futur te e-albania dhe i është përgjigjur mbi 1 milion pyetjeve”.

  • ​Maqedonci: Ushtria e Kosovës është e gatshme të përballet me çdo kërcënim

    ​Maqedonci: Ushtria e Kosovës është e gatshme të përballet me çdo kërcënim

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se ushtria e Kosovës është e gatshme që të përballet me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve. Ai tha se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për sulme të mundshme gjatë këtyre ditëve, nuk kanë për qëllim që të frikësojnë qytetarët.

    Në konferencën e fundvitit, Maqedonci tha se grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, dhe atë të 29 nëntorit të këtij viti në kanalin e Ibër-Lepencit, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.

    “Grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit por edhe sulme të tjera të radhës, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi dhe vazhdon të mbështetet nga strukturat e sigurisë në Serbi. Normalisht që kohët kur këto grupe mund të kryejnë sulme janë të ndjeshme dhe që lidhen me data, siç ishte edhe sulmi i datës 29 nëntorit që ndodhi menjëherë pas sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës, në infrastrukturën energjetike por edhe për festat e nëntorit që ndërlidhen me festat në Kosovë por edhe vet në Serbi. Vlerësoj, është thënë edhe nga kryeministri këto ditët e fundit, po e them unë, ne si vend, si qeveri, si institucione garantojmë siguri, kemi institucione të përgatitura dhe të gatshme për tu përballur me çdo sfidë dhe kërcënim. Aspak nuk ka pasur qëllim, asnjë deklaratë e jona që të ndjell panik apo frikë. Qëllimi është që të jemi transparent me qytetarët. Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës, gjitha institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës janë të gatshme për tu përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve tanë”, deklaroi Maqedonci.

    Në konferencë për media, ai tha se gjatë vitit 2025 do të validojnë regjimentin e tretë të këmbësorisë, në kuadër të stërvitjes më të madhe ndërkombëtare “Defender Europe 2025″.

    Maqedonci tha se për kate vjet mandat është dyfishuar numri i ushtarëve.

    “Gjatë këtij viti janë shpenzuar 169 milionë e 758 mijë euro të buxhetit dhe shtesave buxhetore të ndara për Ministrinë e Mbrojtjes. Apo shprehur në përqindje rreth 97 për qind të buxhetit. Është shpenzuar dy për qind, janë obligime financiare dhe 1 për qind mjete të zotuara që do të thotë se nuk kemi buxhet të lirë dhe buxheti është realizuar 100 për qind. Buxheti rekord i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ka ndikuar në zhvillimin me hapa të jashtëzakonshëm të ushtrisë tonë, duke ngritur kapacitetet në tri aspekte kryesore: arsenalin ushtarak, personelin numerikisht dhe ndërtimin profesional përmes trajnimeve të ndryshme. Gjatë mandatit tonë në tërësi, deri më tani janë rekrutuar 1971 ushtarak të rinj, ndërsa jemi në proces të rekrutimit edhe të 300 ushtarëve duke çuar numrin në numrin total deri në 2171. Krahas rritjes në numër kemi mbështetur edhe rritjen e mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së përmes ngritjes së pagave, duke rritur pagën e ushtarit për 60 për qind nga 422 në 726 që do të jetë nga 1 korriku 2025”, theksoi ai.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci theksoi se punën e kanë bazuar në katër objektiva, si zhvillimi i kapaciteteve luftarake për mbrojtjen e sovranitetit, mirëmbajtja e kapaciteteve thelbësore për mbështetje të autoriteteve civile, fuqizimi i mbikëqyrjes civile dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

    “Kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së armatimit. Gjatë këtyre katër viteve janë investuar mbi 270 milionë euro në blerjet ushtarake, pra blerjet e armatimit. Që është një dallim i jashtëzakonshëm me periudhën e njëjtë të vitit 2017-2020 që ishin investuar vetëm katër milionë euro në këtë drejtim. Përveç dronëve bajraktar dhe sistemeve të ndryshme të mbështetjes me zjarr, artileries, ne kemi vazhduar edhe me aspekte të tjera të forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse duke vendosur për herë të parë bazamentin e industrisë së mbrojtjes përmes nënshkrimit të kontratës për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit. Fabrikë që do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë, e para që prodhon municion luftarak, i cili do të mundësojë edhe eksport në vendet e NATO-s”, shtoi ai.

    Sipas tij, ushtria e Kosovës është “më e fortë se kurrë dhe e gatshme për mbrojtjen e sovranitetit”.

    “Ushtria jonë sot është më e fuqishme se kurrë, është më e pajisur se kurrë, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë dhe më e kompletuar me personel se kurrë më parë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë për të mbështetur autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore si dhe për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare bashkë me aleatët tanë”, u shpreh ai.

    Në Ditën e Veteranëve të Luftës, Maqedonci ka uruar të gjithë veteranët e luftës çlirimtare të Kosovës, teksa kujtoi sulmin e parë në Prekaz të kryer nga forcat serbe./kp

  • ​SHKK pranon donacionin më të madh të dhuruar ndonjëherë nga EULEX

    ​SHKK pranon donacionin më të madh të dhuruar ndonjëherë nga EULEX

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar sot donacion e radhës nga EULEX. Në ceremoninë zyrtare të organizuar për këtë rast, drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, së bashku me udhëheqësin e shtyllës së monitorimit të EULEX-it, Giovanni Galzignato, dhe shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko, nënshkruan marrëveshjen për pranim-dorëzimin e këtij donacioni.

    Donacioni i konsideruar si më i madhi deri më tani për SHKK-në, përfshin pajisje moderne, duke përfshirë: një veturë, një gjenerator, 293 kompjuterë dhe laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike, si skanerë, printerë, telefona, radio-lidhje dhe inventarë për zyrë.

    Gjatë fjalës së tij, Dibrani shprehu falënderime ndaj EULEX-it për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se donacioni do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e pajisjeve teknike.

    “Kjo ndihmë do të kontribuojë në avancimin e standardeve dhe efikasitetit të institucioneve tona korrektuese,” tha ai.

    Nga ana tjetër, Galzignato dhe Melkko vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se ky donacion është një pasqyrë e angazhimit të EULEX-it për të mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.

    Sipas njoftimit, ky moment shënon një hap të madh drejt modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve të SHKK-së, duke theksuar rolin e rëndësishëm të partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e institucioneve tona korrektuese.

  • ​Banorët e lagjes së “Muhaxherëve” mbesin pa rrymë pothuajse tërë ditën

    ​Banorët e lagjes së “Muhaxherëve” mbesin pa rrymë pothuajse tërë ditën

    Një pjese e lagjeve në kryeqytet kanë mbetur pa rrymë gjatë ditës së sotme (e hënë) nga ora 11:00, përkatësisht lagjja e “Muhaxherëve”.

    Në KEDS thonë se ndërprerja e energjisë elektrike në këtë lagje është e planifikuar për punime në rrjet.

    Zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi thekson se në lagjen e “Muhaxherëve” kjo kompani ka ndal furnizimin me energji elektrike si rrjedhojë e punimeve të planifikuara. Derisa shton se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike pritet të zgjatë deri në ora 15:00.

    “Ka punime të planifikuara deri rreth orës 15:00, që lidhen kryesisht me punim në rrjet”, thekson Krasniqi për KosovaPress.

    Përndryshe, kohëve të fundit janë paraqitur probleme të mëdha energjinë elektrike në disa qytete të Kosovës, si Malisheva, Istogu, Prishtina, Ferizaj, Fushë Kosova, e ku mungesat kanë qenë deri në 12 orë. Si shkak i ndërprerje kanë ndodhur edhe protesta në Ferizaj.

  • Zgjedhjet për president në Kroaci: Milanoviq fiton shumicën e votave në raundin e parë, shkon në balotazh

    Zgjedhjet për president në Kroaci: Milanoviq fiton shumicën e votave në raundin e parë, shkon në balotazh

    Presidenti aktual i Kroacisë, Zoran Milanoviq, fitoi shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën, por duhet të përballet edhe me balotazh kundër një kandidati të partisë në pushtet për të siguruar një mandat tjetër pesëvjeçar.

    Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Milanoviq me prirje të majtë fitoi 49% ndërsa kundërshtari i tij kryesor Dragan Primorac, kandidat i partisë konservatore në pushtet HDZ, mbeti shumë prapa me 19%, raporton Associated Press.

    Sondazhet parazgjedhore kishin parashikuar se të dy do të përballeshin në raundin e dytë më 12 janar, pasi asnjë nga tetë pretendentët e zgjedhjeve presidenciale nuk ishte parashikuar të merrte më shumë se 50% të votave.

    Milanoviq falënderoi mbështetësit e tij, por paralajmëroi “ky ishte vetëm një vrap i parë”.

    “Le të mos jemi triumfues, le të jemi realistë, të vendosur me këmbë në tokë”, tha ai.

    Milanoviq është kritik i hapur i mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Ai shpesh krahasohet me Donald Trump për stilin e tij luftarak të komunikimit me kundërshtarët politikë.

  • Çfarë do të ndodhë në Siri, udhëheqësi rebel: Zgjedhjet e reja mund të zgjasin deri në katër vite

    Çfarë do të ndodhë në Siri, udhëheqësi rebel: Zgjedhjet e reja mund të zgjasin deri në katër vite

    “Mbajtja e zgjedhjeve të reja në Siri mund të zgjasë deri në katër vjet”, kështu deklaroi lideri rebel Ahmed al-Sharaa.

