ATV

Author: ATVLive

  • ​Zbulohen tre emrat që mund ta zëvendësojnë Mottan te Juventusi

    ​Zbulohen tre emrat që mund ta zëvendësojnë Mottan te Juventusi

    Raportet në Itali kanë filluar tashmë të rekomandojnë trajnerë të rinj për të zëvendësuar Thiago Motta-n në Juventus, pasi trajneri aktual i “Bianconerëve” është në rrezik të humbasë punën e tij, edhe nëse arrin kualifikimin në Champions League pas një humbjeje 0-4 në shtëpi kundër Atalantës të dielën mbrëma.

    “Zonja e Vjetër” pësoi humbjen e tyre më të keqe në shtëpi që nga vitet 1960 të dielën në mbrëmje, duke humbur me katër gola diferencë për vetëm herën e tretë në shekullin e 21-të pasi Mateo Retegui, Marten De Roon, Davide Zappacosta dhe Ademola Lookman vulosën një fitore të paharrueshme për Atalantën në “Allianz Stadium”, shkruan KosovaPress.

    Ndërsa Juventusi nuk pritet të ndërmarrë veprime të menjëhershme në lidhje me pozicionin e tyre të trajnerit, raportet e së hënës pohojnë se Thiago Motta rrezikon të humbasë punën e tij, edhe nëse skuadra kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

    “Bianconerët” janë aktualisht jashtë Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, Kupa e Italisë dhe u mundën nga Milani në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, e cila lë top katërshen si e vetmja gjë që ka mbetur për të luajtur për këtë sezon.

    Edhe pse Juventusi nuk pritet të ndërpresë menjëherë lidhjet me Motta-n, “La Gazzetta dello Sport” sugjeron se “çdo gjë mund të ndodhë”, përcjellë KosovaPress.

    Gazeta në fjalë pretendon se janë tre emra që do të lidhen gjithnjë e më shumë me një lëvizje te Juve në javët e ardhshme, duke përfshirë Gian Piero Gasperinin Atalantës.

    I njëjti medium parashikon që Antonio Conte gjithashtu do të lidhet me një rikthim në Juventus pasi e ardhmja e tij afatgjatë me Napolin nuk është e garantuar, edhe nëse “Partenopei“ fiton titullin e Serie A këtë sezon.

    Roberto De Zerbi do të jetë një tjetër emër i lidhur me një punë të mundshme në Juventus në javët e ardhshme, veçanërisht nëse ai vazhdon të impresionojë me Marseille në Ligue 1.

  • ​Fillon mbledhja e kryesisë së LDK-së

    ​Fillon mbledhja e kryesisë së LDK-së

    Ka filluar mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), në të cilën do të diskutohet rreth rezultatit që ka arritur LDK-ja, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, raporton KP.

    Gjithashtu, do të diskutohet edhe drejtimi që do të marrë kjo parti pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

    Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të dalë në një konferencë për media.

  • ​Protesta e 15 marsit, studentët ecin për në Beograd

    ​Protesta e 15 marsit, studentët ecin për në Beograd

    Studentë nga disa pjesë të Serbisë po shkojnë në këmbë drejt Beogradit për protestën e paralajmëruar për 15 mars.

    Studentët, kryesisht nga Nishi, natën e kaluan në Svilajnac dhe sot do të ecin deri në Smederevska Palanka, e cila, siç thonë ata, është pjesa më e vështirë për ta. Studentët që udhëtonin nga Subotica, pasi kishin kaluar natën në Srbobran, vazhduan udhëtimin për në Novi Sad, raporton N1.

    Dhe sot, studentët nga Serbia perëndimore – nga Çaçaku, Kraljeva dhe Uzhice -gjithashtu janë nisur drejt Beogradit. Ata do të ecin përgjatë autostradës së Ibarit për pesë ditë. Të martën, siç është paralajmëruar, për në protestë në Beograd do të nisen edhe studentët e Universitetit të Kragujevacit.

  • ​Numri i vdekjeve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 48 mijë e 467

    ​Numri i vdekjeve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 48 mijë e 467

    Trupat e nëntë palestinezëve, pesë prej të cilëve u nxorën nga rrënojat në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, ku u arrit një armëpushim pas sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori 2023, u transferuan në spitale, transmeton Anadolu.

    Ministria e Shëndetësisë e Palestinës në Gaza publikoi informacionin e fundit për të vrarët dhe të plagosurit si rezultat i sulmeve të ushtrisë izraelite pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të arritur midis Izraelit dhe Hamasit më 19 janar, përcjell KP.

    Në 24 orët e fundit në spital kanë mbërritur 9 trupa të pajetë dhe 16 të plagosur. Mësohet se 5 prej atyre që u vranë janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa 4 prej tyre janë vrarë në sulmet e kryera ditën e fundit.

    Numri i palestinezëve që u vranë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, ka arritur në 48.467 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 111.913.

    Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të arritur me Hamasin, Izraeli vazhdon të shkelë shpesh armëpushimin në Gaza.

  • ​Të paktën 16 të vdekur nga përmbytjet në Argjentinë

    ​Të paktën 16 të vdekur nga përmbytjet në Argjentinë

    Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e dendur në Argjentinë, transmeton Anadolu.

    Zyrtarët në Argjentinë njoftuan se është rritur numri i viktimave në qytetin portual Bahia Blanca të goditur nga përmbytjet, transmeton KP.

    “Ka 16 vdekje të konfirmuara, por ka të ngjarë të ketë më shumë”, tha kryetari i Bashkisë së Bahia Blancas, Federico Susbielles në X.

    Në Bahia Blanca ku u përmbytën shtëpi dhe biznese, u raportua se ende nuk ka energji elektrike dhe se po pritet tërheqja e ujërave ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë pandërprerë.

    Ministrja e Sigurisë, Patricia Bullrich dhe ministri i Mbrojtjes Luis Petri inspektuan Bahia Blancan e goditur nga përmbytjet.

    Sipas mediave lokale, numri i të evakuuarve në qytetin e Bahia Blancas ka kaluar mbi 900.

  • “Vitet e Rinisë”, shfaqja për forcën dhe mosdorëzimin

    “Vitet e Rinisë”, shfaqja për forcën dhe mosdorëzimin

    Me rastin e festës së 8 Marsit, në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, u dha shfaqja “Vitet e Rinisë”, një dramë prekëse e autorës dhe regjisores Blerina Racaj. Kjo shfaqje ka sjellë emocionet e thella tek të moshuarit, të cilët shprehën lumturinë e tyre që, sidomos në ditë të veçanta, nuk po ndihen të harruar.

    “Vitet e Rinisë” është një histori që prek shpirtin dhe fton shikuesit të reflektojnë mbi fuqinë e kujtimeve dhe bukurinë e dashurisë së pashuar. Në qendër të dramës janë dy të moshuar, të cilët, përmes dialogjeve të sinqerta dhe të thella, rikthehen pas në kohë, duke risjellë në mendje momentet më të bukura të rinisë së tyre. E kaluara ringjallet në zemrat e tyre dhe ata përjetojnë sërish ndjenjat e dikurshme, duke na kujtuar se dashuria dhe kujtimet nuk shuhen kurrë.

    Shfaqja është një rrëfim për forcën, shpresën dhe mosdorëzimin, duke na mësuar të vlerësojmë çdo çast të jetës. Valmira Hoti dhe Alban Goranci interpretojnë me mjeshtëri rolet e personazheve kryesorë, ndërsa Miftar Raci ka realizuar një muzikë emocionuese që shton thellësinë e dramës. Arbnora Pajaziti është përgjegjëse për kostumografinë, duke kontribuar në sjelljen e atmosferës autentike të asaj periudhe.

    Kjo shfaqje ka marrë mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe pritet të ketë një rrugëtim të mëtejshëm artistik, duke pasuruar kulturën dhe jetën shoqërore me mesazhe të fuqishme dhe universale.

  • ​Krstiq: Lista Serbe u kërcënua nga Beogradi, dërgoi njerëz për të mbrojtur Vuçiqin

    ​Krstiq: Lista Serbe u kërcënua nga Beogradi, dërgoi njerëz për të mbrojtur Vuçiqin

    Lista Serbe javën e kaluar dërgoi rreth 100 djem nga Kosova në Serbi, në mbështetje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe këtë e bëri nën kërcënimin se në të kudnërtën do të hiqej nga buxheti i Serbisë, thotë gazetari serb Branislav Krstiq.

    Përmes një statusi në Facebook, Krstiq e ka përshkruar gjithë atë që ndodhi si “horror në Mitrovicë”. Derisa ka shtuar se presioni dhe kërcënimet vazhdojnë, shkruan KP.

    “Horror në Mitrovicë

    Nën kërcënimin se do të hiqej nga buxheti i Serbisë, Lista Serbe mobilizoi rreth 100 djem javën e kaluar dhe i dërgoi në Beograd për të mbrojtur regjimin e bandit të Vuçiqit kundër protestave masive të studentëve.

    Më vjen sinqerisht keq për ata të rinj të shantazhuar dhe prindërit e tyre!

    Më e keqja, mobilizimi, presionet dhe kërcënimet vazhdojnë…”, ka shkruar ai, transmeton KosovaPress.

    Javën që shkoi është raportuar se Vuçiq përmes Listës Serbe ka organizuar serbët nga Kosova, për t’u vendosur në çadra para presidencës në Beograd, si kundërpërgjigje ndaj protestave së studentëve.

    Protestat në Serbi kanë hyrë në muajin e pestë. Shembja e një pjesë të çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona, çoi Serbinë në protesta passive. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka akuzuar shërbimet e jashtme se qëndrojnë prapa protestave, ndërsa dorëheqje deri tash kanë dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit Milan Gjuriq.

  • ​Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit

    ​Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent të MPB-së, Genc Metaj deklaroi se gjendja aktuale lidhur me zjarret paraqet rrezik serioz.

    Në konferencë për media të hënën, ai tha se ditëve të fundit është vërejtur shtim i rasteve të zjarreve.

    Në tri ditët e fundit, ai shtoi se janë evidentuar mbi 290 rasteve të zjarreve, të cilat ai i quajti enorme.

    “Kjo gjendje paraqet rrezik serioz për qytetarët dhe sigurinë publike. Ditëve të fundit është vërejtur një shtim i rasteve të zjarreve. Nga statistikat qe i kemi marrë, vetëm javën e parë të marsit janë 57 raste”, u shpreh ai.

    Këto raste, Metaj shtoi se vejnë në rrezik operacionalitetin e ekipeve.

    “Shkaqet kryesisht dyshohet të jenë dora e njeriut. Nga sot do te fillojmë me patrullimet e rregullta të zjarrfikësve në gjitha komunat”, theksoi ai.

  • ​Konjufca thotë se qeverinë synojnë ta formojnë me partitë jo-serbe

    ​Konjufca thotë se qeverinë synojnë ta formojnë me partitë jo-serbe

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se po synojnë të formojë qeverinë me mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave jo-serbe.

    “Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat jo-serbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca, për median e Italisë OBCT-së.

    Media italiane ka shkruar se ndryshe nga katër vjet më parë, asnjë parti nuk ka marrë shumicën absolute, duke e bërë më të vështirë formimin e qeverisë.

    Pavarësisht se fitoi zgjedhjet, LVV nuk arriti objektivin e saj prej 500,000 votash, të nevojshme për të qeverisur vetëm.

    Bazuar në rezultatet aktuale, LVV ka 48 vende në parlament. Partia kishte shpresuar të arrinte 50 vende falë votave të diasporës, por mbështetja e lartë fillestare e parë në misionet diplomatike jashtë vendit u zvogëlua gjatë numërimit të votave postare.

    Pakicat jo-serbe kanë 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës. Me mbështetjen e tyre, LVV mund të arrijë në 58 vende. Për më tepër, LVV po llogarit në votën e Nenad Rashiqit, ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e kaluar Kurti, i cili bashkëpunon me institucionet e Kosovës.

    Rashiq hyri në parlament pasi Lista Serbe nuk arriti të fitonte të 10 vendet që tradicionalisht u ndaheshin serbëve, duke siguruar vetëm nëntë.

    Megjithatë, për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh që nevojiten për të formuar një qeveri, LVV-së i duhen edhe dy të tjerë. Konjufca, mendon se nuk ka gjasa për bashkëpunim me partitë opozitare, përcjell KosovaPress.

    “Nëse është e nevojshme, ne do të takohemi si lider dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë marrë qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të padrejta, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka shtuar Konjufca.

  • Situata e sigurisë në Ballkan është seriozisht e lëkundur, thotë Vuçiq

    Situata e sigurisë në Ballkan është seriozisht e lëkundur, thotë Vuçiq

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se situata e sigurisë në Ballkan është “seriozisht e lëkundur” dhe se Serbia “përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”.

    Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën, siç tha ai, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për “sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

    “Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë.

    Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe”.

    Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiq tha se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë, do të arrestohen”.

    Tubimet masive të organizuara deri më tani nga studentët në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, kanë qenë paqësore dhe nuk janë shënuar incidente.

    Vuçiq tha se tema e mbledhjes së Qeverisë ishte edhe ndikimi i bllokadave në Serbi mbi gjendjen e ekonomisë.

    “U ndalëm edhe te gjendja e ekonomisë në dritën e protestave aktuale, si dhe dëmi që kanë shkaktuar këto ngjarje, i cili reflektohet në uljen e investimeve dhe sfida të tjera për ekonominë”, theksoi Vuçiq.

    Ai shtoi se është arritur një pajtim për marrjen e masave urgjente “për t’i zbutur pasojat dhe për t’’ mbështetur sektorët ekonomikë të prekur nga këto rrethana”.

    Me bllokadat dhe protestat prej disa muajsh në Serbi, studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë, ndjekjen penale të sulmuesve ndaj pjesëmarrësve të protestave të deritashme, si dhe ndërprerjen e procedimeve kundër të arrestuarve në demonstrata.

    Qeveria pretendon se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit, në një raport, e ka mohuar këtë. /REL