ATV

Author: ATVLive

  • Një muaj pas inaugurimit të pjesshëm të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë

    Një muaj pas inaugurimit të pjesshëm të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një muaj pas inaugurimit të pjesshëm të rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, punët për pjesën e mbetur kanë stagnuar.

    Megjithatë kontrata e nënshkruar me 8 shkurt të vitit të kaluar, parashihte qe brenda periudhës një vjeçare, të përfundonte e tërë rruga me gjatësi 9.78 kilometra.

    Madje atë kohë zv/ministri i infrastrukturës Hysen Durmishi, thoshte se e kanë kushtëzuar kompaninë që mos të ketë vonesa si në të kaluarën.

    Kur kanë mbetur vetëm 18 ditë para një vjetorit të nënshkrimit të kontratës, përfundimi i tërësishëm i rrugës duket ende larg.

    Fajin për këtë megjithatë Durmishi ia lë motit të ligë, teksa pa treguar detaje, thotë se kompania do të penalizohet për mospërmbushje të kontratës.

    “Për shkak edhe të kohës, tash koha e dimrit. Ne e kemi një kontratë me ta, ata e kanë për obligim me i respketu kushtet e kontratës. Aty është një kompani ndërkombëtare mbikëqyrëse që i kontrollon punimet dhe nëse kontraktori nuk e respekton kontratën do të ketë penalizime”, ka thënë Durmishi.

    Kësisoj, pavarësisht lëshimit të segmentit të parë, kolonat në hyrje të Vushtrrisë vazhdojnë të jenë të gjata.

    Madje tek kyçja në rrugën që të dërgon brenda në qytet, shoferët presin deri në gjysmë ore.

    Sidoqoftë me kolona të tilla qytetarët do të përballen dhe për një kohë, pasi nga Ministria nuk dhanë afate se kur mund të përfundohet e gjitha.

    Punët për zgjerimin dhe ndërtimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, në një gjatësi rreth 35 kilometra, kanë nisur para 15 vjetësh.

  • Në rigjykim, Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me katër vjet burgim Leotrim Shalën, për shtytje

    Në rigjykim, Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me katër vjet burgim Leotrim Shalën, për shtytje

    Përgatiti: Nora Luta

    Në rigjykim, Gjykata e Mitrovicës dha një tjetër verdikt për Leotrim Shalën, i akuzuar për shtytje në vetëvrasje të të fejuarës së tij, Betina Ymeri.

    Ndryshe nga vendimi në tetor të vitit të kaluar, kur ishte liruar nga akuza, këtë të martë Shala u shpall fajtor, duke u dënuar me katër vjet burgim.

    Pasi tha se u morën parasysh vërejtjet e shkallës së dytë drejt vlerësimit të deklaratave të dëshmitarëve, dhe të të akuzuarit të dhëna në Polici, gjykata theksoi se deri tek vendimi, erdhi edhe bazuar në provat e reja.

    Sipas aktgjykimit, maltretimet që Shala po ia bënte viktimës, u vërtetuan edhe përmes komunikimit të palëve në rrjetin social Instagram.

    Vendimin e Gjykatës e kanë konsideruar meritor familjarët e Ymerit, dhe aktivistë të shoqërisë civile.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, Leotrim Shala nga dhjetori i 2021-ës deri në shtator të 2022-ës, duke e rrahur, kanosur dhe duke ia ndaluar të punoj, e duke i shkaktuar presion të lartë psikik, e kishte nxitur Betina Ymerin të vetëvritet.

    Sipas dosjes Ymeri, e kishte kontaktuar Shalën përmes video-lidhjes, e më pas e kishte kryer vetëvrasjen.

    Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rivendosje, pasi kishte vlerësuar se shkalla e parë nuk kishte arritur në mënyrë të hollësishme të bëjë vlerësimin e provave një nga një, dhe ndërlidhjen e tyre.

    Sipas Apelit, është dashur të shqyrtohet në veçanti deklarata e nënës së viktimës Fatime Ymerit, e cila gjatë gjykimit kishte thënë se vajza ka pasur në krahun e majtë, dy vija në formë të prerjes nga i akuzuari.

  • Edhe pesë policë e fitojnë lëndën për pagën e 13-të

    Edhe pesë policë e fitojnë lëndën për pagën e 13-të

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Me pagën e janarit, disa policëve do t’u dalin më shumë para. Pas disa vjetësh zvarritje nëpër gjykata, 5 pjesëtarë të Policisë do ta marrin pagën e 13, për katër vjetët që iu mohua.