    Kjo është hera e parë që ai jep një afat kohor për zgjedhjet e mundshme në Siri që kur grupi i tij Hayat Tahrir al-Sham (HTS) udhëhoqi një ofensivë rebele që rrëzoi ish-presidentin Bashar al-Assad.

    Në intervistën me transmetuesin shtetëror saudit Al Arabiya, ai tha se hartimi i një kushtetute të re mund të zgjasë deri në tre vjet.

    Ndër të tjera shtoi se mund të kalojë gjithashtu një vit përpara se sirianët të fillojnë të shohin ndryshime të rëndësishme dhe përmirësime në shërbimet publike pas përmbysjes së regjimit të Asadit.

    Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Jolani , ka udhëhequr autoritetet e reja të vendit pasi presidenca e Asadit ra në fillim të këtij muaji. Që atëherë, janë ngritur pyetje mbi mënyrën se si HTS do të qeverisë vendin multi-etnik.

    HTS filloi si një grup xhihadist, duke përkrahur dhunën për të arritur qëllimin e tij për krijimin e një shteti të qeverisur nga ligji islamik (Sheriati), por është distancuar nga ajo e kaluar në vitet e fundit.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj 13 personave për incidentin vdekjeprurës në Novi Sad

    Ngrihet aktakuzë ndaj 13 personave për incidentin vdekjeprurës në Novi Sad

    Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit të Serbisë, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, Jelena Tanaskoviq, në lidhje me aksidentin tragjik në stacionin hekurudhor muajin e kaluar.

    Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 15 njerëz të vdekur dhe dy të lënduar.

    Prokuroria në Novi Sad tha në një komunikatë të hënën se 13 të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si, krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

    Aktakuza është ngritur pas përfundimit të hetimeve për shembjen e strehës, sipas Prokurorisë.

    Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina.

    Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

    Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie.

    Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksandar Vuçiq, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në katër universitete shtetërore, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar në solidaritet me protestat.

    Studentët gjithashtu kanë marrë pjesë në protesta ditore, duke e bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë.

    Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina.

    Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

    Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi më 21 nëntor se 11 persona u arrestuan pasi u gjetën përgjegjës për shembjen.

    Mes tyre ishin ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoresha e Infrastrukturës Hekurudhore, Jelena Tanaskoviq.

    Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burgim nëse shpallen fajtorë për akuzat për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, rrezikimin e publikut dhe punime të paligjshme ndërtimi./REL/

  • Gjatë legjislaturës së tetë u miratuan më së shumti ligje, por u regjistruan dhe mbi 5 mijë mungesa të deputeteve në seanca plenare

    Gjatë legjislaturës së tetë u miratuan më së shumti ligje, por u regjistruan dhe mbi 5 mijë mungesa të deputeteve në seanca plenare

    “Në mungesë të kuorumit”, ishte fjala që u përmend më së shumti nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, raporton EO.

    Kjo u bë e ditur nga raporti i shpalosur të hënën nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), raport ky që vlerësoj performancën e Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

    Hulumtuesja e lartë në KDI, Violeta Haxhimolli, ka thënë se gjatë kësaj legjislature gjithmonë ka pasur kuorume në letra, por që kuorumet kanë munguar në praktikë.

    Ajo tha se janë regjistruar mbi 5 mijë mungesa të deputeteve në seanca plenare.

    Sipas saj, legjislatura e tetë është legjislatura që ka miratuar ligje më së shumti se çdo legjislaturë tjetër, ku u miratuan 282 ligje në total.

    Ajo ka shtuar se kryeministri Kurti dhe ministrat, janë përgjigjur në 83 për qind të pyetjeve të deputeteve, ndërsa 17 për qind nuk përgjigjen.

    “Kryesia e Kuvendit ka mbajtur 93 mbledhje ku 124 mbledhje kanë qenë të planifikuara. Janë mbajtur 263 seanca, viti 2022 ishte viti me më së shumti seanca. “Në mungesë të kuorumit” ishte fjalia që u përmend më së shumti nga kryetari i Kuvendit. 35 për qind e seancave janë lënë në vazhdimësi. Shumë deputet ishin të pranishme në fillim të seancës dhe e braktisen në mes seancën. Gjithmonë ka pasur kuorum në letër e as një herë në praktik. Kishte edhe mungesa të shumta të deputeteve, ka deputet që në shumicën e rasteve nuk kanë ardhur fare në seanca. Deputet kanë bërë 5 mijë mungesa. Lista serbe është e para me mungesë me 32 për qind, e dyta është VV-ja me 27 për qind, PDK 16 për qind, LDK 14 për qind, AAK 5 për qind. Për nga sasia e ligjeve legjislatura e tetë ka miratuar ligje më së shumti se çdo legjislaturë tjetër, janë miratuar 282 ligje në total. Planin legjislativ u përmbush ne nivel 36 për qind, Kuvendi nuk e përmbushi as një here për katër vite planin legjislativ”, tha Haxhimolli.