ATV

Author: ATVLive

  • Masakra e Reçakut vazhdon të mohohet nga shteti serb

    Masakra e Reçakut vazhdon të mohohet nga shteti serb

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Pak kush jashtë Kosovës kishte dëgjuar për Reçakun para 15 janarit të 99-ës.

    Por pikërisht në këtë ditë, 26 vjet më parë në këtë fshat të Shtimes, u vranë 45 civilë shqiptarë, ngjarje kjo e cila do t’i jepte kahe tjetër historisë së Kosovës.

    Tmerrin e masakrës, sipas historianëve e dëshmojnë edhe burimet arkivore.

    “Edhe Pashiqi, ai që ishte shumë më herët se sa ky udhëheqës i Serbisë, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë. Kemi mohimin e krimeve edhe në Luftën e Dytë Botërore që bëjnë serbët në Kosovë. E mohojnë edhe Rankoviqi edhe Tito. Dhe natyrisht këta të fundit janë bashkëpjesëmarrës në krimet në Kosovë, për shkak se ata kanë qenë para 26 viteve pjesë e qeverisë kriminale të Millosheviqi’’, tha Selim Bezeraj, profesor i historisë.

    Për këtë krim të cilin shteti serb mohon të ketë ndodhur, askush nuk është dënuar.

    ‘’E dinë edhe Prokuroria Speciale që masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dihet qartë se kush ka qenë komandant i policisë, komandant i forcave ushtarake, komandant i forcave paramilitare, do të thotë grupet kriminale paraushtarake që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe nëse do të kishim më shumë aktakuza që e prekin zingjirin komandues, në një mënyrë do të rritej edhe llogaridhënia edhe përgjegjësia e personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës në këto masakra’’, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Por për viktimat, as 26 vjet pas nuk pati drejtësi.

    “Fare pak apo aspak është ofruar drejtësi për viktimat civile të cilat janë vrarë 26 vjet më parë në masakrën e Reçakut. Sigurisht që këtu një prej problemeve apo sfidave është mos bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë dhe personat të cilët i kanë bërë këto krime nuk gjenden në Kosovë”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    I pari që botës i kumtoi tmerrin që kishte ndodhur në Reçak shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjykimi për krime lufte në Prizren, ndaj Milos Pleskoviq

    Gjykimi për krime lufte në Prizren, ndaj Milos Pleskoviq

    Përgatiti: Nora Luta

    Babë e bir, nga Prizreni erdhën të martën në Gjykatën e Prishtinës, për të dëshmuar në gjykimin për krime lufte në këtë qytet, ndaj Millosh Pleskoviqit.

    Xhenger e Fevzi Cana, 1 shtatorin e ’98-tës kishin shkuar për të siguruar dru për ngrohje, rreth 300 m larg lagjes ku ata banojnë në Prizren, së bashku me viktimat Binak e Reshat Daçaj, Fatmir Bojaxhiu dhe fqinjin Bashkim Kastrati.

    Xhenger Cana ka deklaruar se atë ditë, e ka parë të akuzuarin Pleskovic duke shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave.

    Pasi tha se është në gjendje të rëndë shëndetësore, për ditën kritike rrëfeu edhe Fevzi Cana. Ndërsa, Bashkim Kastrati tregoi se si u larguan me Canën, pasi kishin dëgjuar thirrjet e Xhengerit.

    Ndërkohë, vëllai i Fatmir Bojaxhiut, Iliri tha se doktor Hidajet Lutfiu nën presionin e policisë serbe, kishte dhënë deklaratë të rrejshme kinse trupat e viktimave u dëmtuan nga kafshët.

    I njohur me nofkën “Miki”, Millosh Pleksovic, në bashkëkryerje akuzohet për vrasjen e dy pjesëtarëve të familjes Daçaj, dhe Fatmir Bojaxhiut më 1 shtator të 1998-s në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren.

    Ai ishte arrestuar në shtator të 2023-s, ndërsa gjykimi do të vazhdojë edhe të mërkurën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Bashkim Smakaj deklarohet i pafajshëm për akuzat e ZPS-së

    Bashkim Smakaj deklarohet i pafajshëm për akuzat e ZPS-së

    Bashkim Smakaj është deklaruar i pafajshëm për akuzat kundër administrimit të drejtësisë.