    Sipas një aktgjykimi të shpallur rishtazi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ministria e Punëve të Brendshme, detyrohet që policëve në fjalë, t’ua paguajë 14.430 euro, apo nga 2886 euro për secilin prej tyre.

    Marrja e parave që u takojnë përmes procedurave gjyqësore, sipas juristëve konsiderohet shpenzim shtesë, andaj thonë se policia do të duhej t’i përfundonte këto pagesa qysh në fillim.

    Për më tepër, kostoja vetëm sa rritet, pasi institucionet vazhdimisht dorëzojnë ankesa në gjykata, për lëndë që në parim dihet se janë të fituara.

    Kjo më pas ndikon që lëndët të zvarriten pasi ngarkohet puna e gjyqtarëve.

    Sidoqoftë, policët vazhdojnë që pagën që u takonte, ta kërkojnë duke ndjekur procedurat ligjore. Deri më tani llogaritet që rreth 6000 pjesëtar të policisë, kanë deponuar padi ndaj institucionit ku punojnë.

  • Prej 97 kandidatëve që i’u nënshkruan testimit për t’u pranuar në punë si zjarrfikës kaq kaluan

    Prej 97 kandidatëve që i’u nënshkruan testimit për t’u pranuar në punë si zjarrfikës kaq kaluan

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Komunat gjithmonë janë ankuar për numër të vogël të zjarrfikësve, mirëpo pritet që sadopak numri i tyre të rritet.

    Prej 97 kandidatëve që iu nënshtruan testimin me shkrim për zjarrfikës 90 prej tyre e kaluan testin mbi 50 pikë e sipër.

    41 prej personave aplikuan në Prishtinë, 4 në Suharekë, 6 Gjakovë, 11 në Ferizaj, 7 në Malishevë, 9 në Vushtrri, 4 në Podujevë, 2 në Junik, 5 Lipjan, 3 ne Gjilan, 1 në Klinë dhe pesë në dragash 5 Dragash.

    Edhe pse rekrutimi bëhet direkt nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent, zjarrfikësit, pagat i marrin nga komunat.

    Komuna që do të pranojë më së shumti zjarrfikës, Prishtina, thotë se është e gatshme financiarisht për pjesëtaret e rinj.

    “Kryeqyteti i përmbush të gjitha kushtet që këta zjarrfikës të fillojnë punën, ne buxhetin 1 milionë e 100 mijë euro për paga dhe shërbimet e zjarrfikësve, kemi buxhet për 115 zjarrfikës ndërkaq që i kemi 82 zjarrfikës”, tha drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica.

    Pagat dhe shërbimet tjera që nevojiten për zjarrfikësit e rinj tashmë i ka siguruar edhe komuna e Podujevës.

    “Si komunë planifikojmë çdoherë, nuk ka asnjë problem sa i përket buxhetit, vitin 2024 ka qenë 635 mijë euro, veç për paga 335 mijë euro kanë qenë të dedikuara”, tha drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Bejtullah Osmani.

    Hapja e konkursit ishte kërkesë e kamotshme e komunave, më shumë se para 2 vjetëve.

    “Ne i kemi 13, pritet me na u shtua dy por nuk mjaftojnë”, tha drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Podujevë, Bahri Selimi.

    Aktualisht, paga mesatare e një zjarrfikësi në Kosovë është 525 euro.

  • Rryma në fshatin Shupkovc të Mitrovicës është aq e dobët saqë pajisjet elektrike nuk punojnë

    Rryma në fshatin Shupkovc të Mitrovicës është aq e dobët saqë pajisjet elektrike nuk punojnë

    Përgatiti: Sara Mulliqi

    Enver Latifi, banor i fshatit Shupkovc në Mitrovicë, nuk e mban në mend kur rryma në këtë fshat ishte aq e fortë sa për ta ndezur televizorin.

    “Televizori si televizor është, por pa e ndezur korrektorin nuk ndezet e as nuk punon. Nga ora 17:00 e tutje nuk ka shancë asgjë që të punojë. Nuk ka shancë pasi që është shumë rrymë e dobët”, tha Latifi.

    Shkak për telashet e fshatit me rrymë është trafoja e cila nuk përmbushë kapacitetin e plotë. Si rezultat rryma në Shupkovc nuk mjafton as për nevoja elementare.

    “Këtu kemi probleme me energji elektrike diku gati që katër deri pesë vite. Paisjet elektrike këtu nuk punojnë fare, sidomos në kohën e mbrëmjes. Kemi bërë kërkesë në kompaninë KEDS, para një viti por nuk është ndërmarrë asgjë, tash edhe një kërkesë tjetër e kemi dërgu para dy muajve e gjysmë, por nuk kanë kthyer përgjige për asnjërën ankesë”, tha Naser Islami, banor i fshatit Shupkovc.

