ATV

Author: ATVLive

  • Asnjë minoritet në Drenas por marrin 201 vota, gabuan apo qëllimshëm?

    Asnjë minoritet në Drenas por marrin 201 vota, gabuan apo qëllimshëm?

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e 9 shkurtit në komunën e Drenasit ishte 44.94% ose 25.482 votuesë, të cilët shumica ose 74.05 përqind i besuan Partisë Demokratike të Kosovës, por paradoksale është votat që i shkuan minoriteteve në Kosovë, edhe pse në këtë komunë nuk ka banorë nga minoritetet.

    14 parti të minoriteteve kanë marrë 201 vota. Aty u votua edhe për Listën Serbe, e cila ka marrë 5 vota.

    Më poshtë po iu sjellim votat që partitë e minoriteteve kanë marrë në këtë komunë:

    Naša Bošnjačka Koalicija (Naša Inicijativa i Bošnjačka stranka 1

    NOVA DEMOKRATSKA STRANKA 3

    KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ 2

    Srpski narodni pokret 2

    SRPSKA DEMOKRATIJA 2

    Opre Roma Kosova 2

    GRADJANSKA INICIJATIVA NARODNA PRAVDA 2

    Koalicija Vakat 6

    SRPSKA LISTA 5

    Za Slobodu Pravdu i Opstanak 14

    PDAK-LPB 10

    Jedinstvena Goranska Partija 55

    Yenilikçi Türk Hareket Partisi 36

    INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS – IRDK 61

  • Fushë-Kosovë: Treni godet veturën e parkuar në hekurudhë

    Fushë-Kosovë: Treni godet veturën e parkuar në hekurudhë

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak minutash në Fushë-Kosovë.

    Sipas IndeksOnline, një tren ka goditur një pikap të parkuar në shinat e hekurudhës.

    Nga aksidenti nuk raportohet për të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

  • Leavitt thotë Trump këtë javë mund të arrijë marrëveshje me Rusinë

    Leavitt thotë Trump këtë javë mund të arrijë marrëveshje me Rusinë

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi të shtunën se Presidenti Donald Trump është i sigurt në aftësinë e tij për të arritur një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, duke sugjeruar se fundi i luftës trevjeçare mund të vijë që në fillim të kësaj jave.

    Leavitt ua tha këtë gazetarëve pasi u kthye nga Konferenca e Veprimit Politik Konservator, raporton Ukrinform, duke cituar The Hill.

    “Presidenti, ekipi i tij janë shumë të përqendruar në vazhdimin e negociatave me të dyja palët e kësaj lufte për t’i dhënë fund konfliktit dhe presidenti ka shumë besim se ne mund ta bëjmë këtë javë,” tha ajo.

    Komentet vijnë pasi Presidenti Trump sugjeroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk ka letra” dhe duhet të ndalojë bisedat me liderët ndërkombëtarë që përfshijnë negociatat e paqes në vazhdim.

    Leavitt përmendi se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Matt Waltz do të punonte “rreth orës” këtë fundjavë për një marrëveshje dhe tha se Sekretari i Thesarit Scott Bessent ka qenë i përfshirë në diskutimet rreth një marrëveshjeje të propozuar me ukrainasit për shfrytëzimin e mineraleve të papërpunuara.

  • 87 vjet nga zbulimi i naftës në Kuvajt

    87 vjet nga zbulimi i naftës në Kuvajt

    Burimet e para të naftës në Kuvajt u zbuluan më 23 shkurt 1938, duke e bërë atë ndër vendet më të pasura në botë.

    Kuvajti, i cili kufizohet me Arabinë Saudite dhe Irakun, është shtëpia e shtatë për qind të rezervave të papërpunuara botërore.

    Sipas kushtetutës së Kuvajtit, të gjitha burimet natyrore të vendit dhe të ardhurat që lidhen janë pronë e qeverisë.

    Më 23 janar 2025, Kuwait Petroleum Corporation (KPC) ka konfirmuar një zbulim të madh hidrokarburesh në fushën detare Al-Julaia në brigjet e Kuvajtit.

    Fusha, që mbulon mbi 74 kilometra katrorë, është vlerësuar të mbajë rreth 800 milionë fuçi naftë me densitet të mesëm dhe 600 miliardë këmbë kub standarde gaz të lidhur, ekuivalente me 950 milionë fuçi naftë ekuivalente.

    Kompania ka nisur studimin tredimensional hulumtues që përfshin mbi 6 mijë kilometra katrorë për të mbledhur njohuri për zonën, duke ndihmuar në vendimmarrjen për të ecur përpara me përcaktimin e rezervuarëve për të arritur fazën e prodhimit.