    Këtë deklarim, Smakaj bëhet e ditur se e ka bërë më 17 dhjetor 2024, po atë ditë kur ishe mbajtur konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes. Ndonëse, deklarimi nuk u bë në seancë publike, Smakaj kishte dorëzuar me shkrim deklarimin e tij i cili u bë publik më 14 janar 2025, raporton “Betimi përDrejtësi”.

    Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt sot (9 dhjetor).

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Osmani takohet me Walkerin, e falënderon për të vërtetën e Reçakut

    Osmani takohet me Walkerin, e falënderon për të vërtetën e Reçakut

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Ambasadorin William Walker.

    E para e shtetit e falënderoi Walkerin për kontributin e tij për siç tha, të vërtetën për Masakrën e Reçakut.

    “E vërteta e Reçakut është e pamohueshme”, tha Osmani.

    Më tej, Osmani tha se Masakra e vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë është kujtesë e përhershme për 45 burrat, gratë dhe të moshuarit që u masakruan brutalisht më 15 janar 1999.

  • Ditë pushimi në Shtime, kjo është agjenda për nderimin e viktimave në Reçak

    Ditë pushimi në Shtime, kjo është agjenda për nderimin e viktimave në Reçak

    Me rastin e shënimit të ditës së përkujtimit dhe nderimit të viktimave të masakrës së Reçakut, dita e nesërme (e mërkurë), më 15 janar 2025 shpallet ditë pushimi në Komunën e Shtimes.

    “Obligohen institucionet lokale në Komunën e Shtimes për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e kësaj komune, raporton KosovaPress.

    Në agjendën e publikuar nga Komuna e Shtimes thuhet se ora e parë mësimore kushtuar 15 janarit, Masakrës së Reçakut në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.

    Në orën 08:30 do të mbahen homazhe nga niveli komunal në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Molloplc dhe Reçak.

    Ndërsa, në orën 10:00 do të ketë homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak.

    Ndërkaq, Akademia Përkujtimore në orën 11:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

    Po ashtu në këtë ditë, do të mbahet finalja e turnirit memorial “Ditët e Reçakut”, si dhe në orën 17:00, do të mbahet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker”, në Shtëpinë e Kulturës.

  • ​Pas dy ditësh të acarta në Shqipëri, 20 shkolla në Kukës rifillojnë mësimin

    ​Pas dy ditësh të acarta në Shqipëri, 20 shkolla në Kukës rifillojnë mësimin

    Procesi mësimor do fillojë normalisht pas dy ditësh pezullim për shkak të motit të keq, kështu thuhet në një njoftim të Ministria e Arsimit dhe e Sportit në Qeverinë e Shqipërisë.

    Nesër rikthehet procesi mësimor në 20 shkollat e zonave rurale të Qarkut të Kukësit.

    Pas ndërprerjes së reshjeve të borës dhe hapjes së rrugëve në fshatrat e bllokuar të njësive të larta administrative është vendosur që nesër të hapen shkollat për vijimin e procesit mësimorë, transmeton TCh.

    Kujtojmë se MAS vendosi pezullimin e mësimit për ditët e hënë e të marte për shkak të kushteve të këqija të motit.

    Zonat rurale u mbuluan nga bora, duke bllokuar rrugë të shumta që sollën pezullimin dy-ditor të procesit mësimor.

  • Kometa Atlas: Spektakli qiellor që ndodh një herë në 160 mijë vjet

    Kometa Atlas: Spektakli qiellor që ndodh një herë në 160 mijë vjet

    Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e SHBA-së (NASA) ka bërë të ditur se kometa C/2024 G3 (Atlas), e cila mund të shihet nga Toka një herë në 160 mijë vjet, “mund të vëzhgohet me sy të lirë për disa ditë.

    NASA nëpërmjet një njoftimi në uebfaqen e saj ndau pamjen e kometës të incizuar nga Sllovakia.

    Në njoftim thuhet se kometa Atlas, e cila aktualisht mund të vëzhgohet në momente të caktuara për shkak të pozicionit të saj më të afërt me Diellin, “do të vë në skenë një nga pamjet më të mrekullueshme të kometave të viteve të fundit dhe do të bëhet mjaft e ndritshme duke konkurruar me Venusin”.

