Avokati Taulant Hodaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është identifikuar si një parti lokaliste dhe kjo po ndikon në dobësimin e saj politik.
Sipas Hodajt, përqendrimi i votave në zona të caktuara dhe mungesa e përfaqësimit në rajone të tjera mund të jetë një faktor i rrezikshëm për partitë politike, duke i bërë ato të perceptohen si rajonale.
“kjo mundet me qenë pak edhe e rrezikshme edhe për partitë politike, sepse pastaj etiketohet si parti rajonale, lokaliste dhe atë që e cekëm në fillim, AAK-ja është identifiku si një gjë e tillë dhe është në shuarje e sipër”, tha Hodaj.
Deklaratën e plotë të Taulant Hodajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar preferencat e votuese në zgjedhjet e fundit, bëri një krahasim mes ndëshkimit të një zëvendës ministri dhe shpërblimit të një figure nga fusha e muzikës.
Sipas Hamidit, rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se votuesit kanë ndëshkuar Hysen Durmishin, ndërsa i kanë dhënë përkrahje Edona Llalloshit, çka ngre pyetjen se çfarë vlerësohet më shumë nga elektorati.
“Tash këtu ka vendosë votuesi, për shembull, votuesi e ka ndëshku Hysen Durmishin, ka shpërbly Edona Llalloshin, tash nuk e di çka po dojmë ma shumë këngëtarë apo punëtorë”, tha Hamidi.
Deklaratën e plotë të Lavdim Hamidit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se përfshirja e madhe e diasporës në procesin zgjedhor ngre shqetësime për legjitimitetin demokratik, pasi vota e tyre mund të jetë vendimtare në rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas Mulollit, diaspora jo vetëm që ka dërguar mbi 75 mijë vota, por ka edhe mijëra qytetarë që kanë udhëtuar fizikisht për të votuar, duke e çuar numrin e përgjithshëm mbi 100 mijë vota, që përbën një përqindje të konsiderueshme të elektoratit.
“Kur jemi te diaspora, 75 mijë vota u përmendën si valide, por mund të supozohet që edhe 30-35 mijë kanë votuar fizikisht në Kosovë. Kjo e çon numrin mbi 100 mijë, që është afër 15% të votës totale. Këtë çështje e kemi ngritur edhe më herët në këtë studio, dhe për mua është një shqetësim për legjitimitetin e demokracisë”, tha Mulolli.
Ai tha se pavarësisht se diaspora ka të drejtë vote, pasi ka shtetësi dhe lidhje me Kosovën, pjesëmarrja e madhe e saj krijon një situatë ku ndikimi i tyre bëhet vendimmarrës, duke ndikuar në drejtimin politik të vendit.
“Të gjithë kanë të drejtë vote, kanë shtetësi, prona dhe familje këtu, por nuk jetojnë në Kosovë. Nëse nuk e bëjnë jetën e plotë këtu, demokracia duhet të marrë parasysh efektin e një pjesëmarrjeje të tillë. Kur vota e diasporës arrin 15% të votës totale, ajo bëhet vendimmarrëse, siç mund të ndodhë edhe tani”, u shpreh Mulolli.
Deklaratën e plotë të Fitim Mulollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rezultati aktual i zgjedhjeve nuk tregon një fitues apo humbës të qartë, pasi asnjë parti nuk ka arritur dominim të plotë.
Sipas Mulollit, Vetëvendosja ka shënuar rënie, ndërsa PDK dhe LDK kanë treguar një rritje të ndjeshme, duke ndryshuar dinamikën politike.
“Po momentalisht, rezultati aktual po tregon që ndoshta nuk ka as fituese e as humbës të këtyre zgjedhjeve. Sa kemi parë deri tani, Vetëvendosja ka një rënie afër 10% në disa pika, si Prishtina, Podujeva dhe dy-tri komuna të tjera. PDK ka një rritje më të theksuar, LDK gjithashtu një rritje të ndjeshme”, tha Mulolli.
Ai tha se Aleanca dhe Nisma kanë arritur të konsolidohen dhe mund të kenë rol vendimmarrës në formimin e qeverisë së re.
“Aleanca dhe Nisma kanë arritur të konsolidohen dhe të krijojnë një prezencë të dukshme që mund të jetë vendimtare në krijimin e qeverisë së re. Prandaj, nuk po më duket se ka një dështim të qartë, por as një fitues të shpallur”, u shpreh Mulolli.
Deklaratën e plotë të Fitim Mulollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Analisti Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ekzistojnë gjasa reale që kryeministri Albin Kurti të marrë më shumë vota sesa presidentja Vjosa Osmani që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2021.
Sipas Krasniqit, diferenca mund të mbyllet përmes votave nga diaspora, të cilat ende nuk janë numëruar.
“Domethënë, në bazë të një vlerësimi të bazuar në krahasim me vitin 2021, gjasat që janë që zotëri Kurti me e mbërri 300 mijë vota. Tash a e kalon për pak apo nuk e kalon, është çështje tjetër, por gjasat janë reale që me e kalu”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se votat nga diaspora mund të jenë vendimtare, pasi nga 75-76 mijë të panumëruara deri tani, Kurti mund të marrë rreth 60% të tyre.
Kujtojmë se Albin Kurti, aktualisht ka 260 mijë vota, ndërsa Vjosa Osmani në zgjedhjet e vitit 2021 kishte mbi 300 mijë.
Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Aanalisti Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pritet që Lëvizja Vetëvendosje të marrë shumicën dërrmuese të votave nga diaspora, duke e krahasuar këtë me zgjedhjet e vitit 2021.
Sipas Krasniqit, votat nga diaspora mund të përbëjnë rreth 10% të numrit të përgjithshëm të votave në Kosovë dhe të kenë ndikim të madh në ndarjen e mandateve parlamentare.
“Dikund 75-76 mijë do të jenë vota të vlefshme. Këto përbëjnë gati 10% të 800 mijë votave në Kosovë dhe është shumë normale të pritet që ato do të bëjnë një diferencë të madhe sa i përket numrit të deputetëve”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se Vetëvendosje ka një përkrahje të madhe në diasporë dhe, edhe pse ka humbur vota në Kosovë, mbetet forca kryesore mes votuesve jashtë vendit.
“Në zgjedhjet e 2021, Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë mbi 75% të votave të diasporës. Edhe duke llogaritur një rënie të mbështetjes, nën 60% të votave nga diaspora nuk ka asnjë variancë që del për VV-në, që i bie rreth 45 mijë vota,” u shpreh Krasniqi.
Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se niveli i Kuvendit të Kosovës sot është më i dobët se ai i Asamblesë komunale të Prishtinës menjëherë pas luftës.
Ai tha se, duke e krahasuar me të kaluarën, Kuvendi aktual nuk është më mirë as se Asambleja Komunale e Prishtinës menjëherë mbas luftës.
“Tash, kur e kur e këqyr, domethënë ky Kuvend, nuk e di tash me krahasu ndoshta me Asamblenë lokale të Prishtinës vitit menjëherë masluftës ka qenë më e mirë se sa ky Kuvendi që po na vjen në 2025-tën, Kuvendi i Kosovës”, tha Hamidi.
Deklaratën e plotë të Lavdim Hamidit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Sot është bërë një muaj që kur Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë! E di që na duket sikur me qenë 6 vjet, por në pyetje janë një muaj.
Për një MUAJ, për 30 ditë, e ka mshelë USAID-in duke dashur të kursje miliarda dollarqë që sipas tij janë keqpërdorë, ka vendosur tarifa ndaj Meksikës dhe Kanadasë duke i detyruar këto shtete që të dërgojnë dhjetëra mijëra trupa më shumë në kufi, ka nisur negociatat për përfundim të luftës në Ukrainë pa Ukrainën, e ka cilësuar Zelenskyn si komedian palidhje që ka keqpërdorë pare, e ka ndryshuar rrënjësisht dhe urgjentisht qasjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës ndaj NATO-s, duke i detyruar vendet evropiane të ri pozicionohen ose të gjejnë qindra miliarda Euro si për shpejt e shpejt, ka konfirmuar që Shtetet e Bashkuara e kanë ndër mend të marrin përsipër Rripin e Gazës, ti zhvendosin 1,8 milionë palestinezë që kanë metë në Gaza derisa ta rindërtojnë, janë marrë vesh për këmbim tregtar prej 500 miliardë dollarë me Indinë deri më 2030, 500 000 000 000 për 5 vjet, dhe ka shprehur ambicie për të aneksuar Kanadanë dhe Grenlandën, është tërhequr nga Konventa e Parisit për Ndryshime Klimatike, është tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka lëshuar nga puna mijëra e ka mshelë debatin palidhje rreth gjinive duke nënshkruar urdhër ekzekutiv që janë veç dy gjini, ka ndaluar pjesëmarrjen e burrave në gara sportive të grave, që dorën në zemër po ashtu ka qenë diçka palidhje, ia ka ndryshuar emirin Gjirit të Meksikës që tashmë është Gjiri i Amerikës dhe ia ka ndaluar Associates Pressit pjesëmarrjen në pres konferencë, për shkak se ata e quajnë edhe më tutje Gjiri i Meksikës.
