Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar një ankesë lidhur me pasaktësitë e vërejtura në rezultatet preliminare të zgjedhjeve.
Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë dhe anëtarit të VV-së, Getoar Mjeku, 716 vota të kësaj partie janë regjistruar gabimisht në favor të subjektit politik Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.
Këto gabime janë evidentuar në disa vendvotime, përfshirë shkolla në Deçan, Gjilan, Istog, Prishtinë, Prizren dhe Zubin Potok.
Në disa raste, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë votë të regjistruar, ndërsa Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka marrë dhjetëra vota në vend të tyre.
Një situatë e tensionuar është krijuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku ka ndodhur një përplasje mes vëzhguesve të partive politike.
ATV ka siguruar një video ekskluzive, e cila është transmetuar në Edicionin Qendror të lajmeve, ku shihen momente kaotike nga salla “1 Tetori”, si dhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të qetësuar situatën.
Sipas gazetarit të ATV-së, Armand Hoti, përplasja ndodhi në tavolinën e numërimit numër gjashtë dhe përfshiu disa persona të pranishëm në proces.
“Para vetëm pak minutash, këtu në sallë, ndodhi një përleshje mes vëzhguesve të partive politike. Arritëm ta kapim këtë moment në kamera, ku u desh edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës”, raportoi Hoti nga vendngjarja.
Ai shtoi se disa nga të përfshirët në incident u shoqëruan nga policia dhe u larguan nga qendra e numërimit.
“Incidenti nuk zgjati shumë dhe nuk pati ushtrim të madh dhune, por disa nga vëzhguesit tentuan të kapeshin me njëri-tjetrin për një çështje ende të paqartë”, shtoi gazetari i ATV-së.
Ndërkohë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës ka nisur me vonesa dhe probleme teknike, duke shkaktuar pakënaqësi mes pjesëmarrësve në proces. Sistemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur ndërprerje, duke bllokuar numërimin në disa tavolina, gjë që ka shkaktuar tensione mes vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive politike.
Organizata Demokracia në Veprim, e cila monitoron proceset zgjedhore, ka reaguar ndaj situatës, duke theksuar se problemet me numërimin mund të dëmtojnë besueshmërinë e zgjedhjeve.
“Çdo vonesë dhe problem në numërimin e votave dëmton transparencën dhe ndikon në perceptimin publik për ndershmërinë e zgjedhjeve,” thuhet në reagimin e organizatës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e procesit të numërimit në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, policia ka mbetur në gatishmëri për të parandaluar incidente të tjera, ndërsa hetimet mbi përplasjen e ndodhur në tavolinën numër gjashtë po vazhdojnë. /atvlive.tv
Momentin e përplasjes në sallën “1 Tetori” e gjeni në videon më poshtë:
Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur sot, por po përballet me probleme serioze. Gazetari i ATV-së, Armand Hoti, i cili po ndjek nga afër zhvillimet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raportoi se sistemi i numërimit është bllokuar në disa tavolina, duke shkaktuar vonesa të mëdha.
“Në tavolinën e numërimit numër katër, sistemi është bllokuar totalisht dhe asnjë votë nuk është numëruar që nga ora 16:40,” ka bërë të ditur gazetari Hoti në një lidhje të drejtpërdrejtë në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV.
Sipas tij, probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në tavolina të tjera, ku vëzhguesit e partive politike kanë konfirmuar se procesi i numërimit ka hasur në vështirësi teknike për shkak të rënies së sistemit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ky proces është karakterizuar nga vonesa të shumta. Fillimisht, KQZ-ja kishte njoftuar se numërimi do të niste në orën 08:00, por më pas u shty për në 16:00 dhe përfundimisht filloi në 16:40.
Në lidhje me këto vonesa, Demokracia në Veprim, organizatë që monitoron zgjedhjet, ka shprehur shqetësimin se zvarritjet mund të ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Vonesa në numërimin e votave për kandidatët për deputetë do të ndikojë në perceptimin e qytetarëve për integritetin e këtij procesi,” është thënë në një reagim nga kjo organizatë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka njoftuar se pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, do të vazhdojë procesi për votat me kusht, votat nga diaspora dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
“Pasi të përfundojnë këto procedura, do të fillojë edhe numërimi i votave të tjera, përfshirë ato nga diaspora,” ka deklaruar Elezi.
Një nga risitë në këtë proces zgjedhor është përdorimi i kamerave për të monitoruar numërimin, duke shfaqur votat e numëruara në ekrane si një masë për transparencë. Për herë të parë, numërimi po zhvillohet në qendrat komunale të numërimit, një ndryshim që synon rritjen e efikasitetit të procesit./atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Kryeministri aktual i vendit, Albin Kurti, sot i ka dërguar një letër përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Komisionit Evropian, Kaja Kallas, duke denoncuar diskriminimin sistematik që Serbia po u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kurti, në letrën e tij thekson se shqiptarët e Luginës përballen me shtypje të vazhdueshme nga regjimi serb, përmes politikave që cenojnë të drejtat e tyre politike, administrative, ekonomike, kulturore dhe identitare.
“Përmes një letre drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e kam informuar dhe kam denoncuar shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb e Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shkelja e të drejtave të njeriut është e llojit politik, administrativ, ekonomik, kulturor e identitar, duke rrezikuar sigurinë dhe ekzistencën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ”, thuhet në letër dërguar përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Më tej në këtë letër, Kurti ka thënë se mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind.
“Mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind. Spitali rajonal në Vranjë nga mbi 1000 punëtorë i ka veç dy shqiptarë e në Medvegjë nga rreth 2000 punonjës komunalë veç 12 janë shqiptarë”, thuhet më tej në letër.
Në një bisedë të mbushur me energji dhe optimizëm në emisionin STUDIO A në ATV, këngëtari i njohur Bekim Latifi, i njohur si MC Beka, dha një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e pozitivitetit në jetën e përditshme.
Sipas tij, çdo njeri duhet ta menaxhojë veten në mënyrën më të mirë për të mirën e tij, sepse vetëm duke qenë pozitiv mund të ndikojmë edhe tek të tjerët.
“Pozitiviteti e mbush shpirtin tënd të parin, pastaj i mbush edhe ata përreth teje. Më mirë me qenë një sinjal i mirë, që përhap valë pozitive, sesa një energji negative që vetëm ngarkon të tjerët. Negativiteti është si gripi – përhapet shpejt. Prandaj, më mirë t’i japim vend pozitivitetit, sepse negativitet kemi boll,” tha ai.
Për më shumë, shikoni intervistën e tij në videon më poshtë:
Demokracia në Veprim ka thënë se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe sipas tyre kështu dëmtohet besimi në procesin zgjedhor.
DnV shton se procesi i numërimit të votave për kandidatë do duhej të fillonte dje.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe.”
DnV ka kërkuar nga KQZ të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit dhe pranimit të fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.
“Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve. Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.”
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë refuzuar të nënshkruajnë deklaratën e samitit të AI në Paris për inteligjencën artificiale “gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, një goditje për shpresat për një qasje të bashkërenduar për zhvillimin dhe rregullimin e teknologjisë.
Të dy vendet nuk shpjeguan arsyet e tyre për të mos vënë emrat e tyre në një dokument të mbështetur nga 60 nënshkrues të martën, duke përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Australinë dhe Kanadanë, shkruan The Guardian.
Konfirmimi i mospërfilljes erdhi menjëherë pasi zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, doli në skenën në Grand Palais për të kritikuar “rregullimin e tepruar” të teknologjisë të Evropës dhe paralajmëroi kundër bashkëpunimit me Kinën në një fjalim goditës.
Kryeministri Edi Rama e konsideron arrestimin e kryetarit të bashkisë Tiranë nga SPAK në shkelje të standardeve demokratike.
Në një reagim për rrjetin e gazetarëve BIRN, kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës, duke deklaruar se Erion Veliaj do të qëndrojë në detyrë.
Rama e cilëson ndalimin e tij në shkelje të standardeve demokratike dhe se dosja hetimore ngjan me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij. Rama tha se në dosjen e Veliajt nuk ka një çështje konkrete korrupsionit.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike”, ka deklaruar Rama për BIRN.
“Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar”./topchannel
Momente prekëse në rubrikën “Letër nga Diaspora” në emisionin STUDIO A në ATV.
Arben Neziri nuk mundi t’i mbante lotët teksa lexonte letrën e vajzës së tij, Mile Nezirit, e cila jeton në Zvicër. Me fjalë plot dashuri dhe mall, ajo i shprehu babait ndjenjat e saj të thella që ka për të.
“Veç me ja pa një fëmijë në krah,” pëshpëriti Arbeni, i mbushur me emocione, teksa nuk mund t’i mbante lotët.
Për ta parë këtë moment emocionues, shikoni videon më poshtë: