Kandidati për deputet nga LDK, Visar Azemi, në emisionin CONTEXT në ATV, prezantoi planin e partisë për ndërtimin e një termocentrali me gaz në Ferizaj, si pjesë e projektit për gazifikimin e Kosovës me mbështetjen e gazit amerikan.
Azemi tha se ky projekt do të sigurojë kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike prej 500 megavatësh dhe do të reduktojë varësinë e Kosovës nga importi.
“Termocentrali me gaz, me një kosto prej 500 milionë eurosh, do të përfundohet brenda një mandati qeverisës katërvjeçar të LDK-së,” deklaroi Azemi.
Ai shtoi se rrjeti i gazifikimit do të mundësojë ndërtimin e ngrohtoreve qendrore në qytetet kryesore të vendit.
Azemi tha se ky projekt është thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e energjisë për industrinë dhe ekonominë familjare.
Deklaratën e plotë të Visar Azemit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Profesori i Ekonomisë, Medain Hashani, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi mungesën e fokusit në sektorin privat në programin ekonomik të LDK-së, duke theksuar rëndësinë e këtij sektori në tregun e punës.
Hashani tha se programi përqendrohet kryesisht në sektorin publik, si te koeficienti i pagave, duke anashkaluar punonjësit e sektorit privat.
“Asnjë gjë nuk flitet për sektorin privat. Në Kosovë janë rreth 380 mijë të punësuar, ndërsa vetëm 90 mijë janë në sektorin publik dhe diku 270 mijë janë punëtorë të sektorit privat”, deklaroi Hashani.
Ai tha se një program gjithëpërfshirës duhet të adresojë nevojat e sektorit privat për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Deklaratën e plotë Medain Hashanit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Kandidati për deputet nga LDK, Besian Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, prezantoi planin e partisë së tij për investime kapitale prej 1.5 miliardë eurosh në Komunën e Prishtinës.
Ai tha se programi “Rruga e Re” përfshin projekte të ndara në sektorë si shëndetësia, arsimi, kultura dhe teknologjia.
Mustafa tha se këto investime janë pjesë e një vizioni për zhvillimin ekonomik.
“Abdixhiku dhe Rama prezantuan projektet që parasheh programi “Rruga e re”, sa i përket komunës së Prishtinës ose regjionit metropolitan të Prishtinës, një program prej 1.5 miliard euro projekte kapitale për Komunën ë e Prishtinës, të ndarë në disa sektorë, si: shëndetësi, arsimi, infrastrukturë, kulturë, teknologji”, deklaroi Mustafa.
Ai gjithashtu shtoi se LDK parashikon një rritje ekonomike prej 5% dhe një buxhet prej 5 miliardë eurosh deri në fund të mandatit.
Deklaratën e plotë të Besian Mustafës në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Jehona Lushaku Sadriu, kandidate për deputete nga LDK, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia e saj synon të rrisë gjithëpërfshirjen në arsim duke ndërtuar 80 çerdhe për fëmijët nën moshën pesë vjeç.
Ajo tha se programi I LDK-së, “Rruga e Re”, është bazuar në analiza të detajuara të komunave dhe raporteve ndërkombëtare, duke adresuar sfidat kryesore në arsim.
“Gjithëpërfshirja është tepër e ulët për fëmijët nën 5 vjeç. Synojmë t’i ndërtojmë 80 çerdhe në një kohë prej katër vitesh dhe të mundësojmë përfshirjen e shumicës së fëmijëve të Kosovës”, tha Lushaku Sadriu.
Po ashtu, ajo përmendi një plan për riorganizimin e rrjetit shkollor bazuar në ndryshimet demografike.
Deklaratën e plotë të Jehona Lushaku Sadriut në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Ujë brenda shkollës nuk kanë, andaj për të pastruar shpuzën e drrasës së zezë, detyrohen që në të këto ditë të ftohëta janari të dalin në oborr.
Përveç ujit, nxënësit e shkollës fillore “Ali Asllani”, në Doganaj të Kaçanikut nuk i kanë as kushtet e mira infrastrukturore.
Shkolla e re ishte nisur në vitin 2019, por punimet nuk u kryen asnjëherë. Madje që nga 2020-ta, në të nuk u vendos as edhe një gozhdë.
“Fëmijët tanë po mësojnë në kushte jashtëzakonisht të vjetër, këtu nuk është punua asgjë”, tha Kemajl Murseli, banor i fshatit Doganaj.
Objekti i ri ka filluar të dëmtohet dhe është shndërruar në strehë për qentë endacak.
“Shkolla e re është mjerim, aty është gërmadh, po shkatrrohet çdo ditë qentë endacak, thitë e egër vijnë rrinë aty”, tha Naser Murseli, banor i fshatit Doganaj.
