ATV

Author: ATVLive

  • Abdixhiku premton investime në turizëm dhe rritje paga për pjesëtarët e shërbimeve publike në Novobërdë

    Abdixhiku premton investime në turizëm dhe rritje paga për pjesëtarët e shërbimeve publike në Novobërdë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim elektoral në Novobërdë, raporton EO.

    Para të pranishmëve, kreu i LDK-së premtoi investime për banorët e kësaj ane, me theks investime në fushën e turizmit.

    “Sot jemi bashkë drejt ndryshimit srwjt fitores së madhe më shkurt, për një Kosovë drejt zhvillimit ekonomik e jo të një Kosovë kur rinia ikën. Para jush nuk jam për tu ankuar sikurse bëjnë të tjerët e as për t’u bërë bashkë në ankesat siç bëjnë të tjerët. Jam këtu që të shpalos disa zotime të ‘Rugës së Re’, për të gjitha kategoritë në nevojë. Prandaj zgjedhja për të dalë nga kjo gjendje është prpgrami ynë”.

    “Kosova jonë ndpdhet në udhëkeyq insitutucional për shkak të politilave të një qeverisje populiste dhe ju banorë nga kjo anë duhet ta dini peshën e këtyre zgjedhje. Kjo qeverisje u ka lënë pa një urë dhjetëra metërshe. Ata nuk i shohin hallet e juaja, nuk i shohin brengat tuaja dhe më 9 shkirt duhet t’u tregojmë që dimë ndryshe. Për gjithë zyrtarët publikë, përfshirë policë, mjekë, e mësimdhënës e të tjerë do të kenë 150 euro vlerën e koeficientit. Pra që në javën e parë, koeficienti do të bëhet 150 euro”, u shpreh Abdixhiku, teksa përmendi edhe ndërtimin e Spitalit të Ri në Kosovë me një shifër prej 500 milionë euro.

    Ndërsa kryetari i degës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, deklaroi që qeverisja aktuale nuk ka bërë asnjë investime për banorët e kësaj ane.

    Duke qenë kandidati i vetëm i kësaj komune, Ymeri kërkoi votë nga qytetarët pa dallim partie, pasi “asnjë nga partitë s’kanë propozuar kandidatë për deputetë”.

  • Shefi i diplomacisë ruse i “gatshëm” të studiojë propozimet e Trumpit për paqen në Ukrainë

    Shefi i diplomacisë ruse i “gatshëm” të studiojë propozimet e Trumpit për paqen në Ukrainë

    Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka bëri të ditur se Moska është e “gatshme” të studiojë propozimet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me paqen në Ukrainë pasi presidenti amerikan të marrë detyrën javën e ardhshme, transmeton Anadolu.

    “Kur Trump, pasi të bëhet president, më në fund të formulojë qëndrimin e tij për çështjet e Ukrainës, sigurisht ne do ta studiojmë atë”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë.

    Trump thotë se dëshiron të zgjidhë në mënyrë të shpejt konfliktin e gjatë ruso-ukrainas. Sipas të dërguarit të tij të posaçëm, Keith Kellogg, qëllimi është t’i jepet fund luftës në një afat të afërt, në 100 ditë.

    Lavrov tha se Moska deri më tani nuk ka marrë asnjë propozim për një takim midis Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

    “Në këtë fazë, të gjitha këto shpjegime, iniciativa dhe të menduarit me zë të lartë nuk kanë efekt praktik, ndaj duhet të presim derisa administrata e re të formulojë qasjet e tyre zyrtare”, theksoi Lavrov.

    Shefi i diplomacisë ruse përshëndeti përmendjen e “realiteteve në terren” nga ekipi i Trumpit në lidhje me gjetjen e zgjidhjes.

    Ai tha se Trump është bërë politikani i parë perëndimor që pranoi se NATO e gënjeu Rusinë për çështjen e mos zgjerimit të aleancës në lindje.

    Lidhur me komentet e Trumpit për blerjen ose marrjen e mundshme të kontrollit mbi Grenlandën, Lavrov tha se ai mendon se ata “duhet të dëgjojnë fillimisht grenlandezët”.