    Situata bëhet akoma më e rëndë gjatë dimrit kur temperaturat janë të ulëta.

    “Ne si banorë po kemi telashe, pasi që po duhet si alternativë për të përdorur drunjtë për të kryer nevojat familjare si ngrohjen, përgatitjen e ushqimit e të gjitha çfarë duhen”, tha Islami.

    Për rastin të informuar janë edhe në KEDS. Megjithatë zëdhënësi, Lulzim Krasniqi ka thënë se konsumatorët në Shupkovc kanë furnizim të qëndrueshëm me rrymë.

  • Të gjithë punëtorët në Kosovë do të duhej që nga muaji tetor të paguhen nga 350 euro por paga minima

    Të gjithë punëtorët në Kosovë do të duhej që nga muaji tetor të paguhen nga 350 euro por paga minima

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Lajmin se që nga tetori 2024 paga minimale do jetë 350 euro e mirëpriti, por Hafiz Sylejmani i cili punon si sigurim fizik në QKUK, pagën me rritje nuk e gëzoi asnjëherë.

    Sylejmani që mban edhe 5 anëtarë të tjerë të familjes, thotë se paga që e merr është e pamjaftueshme për të.

    I zgjedhur edhe si përfaqësues i punëtorëve të tjerë Sylejmani thotë se të dëshpëruar me këtë janë edhe kolegët e tij e që në të ardhëm paralajmërojnë edhe veprime sindikale.

    Si Sylejmani janë edhe qindra punëtorë të tjerë. E për këtë Sindikata e pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privati fajëson institucionet publike të cilat i kanë kontraktuar kompanitë që paguajnë punëtorët.

    Kryesuesi i Sindikatës të punëtorëve të sektorit privat, beson se Qeveria duhet t’i subvencionojë kompanitë e kontraktuara, në mënyrë që ato të kenë mundësi financiare t’i paguajnë punëtorët.

    Por edhe vetë vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale po vlerësohet i paligjshëm. Derisa edhe nga IKD thonë se duhet të bëhet rritja e vlerës së kontratave.

    Ndërkohë Kosova ende vazhdon të jetë një ndër vendet me pagën më të ulët në Evropë dhe rajon.

  • Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Si mund të ndikojnë te Kosova?

    Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Si mund të ndikojnë te Kosova?

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

    Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.

    Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

    Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

    Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

    Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

    Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:

    • ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
    • ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
    • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
    • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
    • ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
    • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
    • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

    Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë periudhës kur SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

    Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin Elizabeth McKee – pjesë e administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Bien – kishte thënë gjatë vizitës së saj në Kosovë vitin e kaluar se fokusi i USAID-it në të ardhmen do të jetë mbështetja e realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    “Kjo është një mundësi reale për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara në anëtarësimin në BE dhe të jenë në gjendje jo vetëm t’i kalojnë reformat, por t’i zbatojnë ato në një mënyrë kuptimplote”, kishte thënë ajo.

    Por, urdhri, ndër shumë të tjerë që Trumpi nënshkroi në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë, tha se “industria dhe burokracia e ndihmës ndërkombëtare nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane”.

    Tutje, aty thuhet se këto ndihma “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe stabile brenda dhe midis shteteve”.

    Si pasojë, Trump shpalli se “nuk do të shpërndahen më ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

    Llogaritja e fundit zyrtare e ndihmës ndërkombëtare në administratën e Bidenit tregon se 68 miliardë dollarë janë angazhuar për programe jashtë shtetit që shtrihen nga ndihmat për katastrofa deri te shëndeti dhe iniciativa pro demokracisë në 204 shtete dhe rajone.

    Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim, pasi këto shuma janë të përfshira në pako afatgjata që datojnë nga dekada më parë dhe në disa raste janë të rregulluara nga obligime traktatesh.

    Financimi për agjencitë e OKB-së, përfshirë agjencitë për ruajtjen e paqes, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, kanë qenë tradicionalisht shënjestra për administratat republikane. Administrata e parë e Trumpit e nisi reduktimin e shpenzimeve për ndihmën ndërkombëtare, duke pezulluar pagesat për disa agjenci të OKB-së, përfshirë Fondin e Popullsisë të OKB-së dhe financimin për Autoritetin Palestinez.