    Më tej bëhet e ditur se është e vështirë të parashikohet shkëlqimi i saktë që do të arrijë kometa dhe se pritet të mbetet aq e ndritshme sa të shihet me sy të lirë nga Toka për disa ditë.

    Sipas lajmit të BBC, studiuesi në fizikën dhe kozmologjinë e astrogrimcave në King’s College në Londër, Dr. Shyam Balahi, vuri në dukje se “llogaritjet aktuale të orbitës tregojnë se kometa do të kalojë në afërsi prej rreth 8,3 milionë milje nga Dielli” dhe se Atlas mund të klasifikohet si një kometë “përfshirëse e diellit”, transmeton AA.

    Balaji tha se kjo ngjarje, e cila ndodh një herë në 160 mijë vjet, mund të vërehet më qartë në hemisferën jugore, por mund të jetë e vështirë për t’u parë nga hemisfera veriore për shkak të pozicionit të saj në raport me Diellin.

  • ​Komisionerja e BE-së në muajin shkurt viziton Tiranë: Progresi i Shqipërisë të merret si shembull

    ​Komisionerja e BE-së në muajin shkurt viziton Tiranë: Progresi i Shqipërisë të merret si shembull

    Komisionerja e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Marta Kos njoftoi gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian se planifikon të vizitojë Tiranën në shkurt.

    Komisionarja tha se këtë vit priten zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe progres më të madh sesa në 10 vitet e fundit.

    Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Progresi i Shqipërisë duhet të merret si shembull edhe nga vendet e tjera”, tha Kos.

    Kos gjithashtu njoftoi se së shpejti do të vizitonte Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuara në procesin e zgjerimit.

    “Mali i Zi pritet t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 ndërsa Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim këto vende, por duhet një punë shumë e madhe”, tha ajo.

    “Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur vendet kandidate t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“, tha Kos.

    Për mua kultura dhe sporti kanë fuqinë unike për të bashkuar njerëzit përtej kufirit – tashmë po flasim me vendet kandidate për të organizuar një ndeshje futbolli mes një ekipi të vendeve kandidate dhe një ekipi të shteteve anëtare,” tha Kos.

    “Unë mendoj se nëse kemi disa deputetë sportivë të Parlamentit Evropian duke përfshirë gra – sigurisht e mirëpritur ngrohtësisht nga kryeministri i Shqipërisë, ne kemi folur për një ndeshje basketbolli – pasi dikur ai ka qenë një basketbollist”, shtoi ajo.

    “Pyetja është: Në kuadër të progresit të rëndësishëm në negociatat për Shqipërinë dhe Malin e Zi – kështu që 2028 apo 2029 a mund të jetë një propozim realist për anëtarësimin e tyre? A është kjo shumë ambicioze – lidhur me llojin e hapave që duhet të ndërmerren për të arritur atë afat kohor?”, tha Kos.

    “Atëherë me zgjedhjet politike në Shqipëri që do të mbahen në maj të këtij viti, do të ishte e dobishme që komisioni të mendojë se çfarë mund të bëhet për të shmangur çdo lloj ndërhyrje në këto zgjedhje nga jashtë, por për fat të keq e kemi parë këtë duke ndodhur në Gjeorgji”, tha ajo.

    “BE duhet të ndërmarrë disa veprime të koordinuara për t’u siguruar që proceset në Shqipëri dhe në Mal të Zi mund të ecin përpara në një mënyrë pozitive dhe kjo është thelbësore për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kos./ATA/

  • Suspendimi i policëve, KMDLNj: U bë sipas standardeve të dyfishta

    Suspendimi i policëve, KMDLNj: U bë sipas standardeve të dyfishta

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar sot lidhur me suspendimin e para disa të ditëve të policëve që u raportua se kanë marr pjesë në fushatë zgjedhore. KMDLNj këtë e quan si suspendim nga puna sipas standardeve të dyfishta, raporton EO.

    “Polici hetues për raste të korrupsionit të profilit të lartë, Idriz Gashi, pasi shërbeu mbi 20 vjet në Policinë e Kosovës u suspendua nga puna me arsyetim se paska marrë pjesë në tubim të një partie politike. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka urdhëruar që policët e Kosovës të mos marrin pjesë në asnjë tubim apo fushatë zgjedhore të asnjë subjekti politik sikur që me asnjë paraqitje publike apo përmes rrjeteve sociale të identifikohem me një parti apo përcaktim politik”, thuhet në njoftim.

    Sipas KMDLNj – së kjo urdhëresë është e drejtë dhe e domosdoshme për ta mbrojtur paanësinë e Policisë së Kosovës nga çdo ndikim partiak, politik apo grupeve të interesit për faktin se Policia është në mbrojtje të rendit dhe ligjit që janë në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, politike, moshës, gjinisë, racore, kulturore apo statusit në shoqëri.

    Në ndërkohë polici Idriz Gashi është kthyer në punë, i është kthyer arma zyrtare si dhe distinkti identifikues që, sipas KMDLNj- së ishte veprim i drejtë bazuar në fotot ku nuk vërtetohet prania e policit Gashi në një tubim partiak pasi avokati dhe vet polici kishin kundërshtuar vendimin për suspendim. Për çudi të opinionit por jo edhe të KMDLNj – së, pas përfundimit të orarit të punës, policit Gashi i ishte dorëzuar një tjetër vendim pêr suspendim nga puna, pa të drejtë kundërshtimi deri në një afat të pacaktuar. Nga praktika e KMDLNj – së ka raste të ngjashme me rastin e policit Gashi ku palët e suspenduara janë detyruar të kalojnë një kohë të gjatë para gjykatave ku edhe e kanë fituar pafajësonë, janë kompensuar materialisht mirëpo në aspektin e dëmtimit të reputacionit personal dhe familjar kanë mbetur të pakompenzuar e që paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe trajtim diskriminues. Punëdhënësi (institucioni) i eliminon punëtorë që vlerëson se i pengojnë apo për shkaqe politike ndonëse nuk kanë bazë ligjore. Atyre nuk iu bëhet vonë që e dëmtojnë buxhetin edhe në raste kur janë të sigurt se e humbin rastin.

    Ka dëshmi se udhëheqës të ndërmarrjeve publike apo institucioneve të pavarura kanë marrë pjesë aktive në tubime politike dhe partiake e nuk kanë suspenduar nga puna. Kjo paraqet rast flagrant të zbatimit selektiv të standardeve disiplinore dhe ndëshkuese.

    KMDLNj edhe më parë ka kërkuar që të krijohet një mekanizëm institucional që do të krijonte kushte për kompensim moral dhe profesional të personave të suspenduar apo akuzuar e që e dëshmojnë pafajësinë.

    KMDLNj kërkon nga Inspektorati policor i Kosovës që të ruaj pavarësinë, paanësinë dhe profesionalizmin gjatë marrjes së vendimeve dhe t’i mos nënshtrohen asnjë presioni politik apo grupeve të interesit.

    Rastin e policit Gashi KMDLNj – ë e trajton ekskluzivisht nga aspekti i të drejtave të njeriut duke theksuar se këto të drejta janë shkelur gjatë risuspendimit dhe mohimit të drejtës për kundërshtim.

  • Vuçiq i bën thirrje opozitës të iniciojë referendum nëse ai duhet të qëndrojë në postin e presidentit

    Vuçiq i bën thirrje opozitës të iniciojë referendum nëse ai duhet të qëndrojë në postin e presidentit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ftoi më 14 janar përfaqësuesit e opozitës që të kërkojnë mbajtjen e një referendumi këshillues për qëndrimin e tij në këtë post, me qëllim që të përcaktohet mbështetja që ka në mesin e qytetarëve.

    Vuçiq, përmes një videoje të publikuar në Instagram, tha se Qendra Joqeveritare për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) në Beograd kohët e fundit publikoi rezultatet e një sondazhi. sipas të cilit, në një referendum të tillë, 52 për qind e qytetarëve do të votonin kundër qëndrimit të tij në këtë funksion.

    “Nëse këto pohime të CRTA-s janë të sakta, për mua është e pamundur të qëndroj në postin e presidentit të Serbisë. Prandaj, është e nevojshme që partitë opozitare të dorëzojnë vetëm 67 nënshkrime [të deputetëve] – dhe ata kanë më shumë se 80 – për të kërkuar mbajtjen e një referendumi këshillues për presidentin e Serbisë”, tha Vuçiq.

    Partia opozitare për Liri dhe Drejtësi shkroi në X se ky “grep i regjimit është një përpjekje për të organizuar një referendum pa përmbushur kushtet zgjedhore, për të sjellë përsëri votues të rremë dhe për të bërë fushatë të papenguar në të gjitha televizionet që janë nën kontrollin e regjimit”.

    Sipas ligjit në Serbi, një referendum organizohet për të lejuar qytetarët të shprehin mendimin e tyre mbi një akt-propozim, për të konfirmuar një akt të miratuar ose për një çështje me rëndësi të përgjithshme. Ai mund të jetë detyrues ose këshillues.

    Organizata joqeveritare CRTA publikoi më 11 janar rezultatet e një sondazhi të opinionit publik, sipas të cilit, nëse një referendum do të mbahej tani, 52 për qind e qytetarëve do të refuzonin, ndërsa 34 për qind do të shprehnin besim ndaj presidentit.

    Njëkohësisht, sondazhi tregoi se shumica e qytetarëve në Serbi nuk mendojnë se një referendum këshillues, pra jodetyrues, për besimin ndaj presidentit të Serbisë do të ishte zgjidhja për daljen nga kriza politike – ide kjo që u propozua nga Vuçiq.

    Vuçiq vlerësoi se Serbia është nën “presion të përbashkët dhe të koordinuar nga jashtë dhe brenda në nivel politik”.

    Sipas tij, legjitimiteti është gjëja më e rëndësishme në politikë dhe sovraniteti buron nga vullneti i popullit.

    “Unë do të respektoj çdo vendim që do të merret në referendumin këshillues dhe nëse vendimi është që më shumë se 50 për qind, qoftë edhe për një votë, dëshirojnë që të mos jem president i Serbisë, unë do të jap dorëheqje menjëherë”, deklaroi Vuçiq.

    Ai tha se është “çështje diskutimi” nëse referendumi këshillues do të mbahej në mars, prill apo maj.

    “Kjo është një mënyrë për ta zgjidhur në mënyrë paqësore krizën e shkaktuar nga abuzimet e pamoralshme të tragjedisë, duke respektuar gjetjet objektive të sondazhit të opinionit publik. Kështu, Serbia hyn në ujëra të qeta”, shtoi presidenti.

    Prej më shumë se dy muajsh, në Serbi po zhvillohen bllokime dhe protesta, ku qytetarët, studentët dhe opozita kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për rrëzimin e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona dhe u plagosën rëndë dy të tjerë.

    Mbi 60 fakultete në katër universitete shtetërore janë bllokuar.

    Sondazhi i CRTA-s, ndër të tjera, tregoi se 61 për qind e qytetarëve të Serbisë mbështesin bllokimet dhe protestat, ndërsa pjesa më e madhe e tyre (48 për qind) besojnë se përgjegjësinë politike për rrëzimin e strehës duhet ta mbajnë ministrat përkatës, e më pas presidenti i Serbisë (39 për qind).

    Sondazhi i opinionit publik u organizua, sipas njoftimit të CRTA-s, mbi një kampion përfaqësues prej 1.030 të anketuarish në territorin e Serbisë, nga 20 deri më 28 dhjetor 2024.

    Autoritetet në Serbi dënojnë protestat dhe bllokimet.

    Streha prej betoni e ndërtesës së stacionit në Novi Sad u shemb vetëm disa muaj pas hapjes solemne të stacionit – pas një rikonstruksioni trevjeçar dhe pretendimeve të zyrtarëve se ishte bërë sipas standardeve më të larta evropiane.

    Prokuroria e Lartë në Novi Sad ngriti më 30 dhjetor aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me rrëzimin e strehës.

    Ndër të akuzuarit janë ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, dhe ndihmësja e tij Anita Dimoski, si dhe ish-drejtoresha e ndërmarrjes publike “Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë,” Jellena Tanaskoviq.

    Në paraburgim janë 10 të akuzuar, Vesiq është i lirë, ndërsa Tanaskoviq dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak.