ATV

Author: ATVLive

  • ​Banka Qendrore Evropiane pëson humbje historike në vitin 2024

    ​Banka Qendrore Evropiane pëson humbje historike në vitin 2024

    Banka Qendrore Evropiane (ECB) postoi një humbje rekord prej 7.94 miliardë eurosh ose rreth 8.3 miliardë dollarë në vitin 2024, sipas shifrave zyrtare të enjten.

    “Në vitin 2023, lirimi i plotë i provizionit për rreziqet financiare prej 6,620 milionë eurosh e zvogëloi humbjen për atë vit në 1,266 milionë euro, ndërsa në vitin 2024, asnjë humbje nuk mund të mbulohej me këtë provizion pasi bilanci i tij ishte zero”, deklaroi banka.

    Si rezultat i humbjes, ajo deklaroi se asnjë fitim nuk do t’i shpërndahet bankave qendrore kombëtare të eurozonës për vitin 2024.

    Humbjet erdhën nga veprimet e politikës së ndërmarrë nga Eurosystem që ishin të nevojshme për të përmbushur mandatin e tij kryesor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

    Këto veprime rritën normat bazë të interesit të ECB-së në 2022 dhe 2023, të cilat synonin të luftonin inflacionin e lartë në eurozonë. Në vitin 2024, ashtu si në vitin 2023, shpenzimet e interesit ishin më të larta se të ardhurat nga interesi, ka njoftuar ECB.

  • ​JD Vance: Gjithçka është në tryezë kur bëhet fjalë për negociatat me Rusinë

    ​JD Vance: Gjithçka është në tryezë kur bëhet fjalë për negociatat me Rusinë

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance foli në Konferencën e Veprimit Politik Konservator 2025 (CPAC) në Uashington, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me lidhjet e SHBA me Evropën dhe luftën në Ukrainë.

    Lidhur me lidhjet me Evropën, Vance tha se SHBA-ja do të vazhdojë të ketë “aleanca të rëndësishme”, por se forca e këtyre marrëdhënieve varet nëse vendet ecin në “drejtimin e duhur”.

    Për luftën në Ukrainë, Vance vuri në dukje se presidenti Donald Trump beson se “gjithçka është në tryezë” kur bëhet fjalë për negociatat me Rusinë.

    Vance mbrojti gjithashtu thirrjen e Trump me Putin në fillim të këtij muaji, e cila shkaktoi reagime të forta në SHBA dhe në mbarë botën.

    “Si do t’i jepni fund luftës nëse nuk flisni me Rusinë?”

    Ai shtoi se “paqja është në interes” të SHBA-së dhe Evropës, dhe se Trump do të “luftojë për të deri në fund të mandatit të tij” dhe beson se “jemi në prag të një paqeje të tillë”.

  • ​Rutte paralajmëron evropianët: Shpenzoni më shumë për mbrojtje ose ju thërret njeriu nga Uashingtoni

    ​Rutte paralajmëron evropianët: Shpenzoni më shumë për mbrojtje ose ju thërret njeriu nga Uashingtoni

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se ishte në bisedime me vendet evropiane që nuk shpenzojnë dy për qind të buxheteve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se mund të marrin një telefonatë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump nëse nuk angazhohen për investime të tilla.

    Në një konferencë shtypi sot me presidentin sllovak Peter Pellegrini në Bratislavë, Rutte tha se 23 nga 32 vende anëtare të NATO-s ishin zotuar të shpenzojnë dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

    “Nëse ata nuk u përgjigjen thirrjeve të mia, një burrë shumë simpatik nga Uashingtoni mund t’i telefonojë. Por ka disa vende që nuk po shpenzojnë dy për qind dhe unë jam i angazhuar aktivisht dhe intensivisht me ta për të siguruar që ata të përshpejtojnë arritjen e këtij dy përqindëshi. Unë u thashë atyre, nëse nuk u përgjigjen thirrjeve të mia telefonike, ata mund të marrin telefonata nga një njeri shumë simpatik në Uashington”, tha Rutte duke aluduar te Trump.

    Ai shtoi se SHBA duhet të mbështesë garancitë evropiane të sigurisë për Ukrainën në një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë.