  • Inflacioni global pritet të qëndrojë i lartë deri në vitin 2028

    Inflacioni global pritet të qëndrojë i lartë deri në vitin 2028

    Ekonomistët presin që norma globale e inflacionit të mbetet e lartë deri në vitin 2028, sipas një sondazhi të ri të publikuar të martën.

    Sondazhi i kryer nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) dhe Instituti Ekonomik Zviceran (KOF), parashikon se në vitin 2025, norma mesatare e inflacionit në mbarë botën do të ishte 3.9%, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Inflacioni global parashikohet të bjerë në 3.5% në vitin 2026, thanë ekonomistët, duke shtuar se në terma afatgjatë deri në vitin 2028, pritjet e inflacionit janë gjithashtu në 3.5%.

    Për më tepër, ekonomistët parashikojnë se variacionet rajonale në normat e inflacionit do të jenë të rëndësishme.

    Inflacioni në vitin 2024 ishte më i ulët se mesatarja globale në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe Azinë Juglindore, përkatësisht 2.1%, 2.6% dhe 2.9%.

    Me 7.4% për Azinë Jugore, 33.6% për Amerikën e Jugut, 37.2% për Afrikën e Veriut dhe 27.6% për Afrikën Lindore, parashikimet e inflacionit për vitin 2025, megjithatë, janë më të larta se mesatarja globale.

    Rreth 1,398 ekonomistë nga 125 vende të ndryshme morën pjesë në anketë.

  • ​Përpjekje masive për të ndihmuar të mbijetuarit e zjarreve në Los Anxhelos

    ​Përpjekje masive për të ndihmuar të mbijetuarit e zjarreve në Los Anxhelos

    Në qytetin Los Anxhelos vazhdojnë përpjekjet e ndihmave masive për dhjetëra mijëra banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre ose janë evakuuar nga zjarret që kanë shkatërruar këtë zonë që nga java e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, njofton nga selia e konventave në Pasadena, e cila është shndërruar në një strehë për të evakuuarit.

    Banorja e qytezës Altadena, Danielle Williams thotë se humbi gjithçka nga zjarri, përveç rrobave që kishte në trup dhe macet e saj. Apartamenti i motrës së saj është shkrumbuar. Por nuk dihet nëse shtëpia e të atit të saj ende qëndron, shkruan VOA, transmeton KosovaPress.

    “Oborri pas shtëpisë është përpirë nga zjarri. Ende po luftojnë me flakët. Organet e rendit janë kudo. Fatkeqësisht, në lagjen e tij po ndodhin plaçkitje në masë. Ky është një shqetësim tjetër”, thotë zonja Williams për Zërin e Amerikës.

    Të gjithë njerëzit në radhë kanë humbur shtëpitë e tyre. Ata po presin për një ndihmë të vogël me para në dorë nga fondacioni jofitimprurës “California Fire”.

    19-vjeçari Hank Donovan thotë se i gjithë blloku i shtëpive ku ai jetonte është djegur.

    “Jam rritur aty që nga mosha shtatë vjeçare me bashkëmoshatarët e lagjes. Të gjithë kemi pothuajse të njëjtën moshë dhe e konsiderojmë njëri-tjetrin si pjesëtar të familjes. Lagja ku jemi rritur është shkrumbuar. Shkolla e mesme dhe kolegji nuk na largoi nga njëri-tjetri, duket që zjarri është i vetmi që mundi ta shpërbëjë bllokun”.

    Zjarrfikësit ndihmuan Josh Erdman-in dhe Armen Sark-in të gjenin unazat e martesës pasi shtëpia e tyre u dogj.

    “Ata çanë murin e shtëpisë dhe krijuan një hapësirë për të ndihmuar në gjetjen e unazave. Rrëmuam nëpër hi dhe rrënoja dhe pas rreth 40 minutash gjetëm dy unazat tona origjinale”.

    Agjencitë qeveritare, bizneset private dhe organizatat jofitimprurëse po punojnë për të ndihmuar të evakuuarit, me veshje apo për të gjetur dokumentet bazë që u duhen.

