ATV

Author: ATVLive

  • ​Tajani tregon planin për grumbullimin e parave për armatosjen e Evropës

    ​Tajani tregon planin për grumbullimin e parave për armatosjen e Evropës

    Evropa duhet të financojë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes duke emetuar një bono të përbashkët, tha sot ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, duke sinjalizuar sërish se barra financiare do të ishte shumë e madhe për buxhetin e shtetit italian.

    “Ne duhet të emetojmë bono evropiane për të financuar shpenzimet e mbrojtjes,” tha Tajani në një konferencë shtypi në Romë.

    Në fund të janarit, ministri deklaroi se Italia nuk mund të ndajë pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, duke iu përgjigjur kërkesave të presidentit të SHBA-së Donald Trump që vendet anëtare evropiane të rrisin shpenzimet.

    “Duhet të investojmë më shumë, por nuk mund të arrijmë pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Po bëjmë përpjekje të mëdha për të arritur dy për qind”, shtoi Tajani.

    Borxhi është një çështje veçanërisht e ndjeshme për Italinë, borxhi publik i së cilës tejkaloi ndjeshëm vlerën e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e tretë 2024, sipas të dhënave të Eurostat.

    Shpenzimet evropiane të mbrojtjes, të matura si pjesë e prodhimit të brendshëm bruto do të arrijnë në 1.9 për qind këtë vit, krahasuar me 3.3 për qind të Amerikës, vlerësoi së fundmi S&P.

    Vitin e kaluar, 23 nga 32 anëtarët arritën objektivin prej dy për qind të vendosur nga NATO, dhe kjo ishte pasi u futën më thellë në xhepat e tyre.

    Nëse shpenzimet e mbrojtjes do të rriteshin në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto, kjo do të nënkuptonte shpenzime shtesë deri në 875 miliardë dollarë në vit për BE-në, llogariti agjencia.

    Një rritje e tillë do t’u kërkonte qeverive të bëjnë kursime në zëra të tjerë buxhetor, theksuan ata, duke paralajmëruar se alternativa e huamarrjes shtesë ka të ngjarë të nënkuptojë ulje të vlerësimeve të kredisë.

    Nëse vendet evropiane do të përputheshin me 3.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të SHBA-së, kjo do të nënkuptonte një kosto shtesë prej gati 600 miliardë dollarë në vit për BE-në, sipas të dhënave të GDP-së së Eurostat për 2023.

    Rritja e shpenzimeve në mesataren aktuale të NATO prej 2.67 për qind të prodhimit të brendshëm bruto do të nënkuptonte një kosto shtesë prej 242 miliardë dollarësh në vit për BE-në në tërësi.

    Pasojat politike të reduktimit të shpenzimeve sociale për të rritur shpenzimet e mbrojtjes ka të ngjarë të jenë të rëndësishme. Një zgjidhje e mundshme është emetimi i borxhit të përbashkët, dhe emetues mund të jenë Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, Banka Evropiane e Investimeve dhe BE.

  • ​Një kompani ushtarake bullgare dërgohet për mision paqeruajtës në Kosovë

    ​Një kompani ushtarake bullgare dërgohet për mision paqeruajtës në Kosovë

    Një kompani ushtarake nga Brigada 31 e Mekanizuar me seli në Haskovë është dërguar të enjten në mision paqeruajtës në Kosovë.

    Dërgimi zyrtar, me një shërbim lutjeje nga peshkopi Polikarp i Belogradçikut dhe ikonat e Shën Gjergjit, u zhvillua në sheshin qendror në Haskovë në prani të shefit të mbrojtjes, admiralit Emil Eftimov, personelit të lartë ushtarak dhe përfaqësuesve të autoriteteve lokale.

    Ushtria bullgare do të jetë pjesë e Komandës Rajonale-Perëndim (RC-W) në misionin paqeruajtës të forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR).

    Formacioni prej 100 vetash do të ketë katër automjete Mercedes dhe 13 fuoristradë Ford Ranger.

    Trupat do të vendosen në kampin Villaggio Italia në Pejë. Në fushën e përgjegjësisë ushtarakët do të kryejnë detyra që lidhen me patrullimin, mbikëqyrjen dhe sigurinë e objekteve.

    Në përgatitje të misionit, u zhvillua një stërvitje dyditore në datat 12 dhe 13 shkurt në një mjedis urban.

    “Jam i kënaqur me përgatitjen e kontingjentit. Pjesëmarrësit fituan një vlerësim “të gatshëm për luftim” dhe morën notat më të larta në të gjitha kriteret e vlerësimit,” tha admiral Eftimov, duke shtuar se rritja e pagave në forcat e armatosura po jepte rezultate në motivim.

    I pyetur për një pjesëmarrje të mundshme bullgare në një mision paqeruajtës të ardhshëm të forcave evropiane në Ukrainë, Eftimov tha se është dakord me ministrin e Mbrojtjes.

    Shefi i Mbrojtjes vuri në dukje se Ministria nuk kishte bërë asnjë planifikim apo analizë, “që nuk do të thotë se nuk po ndjekim proceset brenda NATO-s dhe negociatat”. /BTA

  • ​Kaq vota mori Donika Gërvalla në zgjedhjet e 9 shkurtit

    ​Kaq vota mori Donika Gërvalla në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Kryediplomatja aktuale Donika Gërvalla është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Gërvalla nga Partia Guxo, pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës, do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm të Kosovës.

    Ajo ka marrë gjithsej 79 mijë 691 nga numërimi i 90.41 për qind të votave të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

    Gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit del ministrja në detyrë e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu me 89 mijë e 601.

  • Sondazh: 55 për qind e amerikanëve besojnë se Elon Musk ka ndikim të tepruar në vendimet kombëtare

    Sondazh: 55 për qind e amerikanëve besojnë se Elon Musk ka ndikim të tepruar në vendimet kombëtare

    Një sondazh i publikuar së fundmi tregon se 55 për qind e amerikanëve besojnë se miliarderi Elon Musk, aleat kyç i presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kreu i një ekipi jozyrtar të ngarkuar me shkurtimin e buxhetit të qeverisë federale amerikane, ka shumë pushtet në ndikimin në vendimet që prekin kombin, transmeton Anadolu.

    Sondazhi i Universitetit “Quinnipiac”, i realizuar në datat 3-17 shkurt me 1.039 votues të regjistruar, zbuloi se 55 për qind e të anketuarve mendojnë se Musk ka pushtet të tepruar mbi vendimet kombëtare. Nga ana tjetër, 36 për qind besojnë se ai ka një nivel të përshtatshëm ndikimi ndërsa vetëm 3 për qind mendojnë se ai ka shumë pak ndikim.

    Në mesin e të anketuarve demokratë, 96 për qind pajtohen se Musk ka pushtet të tepruar, krahasuar me 56 për qind të të pavarurve dhe vetëm 16 për qind të republikanëve.

    Për më tepër, 1 për qind e demokratëve, 33 për qind e të pavarurve dhe 78 për qind e republikanëve besojnë se Musk ka një nivel të përshtatshëm pushteti. Ndërkohë, 4 për qind e të pavarurve dhe 1 për qind e republikanëve mendojnë se ai ka shumë pak ndikim.

    Muajin e kaluar Trump caktoi Muskun për të udhëhequr Departamentin jozyrtar të Efikasitetit të Qeverisë me qëllimin e deklaruar për të eliminuar shpenzimet e panevojshme. Megjithatë, ajo ka rezultuar kontroverse në synimin për të shkarkuar një numër të madh punonjësish qeveritarë dhe për të eliminuar agjencitë të njohura, si dhe në sigurimin e aksesit në të dhënat e ndjeshme qeveritare mbi publikun me pak mbikëqyrje dhe pa autorizim të dukshëm.

  • ​Ky është numri i votave që mori Mërgim Mavraj në zgjedhjet parlamentare

    ​Ky është numri i votave që mori Mërgim Mavraj në zgjedhjet parlamentare

    Ish-reprezentuesi i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj ishte pjesë e listës së Koalicionit për Familjen në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

    Në rezultat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani, kur janë publikuar 90 përqind e fletvotimeve, Mavraj ka marrë 1806 vota, përcjellë KosovaPress.

    Ndryshe, Mavraj i ka bërë 50 paraqitje për kuqezinjtë, përfshirë tri në Euro 2016, duke i shënuar tre gola.

  • ​Mimoza Kusari-Lila, gruaja e tretë më e votuar

    ​Mimoza Kusari-Lila, gruaja e tretë më e votuar

    Mimoza Kusari-Lila ka siguruar ulësen edhe në legjislativin e ardhshëm.

    Kryetarja e Alternativës, e cila është pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me Partinë Guxo, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka marrë 61 mijë e 945 vota.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tash ka numëruar 90.41 për qind të votave.

    Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së grupit parlamentar të VV-së, ndodhet e treta në mesin e grave më të votuara nga të gjitha partitë.

  • CorrWatch: Të zgjidhet problemi i mbeturinave dhe mënyrës së faturimit për konsumatorët e Prishtinës

    CorrWatch: Të zgjidhet problemi i mbeturinave dhe mënyrës së faturimit për konsumatorët e Prishtinës

    Iniciativa CorrWatch* shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit rreth procesit të mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave si dhe faturimit të konsumatorëve.

    Menaxhimi i mbeturinave në Prishtinë mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur. Kryetari i Komunës së Prishtinës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave, por situata e ambientit dhe shëndetit publik në Komunën e Prishtinës vazhdon të mbetet e cënuar. Për më shumë, ndryshimi i Rregullores Nr. 01-030/01-227581/23 ka krijuar paqartësi të shumta pasi përcaktonte që vetëm një kompani, konkretisht Kompania Regjionale për Mbeturina Pastrimi, do të kishte të drejtën ekskluzive të faturimit dhe inkasimit të pagesave për këtë sektor nga data 1 janar 2025, përgjegjësi kjo që deri në fund të vitit të kaluar kryhej nga vetë Komuna e Prishtinës.

    Qytetarët kanë shprehur shqetësim mbi mundësinë e faturimit të dyfishtë për të njëjtin shërbim, si dhe mbi mënyrën se si do të procedohet me pagesat për periudhën në vijim. Me 5 shkurt 2025, Komuna e Prishtinës njoftoi pezullimin e rregullores së re, duke theksuar se do të vazhdojë të kryejë faturimin dhe inkasimin e pagesave për menaxhimin e mbeturinave. Por, KRM Pastrimi e ka kundërshtuar këtë vendim të Komunës së Prishtinës, duke e konsideruar atë të pabazuar ligjërisht dhe në kundërshtim me rregulloren e re më lartë. Si pasojë, mbetet ende e paqartë se cili institucion do të jetë përgjegjës për faturimin dhe inkasimin e pagesave. Kjo situatë, qartësisht shkelë të drejtën më themelore pas të drejtës së mbrojtjes së jetës që garantohet me Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit: atë të informimit dhe mbrojtjes së të drejtave ekonomike.

    Përmes këtij reagimi, CorrWatch i bën thirrje Komunës së Prishtinës dhe KRM Pastrimi që ta sqarojnë urgjentisht këtë situatë dhe të shmangin çdo konfuzion për qytetarët. Për më shumë, CorrWatch kërkon që të ofrohet një zgjidhje e qëndrueshme për menaxhim më të mirë të mbledhjes së mbeturinave dhe të ndërmerren masa të menjëhershme për të garantuar transparencë dhe për të informuar qytetarët në mënyrë të qartë mbi obligimet e tyre financiare për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave.

  • Vuçiq kërcënon Kosovën

    Vuçiq kërcënon Kosovën

    Veç pak ditë pasi BE i bëri sërish thirrje Serbisë për të ndërmarrë hapat të menjëhershëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e dyshuar për sulmin terrorist në fshatin Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023, presidenti serb doli hapur me një kërcënim të ri.

    Ai në njëfarë forme ka kërcënuar sigurinë publike dhe kombëtare të Kosovës. Pa i marrë fare parasysh, madje duke i injoruar kërkesat e ndërkombëtarëve, ai ia premtoi serbëve rimarrjen e “Rajska Banjës”, hoteli që ndodhet në fshatin ku Milan Radoiciq me disa serbë të tjerë kryen sulm terrorist. Edhe në Serbi pati zëra se në këtë sulm, ka gisht vetë Vuçiqi.

    Një deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka lënë të kuptohet se veprimi i kryetorroristit serb Milan Radoiçiq në shtatorin e vitit 2023 nuk ishte befasi për Serbinë.

    Ende pa u bërë dy ditë të plota nga sulmi terrorist në Banjskë, presidenti serb erdhi me një kërcënim të ri.

    Publikisht, në një konferencë ai kërcënoi se sa të jetë ai president, Serbia me çdo kusht do ta rikthejë hotelin “Rajska Banja” që ndodhet pikërisht në vendin ku u krye sulmi terrorist ku mbeti i vdekur edhe polici i Kosovës Afrim Bunjaku.

    Kjo deklaratë shqetësuese për sigurinë e Kosovës, vjen nga Vuçiq edhe pas kërkesave të vazhdueshme që ndërkombëtarët ia kanë adresuar Serbisë, duke kërkuar përgjegjësi për sulmuesit e Banjskës.

    Këtë kërkesë e kanë bërë ambasadorë, diplomatë e zyrtarë të ndryshëm të rangut të lartë ndërkombëtar.

    Njëri ndër ta ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Ai ka thënë se shteti i tij vazhdimisht i kërkon Serbisë përgjegjësi për sulmuesit në Banjskë.

    Ai e ka quajtur sulmin në Banjskë incident serioz, duke shtuar se si pasojë e tij Britania e Madhe ka e parë të nevojshme që të zbarkojë trupa shtesë dhe për të siguruar se gjendja nuk do të përshkallëzonte edhe më tej.

    “E di që hetimi po vazhdon si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi. Kështu që ne ende nuk kemi parë dëshmi përfundimtare se çfarë saktësisht po ndodhte në atë sulm dhe çfarë ka qenë plani dhe qëllimi. Kështu që mendoj se duhet lënë këto procese të kryhen sa i përket mbledhjes së dëshmive”, pati thënë para pak muajsh ai një intervistë në emisionin “Interaktiv”.

    Njëjtë ka vepruar edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës. Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh.

    E hiq më larg se para pak ditësh, më 7 shkurt Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë sërish thirrje Serbisë për të ndërmarrë hapat të menjëhershëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023.

    Madje, pati edhe zyrtarë serbë që akuzuan drejtpërdrejt Vuçiqin që qëndron pas sulmit terrorist në Banjskë. ish-deputeti nga radhët e partisë së Vuçiçit, Dragan Sormaz doli hapur e tha se dështimi në planin për të aneksuar veriun e ka gjunjëzuar Vuçiqin para ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar llogari.

    Megjithatë, asnjë nga këto kërkesa të vazhdueshme, duket se nuk po i bëjnë fare përshtypje presidentit serb.

    Ai ka vazhduar me deklarata populiste duke pretenduar se hotelin që ndodhet në Banjskë të cilin e mori Agjencia Kosovare e Privatizimit, shpejt do ta rikthejnë nën Serbi.

    Këto deklarata Vuçiq i bëri gjatë vizitës në stendën e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë në Panairin e Turizmit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e pyeti Petar Petkoviqin se “kur do të hapet banja “Rajska Banja”, ai u përgjigj se ajo “është rrëmbyer nga AKP”.

    Gjatë vizitës në këtë stendë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pyetur Petkoviqin për këtë banjë e cila gjendet në Banjskë dhe e cila është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, transmeton Paparaci.

    “Petar, kur do të fillojë të funksionojë Rajska Banja?”

    “Ajo tani është konfiskuar”, u përgjigj Petkoviq, për të cilën Vuçiq tha: “Ata na i vodhën të gjitha”.

    Në të njëjtën mënyrë Petkoviqi u përgjigj: “Ata na rrëmbyen gjithçka por ne do të luftojmë”, ka thënë ai.

    Vuçiq më pas u ka thënë gazetarëve: “Unë nuk pyeta rastësisht për “Rajska Banjën”, ata rrëmbyen gjithçka, por ajo do të ekzistojë dhe ne do ta kthejmë”, ka thënë ai.

    Kujtojmë se pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, ky kompleks turistik u mor nga Policia e Kosovës dhe më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit e vendosi këtë kompleks nën administrimin e saj. Një pjesë e kompleksit iu dha në shfrytëzim Postës së Kosovës.

    Kompleksi është kontrolluar disa herë pas konfliktit në këtë vend dhe aty është gjetur drogë dhe armatim. Në ditën e konfliktit, ku fillimisht mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe më pas, në shkëmbim zjarri me policinë, u vranë tre terroristë serbë të armatosur nga grupi i Millan Radoiçiqit, në Rajska Banjë kishte mysafirë dhe punonjës.

    Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon përfshirjen.

    Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

    Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

    Në dhjetor, kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha se vendimi për të ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit, do të merrej deri në fillim të vitit 2025.

    Në Serbi, Radoiçiq dyshohet për vepra të tjera penale, përkatësisht për “krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve”.

    Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së e përsëriti të premten se për Serbinë përparimi në bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian do të varet edhe nga përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe nga sundimi i ligjit.

  • Hapen aplikacionet e ofertuesve për Ankandin e Erës, Rizvanolli: Kemi siguruar transparencë dhe proces të qëndrueshëm

    Hapen aplikacionet e ofertuesve për Ankandin e Erës, Rizvanolli: Kemi siguruar transparencë dhe proces të qëndrueshëm

    Ministria e Ekonomisë ka bërë hapjen publike të aplikacioneve të dorëzuara nga ofertuesit potencial, pas përmbylljes së Kërkesës për Kualifikim për Procesin e Ofertimit Konkurrues për Ankandin e Erës.

    Ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se faza e dytë e aplikimit do të filloj gjatë muajit mars.

    “Gjatë këtij procesi për më shumë se në 50 pyetje kemi siguruar transparencë që jemi kujdesur që të gjitha palët të jenë mirë të informuar. Jo vetëm që të ngjallim interesim dhe garë, por sigurojmë edhe proces qëndrueshëm. Zotohemi që do të ndjekim hapat sa më transparentë dhe në nivelet më te larta. Faza e dytë e aplikimit fillon gjatë muajit mars, ankandi i parë i erës bashkë me atë solar i cili është përfunduar do të plotësojë miksin tonë energjetik”, ka thënë Rizvanolli.

  • Shënohet 36 vjetori i grevës së minatorëve të ‘Trepçës`

    Shënohet 36 vjetori i grevës së minatorëve të ‘Trepçës`

    Manifestimi qendror “Java e Minatorëve” ka filluar sot në Stan Tërg në 36 vjetorin grevës historike të minatorëve të `Trepçës`, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka theksuar se ‘Trepça’ ka qenë edhe subjekt shoqëror në historinë e Kosovës, me efekte rajonale e jehonë ndërkombëtare.

    “Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara në 10 pika, ku pika 8 thoshte; fati i shqiptarëve të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes”, ka theksuar Kurti.

    Sipas tij, e ardhmja e ‘Trepçës’ është në duart e atyre që e ndërtojnë përditë.

    Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se i presin punë të mëdha tutje.

    “Viti 2025 për ‘Trepçën’ do të jetë vit i reformave, që ta bëjmë ‘Trepçën’ ndërmarrje të qëndrueshme”, tha Rizvanolli.

    Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes ‘Trepça’, Faton Ahmeti tha se greva e minatorëve para 36 viteve nuk ishte vetëm një akt sindikal, por, një mesazh i fuqishëm.

    Ndërsa kryesindikalisti, Ibrahim Januzi kërkoi kushte më të mira të punës në minierë.

    “E kam obligim moral te shpreh problemet qe na kane katandisur ne si minatorë. Jemi katandisur në një gjendje aq të rëndë. Mungesa e pajisjeve sot rrezikon jetët tona. ‘Trepça’ sot është lënë në mëshirë të fatit”, theksoi Januzi./rtk