    “Këto ‘garanci të forta sigurie’ nuk nënkuptojnë domosdo ushtarë në terren, por ne ende kemi nevojë për mbështetjen e përgjithshme të SHBA-së për të siguruar që ka parandalim,” tha Rutte.

    Trump më parë u bëri thirrje aleatëve evropianë që të rrisin buxhetin e tyre të mbrojtjes në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vend të dy për qind aktual.

  • Raportuesi Terras kërkon heqjen e masave të BE së ndaj Kosovës

    Raportuesi Terras kërkon heqjen e masave të BE së ndaj Kosovës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që tema kyçe në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

    Teksa raportuesi për Kosovën, Riho Terras prezantoi raportin, para deputetëve kërkoi që rruga e Kosovës drejtë BE-së të përshpejtohet.

    “U bëj thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën të rishqyrtojnë pozicionin e tyre për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE. Dua t’ju siguroj se populli i Kosovës është shumë optimist sa i përket anëtarësimit në BE. Mbështetja publike është shumë e lartë. Po ashtu, edhe mbështetja nga të gjitha partitë kryesore politike”, tha Terras.

    Teksa vendi vazhdon të jetë nën masa nga Bashkimi Evropian, euro-deputeti kërkoi edhe heqjen e menjëhershme të tyre duke përmendur përparimet e shënuara.

    “BE-ja duhet të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta. Këto masa duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Ka disa çështje ku është bërë përparim krahasuar me raportet e mëparshme”, tha Terras.

    Pasi tha se fjalimi i estonezit ishte pozitiv për nga përmbajta, hulumtuesi për politikë të jashtme në GLPS, Besar Gërgi, tha se ky është më shumë mesazh simbolik, pasi s‘ka peshë në vendimmarrjeje.

    Qartësimi i procesit të integrimit të Kosovës në BE- u kërkua edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian që morën pjesë në seancë.

  • Alban Hyseni takon liderët opozitar, diskutojnë për buxhetin

    Alban Hyseni takon liderët opozitar, diskutojnë për buxhetin

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Gjilanit është e vetmja që ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2025.

    Derisa afati i fundit për ta bërë këtë është data 1 mars, të enjten për të gjetur një zgjidhje kryetari i komunës, Alban Hyseni, u takua me liderët opozitar.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë qytet, Lutfi Hazri, thotë se grupi më i madh i asamblistëve ka vota pro buxhetit, mirëpo duhet të respektohen procedurat ligjore.

    “LDK-ja sot konfirmoj nevojën që buxheti të zbatohet sipas ligjit, sipas udhëzimeve që ministri Elbert Krasniqi i ka lëshuar më 18 tetor të vitit të kaluar”, tha Hazri.

    Edhe kryetari i degës së PDK-së, Riad Rashiti, thotë se ka përparime për këtë çështje.

    “Nuk duam të jemi e vetmja komunë në Kosovë që nuk kemi miratim të buxhetit…për ne është e pakuptimt që kryetari kërkon kohë shtesë për konsulta me subjektin e vet politik”, tha Rashiti.

    Nevojën për konsultime me partinë, e arsyeton kryetari i komunës, Alban Hyseni.

    “Konsideroj dhe besoj që një pjesë e kërkesave për të mos thënë të gjitha, tingëllojnë të arsyeshme… Praktika jonë e brendshme në LVV si organizatë, është që vendimet merren në organet tona udhëheqëse dhe drejtuese”, tha Hyseni.

    Kryetari thotë se do t’i njoftojë opozitarët të premten, lidhur me hapat e radhës.

    Në nëntor, kryetari Hyseni, pat kërkuar në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal shpërbërjen e Kuvendit, pikërisht për shkak të mos-miratimit të buxhetit. Por, kjo kërkesë qe refuzuar.

  • Vdes 89 vjeçarja Zejnepe Gashi, serbët ia vranë 5 anëtar të familjes

    Vdes 89 vjeçarja Zejnepe Gashi, serbët ia vranë 5 anëtar të familjes

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Me këtë epitet, zonja Zejnepe njihej nga të afërmit e saj.