Megjithatë nëse objektI që u nis para 6 vjetëve, nuk përfundon deri në shtator, prindërit thonë se do T’i ndalin fëmijët nga shkolla.
“Ma mirë me u mbyllë krejt se me punu në këtë gjendje, jemi kanë të mendimit që krejt me u ndërpre. Nëse nuk ndërrmeret ndonjë hap fëmijët nuk do të vazhdojnë mësimin këtu”, tha Ibrahim Dalloshi, banor i fshatit Sllofonicë.
Kur iu vu gurëthemeli, në pozitën e zv.Ministrit të Arsimit, në atë kohë ishte Azem Guri. Tani ai thotë se projekti që kushtoi 1.2 milionë euro do të ishte dashur të përfundonte më 2021-ën.
Në shkollën “Ali Asllani” në Doganaj, mësojnë rreth 280 nxënës, megjithatë në fillim të stinës së Pranverës, mësimi shpesh ndërpritet për shkak ë të shfaqjes së disa insekteve që e pamundësojnë mbajtjen e mësimit.
Ndërkaq, nga komuna i thanë ATV-së, se nuk janë në dijeni se kur do të ri-nisin punimet ngase MASHTI, nuk iu ktheu përgjigje asnjëherë. E njejtë nga ky dikaster përgjigje nuk mori as televizioni.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Lufta në Ukrainë si dhe konflikti në Lindje të Mesme kanë shkaktuar probleme me migracion dhe inflacion edhe brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Madje këto dy çështje janë duke pasur ndikim edhe sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, tha eurodeputeti Lars Patrick i cili të martën mbajti ligjëratë para studentëve të Kolegjit AAB.
“Pse? Sepse njerëzit po bëjnë më shumë pyetje: ne kemi probleme brenda shteteve anëtare, shumë çështje të pazgjidhura, pse duhet të marrim më shumë probleme, pse duhet të kemi më shumë probleme duke pranuar shtete të reja në BE, siç janë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor? Shtet si për shembull Kosova, si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia”, tha eurodeputeti Lars Patrick.
Patrick Berg shtoi se këto dy çështje madje duhet të jetë prioritet për politikanët, të cilët duhet të përqendrohen në mundësitë e shteteve përkatëse për anëtarësim në BE.
“Nëse kjo nuk ndodhë mendoj se njerëzit në Republikën e Kosovës, veçmas gjeneratat e reja, sikur shumë prej jush këtu në këtë dhomë, mund të largoheni nga BE-ja dhe idealet e BE-së, dhe të largoheni nga vendi”, tha Patrick Berg.
Lars Patrick Berg është një politikan gjerman i cili që nga viti 2019 është pjesë e Parlamentit Evropian.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Mëngjesin e 46-të pas sulmit terrorist me lëndë shpërthyese, kanali i Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut u rifunksionalizua.
Punëkryesit e kontraktuar hoqën digën e improvizuar prej druri e metali, që për pak më shumë se një muaj u mundësoi kryerjen e punëve rehabilituese – duke drejtuar rrjedhën kah kanali i përkohshëm anësor.
Pasi tha se ndërtimi u bë javë më parë, kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka theksoi se nuk deshën të nxitohen pa u siguruar që janë kryer të gjitha punët.
“Ju e dini se betoni dhe izolimi kërkon pa kohë për tharje. Dhe, nuk kemi dashur në kohën e festave të bëjmë eksperimente, kështu që sot dalëngadalë metër kub pas metër kub kemi lëshuar ujin dhe siç po shihet çdo gjë është në rregull”, tha Mujka.
Projekti në tërësi, përfshirë largimin e kanalit anësor dhe rihapjen e rrugës, sipas Mujkës ka kosto afër 370 mijë euro.
“Bypassi ka qenë zgjidhje momentale, derisa ka përfundua renovimi i kanalit kryesor. Ne gjithsesi do ta kthejmë në gjendjen e mëparshme, sepse ju e dini që poshtë është rrugë, rrugë publike, dhe sa më shpejtë, në varësi të kushteve atmosferike do ta kthejmë në gjendjen e para 29 Nëntorit”, tha Mujka.
Kthimin e normalitetit në kanal e mirëpriti kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
“Kanë arrit në afatet e caktuara të lëshohet kjo, ani pse edhe kjo unaza e bypassit ka bërë furnizimin e duhur edhe për ekonomitë familjare edhe për ftohjen e turbinave në KEK. Kështu që mirë është”, tha Zeqiri.
