ATV

Author: ATVLive

  • “Dy mijë punëtorë nga Azia”, por afër 52 mijë të papunë në Kosovë

    “Dy mijë punëtorë nga Azia”, por afër 52 mijë të papunë në Kosovë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në një prezantim në Davos të Zvicrës, duke folur për ato që i vlerësoi të arritura në raport me rritjen e punësimit, kryeministri Albin Kurti tha se në Kosovë janë dy mijë punëtorë nga Azia e largët, kryesisht nga Filipinet dhe Bangladeshi.

    Referuar normës së varfërisë prej 19.2%, sipas Bankës Botërore, profesori Shkumbin Misini vlerësoi se ka shpërputhje në statistikat e paraqitur nga kryeministri dhe realitetit.

    “Është kontroverse të thuhet që ne po importojmë nga vende të ndryshme të botës njerëz për punësim, e në anën tjetër e ke shkallën e papunësisë shumë të lartë. Dhe, shumë zhgënjyese është kur vetëm 37% e atyre që janë të aftë për punë, janë të punësuar”, tha Misini.

    Edhe për numrin e punëtorëve nga jashtë profesori tha se nuk ka të dhëna të
    sakta, meqë sipas tij, Kosova është kryesisht vend-tranzit.

    “Na shumica e bizneseve që i kam dëgjua, kanë thënë që ka raste që i kemi mbajtë, një jave, një muaj, tre muaj, ua kemi bërë leje-qëndrimet, ua kemi paguar banesat, u kemi dhënë paga paraprake dhe janë larguar pa njoftim”, tha Misini.

    Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë thanë se shifra e dhënë nga kryeministri është risi, ndërsa në mesin e arsyeve përmenden ikjen e punëtorëve vendorë.

    “Pjesa e sektorit të hotelerisë dhe ndërtimtarisë vazhdojnë të ndjejnë krizën për punëtorë, sepse siç e kemi pa është hapja e madhe e tregut në Evropë, sidomos në pjesën e Gjermanisë… dhe normalisht fuqia financiare atje është shumëfish më e madhe sesa e bizneseve në Kosovë”, tha Kushtrim Ahmeti, koordinator nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

    Si problem tjetër kyç në këtë kontekst, Kushtrim Ahmeti përmendi mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe mungesën e politikave orientuese e ndërlidhëse.

    “Në mungesë të funksionimit siç duhet të shkollave profesionale dhe ndërlidhjes së tyre me sektorin privat, atëherë kjo ka shkaktuar mungesë të madhe të punëtorëve profesional, dhe normalisht kur biznesi nuk gjen punëtorë brenda vendit, duhet të kërkojë të bëjë zgjidhje edhe jashtë vendit, në mënyrë që të vazhdojë të ekzistojë si biznes”, tha Ahmeti.

    Sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave, shkalla e jo-aktivitetit në tregun e punës është 59%, ndërsa numri të papunëve afër 52 mijë.

  • Në Prishtinë është hapur Muzeu i Fëmijëve të Luftës

    Në Prishtinë është hapur Muzeu i Fëmijëve të Luftës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo varëse ka një histori krejt të pazakontë nga lufta: nga duart e një ushtari serb, përfundoi në duart e Antigona Krasniqit, aso kohe, 8 vjeçare.

    “Një ushtar është ulë me njanin gju, i ka hapë durtë edhe më ka thirrë me më përqafu. Dikur e ka futë dorën në xhepin anash, dhe e ka nxjerrë një varëse. Ma tregoi prej së largu e më tha: “Hajde më më përqafë edhe ta jap varsen”. SHkova kur tha: hajde mere se I ka ngjyrat kuq e zi”, tha ajo.

    Deri tani, vajza e kishte mbajtur me shpresën që t’ia kthejë pronares të cilës ia kishte marrë ushtari serb, por pa arritur ta gjejë.
    Tani, janë rritur gjasat, meqë stolia është ekspozuar në Muzeun e Fëmijëve, i hapur në Prishtinë.

    Në një kënd tjetër të hapësirës, është vendosur edhe kukulla e Ardita Sylajt, e cila në luftë ishte vetëm 4 vjeçare.

    “Mami ma hjek kukullën, ma len përmi frigorifer, e ma jep ni qebe, që secili me pasë ni qebe me veti… Kur hypim në traktor, unë filloj me kajtë, thom “po kukullën? Kukullën nuk e mora”, e mami me më ndalë, ma çelin derën dhe kcej. Mami më jep leje me ni shikim, që shko merre”, tregoi ajo.

    Ekspozita “Loja e ndërprerë”, e organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut, adreson pikërisht fëmijëritë që u ndërprenë dhunshëm nga lufta.