    E njejtë si grua të fortë që dha shumë për lirinë e vendit, thonë se do ta kujtojnë gjithmonë 89 vjeçaren që vdiq mëngjesin e së enjtes.

    Nënës Zepë, në luftën e fundit në Kosovë humbi 5 antarë të familjes.

    Me krenari për ta jetoi gjatë, por kohëve të fundit familjarët thanë se mëriza iu shtua.

    Si një nënë të fortë, e kujtoi edhe kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti. Ai shkruajti se Nëna Zepë, përjetoi dhimbjen më të madhe, por që nuk u përkul kurrë.

    Në fshatin Sllovi të Lipjanit, përveç 5 antarëve të familjës Gashi, gjatë luftës serbët vranë edhe 40 qytetar të tjerë.

    Vdiq në moshën 89 vjeçare Zejnepe Gashi, të cilës serbët ia vranë para syve bashkëshortin, dy djem dhe dy nipa. Ajo u kujtua në Sllovi të Lipjanit si grua trime e bujare.

  • Numërohen të gjitha vendvotimet

    Numërohen të gjitha vendvotimet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet preliminare të partive politike në zgjedhjet e 9 shkurtit nga numërimi i të gjitha vendvotimeve.

    Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.80 për qind votash, Partia Demokratike, 22.03 për qind, Lidhja Demokratike ka marrë 17.63 për qind dhe koalicioni AAK – Nisma ka marrë 7.46 për qind.

    Në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje do t’I ketë 47 deputetë, PDK-ja, 25 deputetë, LDK-ja 20 deputetë dhe AAK-NISMA, 8 deputetë.

    Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota tha se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.

    Megjithatë rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

    Ndërkaq sipas rezultateve në mesin e liderëve të partive kryesore që garuan për pozitën e kryeministrit më së shumti vota ka marrë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje– 259.532 vota. Pas tij renditet Bedri Hamza, nga PDK-ja me 150.294 vota. Në listën e më të votuarve është edhe Memli Krasniqi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës me 85.293 vota.

    Pas tij renditen Lumir Abdixhiku, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 109.202 vota dhe Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 37.752 vota.

    Dalja në zgjedhjet e sivjetme ishte 40 për qind – rreth 8 për qind më e vogël sesa në zgjedhjet e 2021-tës. /atvlive.tv

  • Albulena Haxhiu, më së shumti vota prej kandidateve gra për deputete

    Albulena Haxhiu, më së shumti vota prej kandidateve gra për deputete

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, renditet e para në listën e grave më të votuara si deputete, prej të gjitha partive, për zgjedhjet parlamentare të 2025-tës.

    Përveç Haxhiut, në mesin e 47 ulëseve sa i ka siguruar aktualisht Lëvizja Vetëvendosje, do të zënë vend edhe Donika Gërvalla, Mimoza Kusari-Lila, Shqipe Mehmeti-Selimi dhe 15 gra të tjera.

    Kështu, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë nevojë fare zbatimin e kuotës gjinore.

    Në partinë që u renditë e dyta në këto zgjedhje, në Partinë Demokratike të Kosovës, tri gratë që morën më së shumti vota janë Vlora Çitaku, Sala Jashari dhe Ariana Musliu-Shoshi.

    Ndërsa, në Lidhjen Demokratike të Kosovës për nga numri i votave prijnë Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami dhe Jehona Lushaku-Sadriu.

    E në koalicionin AAK-Nisma si gratë më të votuara renditen Time Kadriaj, Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Krasniqi.

    Tri partitë opozitare duhet të zbatojnë kuotën gjinore, për së paku një deputete.

    Sidoqoftë, nga shoqëria civile vlerësojnë se në këto zgjedhje ka një rritje të lehtë të votave për gratë kandidate.

    Ndërkaq, sipas rezultateve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga Lëvizja Vetëvendosje janë siguruar 47 ulëse në Kuvend, nga Partia Demokratike 25, nga Lidhja Demokratike 20 dhe nga koalicioni AAK-Nisma – 8.

  • Kaplohet sërish nga zjarri Tregu i Gjelbër në Prishtinë

    Kaplohet sërish nga zjarri Tregu i Gjelbër në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Mulliqi

    Gjashtë lokale të tregut të Gjelbër në Prishtinë u përfshinë nga zjarri mëngjesin e së enjtes.

    Reagimi i zjarrfikësve ishte i shpejt.

    “Është bërë prerja e zjarrit nga dy anët në mënyrë që të mos lejohet shpërndarja e mëtutjeshme, pasi që lokalet janë të ndërlidhura me njëra tjetrën”, tha Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.

    Pronarë të lokaleve na thanë prapa kamerave se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një bombole gazi që përdorej nga lokalet pranë lagjes.”

    Rexhep Avziu pronar i njërit prej lokaleve të djegura tha se dëmet nga zjarri janë mjaft të mëdha.

    “Dëmin e kam mjaft të madh sepse kam pasur pajisje teknike të lokalit. Afërsisht me makina, me material të lokalit dëmin e kam diku rreth 15 mijë minimal, sa i përket meje”, tha Avziu.

    Në anën tjetër, nga Komuna e Prishtinës presin të konstatohen shkaktarët e zjarrit për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm.

    “Duhet parë shkaktarët e kësaj fatkeqësie, përgatitjen e një analize të detajuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca dhe pastaj nëse ka hapësirë e mundësi financiare të shihet mundësia e ndihmës”, tha zëdhënësi i Komunpës së Prishtinës, Donat Lushaku.

    Tregu i Gjelbër ishte përfshirë edhe njëherë nga zjarri në Qershor të vitit 2023.

  • Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë mbështetjen e SHBA-së

    Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë mbështetjen e SHBA-së

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se çdo garanci evropiane e sigurisë për Ukrainën, nën një marrëveshje të mundshme të paqes me Rusinë, do të duhet të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

    “Garancitë e forta të sigurisë, nëse ofrohen nga shtetet evropiane, kërkojnë mbështetjen nga SHBA-ja, jo me trupa në terren, por ne ende kemi nevojë për një mbështetje të përgjithshme nga SHBA-ja për t’u siguruar që atje të ketë parandalim”, tha Rutte gjatë vizitës në Sllovaki më 20 shkurt.

    Mbështetësit evropianë të Kievit po tentojnë të krijojnë një plan, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, shmangu aleatët e Uashingtonit dhe nisi përpjekjet me Moskën për t’i dhënë fund luftës që ka nisur më 2022.

    Britania ka thënë se mund të dislokojë trupa në Ukrainë nëse është e nevojshme që të sigurohet një paqe e qëndrueshme, por Londra ka insistuar se SHBA-ja do të duhet të ofrojë mbështetje.

    Mediat britanike kanë raportuar se Britania dhe Franca po punojnë që të propozojnë dërgimin “një force sigurie” me 30.000 ushtarë në Ukrainë, nëse Uashingtoni do të angazhohej që të ofrojë mbulim ajror nga një vend fqinj.

    Rutte nuk dha detaje mbi planet që po hartohen, por tha se SHBA-ja “ka disa aftësi të veçanta… të nevojshme për t’ua bërë të mundur shteteve evropiane që të ndihmojnë”.

    Ukraina insiston se i duhen garanci në çdo marrëveshje, në mënyrë që të sigurohet që Rusia të mos jetë në gjendje ta sulmojë sërish.

    “Është vitale që çdo marrëveshje që do të arrihet të sjellë një paqe të qëndrueshme dhe që Rusia mos të tentojë më kurrë të marrë nën kontroll asnjë kilometër katror të tokës ukrainase”, tha Rutte.

    “Përderisa ka shumë gjëra për të cilat duhet të vendoset, nuk ka dyshim që Evropa ka një rol vital për të luajtur për të siguruar paqen në Ukrainë”.

    Administrata e Trumpit e ka bërë të qartë se nuk planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë, nën çfarëdo marrëveshje të paqes.

    Në vend të kësaj, administrata amerikane ka thënë se Evropa duhet të bëjë pjesën e saj që çdo marrëveshje që do të arrihet nën ndërmjetësimin e Uashingtonit të zbatohet.