Për një muaj, 30 ditë!
Për më tepër, diqysh si rastësisht ka qëllu që pasi Trump fitoi zgjedhjet, në Gjermani u prish koalicioni dhe ka zgjedhje të parakohshme, në Bullgari ka zgjedhje të parakohshme, por ata këtë punë e kanë hobi, në Rumani janë anuluar zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e reja zhvillohen sivjet.
Kuptohet, në Kosovë jemi marrë shumë me deklarime të Grenellit dhe ditëve të fundit me një shkrim të Bildit se trupat amerikane mund të tërhiqen nga Evropa.
Më pas njerëzit që i shtyjnë këto fore në media u ekspozuan në një grup në whatsapp dhe ranë nga agjenda.
Mirëpo, duhet edhe një herë ti kthehemi listës së veprimeve të Trumpit, jo pse në studiot televizive në Prishtinë ka njerëz që mund ti bijnë në fije Trumpit, por për shkak se në kohë të këtyre zhvillimeve që po e ndryshojnë dynjanë, ne jemi kah humbim kohë.
E kemi një aparat diplomatik që në radhët e veta ka shumë njerëz të paaftë dhe të padijshëm, në kohë kur duhet aktivitet i shtuar dhe intensiv.
Sa për ilustrim, në kohën kur është kah ridefinohet politika gjermane, Ambasadori i Kosovës në Gjermani sot ish taku me La Fazanin.
Ose nëse i shikoni pamjet e pritës për Ditën e Pavarësisë, e shihni që një Ministër i Qeverisë Federale ka qenë aty – ministri i bujqësisë Cem Ozdemir, të cilit Ambasadori ia dhuroi një tegëll ajvar.
Në kohën kur është kah ndryshon rrënjësisht politika amerikane, Ambasada e Kosovës në Uashington i ka katër veta STAF – KATËR!!!
Ambasadori dhe Sekretari i Parë, Sekretarja e Dytë dhe dy Sekretarë të Tretë! Në kohën kur janë kah ndryshojnë paradigmat botërorë të sigurisë, në Uashington, Londër e në Berlin nuk kemi atashe ushtarak, kurs fuqia lobuese jashtë ambasadave është në duar të talentëve të mëdhenj të diplomacisë si Afërdita Rakipi, ose Gani Jakupi!
Diplomaci parlamentare nuk ka sepse nuk ka parlament, kurse takimet në Munih saktë na e kallëzuan vendin!
Presidentja atje foli për dinozaurë, Kryeministri këtu flet për hajvanatë – obsesion me botën shtazore, llafe qyfte, a diplomacia botërore kah tronditet.
Për Kinën, Afrikën, Amerikën Latine, takimin e G20shit, as që po flas – ato lajme diplomatët tonë i shikojnë në televizor, njëjtë si ne tjerët!
Për më tepër jemi edhe më tutje nën sanksione të BE-së, që zor që hiqen sivjet, kurse për ndryshime e përforcime në Ambasada e misione diplomatike, as që flet kush!
Këqyre, e di unë që duhet të kryhet numërimi, duhet të kryhen ankesat, parashtresat, certifikimi, konvokimi, mandatimi, o krejt bre!
Në rregull është kjo punë, procedurë është! E di po ashtu që vullneti i popullit është shumë zor të deformohet, Vetëvendosje do të jetë në pushtet, përveç nëse nuk dëshiron të jetë në pushtet, edhe kjo është e qartë!
Mirëpo, kushdo që vjen në pushtet – është mirë ta kuptojë që diplomacinë e kemi të paaftë dhe palidhje dhe është mirë që ta marrë më seriozisht.
Me llafe për hajvana mund ti fitosh zgjedhjet në Kosovë, fundja po duket në Kuvend kemi me pasë deputetë që nuk dinë shkrim lexim e kalendar, kështu që s’ka me u marrë kush me diplomaci aty, në rregull jemi!
Por, me llafe për dinozaurë në Munih, me nënshkrim të zotimeve, e manej me deklarata të tipit pini maca ujë, me Ambasada të sakatuara në shtetet vitale për Kosovën, me sanksione në fuqi ndaj neve, zor që kemi me fitu diçka nga Evropa o Amerika.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutoi garancitë efektive të sigurisë dhe kthimin e të burgosurve gjatë një takimi sot me emisarin special të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg.
Ukraina propozoi gjithashtu rrugën më të shpejtë dhe më konstruktive drejt arritjes së paqes së qëndrueshme. Zelensky ndau detaje nga takimi në rrjetin Telegram, transmeton Ukrinform.
“Kam pasur një takim produktiv me gjeneralin Kellogg, një diskutim i mirë, me shumë detaje të rëndësishme. I jam mirënjohës SHBA-së për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Është e rëndësishme për ne dhe gjithë botën e lirë që të ndihet forca amerikane. Ne patëm një bisedë të detajuar rreth situatës në fushën e betejës, si t’i kthejmë robërit tanë të luftës dhe garancitë efektive të sigurisë”, tha Zelensky.
Kujtojmë, një konferencë e përbashkët për media pas takimit Zelesnky-Kellogg në Kiev u anulua papritmas me kërkesë të Uashingtonit.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i ka dorëzuar ish-prokurores së Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit.
Guerot tha se përmes kësaj mirënjohjeje shpërblen veprimtarinë e shquar për ish-prokuroren Hajdari, të realizuar falë angazhimit të saj profesional. Ai tha se e njëjta gjatë punës së saj është përballur me presione dhe kërcënime, por nuk është dorëzuar asnjëherë.
“Zonja Hajdari është përballur me presione dhe kërcënime, por nuk është dorëzuar asnjëherë. Vendosmëria, integriteti dhe këmbëngulja juaj do të vazhdojnë të jenë të palëkundura gjatë gjithë karrierës suaj. Si prokurore speciale dhe drejtuese e Departamentit të Krimeve të Luftës brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nga viti 2016 deri në 2023, ju keni menaxhuar shumë raste të vështira dhe veçanërisht komplekse të korrupsionit, terrorizmit dhe krimeve të luftës, duke i çuar ato drejt një përfundimi të suksesshëm, pavarësisht të gjitha pengesave të hasura. Ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hajdari është shquar me guximin, integritetin dhe vendosmërinë e saj për të luftuar krimin, korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Guximi dhe profesionalizmi është dëshmuar në veçanti në shumë lëndë të ndjeshme, duke e bërë atë një figurë të respektuar në Kosovë dhe më gjerë. Puna e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës kontribuoi dukshëm në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e demokracisë në vend… Kjo dekoratë nderi është një simbol i angazhimit tuaj për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe drejtësinë, vlera që mbrohen gjithashtu nga Franca dhe që ambasada këtu i përkrah me vendosmëri në punën e saj me aktorët e ndryshëm të sistemit gjyqësor”, tha ai.
Ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, u shpreh mirënjohëse për ndarjen e kësaj dekorate nga shteti i francez, derisa tha se ajo asnjëherë nuk ka bërë kompromis me drejtësinë.
“Unë jam një idealiste dhe ideali im është drejtësia. Në ditën time të parë të punës si avokate, nëna ime më tha “gjyko në emrin e Zotit” që do të thotë, merr vendime të bazuara në ligj. Gjatë gjithë karrierës sime, unë kam mbrojtur të drejtat e viktimave, dhe në të njëjtën kohë të drejtat e të akuzuarve. Disa nga të akuzuarit që i kam ndjekur ligjërisht, ishin nga bota e korrupsionit, favorizimeve dhe krimit të organizuar. Unë gjithashtu jam marrë me çështje të terrorizmit. Në ato kohë të vështira, fjalët e babait tim “duhet të shikosh ujkun drejt në sytë e tij”, bënin jehonë në mendjen time. Jam përfshirë në shumë raste komplekse, që përfshinin shumë sfida dhe vështirësi, por kam qenë e guximshme çdo herë. Unë kurrë nuk kam bërë kompromis, sepse për këtë është puna ime”, tha ajo.
Urdhri Kombëtar i Meritës është krijuar nga presidenti francez, gjenerali Charles de Gaulle më 3 dhjetor 1963. Urdhri Kombëtar i Meritës u ndahet shtetasve të huaj që kanë ofruar shërbime kulturore, ekonomike, shkencore për Francën ose kanë promovuar çështje që Franca mbron si të drejtat e njeriut, liria e shtypit, çështje humanitare, etj. /KP