  • Sulmohet një taksist në veri

    Sulmohet një taksist në veri

    Një person derisa kishte qenë duke punuar me veturë taksi, dyshohet se është sulmuar fizikisht në kokë me grushta nga pasagjeri duke mos bërë as pagesën për shërbimin.

    Rasti ka ndodhur dje në mesditë në veri të Mitrovicës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet.

  • Mijëra kanadezë nënshkruajnë peticionin për t’i hequr shtetësinë Elon Musk

    Mijëra kanadezë nënshkruajnë peticionin për t’i hequr shtetësinë Elon Musk

    Një numër në rritje kanadezësh po mbështesin një peticion që i kërkon kryeministrit Justin Trudeau t’i heqë shtetësinë kanadeze sipërmarrësit miliarder, Elon Musk.

    Peticioni i nisur nga banorja e British Columbia Qualia Reed dhe i sponsorizuar nga deputeti i Partisë së Re Demokratike (NDP), Charlie Angus, argumentoi se Musk është angazhuar në aktivitete që shkojnë kundër interesit kombëtar të Kanadasë.

    Duke vënë në dukje se Musk, “ka përdorur pasurinë dhe fuqinë e tij për të ndikuar në zgjedhjet tona”, peticioni pretendonte se Musk është “një anëtar i një qeverie të huaj që po përpiqet të fshijë sovranitetin kanadez.

    “Ne, të nënshkruarit, qytetarët e Kanadasë, i bëjmë thirrje kryeministrit që t’i heqë statusin e dyshtetësisë së Elon Musk dhe t’i heqë menjëherë pasaportën kanadeze”, thuhet në deklaratë, raporton AA.

    Musk, i lindur në Afrikën e Jugut, u bë kanadez përmes nënës së tij, e cila lindi në Saskatchewan.

    Më shumë se 52,100 kanadezë kanë nënshkruar peticionin online që do të prezantohet në Dhomën e Komunave pasi të mbyllet më 20 qershor.

    Nuk ka asnjë tregues nëse qeveria do të shqyrtojë heqjen e shtetësisë së Musk.

  • Posti i presidentit konsiderohet përcaktues në “pazaret” për formimin e qeverisë

    Posti i presidentit konsiderohet përcaktues në “pazaret” për formimin e qeverisë

    Megjithëse janë procese të ndara, zgjedhja e presidentit të Kosovës në prill të vitit 2026, po konsiderohet determinuese edhe për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas analistëve politikë, secili koalicion eventual për formimin e qeverisë do të përfshijë edhe çështjen e pozitës së presidentit.

    Të njëjtit thonë se në bazë të rezultateve preliminare, nevojitet një koalicion në mes partive më të mëdha në mënyrë që të formohet një qeveri më stabile, e cila më pas do të reflektonte pozitivisht edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë, vlerësohet se nëse partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje tenton të formojë qeverinë vetëm me komunitetet joserbe dhe “peshkimin”, e ndonjë deputeti, atëherë çështja e presidentit do të lihet në një moment tjetër.

    Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, pa përfshirjen e votave me kusht dhe ato të diasporës, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 47 deputetë në Kuvend, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.

    Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë 80 vota të 120 deputetëve sa i ka gjithsej. Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.

    Analisti politik, Blerim Canaj thotë për KosovaPress, se formimi i çfarëdo qeverie me një shumicë të thjeshtë, do ishte problematike për zgjedhjen e presidentit dhe për këtë arsyeje ky post do të ketë rol edhe në formimin e Qeverisë.

    Ndërkaq, analistja politike, Alma Lama deklaron se në rast të koalicioneve, posti i presidentit patjetër që do të jetë pjesë e “pazareve” për formimin e qeverisë.

    Mirëpo, sipas saj, nëse shkohet në një qeveri të pakicës, atëherë çështja e presidentit do të lihet të gjendet një zgjidhjeve në vitin 2026.

    Mandati i presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill 2026.

    Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./kp

  • “L’albanese d’Italia”, gazeta e parë shqiptare

    “L’albanese d’Italia”, gazeta e parë shqiptare

    Më 23 shkurt 1848 doli numri i parë i gazetës “L’albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë).

    Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.

    Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës.
    Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot këtë ngjarje të shënuar, duke theksuar se shtypi i kohës ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra e mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, raporton ATSh.

    “L’albanese d’Italia” shërbeu gjithashtu si gazeta e parë për të formuar opinionin publik të komunitetit Arbëresh në Itali, duke sjellë në numrat e saj edhe lajme të ndryshme nga Shqipëria apo vendet e Ballkanit.

    De Rada është shkrimtar arbëresh dhe një nga publicistët më të vjetër shqiptarë. Me këtë gazetë ai hodhi gurin e parë në themelet e shtypi kombëtar, ku pas kësaj gazete u botuan dhe një sërë titujsh të tjetër të rëndësishëm për kohën.

    Gazeta ishte një tribunë e mirë për të përçuar mesazhet politike, shoqërore e kulturore në gjuhën italiane dhe pjesërisht edhe në arbërisht.

  • 10 raste të dhunës në familje brenda 48 orëve në Kosovë

    10 raste të dhunës në familje brenda 48 orëve në Kosovë

    Kështu ka bërë të ditur policia përmes raportit 24 orësh. Dhuna në familje ka ndodhur në Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Pejë, Podujevë, Gjakovë dhe në veri.

    Prishtinë / 21.02.2025 – 23:30. Dyshohet se viktima femër kosovar me të dyshuarin mashkull kosovar -bashkëshortin e saj kishin pasur një mosmarrëveshje verbale dhe i dyshuari e kishte kapur për dy duart në krah me qëllim që ta ndalojë dhe si pasojë të dy ishin rrëzuar për tokë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

    Lipjan / 22.02.2025-10:00. Tre të dyshuar-a janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim pasi që kanë pasur mosmarrëveshje. Tretman mjekësor kanë pranuar të dyshuarat femra. Në konsultim me prokurorin, të gjithë të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ferizaj 22.02.2025, 16:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën femër shqiptare shtetase e huaj me të cilën bashkëjeton. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Podujevë / 22.05.2025-15:00.Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën f/k-të dashurën e tij dhe të njëjtën e ka kanosur se do ti poston fotot e saj, nëse rastin e denoncon në polici. Viktima për shkak të lëndimeve, pasi ka pranuar tretman mjekësor, është kthyer tek prindërit e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

    Prishtinë 22.02.2025, 14:21. Ankuesi mashkull shtetas i huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga djali i tij. Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është liruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 21.02.2025, 21:30,I dyshuari mashkull kosovar dyshohet se nën ndikim të substancave narkotike e kishte kanosur dhe e kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë / 22.02.2025-10:00. I dyshuari m/k-ish bashkëshorti i viktimës f/k, me të cilin kanë katër fëmijë, dyshohet se ka telefonuar vajzën e tyre dhe ka kanosur se nëse dikush i dërgon foto të viktimës me ndonjë djalë, do ta vras. Viktima pas intervistimit është kthyer në banesën e saj, ndërsa i dyshuari pritet të intervistohet lidhur me rastin, pasi të sigurohet prezenca e tij. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti është duke u hetuar.

    Pejë 22.02.2025, 19:00. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë përleshur në mes vete dy të dyshuarit një mashkull kosovar dhe një femër shtetase e huaj- burrë e grua. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    Gjakovë 22.02.2025, 21:00. Është arrestuar e dyshuara femër/k, pasi që e njëjta në gjendje të dehur kishte ofenduar me fjalë të ndryshme viktimën mashkull/k bashkëshortin e saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    Mitrovicë Veri 22.02.2025, 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare bashkëshorten e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • SHBA-ja shpreh shqetësim për mbylljen e Qendrave serbe për punë sociale në veri

    SHBA-ja shpreh shqetësim për mbylljen e Qendrave serbe për punë sociale në veri

    Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për, siç ka thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të Qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës.

    “Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, është thënë në një reagim të Ambasadës në X – dikur Twitter.

    Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

    Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

    Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

    Një objekt i mbyllur i Qendrës për punë sociale, që funksiononte në kuadër të sistemit serb.
    SHIKONI EDHE:
    BE fton Kosovën që të mos i mbyllë qendrat serbe që ofrojë shërbime sociale
    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti fitoi më së shumti vota, ndërsa në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.

    Më 21 shkurt, Lista Serbe ka reaguar ndaj bastisjeve në objektet e këtyre Qendrave, duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se punonjësit e këtyre Qendrave nuk do të mbeten pa paga, ashtu siç asnjë përfitues i ndihmave sociale nuk do të mbetet pa përfitimet që ua paguan atyre shteti i Serbisë.

    Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, e të ngjashme.

    Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga.

    Më 18 shkurt, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

    Edhe Nathalie Loiseau, shefe e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, pati thënë më 11 shkurt se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.