ATV

Author: ATVLive

  • Ku mbesin votat e partive që nuk e kaluan pragun?

    Ku mbesin votat e partive që nuk e kaluan pragun?

    Njëzet e katër subjekte, koalicione apo kandidatë të pavarur, që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, nuk e kaluan pragun zgjedhor prej 5 për qind.

    Në mesin e tyre janë katër që përfaqësojnë komunitetin shumicë shqiptar dhe në total- sipas rezultateve preliminare – këto numërojnë gati 21 mijë vota, apo 2 për qind. Por, çka ndodh me këto vota?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet e tyre por votat nuk shpërndahen apo nuk i shkojnë ndonjë partie tjetër që ka marrë më shumë se 5 për qind.

    Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar secili subjekt politik, në mesin e subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin shumicë të cilat kanë fituar së paku pesë për qind nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet për Kuvend dhe subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë.

    Në Kuvendin e Kosovës, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë – 10 për serbët dhe të tjerat për pakicat jo serbe.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për KosovaPress se ky institucion i certifikon rezultatet e secilit subjekt politik apo kandidatë që ka marr pjesë në zgjedhje, edhe kur nuk e kalojnë pragun, derisa shton se ligji përcakton se në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet për secilin subjekt politik dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Pra, KQZ certifikon rezultatet e subjekteve politike, ku përfshihet numri dhe përqindja e votave të fituara edhe në rastin kur ato nuk e kalojnë pragun e paraparë prej 5%. Sipas ligjit, në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë Elezi.

    Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor nuk kanë asnjë rëndësi në përcaktimin e ulëseve të reja në Kuvend.

    “Votat e subjekteve që nuk e kanë kaluar pragun nuk shpërndahen tek subjektet tjera që kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës sepse në momentin kur ti e kalon pragun prej 5%, me automatizëm ty të ndahet formula e ndarjes në parlament. Dikush i ka 5.5%, i merr 7 ulëse, dikush 25% i merr ndoshta 30 deputetë. Kjo ndarja e 100 vendeve bëhet për subjektet që e kanë kaluar pragun zgjedhor, jo për ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë ai. Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu kujton se më herët ishte praktikë që votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5% të shpërndahen te partitë që kanë arritur të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

    “Ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor, partitë pra, apo kandidatët e pavarur ose subjektet politike….me ligjin paraprak para këtij plotësim-ndryshimi janë rivendosur dhe janë dhënë dhuratë sipas sistemit të rotacionit prej partisë më të madhe, të dytës, të tretës partive politike që kanë marr mandate. Por është deklaruar se tani më ato vota nuk mund të llogariten”, thotë Baraliu.

    Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.
    Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%./KP

  • Shtëpia e Bardhë: Lufta Rusi-Ukrainë mund të përfundojë këtë javë

    Shtëpia e Bardhë: Lufta Rusi-Ukrainë mund të përfundojë këtë javë

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt ka deklaruar se presidenti Donald Trump ka besim në aftësinë e tij për të arritur një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, duke sugjeruar se fundi i luftës trevjeçare mund të vijë që në fillim të kësaj jave.

    “Presidenti, ekipi i tij janë shumë të përqendruar në vazhdimin e negociatave me të dyja palët e kësaj lufte për t’i dhënë fund konfliktit dhe presidenti është shumë i sigurt se mund ta arrijmë këtë këtë javë”, tha Leavitt.

    Bëhet e ditur se komentet vijnë pasi Trump sugjeroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk është i rëndësishëm për të qenë pjesë e negociatave”, shkruajnë mediat e huaja.

    Leavitt përmendi se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Matt Waltz do të punonte “rreth orës” këtë fundjavë për një marrëveshje dhe tha se Sekretari i Thesarit Scott Bessent ka qenë i përfshirë në diskutimet rreth një marrëveshjeje të propozuar me ukrainasit për shfrytëzimin e mineraleve të rralla.

    “Kur bëhet fjalë për mineralet kritike, kjo është një pjesë e rëndësishme për presidentin. Është shumë e rëndësishme, sepse do të rikuperojë dollarët e taksave amerikane”, tha sekretarja.

    “Dhe gjithashtu do të jetë një partneritet i madh ekonomik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për popullin ukrainas, që edhe ata të rindërtojnë vendin e tyre pas kësaj lufte brutale”, shtoi ajo.

  • ​Pesë vjet nga pandemia, çfarë mësuam prej saj?

    ​Pesë vjet nga pandemia, çfarë mësuam prej saj?

    Diçka po ndodh në Lombardi që nuk mund të shpjegohet. Ky ishte titulli i një gazete italiane në ditët pas zbulimit të rastit të parë evropian të Covid-19 në Spitalin Codogno, shkruan salute.eu.

    Që atëherë, një vorbull lajmesh dramatike, deklaratash të guximshme dhe disa shfrytëzime pushtuan debatin publik. Të gjithë papritmas u bënë ekspert në epidemiologji, virologji, modele parashikimi dhe masa parandaluese.

    Midis tyre, disa ishin efektive (maska dhe teste kontakti), të tjera ishin të padobishme, si matja e temperaturës së trupit etje.

    Kanë kaluar pesë vjet që kur pandemia goditi rëndë Italinë dhe në veçanti Lombardinë me dy shpërthime kryesore në zonat Lodi dhe Bergamo (me degëzime në zonën Lecco). Në ato ditë u përhap ideja se Rajoni kishte paguar një çmim më të lartë për kujdesin shëndetësor për shkak të joefikasitetit në sistem.

    Grupi ynë kërkimor, me studime rigoroze epidemiologjike, ka demonstruar në vend të kësaj se ndikimi i dukshëm më i madh ishte për shkak të kombinimit të një popullate më të vjetër (dy herë më të vjetër se në rajonet e tjera evropiane) dhe qarkullimit të hershëm dhe të pavërejtur të virusit në popullatë.

    Shërbimet Shëndetësor Europiane u vunë në provë dhe reaguan me një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke arritur të dyfishojnë shtretërit e kujdesit intensiv në vetëm gjashtë javë, duke garantuar shtrimin në spital në pak ditë për të gjithë atyre që kishin nevojë për kujdes.

    Sot, me një mekanizëm befasues largimi, Covid-i duket se është pothuajse i harruar. Edhe individët më të rrezikuar heqin dorë nga doza përforcuese, shpesh pa marrë rekomandimin adekuat nga mjekët e tyre.

    Megjithatë, shkenca ka bërë përparim të jashtëzakonshëm: zhvillimi i një vaksine efektive në vetëm pak muaj ishte një sukses i paprecedentë dhe ndarja në kohë e të dhënave shkencore ka përmirësuar reagimin global ndaj emergjencave shëndetësore.

    Shërbimet Shëndetësore Kombëtare, nga ana tjetër, janë dobësuar. Listat e pritjeve janë zgjatur për shkak të mos rikuperimit të shërbimeve të humbura gjatë pandemisë,

    Mungesa e personelit shëndetësor, si mjekë ashtu edhe infermierë, është më serioze se kurrë, ndërkohë që burimet për sistemin shëndetësor vazhdojnë të jenë të pakta.

    Pesë vjet më vonë, pyetja është e pashmangshme: ”a e kemi mësuar vërtet mësimin tonë?

    Çfarë kemi mësuar pas pesë vjetësh? Cilat gabime nuk duhet të përsërisim në rast të një pandemie të mundshme të ardhshme?

  • Katër të plagosurit në Klinë janë vëllezër, Policia dhe Prokuroria japin detaje

    Katër të plagosurit në Klinë janë vëllezër, Policia dhe Prokuroria japin detaje

    Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Ekonomia Online se janë arrestuar dy të dyshuarit për plagosjen që ndodhi mbrëmë në Komunën e Klinës.

    Sipas informatave katër viktimat janë vëllezër, por që arsyet që kanë çuar deri të konflikti ende nuk janë të ditura për Prokurorin e Policinë.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Ekonomia Online se pas një operacioni intensiv janë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarit.

    Ai theksoi se hetimet janë në fazën fillestare dhe se viktimat do të intervistohen pasi të marrin trajtimin mjekësor.

    “Lidhur me këtë çështje dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri ku në vendin e ngjarjes ka dal Policia e Kosovës, ku në vendin e ngjarjes ka dal menjëherë Policia e Kosovës ku ka hasur në njërën nga viktimat. Ku më pas në spitalin Rajonal të Pjesë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë duke u trajtuar edhe tre persona të tjerë, ndërkaq përsonat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një punë operative policore intensive janë lokalizuar dy personat e dyshuar dhe më pas janë arrestuar dhe të njëjtit pas intervistimit nga hetuesit në praninë e avokatëve mbrojtës me urdhër të prokurorit të shteti janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi.

    Nikçi ka thënë se të dy personat janë në procedurë penale.

    “Është fazë shumë e hershme për të folur për dyshimet. Ajo çka është relevante është se dy persona i kemi në procedurë penale dhe njëkohësisht janë duke u trajtuar viktimat dhe ku me pas do të intervistohen, do të intervistohen edhe personat e mundshme të tjerë që mund të kenë informata dhe gjithashtu do të sigurohen provat që do të shërbejnë në procedurë penale”, ka thënë ai.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se policia ka sekuestruar armën që dyshohet se është përdorur në rast si dhe një mjete të mbrehtë.

    “Do të thotë mbrëmë rreth orës 22:40 minuta polica është njoftuar se në rrugën Ilir Merkuri në Klinë ka të shtëna me armë zjarri. Policia me kërkesë ju kanë përgjigjur me të arritur në vend të ngjarjes ka takuare një person të lënduar të cilin e ka transferuar për në emergjencë të spitalit rajonal në Pejë. Gjithashtu edhe tre personat të janë dërguar për në emergjencën e spitalit rajonal në Pejë. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, pas pak kohë polica ka arritur të identifikoj lokacionin dhe t’i arrestoj dy të dyshuar lidhur me rastin. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Vlen të cekët se arma e cila dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruara nga njësit kompetente. Gjithashtu është konfiskuar nië mjet i mbrehtë”, ka thënë ai.

  • ​Mbi 13 mijë të huaj të punësuar në Shqipëri në 2024-ën

    ​Mbi 13 mijë të huaj të punësuar në Shqipëri në 2024-ën

    Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) bën të ditur se në 2024-ën janë punësuar në vendin tonë mbi 13 mijë shtetas të huaj me një kontratë të rregullt pune.

    “Rritja e numrit të të huajve ka si arsye rritjen ekonomike që ka pësuar vendi. Në vitin 2024 janë të regjistruar 700 mijë të punësuar në listëpagesat tona, ku rreth 13 mijë janë të huaj që kanë aplikuar për t’u punësuar në Shqipëri”, shprehet drejtoresha e Shërbimit të Tregut të Punës, Gertiola Çepani në një intervistë në media.

    Të huajt në tregun e punës dominohen nga italianët, turqit dhe indianët, por nuk mungojnë edhe nga shtetet e tjera, ATSh.

    Sektorët kryesorë ku janë siguruar kontratat e punës renditen shërbimi, akomodi, ndërtimi, tregtia dhe industria përpunuese.

    Ligji parashikon që të gjithë shtetasit e huaj duhet të sigurojnë një kontratë pune, për të aplikuar më pas për leje qëndrimi në vendin tonë.

  • ​Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura

    ​Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve. Pa një konsensus të qartë brenda BE-së se kur mund të hiqen, pasiguria vazhdon të formësojë situatën.

    Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë, Bashkimi Evropian vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian.

    Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i bllokut tha se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

    Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse Qeveria e vendit ka ndonjë sinjal se kur do të hiqen masat e BE-së. Ngjashëm, nuk u përgjigj as sa llogaritet të jenë humbjet nga to.

    BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

    Në disa raste, ai i cilësoi si të padrejta masat e BE-së, duke thënë se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë e vendit.

    BE-ja nuk bëri të ditur se cilat projekte konkretisht janë prekur nga pezullimi i fondeve për Kosovën. Por, burime të Radios Evropa e Lirë morën vesh se ato variojnë nga kultura deri tek infrastruktura dhe se vlera e tyre arrin deri në 100 milionë euro.

    Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës “Termokos”, konfirmon se një projekt i ndërmarrjes për dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes në kryeqytet, është pezulluar, për shkak të ngrirjes së një granti prej 17.6 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

    Këto mjete, thotë ai, ishin pjesë e programit IPA, që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në, por që në rastin e Kosovës është bllokuar.

    “Sanksionet e BE-së e kanë dëmtuar në masë të madhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në këtë rast, fatkeqësisht, është dëmtuar edhe Ngrohtorja e Qytetit, e rrjedhimisht edhe qyteti i Prishtinës dhe qytetarët e tij”, thotë Osmani për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

  • Gjimshiti e shqetëson Shqipërinë para eliminatoreve, lëndohet mbrojtësi kuqezi

    Gjimshiti e shqetëson Shqipërinë para eliminatoreve, lëndohet mbrojtësi kuqezi

    Sirenat e alarmit duhet të fillojnë të bien për stafin e Kombëtares shqiptare të futbollit, pak javë para grumbullimit të kuqezinjve për ndeshjet eliminatore të Botërorit 2026 ndaj Anglisë dhe Andorrës, pasi Berat Gjimshiti ka lënë sot i dëmtuar fushën e lojës në ndeshjen e Atalantës në kampionat ndaj Empolit.

    Ndërsa ai i cili duhet të jetë partneri i tij në prapavijën kuqezi, Ardian Ismajli, vazhdon të jetë jashtë për shkak të problemeve fizike dhe sot ndoqi ndeshjen si spektator, Gjimshiti ishte titullar në radhët e skuadrës bergamaske dhe regjistroi edhe asist për golin e rezultatit të përkohshëm 2-0.

    Por në pjesën e dytë, pas më shumë se një ore lojë, ai sinjalizoi se kishte probleme në kaviljen e këmbës së majtë dhe nuk mund të vazhdonte, pasi kishte përkeqësuar një lëndim që e kishte pësuar në pjesën e parë të ndeshjes.

    Kësisoj, Gasperini e largoi atë nga fusha, me mbrojtësin i cili doli duke çaluar dhe dukshëm i dëshpëruar për këtë situatë./TAR

  • Shefi i EULEX-it: Prehu në paqe, Baca Bajram! Ne do ta mbajmë gjallë trashëgiminë tënde!

    Shefi i EULEX-it: Prehu në paqe, Baca Bajram! Ne do ta mbajmë gjallë trashëgiminë tënde!

    Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Drejtorit të Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkinit.

    Barbano tha se ata do ta mbajnë të gjallë trashëgiminë e Qerkinit udke mbështetur institucionet përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “Prehu në paqe – Baca Bajram. Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Drejtorit të Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini”, ka shkruar Barbano në Facebook.

    “Përmes punës së tij të palodhur, ai luftoi për të vërtetën, duke kërkuar llogari nga të gjitha institucionet dhe duke u dhënë zë familjeve të gjithë personave të zhdukur, pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike, fetare apo kombëtare apo çfarëdo karakteristike tjetër”.

    “Ne do ta mbajmë të gjallë trashëgiminë e Bajramit duke e mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera përkatëse në përpjekjet për ta zbardhur fatin e personave të zhdukur”.

  • Tensione në Hagë, komandanti Ismet Tara: Ose shfaqne dokumentin, ose nuk jap asnjë përgjigje

    Tensione në Hagë, komandanti Ismet Tara: Ose shfaqne dokumentin, ose nuk jap asnjë përgjigje

    Me tensione po përcillet seanca në Hagë ku po dëshmon komandanti Ismet Tara.

    Ai ka kërkuar që të shfaqet një dokument, në të kundërtën nuk do të ofrojë asnjë dëshmi në gjykatë.

    Tara ka theksuar se mund të merren çfarëdo masa ndaj tij.

    “Në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit, i UÇK-së, dhe popullatës së larguar nga Kosova, unë nuk do të jap asnjë njohuri pa u pastruar komandant Hoxha. Prej këtij momenti nuk flet asgjë. Seanca do të mbyllet, unë asnjë përgjigje nuk do të jap”, tha ai.

  • Përpjekjet e Vuçiqit për të përmirësuar vlerësimin e tij kanë arritur në fund

    Përpjekjet e Vuçiqit për të përmirësuar vlerësimin e tij kanë arritur në fund

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka publikuar një tjetër video të çuditshme në një përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar vlerësimin e tij në vend. Në të, Vuçiq shihet duke iu përgjigjur pyetjeve të ministrit të Financave Sinisha Mali.

    I pyetur se me cilin personazh historik do të donte të darkonte, Vuçiq u përgjigj se ishte ” Raul Kastro , herën e dytë dhe Nikola Jokiq , herën e parë”.

    Më pas Mali e pyeti Vuçiqin se me kë do të dëshironte të ndërronte vendin për një orë. Vuçiq u përgjigj: “Me ty. Përgjegjësia shoqërore ndaj njerëzve të tjerë këtu nuk ekziston, ju bëni gjithçka shkëlqyeshëm, por ndjeshmëria dhe afërsia me njerëzit e tjerë – vetëm një kënaqësi, për një orë.’

    Më pas, djali i vogël e pyeti se çfarë dëshirë personale dhe biznesi do të kishte nëse do të arrinte të kapte një peshk të artë.

    Përgjigja ishte: ‘Që fëmijët e mi të jenë të gjallë, të shëndetshëm dhe më të suksesshëm se babai i tyre.’ “Dhe që unë mbetem i kujtuar në histori si dikush që e ndryshoi Serbinë dukshëm dhe për mirë”, tha Vuçiq.

    Ka pasur shumë komente negative në video, me disa duke përdorur shprehjen ‘Ai ka mbaruar!’, e cila të kujton rënien e Sllobodan Millosheviçit nga pushteti në vitin 2000.