    “Janë gjithsej 24 eksponate të cilat I kemi mbledhur në terren. Ky muze është një përpjekje simbolike që dënon luftën si mjet të dominimit dhe dhunës strukturore duke avokuar për drejtësi sociale dhe paqe të qëndrueshme kudo në botë”, tha drejtoresha e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, Bjeshkë Guri.

    Përveç gjësendeve në muze transmetohen edhe video-xhirime, pikërisht të kohës së luftës.

    Momentalisht, muzeu është në një hapësirë private, për të cilën organizata paguan qira mujore, me shpresën se më vonë me mbështetjen e institucioneve, mund të vendosen në ndonjë objekt publik.

  • Oda e Infermierëve të Kosovës shënoi 10 vjetorin e themelimit

    Oda e Infermierëve të Kosovës shënoi 10 vjetorin e themelimit

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Oda e infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor kremtoi një dekadë pune.

    Me rastin e 10 vjetorit të themelimit u theksua se infermierët mbesin grupi më i rëndësishëm i punëtorëve shëndetësor duke kontribuar në ngritjen e cilësisë dhe humanizmit.

    ‘’Sot infermieria kosovare ka kremtim të dhjetë vjetorit të themelimit të odës se infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor. Janë dhjetë vite sakrificë mund angazhime për të arritur deri këtu. Covidi ishte një virus I panjohur për Kosovën por edhe për gjithë botën përveq që luftuam me një virus të panjohur ne si komunitet ishum me pak të përgatitur duke shpresuar se gjëra të tilla most ë ndodhin asnjëherë. Edhe pse profesionistët shëndetësor jashtëzakonisht mirë ja kanë dalë’’, tha kryetarja e Odës së Infermierëve, Shukrije Gori.

    Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se është duke u punuar për përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjes së të drejtave të infermierëve e të tjera.

    “Ne e dimë se rritja dhe avancimi I sektorit shëndetësor janë të lidhura ngusht me përkrahjen dhe zhvillimin e fuqishëm të profesionistëve të shëndetësisë e në veqanti të infermierëve. Bashkë jemi të përkushtuar të investojme me shumë në edukimin e trajnimit të infermierëve të krijojnë mundësi për avancimin e tyre professional dhe të sigurojmë kushte me të mira. SHSKUK ka ndarë për këtë 1 milionë euro ku përfshihen edhe infermierët”, tha Vitia.

    Në këtë ngjarje u shfaq edhe një dokumentar i cili fliste për rrugëtimin 10 vjeçar të Odës së Infermierëve.

  • Pas reduktimeve të paparalajmëruara për gati 2 muaj, këtë të enjte u inaugurua nënstacioni Ferizaj

    Pas reduktimeve të paparalajmëruara për gati 2 muaj, këtë të enjte u inaugurua nënstacioni Ferizaj

    Pëgatiti: Pranvera Krasniqi

    Produktet ushqimore që i duhen për shtëpi i bleu.

    Por, tash hallin e ka si t’i bartë në katin e 8, pasi që rrymë nuk ka dhe ashensori nuk punon.

    Me këtë problem, për më shumë se një muaj po përballet i moshuari Sami Ymeri nga Ferizaj.

    “Në katin e tetë shumë lartë nuk po dimë se t’ia bëjmë, gruaja më prej asaj dite su dal hiç prej banesës”, tha Sami Ymeri, qytetar.

    Dikujt tjetër ndërprerjet e shpeshta të energjisë, ia dogjën pajisjet shtëpiake.

    Mirëpo, gjeneratorët, që janë bërë pjesë e përditshmërisë së ferizajasve, pritet të mos kumbojnë më.

    Furnizim të rregullt me energji elektrike, u premtoi qytetarëve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila të enjten inauguroi nënstacionin Ferizaj 3.

    Nënstacioni i ri, pritet të furnizojë me rrymë mbi 12 mijë konsumatorë.

    Fillet e ndërtimit të nënstacionit datojnë nga 2021-ta. Në janar të atij viti, ishte vendosur gurthemeli për ndërtimin e nënstacionit, me qëllim përfundimin në fund të vitit 2023.

    Fajin për dështimin në jetësimin e projektit brenda aftit, kryeshefi i KOSTT-it Evetar Zeqiri, ua hodhi problemeve me shpronësime dhe motit të ligë.

    Duke e konsideruar tejet të nevojshëm, kritika për vonesat, pati i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

    Kostoja e nënstacionit Ferizaj 3, kap vlerën prej afro 8 milionë euro, së bashku me linjën 3.31 kilometra.

  • Sfidat e vitit 2024 janë bartur edhe këtë vit për Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës

    Sfidat e vitit 2024 janë bartur edhe këtë vit për Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës

    Përgatiti: Nora Luta

    Kështu e përmbylli të enjten raportimin e punës për vitin 2024 të Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, gjyqtarja Afërdita Bytyqi.

    Bytyqi, që e udhëheq këtë Departament ka kërkuar shtimin e numrit të gjyqtarëve, ku me avancimin e dy prej tyre në Supreme, nga shkurti do të mbesin vetëm tre.

    Me numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve, po ballafaqohet edhe Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës. Aty aktualisht punojnë 9 gjyqtarë, 6 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 7 zyrtarë ligjorë.

    Me ligjin për gjykatat secili gjyqtar duhet të ketë të paktën një bashkëpunëtor. Këto departamente trajtojnë rastet penale më të rënda dhe komplekse në tërë territorin e vendit.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor në mbledhjen e së enjtes tha se sfidat e këtyre departamenteve do të adresohen me rregulloren e re, që pritet të finalizohet në muajin shkurt.

    Megjithatë, juristët konsiderojnë se për të rritur efikasitetin e trajtimit të këtyre rasteve, është më se e nevojshme që departamentet të shndërrohen në Gjykatë Speciale.

    Ndonëse në numër të vogël të gjyqtarëve, Departamenti Special gjatë vitit të shkuar ka përfunduar 79 lëndë, nga 70 sa ishte synuar.

  • 27 gjoba në vlerë totale prej mbi 136 mijë eurove, i ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa

    27 gjoba në vlerë totale prej mbi 136 mijë eurove, i ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa

    136 mijë e 500 euro është vlera totale e 27 gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka shqiptuar ndaj subjekteve politike, gjatë 12 ditëve të para të fushatës zgjedhore.

    Vetëm të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje u gjobit 6 mijë euro në dy vendime të ndara, Koalicioni për Familjen me 4500 euro, ndërsa Partia Liberale Egjiptiane, me 1 mijë euro.

    Gjobat kanë të bëjnë kryesisht me përdorimin e gjuhës apo vendosjen e materialeve të fushatës në vende të ndaluara.

    Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Demokraci, tregon se Lidhja Demokratike e Kosovës prin me gjoba në këtë periudhë.

    “Prin Lidhja Demokratike e Kosovës me 45,000 euro gjobë. Shkelje të tjera gjithashtu përfshijnë vendosjen e posterëve në hapësira publike në kundërshtim me ligjin në fuqi”, tha Bugaqku.

    Ndërsa analisti Shemsi Jashari vlerëson se këto gjoba janë të arsyeshme, ndërsa thotë se politikanët duhet pasur kujdes që të mos nxisin përçarje mes qytetarëve.

    “Zgjedhjet janë të lira, qytetarët janë të lirë të zgjedhin… deri ne fund”, tha Jashari.

    Gjobat që janë shqiptuar kanë të bëjnë edhe me veprime gjatë tubimeve elektorale, por edhe për gjuhën e përdorur në emisione televizive. /atvlive.tv

  • ​Zyrtari i lartë ushtarak i NATO-s vizitoi Bondsteel, takohet edhe me kreun e FSK-së

    ​Zyrtari i lartë ushtarak i NATO-s vizitoi Bondsteel, takohet edhe me kreun e FSK-së

    Në ditën e dytë të vizitës në KFOR, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët të NATO-s në Napoli, gjenerallejtënant Peter K. Scott dhe komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Enrico Barduani, vizituan sot Kampin Bondsteel, ku u pritën nga komandanti i Komandës Rajonale Lindje.

    Ata diskutuan për sfidat dhe mundësitë aktuale brenda fushës së operacioneve të KFOR-it dhe rolin që Komanda Rajonale Lindje luan në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.

    Gjenerallejtënant Scott gjatë ditës ka takuar edhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Takimi ishte një mundësi për të ri-konfirmuar angazhimin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.

    Vizita dy ditore përfundoi pasdite në selinë e KFOR-it ku gjenerallejtënant Scott përgëzoi gjeneralmajorin Barduani për kontributin e misionit që ai drejton në stabilitetin rajonal.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt në Kosovë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

  • ​Avni Islami: Serbia në emër të ndihmave blen votat e serbëve për zgjedhjet e 9 shkurtit

    ​Avni Islami: Serbia në emër të ndihmave blen votat e serbëve për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Në emër të asistencës sociale për familjet serbe në nevojë, Qeveria e Serbisë do të ndajë nga 170 euro ose 20 mijë dinarë ndihma për 5 mijë serbë, vendim që do të zbatohet nga 1 shkurti.

    Eksperti i sigurisë Avni Islami ka thënë se njoftimi i Qeverisë së Serbisë është përpjekje për të blerë votat e serbëve lokalë në Kosovë, dhe rrjedhimisht për të siguruar më shumë vende për Listën Serbe, që me shumë gjasë tashmë e ka humbur besimin e komunitetit pakicë serb në Kosovë.

    “Ky vendim lidhet me deklaratat e para ca ditëve të presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq për të shpallur Kosovën “zonë speciale e mbrojtjes sociale” me ç’rast do t’i krijohet mundësia qytetarëve serbë për të përfituar financiarisht”, ka shkruar Islami në X.

    Për më tepër, Islami thotë se veprimi i radhës i Beogradit zyrtar tregon qartë se nuk synon përkujdesjen ndaj serbëve, por vetëm shtrirjen e ndikimit në Kosovë përmes instrumentalizimit të qytetarëve serbë.

    “Kjo “ndihmë” vjen në mes të fushatës zgjedhore, që nënkupton që Serbia po i përdor serbët e Kosovës për vota, pikërisht në dobi të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit. A po i “blen” Serbia serbët?”, ka përfunduar Avni Islami.

  • ​Haradinaj: Duhet t’iu kthehemi marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump

    ​Haradinaj: Duhet t’iu kthehemi marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova duhet “t’i kthehet marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”.

    “Nuk guxojmë të humbim kohë, besoj shumë që do të ishte lajm I keq nëse nuk do ta ndërronim qeverinë Kurti, për shkak se dështoi të punojë me administratën Biden. Duhet t’i kthehemi marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”, tha Haradinaj në një intervistë për Zërin e Amerikës, derisa po qëndron në Shtetet e Bashkuara ku mori pjesë në inagurimin e presidentit Trump.

    Haradinaj tha se Kosova nuk duhet të përfshihet në planet e reja siç tha ai për riorganizim të prezencës amerikanë.

    “I kemi ofruar Amerikës përjetësisht lokacione, për përdorim ushtarak dhe civil, si Bondsteel dhe Film City, jemi të hapur për Aeroportin e Gjakovës, dhe Parku stërvitor në Babaj të bokës”, tha Haradinaj, transmeton KosovaPress.

    Në 20 janar, Donald Trump ka marrë zyrtarisht detyrën si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

    Qysh në ditën kur mori mandatin, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-ve për 90 ditë.

    Të mërkurën më 22 janar, Presidenca e Kosovës tha se asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë tani për tani negativisht Kosovën.

    Haradinaj kritikoi kryeministrin Albin Kurti i cili sipas tij ka dështuar të punojë me administratën e Joe Biden, e cila më 20 janar zyrtarisht e përfundoi mandatin.

    Ndërkaq, duke folur për dialogun me Serbinë, Haradinaj tha se nëse e merr pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qysh në javën e parë do ta dërgonte draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

    “Do t’i kryejmë obligimet që dalin nga dialogu, përfshirë Asociacionin – ta dërgojmë që në javën e parë në Kushtetuese”, tha Haradinaj.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011. Ky proces ka nxjerrë disa marrëveshje por pak prej tyre janë zbatuar.

  • ​Adoleshenti britanik dënohet me të paktën 52 vjet burg

    ​Adoleshenti britanik dënohet me të paktën 52 vjet burg

    Një adoleshent britanik që vrau tri vajza në një klasë vallëzimi kushtuar yllit të muzikës Taylor Swift, u dënua sot me të paktën 52 vjet burg.

    Tri ditë më parë, Axel Rudakubana (18) pranoi kryerjen e vrasjeve korrikun e kaluar në Southport të Anglisë veriore dhe gjithashtu u deklarua fajtor për dhjetë akuza për tentativë vrasjeje, si dhe për prodhimin e helmit vdekjeprurës ricin dhe zotërimin e një manuali të trajnimi të organizatës terroriste Al Kaida.

    Gjashtëvjeçarja Bebe King dhe shtatëvjeçarja Elsie Dot Stancombe vdiqën gjatë sulmit me thikë, ndërsa nëntëvjeçarja Alice da Silva Aguiar vdiq në spital nga plagët. 11 persona të tjerë u plagosën në sulm dhe rasti ngjalli interes të madh në publikun britanik dhe më gjerë.

    Prokurorët e cilësuan krimin si jashtëzakonisht të dhunshëm pasi autori me sa duket tentoi t’ua presë kokën njërës prej viktimave. Dy nga viktimat e tij pësuan lëndime të tmerrshme që janë të vështira për t’u shpjeguar si diçka tjetër përveç sadizmit, tha prokurorja Deanna Heer në Gjykatën e Liverpool Crown.

    Gjykatësi Julian Goose e dënoi adoleshentin në mungesë për refuzimin e kthimit në gjykatë pasi u largua dy herë për ndërprerjen e seancës.

    Axel Rudakubana, i cili lindi në Cardiff nga prindër ruandez, ishte 17-vjeç në kohën e vrasjeve. Andrew Menary, një gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Liverpool-it, hoqi një ndalim për raportimin e identitetit të tij në gusht.