    Një qendër për strehimin e kafshëve në Pasadena po kujdeset për më shumë se 350 kafshë shtëpiake, pronarët e të cilave nuk mund t’i merrnin me vete në qendrat e evakuimit, thotë Kevin McManus, zëdhënës i organizatës jofitimprurëse “Pasadena Humane”.

    “Ata nuk pranuan të shkonin në qendrat e evakuimit pa siguruar një strehë për kafshët e tyre. Ndaj ne hapëm dyert për ta, dhe u thamë se do të kujdesemi për to. Ata nuk duhet të shqetësohen për kafshët në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”.

    Ritchie Ramos, banor i lagjes Los Feliz, dhuroi ushqime dhe sende të tjera për kujdesjen e kafshëve.

    “Më bën të ndihem mirë kur ndihmoj, kur shikon përreth gjithë këta njerëz të mirë dhe bujarë. Duhet të dhurojmë, të mbështesim dhe frymëzojmë njëri-tjetrin sa të mundemi”.

    Mbështetja ka qenë aq e madhe për strehimoret dhe stacionet e zjarrfikësve sa autoritetet po u kërkojnë njerëzve të mos sjellin më ushqime apo sende që prishen, por të bëjnë donacione monetare.

  • Agani: Turizmi shëndetësor, mundësi për kthimin e mjekëve dhe zhvillimin e shëndetësisë në vend

    Agani: Turizmi shëndetësor, mundësi për kthimin e mjekëve dhe zhvillimin e shëndetësisë në vend

    Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zhvillimi i turizmit shëndetësor është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën, duke veçuar sektorin e stomatologjisë dhe mjekësinë e specializuar.

    Agani tha se sektori i stomatologjisë në Kosovë është dëshmuar prej më shumë se dy dekadash dhe se i njëjti model mund të aplikohet në sektorët tjerë të mjekësisë.

    “Stomatologët tanë kanë funksionuar në mënyrë perfekte për më shumë se dy dekada. Tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe me mjekët e profileve të tjera”, tha Agani.

    Ai shtoi se turizmi shëndetësor mund të ndihmojë edhe në kthimin e mjekëve që kanë përfunduar specializimet jashtë vendit dhe të parandalojë largimin e të rinjve.

    “Zhvillimi i turizmit shëndetësor do t’i motivojë specialistët tanë të kthehen dhe të punojnë në vend. Për më tepër, do të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë për pacientët nga jashtë”, deklaroi Agani.

    Deklaratën e plotë të Ferid Aganin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani: Programi “Familja në qendër” është zgjidhje për krizën e natalitetit

    Rrahmani: Programi “Familja në qendër” është zgjidhje për krizën e natalitetit

    Eman Rrahmani nga Lista për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për programin “Familja në qendër”, duke theksuar rëndësinë e tij për përmirësimin e natalitetit në vend dhe mbrojtjen e vlerave familjare.

    Rrahmani tha se programi synon të adresojë qasjet destruktive që kanë ndikuar negativisht në natalitetin dhe mbështetjen për familjen.

    “Nataliteti apo lindshmëria e një çifti është 1.51 lindje, që është edhe më i ulët sesa në Serbi. Kjo është një situatë që askush nuk e kishte paramenduar para disa vitesh”, tha Rrahmani.

    Ai kritikoi politikat e mëparshme që, sipas tij, kanë rënduar familjet, duke përfshirë ligjet për martesat e të njëjtit seks dhe praktikat si surrogatësia.

    “Pushtetet e kaluara kanë provuar të sjellin ligje dhe angazhime që e dëmtojnë edhe më shumë çështjen e natalitetit, duke filluar prej ligjit për martesa mes burrit me burrë apo gruas me grua,” shtoi ai.

  • Zymer Bytyqi trondit: Grekët më përjashtuan nga Olympiacos vetëm se isha shqiptar, ja çfarë më tha James Rodriguez

    Zymer Bytyqi trondit: Grekët më përjashtuan nga Olympiacos vetëm se isha shqiptar, ja çfarë më tha James Rodriguez

    Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Zymer Bytyqi i cili po aktivizohet te skuadra bullgare Cska Sofia ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin ‘A PLAY’ në ATV, ku ka ndarë disa detaje interesante lidhur me karrierën e tij dhe përvojat si sportist.

    Gjatë bisedës, Bytyqi ka shpjeguar se një nga arsyet kryesore që nuk luante te klubi i njohur grek, Olympiacos, ishte pikërisht përshkak të kombësisë shqiptare.

    Ai theksoi se ky ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi në vendimin e tij për të mos luajtur në këtë ekip.

    ‘Kam qenë i befasuar për të keq me eksperiecën në Olympiacos dhe me sjelljen e klubit. Mosaktivizimi im nuk ka pasur lidhje me aspektin futbollistik, ka qenë 100% për shkak të kombësisë time. James Rodriguez një lojtar i kalibrit botëror ishte i befasuar se si unë nuk kisha hapësirë te Olympiacosi’ tha Bytyqi.

    Intervistën mund të shikoni në linkun e më poshtëm.

  • Me fushatën zgjedhore nisin edhe pritjet e qytetarëve për ndryshime

    Me fushatën zgjedhore nisin edhe pritjet e qytetarëve për ndryshime

    Investimet, puna, arsimi… Këto pak fjalë mund të dëgjoheshin nga tri gra që ecnin në një shesh të zhurmshëm të Prishtinës, këtë fillim-janar.

    Me t’iu afruar mikrofonin e Radios Evropa e Lirë, ato nuk hezituan të tregonin se po flisnin për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Një e ardhme më e mirë për vendin”, thanë se është dëshira e përbashkët e tyre.

    E kjo, sipas njërës prej tyre, do të mund të arrihej vetëm me ringjalljen e industrisë.

    “Të gjitha fabrikat janë mbyllur. Pajisjet në to kanë qenë të vjetruara, por me kohë kanë mundur të modernizohen dhe të krijohen mundësi punësimi për brezat e rinj”, u shpreh Hikmete Xharra, profesoreshë në pension e Gjuhës Angleze.

    Kosova, me mbi 2 milionë votues të regjistruar brenda dhe jashtë vendit, mban zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt.

    Në garë janë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit, dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti i Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Fushata e tyre për t’i bindur qytetarët që të votojnë, nisi zyrtarisht më 11 janar.

    Për Nazmije Kaçin, kushdo që të fitojë, do të duhej të angazhohej më shumë për tërheqjen e investimeve të huaja në ndërmarrje të ndryshme të Kosovës.

    Si inxhiniere e fizikës, ajo tregoi se ka punuar me vite në Minierën e Kishnicës, e cila deri në vitet ’90 ishte një prej motorëve të ekonomisë së Kosovës, por edhe të Jugosllavisë së atëhershme në përgjithësi.

    Sot, kjo minierë, e cila gjendet në magjistralen Prishtinë-Gjilan, punon me kapacitete të reduktuara, pikërisht për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së investimeve.

    Nazmija beson se, viteve të fundit, janë krijuar kushte më të mira të sigurisë për investime të huaja.

    “Veriu [zonë e banuar me shumicë serbe] është më i sigurt. Investitorët e huaj e kanë më lehtë të investojnë, por nevojitet angazhim i institucioneve”, sipas saj.

    Vetë pensioniste, ajo nuk e lë pa përmendur as këtë kategori të shoqërisë, përfitimet mujore të së cilës variojnë – 120 euro janë pensionet e moshës dhe 218 deri në 318 euro janë pensionet për kontrbutpaguesit.

    “Pensionet duhet të rriten deri në 500 euro në muaj. Kjo shumë do të siguronte një mirëqenie më të mirë për pensionistët. Shuma që marrim tash, është shumë e vogël”, sipas Nazmijes.

    Në bisedë u përfshi edhe shoqja e tyre.

    “Kosova nuk ka ende Shtëpi të Operës dhe Baletit”, tha shkurtimisht ajo.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit janë të parat të rregullta që do të mbahen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.

    Kushdo që i fiton ato, sipas Florim Gashit, do të duhej ta kishte prioritet arsimin.

    “Arsimi është ai trungu që shpërndan gjithçka”, sipas tij.

    Vetë mësimdhënës për më shumë se dy dekada në qytetin e Podujevës, ai ankohet për cilësinë e ulët në arsim, e cila shpesh është përmendur edhe në raporte dhe vlerësime të ndryshme ndërkombëtare.