  • Zhgënjim në tregun e kriptovalutave, monedha e Donald Trump në rënie të lirë

    Zhgënjim në tregun e kriptovalutave, monedha e Donald Trump në rënie të lirë

    Kriptomonedha zyrtare e Donald Trump ka rënë me 32% gjatë 24 orëve të fundit. Kjo rënie vjen mes zhgënjimit për dështimin e presidentit për të prezantuar politika pro-kriptove në ditën e parë në zyrë, siç kishte premtuar gjatë fushatës.

    “Monedha meme” e tij, e njohusr si $TRUMP tani është përgjysmuar në vlerë duke çuar në një rënie të madhe, që pas rritjes rekord prej 65 dollarë dy ditë më parë.

    Sipas Crypto Today, monedha e Trump është tokeni me performancën më të keqe midis 100 kriptomonedhave më të mëdha.

    Sakaq, monedha e zonjës së parë (e quajtur $MELANIA) ka ecur edhe më keq, duke rënë me 61%.

    Vendimi për të lëshuar kriptovalutat e tyre është pasuar me një reagim të ashpër, madje edhe nga Bitcoiners dhe mbështetësit e Trump.

    Investitorët e Bitcoin kishin pritshmëri të mëdha për ditën e parë të presidentit në Zyrën Ovale. Raportet sugjeruan se Trump kishte planifikuar të emëronte kripto-meta si një nga prioritetet e tij kombëtare dhe do të njoftonte menjëherë planet për të futur në shina industrinë e kriptovalutave.

    Megjithatë, asnjë nga urdhrat ekzekutivë që ai nënshkroi dje nuk lidhej me asetet dixhitale dhe planet e SHBA për të investuar në Bitcoin përmes të ashtuquajturës “rezervë strategjike” ende nuk janë konfirmuar.

  • Rritet në 66 numri i viktimave nga zjarri në hotelin në Turqi

    Rritet në 66 numri i viktimave nga zjarri në hotelin në Turqi

    Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, njoftoi se është rritur në 66 numri i viktimave nga zjarri që shpërtheu në një hotel në lokacionin turistik dimëror Kartalkaya, ndërsa 51 të tjerë kanë mebtur të plagosur, raporton Anadolu.

    Nga 51 personat e plagosur, njëri është në gjendje kritike dhe aktualisht po trajtohet në repartin e kujdesit intensiv, konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, duke deklaruar se 17 persona janë liruar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.

    Një zjarr shpërtheu herët këtë mëngjes në një hotel në lokacionin turistik dimëror Kartalkaya në qytetin turk Bolu, duke bërë që ekipe të shumta emergjente nga qytetet fqinje, duke përfshirë zjarrfikësit, njësitë e reagimit ndaj fatkeqësive dhe ekipet mjekësore të mbështetura nga helikopterët, të dërgohen në vendngjarje.

    Autoritetet evakuuan rreth 230 të ftuar nga hoteli ndërsa përpjekjet për shuarjen e zjarrit vazhduan.

    Një hetim ka nisur për shkakun e zjarrit.

    Kartalkaya në provincën Bolu është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike dimërore në Türkiye dhe tërheq mijëra vizitorë gjatë sezonit të skijimit.

    Resorti ndodhet rreth 295 kilometra në lindje të Istanbulit.

  • PZAP-ja gjobit sërish Vetëvendosjen për gjuhën e përdorur nga Kurti

    PZAP-ja gjobit sërish Vetëvendosjen për gjuhën e përdorur nga Kurti

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur sërish subjetin politik Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë e 500 euro, për shkak të gjuhës së përdorur nga kryeministri Albin Kurti, në një tubim elektoral në Podujevë.

    Vendimi vjen pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërsa në vendimin e PZAP thuhet: “Më tutje parashtruesi i ankesës thekson se për ilustrim se çka ka thënë kryeministri Kurti në fjalimin e tij në Podujevë, të transkriptuar edhe në tekst e gieni si në vijim: “Te dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYII – Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike, por është dokrarike, e ne përgjithësi mender methane opozita po i japin zor mule anej mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e PZAP-së, raporton KosovaPress.

    Sipas PZAP-së, thuhet se “Me datë 17.01.2025 PZAP ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën pretendon se në qytetin e Podujevës me datë 15.01.2025 në ora 18:00 në tubimin politik të subjektit Lëvizja Vetëvendosje kryetari i kësaj partie dhe kryeministri aktual gjatë fjalimit të tij ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11 i cili shprehimisht thotë “përdorimi i gjuhës në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve”, thuhet më tej në vendim.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, para disa ditësh po ashtu e kishte gjobitur VV-në me 3 mijë euro, për shkak të gjuhës së përdorur nga Kurti në tubimin zgjedhor të mbajtur në Pejë.

    Ditë më parë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar me 20.000 euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.