ATV

Author: ATVLive

  • Kurti: Jemi të parët, do ta kemi Qeverinë Kurti 3

    Kurti: Jemi të parët, do ta kemi Qeverinë Kurti 3

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i saj kanë dalë fitues në zgjedhjet parlamentare, duke garantuar formimin e qeverisë së re, raporton ATV.

    Para selisë së VV-së, Kurti u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre në këtë proces demokratik.
    “Falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës sonë për pjesëmarrjen në këto zgjedhje të para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë. Procesi zgjedhor ka qenë i lirë, demokratik dhe i ndershëm, pa incidente, dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe procedurave,” tha Kurti.

    Ai tha se Vetëvendosje, në koalicion me Partinë GUXO dhe Partinë Alternativa, ka dalë forcë e parë politike dhe do të formojë qeverinë e ardhshme.

    “Ky është një konfirmim për qeverisjen tonë demokratike dhe progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, pra qeverinë Kurti 3”, u shpreh ai.

    Kurti gjithashtu kritikoi fushatën e kundërshtarëve politikë, duke i akuzuar për përdorim të madh të mjeteve financiare dhe premtimeve të pabazuara.

    “Përkundër përpjekjeve të oligarkëve dhe fushatës agresive ndaj nesh, populli ka fituar. Vetëvendosja ka fituar dhe do të vazhdojmë punën tonë për të mirën e vendit”, përfundoi ai. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të kryeministrit Kurti e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxha: Lista Serbe po pretendon se ka marrë 38 mijë vota, ja çfarë mund të ndodh nëse është e vërtetë

    Hoxha: Lista Serbe po pretendon se ka marrë 38 mijë vota, ja çfarë mund të ndodh nëse është e vërtetë

    Në emisionin “CONTEXT” në ATV, gazetari dhe drejtuesi i emisionit, Leart Hoxha, ka bërë të ditur se Lista Serbe pretendon të ketë siguruar 38 mijë vota në zgjedhjet e fundit.

    “Sipas informatave nga KOSEV, Lista Serbe ka marrë 38 mijë vota. Kjo do të thotë se ata e kanë kaluar pragun dhe do të sigurojnë përfaqësim të fuqishëm”, tha Hoxha.

    Ai shtoi se ky rezultat mund të ndikojë drejtpërdrejt në raportin e forcave politike në Kuvend.

    “Nëse kanë kaluar 5% e votave, ashtu si në vitin 2021, atëherë partitë e tjera do ta kenë më të vështirë të formojnë qeverinë pa mbështetjen e tyre”, u shpreh ai.

    Deklaratën e plotë të Leart Hoxhës në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Bajram Begaj: Përgëzime qytetarëve të Kosovës, qeveria e re të vazhdojë punën për të mirën e vendit

    Bajram Begaj: Përgëzime qytetarëve të Kosovës, qeveria e re të vazhdojë punën për të mirën e vendit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për procesin zgjedhor sot.

    Ai tha se uron që qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje të vazhdojë punën për të mirën e vendit, ndërsa tha se duhet të ketë bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për një Kosovë të qëndrueshme.

    “Përgëzime qytetarëve të Kosovës që shprehën vullnetin e lirë me votën e së dielës! Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet urojmë të vazhdojë punën për të mirën e vendit me zhvillimin e reformave dhe përparimin e progresit ekonomik dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për një Kosovë të qëndrueshme dhe të aftë për të avancuar në proceset euroatlantike”, ka shkruar presidenti shqiptar.

  • Fetahaj: Portali i KQZ-së nuk ka kaluar teste sigurie dhe performance, ja pse bie offline

    Fetahaj: Portali i KQZ-së nuk ka kaluar teste sigurie dhe performance, ja pse bie offline

    Eksperti i IT-së, Kastriot Fetahaj, në emisionin CONTEXT në ATV, zbuloi se jofunksionimi i portalit të KQZ-së lidhet me mungesën e testeve elementare të sigurisë dhe performancës.

    Sipas tij, sistemi i KQZ-së ndahet në dy pjesë: një brendshme për futjen e të dhënave dhe një të jashtme për publikun, ku kjo e fundit është e pafunksionueshme.

    “Nga aspekti teknik, sistemi i brendshëm mund të jetë funksional për futjen e të dhënave, por portali publik është i jashtë funksioni. E them me përgjegjësi të plotë: ky portal, i ndërtuar nga institucione shtetërore ose private, nuk ka kaluar asnjëherë teste sigurie dhe performancë”, tha Fetahaj.

    Ai tha se sistemi nuk është testuar as për trafikun minimal, çka shkakton probleme menjëherë që hyjnë disa mijë përdorues.

    “Askush nuk ka bërë test se si reagon sistemi kur hyjnë 5,000 apo 10,000 persona. Nuk plotëson asnjë kriter – as performancën, as sigurinë, as funksionalitetin. Ka probleme vizuale, gabime në shfaqjen e grafikëve, dhe portali nuk hapet fare. Personat që janë përgjegjës kanë nivel shumë të ulët profesionalizmi – vetëm dy-tri orë pas fillimit, faqja bie”, shtoi ai.

    Deklaratën e plotë të Kastriot Fetahajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Telaku: Është e çuditshme se si administrata e SHBA-së del me qëndrim antagonist ndaj Kurtit, ndërsa ai pretendon marrëdhënie të mira

    Telaku: Është e çuditshme se si administrata e SHBA-së del me qëndrim antagonist ndaj Kurtit, ndërsa ai pretendon marrëdhënie të mira

    Në emisionin “CONTEXT” në ATV, psikologu Naim Telaku ka komentuar qasjen e administratës amerikane ndaj Qeverisë Kurti, duke e cilësuar të çuditshëm kontrastin mes qëndrimit të zyrtarëve të SHBA-së dhe retorikës së kryeministrit Albin Kurti.

    “Është e çuditshme se si administrata e SHBA-së, përfshirë Richard Grenellin dhe djalin e ish-presidentit Trump, shprehen hapur kundër Kurtit dhe Qeverisë së tij. Pas tyre, të njëjtin pozicion e mban edhe ambasada amerikane dhe drejtues të lobit shqiptaro-amerikan,” u shpreh Telaku.

    Ai tha se, pavarësisht këtij qëndrimi të hapur antagonist nga administrata amerikane, Kurti vazhdon të insistojë se marrëdhëniet me SHBA-në janë të shkëlqyera.

    “Lideri i VV-së del dhe thotë se i kemi punët më së miri me SHBA, ndërkohë që faktet në terren tregojnë një situatë krejt tjetër”, shtoi Telaku.

    Diskutimi i plotë të Naim Telakut në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Eman Rrahmani: Nuk ju besojmë rezultateve të Exit Poll, po i presim rezultatet e KQZ

    Eman Rrahmani: Nuk ju besojmë rezultateve të Exit Poll, po i presim rezultatet e KQZ

    Eman Rrahamani nga Koalicioni për Familje në një konferencë për media tha se nuk ka besim tek sondazhet e Exit Polleve.

    Ai tha se janë duke pritur rezultatet preliminare të KQZ’së.

    “Neve do të presim rezultatet që janë duke u numëruar nga KQZ dhe anëtarët brenda vendvotimeve. Natyrisht që jemi falënderues për secilën votë. Ky koalicion ka fillimin e tij tash e 2 muaj dhe do të vazhdoj të jetë prezentë në skenën politike, Presim rezultate të mira edhe nga ana e KQZ.

    Do të angazhohemi që të jemi pjesë konstruktive e skenës politike në vendin tonë. Do t’i presim rezultatet preliminare.

    Rezultatet e Exit Polleve nuk besojmë që janë rezultatet korrekte për asnjë parti politike. Gjendja në terren është më ndryshe. Kauza për mbrojtjen për familjen do të vazhdojë angazhimin e tij”, tha ai.

  • Publikohen rezultatet preliminare të DnV: VV 40.4%, PDK 21.7% dhe LDK 17.5%, AAK 7.2%

    Publikohen rezultatet preliminare të DnV: VV 40.4%, PDK 21.7% dhe LDK 17.5%, AAK 7.2%

    “Demokracia në Veprim” ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara sot, raporton EO.

    DnV vlerëson se i gjithë procesi i votimit, që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00 ka rrjedhur në atmosferë të qetë ndërsa votuesit kanë demonstruar një pjekuri të lartë qytetare dhe demokratike.

    Po ashtu, DnV ka raportuar për ecurinë e procesit duke pasë në terren 500 vëzhgues të shpërndarë në 500 vendvotime sipas mostrës përfaqësuese.

    Dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 44.1%, me margjinë gabimi +/- 0,84%. Këtu nuk janë të llogaritura dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit.

    Sipas këtyre të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 40.4% të votave, ndërsa PDK renditet e dyta me 21.7%. LDK është e treta me 17.5%, dhe AAK e katërta me 7.2%. Koalicioni për Familjen ka fituar 2.4%.

    Për më tepër, dalja në këto zgjedhje ishte 42.1%.

    DnV rikujton se pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike, kutitë e votimit do të dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit, në përcjellje të Policisë së Kosovës. Nga mëngjesi i nesërm, kutitë do të rihapen dhe do të fillojë procesi validimit të votave të subjekteve politike e pastaj numërimit të votave të kandidatët e subjekteve politike.

  • KQZ ka numëruar mbi 50% të votave, LVV kryeson

    KQZ ka numëruar mbi 50% të votave, LVV kryeson

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar e mbi 50% të votave në vend.

    Deri tani janë numëruar 50.89% e totalit të votave.

    Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) udhëheq me 37.50%, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 29.80%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur në 16.29%, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka marrë 7.92% të votave.

  • Simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje nisin festën në Gjilan

    Simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje nisin festën në Gjilan

    Pas përfundimit të procesit zgjedhor, simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan kanë nisur festimet.

    Gazetari Armand Hoti, në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin CONTEXT raportoi se përkrahësit e VV-së janë mbledhur për të festuar, ndërsa deklaratat e tyre tregojnë entuziazmin dhe besimin në fitoren e partisë.

    “Po, edhe selam i bëni Lutes! Në Gjilan nuk ka më ai kurrgjë. Albani vendos. Çoni selam Lutfi Hazirit, ai s’ka këtu kurrgjë, në Gjilan”, u shpreh një simpatizant. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin CONTEXT, në videon më poshtë:

  • Publikohen rezultatet preliminare të KQZ-së, kjo është renditja e prtive

    Publikohen rezultatet preliminare të KQZ-së, kjo është renditja e prtive

    KQZ-ja ka nisur numërimin e votave për zgjedhjet e sotme parlamentare dhe tashmë ka publikuar rezultatet preliminare.

    Lëvizja Vetëvendosje prin me 37.18 për qind ose 10 mijë e 721 vota. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 25.10 për qind ose 7 mijë e 236 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta 17.28 për qind pse 4 mijë e 983 vota.

    Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët 8.86 për qind ose 2 mijë e 554 vota. Lista Serbe 4.98 për qind ose 1 mijë e 435, Koalicioni për Familje 1.46 për qind ose 421, Koalicioni Vakat 1.38 për qind ose 397 vota.

    Rezultatet preliminare janë të orës 20:18 nga numërimi i 5.29 për qind të votave nga 134 vendvotime nga gjithsej 2.533 sosh.