    “Duhet të bëhen reforma dhe në qendër të jetë mësuesi, e jo dikush tjetër… sepse në pozita udhëheqëse po vijnë njerëz politikë dhe jo profesionalë”, u shpreh ai.

    Një tjetër çështje me rëndësi, sipas tij, është edhe siguria në çdo anë të Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku shpesh ka trazira.

    “Shih sa bukur është në sheshin e Prishtinës. Liria e lëvizjes është e rëndësishme për qytetarët”, u shpreh mësimdhënësi.

    Në sheshin ku po shëtiste ai, REL-i takoi edhe Artan Gjimnicën, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, por po vizitonte Kosovën për festat e fundvitit.

    Ai tha se është regjistruar për të votuar me postë nga SHBA-ja.

    Për Artanin, askush nuk duhet të bëjë premtime boshe, por të sigurojë zhvillim të vërtetë të vendit.

    Partia që ka vendosur ta votojë ai, tha se “e ka treguar veten” dhe prej saj tani pret që të bëjë më shumë në luftimin e korrupsionit dhe rritjen e punësimit.

    Kosova, me 1.6 milion banorë të regjistruar, ka shkallën e papunësisë në rreth 10 për qind.

    Paga mesatare në vend është 570 euro.

    Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, rritja ekonomike këtë vit do të jetë më pak se 4 për qind.

    Shumë parti politike dhe kandidatë të tyre ka kohë që kanë nisur të bëjnë fushatë, qoftë me vizita në qytete të ndryshme të Kosovës dhe jashtë saj, qoftë me paraqitje të vazhdueshme televizive.

    Ata përpiqen të fitojnë besimin e 2.075.868 votuesve të regjistruar, duke premtuar investime në arsim, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë, bujqësi e sport, por edhe rritje të pagave dhe pensioneve.

    Qytetarët që biseduan me REL-in, thanë se planifikojnë të votojnë, por nëse pritjet e tyre do të përmbushen, mbetet për t’u parë.

    Premtime të ngjashme, ata kanë dëgjuar edhe më herët… /REL/

  • Vendi në flakë prej ditësh, rreth 35,000 shtëpi e biznese mbesin pa energji elektrike në Los Angeles

    Vendi në flakë prej ditësh, rreth 35,000 shtëpi e biznese mbesin pa energji elektrike në Los Angeles

    34,646 shtëpi dhe biznese në Los Angeles janë tani pa energji elektrike, sipas Poweroutage.us, një monitorues i ndërprerjeve që gjurmon ndërprerjet në të gjithë SHBA-në, raporton The Guardian.

    Rreth 18,400 klientë të Edison të Kalifornisë Jugore mbeten pa energji elektrike, si dhe rreth 16,100 klientë të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles dhe rreth 100 me Pasadena Water and Power, sipas të dhënave më të fundit.

    Në një përditësim të postuar në X disa orë më parë, Departamenti i Ujit dhe Energjisë në LA tha se që nga fillimi i zjarreve të martën ata kanë rikthyer furnizimin me energji elektrike për mbi 355,000 klientë.

  • Kurti shkon te Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, fton qytetarët ta vizitojnë me fëmijët

    Kurti shkon te Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, fton qytetarët ta vizitojnë me fëmijët

    Kryeministri Albin Kurti ka vizituar së fundmi Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar në Rashincë të Shtimës.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes disa fotografive të postuar në Instagram, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë këtë vend, sidomos me fëmijët.

    “Rashinca e Shtimes e ka vendosur vendin tonë në hartën ndërkombëtare të astronomisë me Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës. I pajisur me teleskopin më të madh solar në Evropën Lindore të kompanisë SkywatcherUSA, ai është hapësirë e frymëzim për shkencëtarët e rinj dhe vrojtuesit e apasionuar të universit të pafund. Për një përvojë të veçantë e të paharruar ju ftoj ta vizitoni të gjithë, sidomos bashkë me fëmijët tuaj. Ky projekt është mbështetur nga Komuna e Shtimes, Ministria jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe donatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një vlerë totale prej 310 mijë euro dhe është i pari dhe i vetmi në vend”, ka shkruar Kurti.