Më 29 Nëntor, një segment i kanalit të Ibër Lepencit pësoi dëme të rënda si pasojë e një sulmi terrorist me lëndë shpërthyese, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike në tërë vendin dhe me ujë në një pjesë të madhe.
Për sulmin ndaj infrastrukturës kritike në paraburgim po mbahen dy të dyshuar – të dy pjesëtarë të komunitetit serb.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Mbrëmjen e 21 nëntorit të vitit 2022, Arton Duraku, me kamionetë aksidentoi, veturën që po e ngiste e Flordian Shabaj, i cili vdiq meqë nuk u ndihmua nga askush.
Më shumë se 2 vjet pas ngjarjes, gjykata shpalli aktgjykim dënues ndaj Durakut, të cilin e shpalli fajtor për dy vepra penale: atë të rrezikimit të trafikut publik dhe mosdhënies së ndihmës.
“Për veprën penale rrezikim i trafikut publik, dënohet me 6 vjet e 4 muaj. Për mosdhënie të ndihmës, dënohet me 10 muaj. Dënim nnifikues, 6 vjet e 8 muaj”, tha kryetari i Trupit Gjykues, Shaqë Curri.
Me burgim, për mosdhënie të ndihmës, u dënua edhe Nezir Duraku, i cili ishte bashkë me Artonin në kamionetë, në natën kritike.
“Nezir Durakut për veprën “mosdhënie të ndihmës”, I cakton dënim prej 10 muajsh burgim”, tha Curri.
Me këtë vendim, nuk po pajtohet aspak, babai i të ndjerit i cili ishte kadet i policisë.
“Shpalli aktgjykimin më tronditës që e kam dëgju ndonjëherë. Nuk e kam prit aspak këtë vendim. Një polic të vritet brutalisht në komunikacion…. Është vendim absurd…Kjo gjykatë, e vrau përsëri djalin”, tha Enver Shabaj, baba i viktimës.
Në gjykimin e parë, Arton Duraku dhe Nezir Duraku ishin dënuar me gjithsej 15 vjet burgim. Por, Supremja e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës e cila u ngrit në mars të vitit 2023, i pandehuri, pa patentë shofer, po e ngiste kamionetën e paregjistruar duke mos e përshtatur shpejtësinë.
Pikërisht në rrugën Klinë-Skenderaj, me pjesën e rimorkios, kishte goditur automjetin e të ndjerit, i cili vdiq nga plagët e marra.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Me këmbë e duar të lidhura, i dënuari me burg të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa bashkë me Arbër Sjediun u paraqitën në Gjykatën e Apelit, e cila këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.
Në seancën që ishte e mbyllur për media, u shqyrtuan ankesat e të dyja palëve për aktvendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt në korrik të 2024.
Megjithatë avokat i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi tha se është e qartë se dy të dënuarit janë përgjegjës për vrasjen e Marigona Osmanit.
Rexhepi theksoi se kërkesë e mbrojtës është që dënimi prej 15 vitesh për Arbër Sejdiun të rritet.
Në gushtë të 2023, Dardan Kirvaqa u dënua më burg të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osamanit, ndërkaq Arbër Sjediu me 15 vite burg për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
5 muaj më vonë, pas ankesave të ngritura, Gjykata e Apelit kishte kthyer rastin për rigjykim, por në korrik të 2024, Gjykata Themelore e Ferizajt kishte aplikuar dënimet e njëjta për dy të pandehurit.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të dënuarit Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Në Bruksel, të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Halil Cenaj është caktuar ta përfaqësoj Delegacionin e Kosovës.
Megjithatë përfaqësues të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës nuk kanë pritshmëri të mëdha nga ky takim.
“Ne si familjarë nuk presim ndonjë rezultat as prej këtij takimi sepse kemi të bëjmë me një shtet i cili ndërkohë vetë e neglizhon procesin e çështjeve të personave të zhdukur. Çështja humanitare nuk guxon të ndërlidhet me çështje politike sepse kjo është dashur të zgjidhet kaherë”, tha Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur.
Grajqevci insiston që bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë për zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e hapjes së arkivave serbe.
Por ky takim po shihet si mundësi e mirë, nga njohës të fushës për të parë nëse ekziston vullnet politik për të zbatuar angazhimet e marra nga të dyja palët.
“Disa herë ka pasur përpjekje që të ketë zbatim së të pagjeturve në dialogun e Brukselit që nga viti 2011, por secilën herë pastaj ka ngecur zbatimi i dakordimeve. E në këtë drejtim çështja më kryesore është që do të dëshmohen shenjat e para se a ka vullnet për të pasur transparencë”, tha Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë. Palët arritën dakordim për themelimin e një Komisioni të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate.
Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i kryqit të kuq.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: