ATV

Author: ATVLive

  • ​Agjenda e Rutte në Kosovë, policia njofton për riorientim të trafikut

    ​Agjenda e Rutte në Kosovë, policia njofton për riorientim të trafikut

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se më datën 10 dhe 11 mars 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë delegacion i lartë i NATO-s i kryesuar nga sekretari Gjeneral i saj, Mark Rutte.

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Republikën e Kosovës.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • ​Shërbimet e reja në Gastroenterologji, pacientët s’kanë nevojë për referim jashtë vendit

    ​Shërbimet e reja në Gastroenterologji, pacientët s’kanë nevojë për referim jashtë vendit

    Me ofrimin e shërbimeve të reja si video kapsula endoskopia dhe ultrasonografia endoskopike (EUS) në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pacientët mund të diagnostikohen dhe trajtohen për sëmundjet e zorrëve të holla dhe pankreasit, pa pasur nevojë t’i drejtohen spitaleve në vendet fqinje.

    Drejtoresha e Klinikës së Gastroenterologjisë me Hepatologji në QKUK, Fitore Komoni,thotë se në mungesë të aparaturave për kryerjen e këtyre dy shërbimeve, deri në vitin e kaluar, pacientët referoheshin për në institucionet shëndetësore të shteteve të tjera, shkruanKosovaPress.

    “Kemi arritur që të aktivizojmë dy shërbime të reja siç është video kapsula endoskopia dhe ultrasonografia endoskopike EUS-i. Video kapsula është një metodë e ekzaminimit kryesisht që përdoret për zorrët e holla, e cila diagnostikon dhe mundëson trajtimin e pacientëve me indikacione të tilla. Ndërsa, ultrasonografia endoskopike EUS-i është një metodë e cila e mundëson diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të pankreasit, metodë kjo e cila deri më tani nuk është realizuar në Kosovë, ashtu që kemi filluar që në vitin 2024. Kjo nuk bëhet në spitale private, meqenëse është një metodë shumë më specifike nuk është realizuar, është për herë të parë tek ne. Në të kaluarën, për shkak të mungesës së aparaturës për ekzaminim të zorrëve të holla, ka qenë e nevojshme që pacientët të referohen në vendet e tjera”, thotë Komoni.

    Në një intervistë për KosovaPress, Komoni potencon se ndër vite është rritur numri i kryerjes së endoskopive.

    Sipas saj, gjatë vitit 2024 janë kryer rreth 2 mijë gastroskopi dhe mbi 1 mijë e 300 kolonoskopi.

    Pavarësisht kësaj, Komoni thotë se kjo klinikë ka synim që në vitin 2025 të furnizohet me aparatura të tjera.

    “Gastroskopi janë bërë gjithsej diku rreth 2.100, ndërsa kolonoskopi 1.300, gjë që krahasuar me vitet e më hershme kemi një rritje të dukshme. Prej vitit 2023 në vitin 2024 kemi diku rreth 10 për qind rritje. Gjatë vitit 2025 varësisht sipas planit të veprimit do të arrijmë që së pari ta bëjmë zgjerimin e infrastrukturës, e po ashtu edhe renovimet si dhe furnizmin me aparatura të tjera të nevojshme për klinikën. Në Klinikën e Gastroenterologjisë, për shkak të numrit të madh të shërbimeve të cilat ofrohen dhe po ashtu edhe hospitalizimit të pacientëve, numri i mjekëve specialist është i mjaftueshëm. E po ashtu edhe numri i stafit infermieror është adekuat, i përgjigjet shërbimeve të cilat i ofrojmë”, potencon Komoni.

    Komoni, thotë se në Klinikën e Gastroenterologjisë jepet terapia biologjike, e cila sipas saj ka një kosto të lartë, shkruan KosovaPress.

    “Sa i përket barnave esenciale dhe materialit shpenzues, mund të themi që gjatë tërë vitit 2024 tek ne jepet një terapi biologjike shumë e shtrenjtë, e cila po ashtu edhe në vendet jashtë Kosovës ka një kosto të lartë. Gjatë tërë vitit kemi qenë të furnizuar me ampula të infliximabit, po ashtu adalimumab dhe vedolizumab të cilat kanë hyrë në listë esenciale”, tregon Komoni.

    Ndër të tjera, Komoni tregon se është reduktuar lista e pritjes për kryerjen e endoskopive.

    Ultrasonografi abdominale, gastroskopi me biopsi, gastroskopia urgjente, intervenimet endoskopike duke filluar nga polipektomia dhe insertimi i balonit gastrik janë disa nga shërbimet që kryhen në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji.

  • ​SHBA: Ukraina është gati të ec para në kërkesën për armëpushim

    ​SHBA: Ukraina është gati të ec para në kërkesën për armëpushim

    Administrata Trump e SHBA-së beson se Ukraina është e “gatshme të përparojë” në procesin e armëpushimit me Rusinë, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.

    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, do të takohen në Arabinë Saudite me përfaqësuesit ukrainas për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje paqeje.

    Presidenti Trump ka rritur presionin ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të pranuar një armëpushim të shpejtë me Moskën, pa një garanci të menjëhershme sigurie nga SHBA, raporton BBC.

    Ndërkohë, Zelensky ndodhet gjithashtu në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman. Ukraina ka ofruar qasje në rezervat e saj të mineraleve të rralla në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA, përcjell KosovaPress.

    Ndërprerja e ndihmës ushtarake dhe inteligjencës nga SHBA ndaj Ukrainës ka krijuar tensione mes dy vendeve, por Trump ka lënë të kuptohet se mund të rishqyrtojë këtë vendim.

    Nga ana tjetër, ushtria ukrainase raportoi se ka rrëzuar 130 dronë rusë, ndërsa sulmet ajrore ruse gjatë fundjavës vranë të paktën 25 persona në Donetsk.

  • ​Arrestohen dy persona dhe konfiskohen armë e municion në Leposaviq

    ​Arrestohen dy persona dhe konfiskohen armë e municion në Leposaviq

    Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar dy persona si dhe ka konfiskuar armë e municion në komunën e Leposaviqit në veri të vendit, raporton KosovaPress.

    Një rast kanosje është raportuar të dielën më 9 mars në Stacionin Policor në Leposaviq.

    Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në fshatin Vuçë ku një person është ankuar se është kanosur nga i dyshuari G.K 54 vjeç.

    Pas kësaj, policia ka ndërmarrë veprime e nevojshme dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe të vëllait të tij R.K 52 vjeç, ka gjetur dhe sekuestruar armë dhe fishekë, shkruan KosovaPress.

    “Një pushkë me tytë të gjatë [karabinë], 126 fishekë të kalibrit 11.53 mm, 229 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një bajonetë (thikë pushke) me gjatësi 37 cm, Një thikë me gjatësi 23 cm”.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor ku i dyshuari G.K në prezencën e avokatit ka ushtruar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

    Ndërkaq, i dyshuari R.K. është liruar në procedurë të rregullt, përcjellë KosovaPress.

    Rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Ky rast, sipas autoriteteve, mbetet nën hetime të mëtejme në Stacionin Policor Leposaviq.

  • ​Hendboll/ Kosova para sfidës vendimtare me Ukrainën

    ​Hendboll/ Kosova para sfidës vendimtare me Ukrainën

    Me mendje te ndeshja e së enjtes me Ukrainën, ka nisur grumbullimi i Kombëtares A të Kosovës në hendboll, shkruan KosovaPress.

    Nën urdhrat e selektorit Bujar Qerimi në stërvitjen e parë që u zhvillua të dielën ishin shumica e lojtarëve, ndërsa grupi pritet të kompletohet sot.

    Stërvitja nuk ishte me ngarkesë të madhe për shkak të angazhimit të të gjithë lojtarëve në ditët e kaluara. Tri ditët e ardhshme do të shfrytëzohen maksimalisht që të enjten nga ora 20:15, Kombëtarja të jetë në formën më të mirë të mundshme.

    Ndeshja me Ukrainën zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja i takon fazës së dytë të kualifikimeve për Euro 2026.

  • Mish të këtillë pule në salcë soje kurrë nuk keni përgatitur

    Mish të këtillë pule në salcë soje kurrë nuk keni përgatitur

    Shikoni videon dhe përgatiteni vetë këtë gjellë të shijshme. Nuk është e thënë të jeni mjeshtër në kuzhinë

    Përbërësit sipas radhës:

    ▪ ½ kg file pule
    ▪ 1 lugë e vogël piper
    ▪ 1 lugë e vogël kripë
    ▪ 1 lugë vaj susami (bën edhe vaj ulliri)
    ▪ ¼ e filxhanit (rreth ½ dl) lëng mishi pule
    ▪ 1 lugë vaj susami
    ▪ 1 lugë salcë soje
    ▪ 1 lugë salcë hojzeni (receta për këtë salcë është në video nën, por nëse nuk keni dëshirë të bëni për shkak të një luge, shtoni përbërës themelorë drejtpërdrejt në gjellë)
    ▪ 1 lugë miell misri
    ▪ 1 lugë vaj
    ▪ 2 thelpinj hudhre
    ▪ 1 lugë xhenxhefil
    ▪ ½ gote shampinjon
    ▪ ½ gotë qepë
    ▪ ½ gotë karote të grirë
    ▪ 1/2 gote bizele
    ▪ shpageta për 4 persona

    /Telegrafi

  • Zelensky në Arabinë Saduite një ditë para bisedimeve SHBA-Ukrainë

    Zelensky në Arabinë Saduite një ditë para bisedimeve SHBA-Ukrainë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 10 mars do të vizitojë Riadin ku do të takohet me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite.

    Vizita e Zelenskyt zhvillohet një ditë para bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Xheda të Arabisë Saudite, bisedime që kanë për synim t’i japin fund luftës trevjeçare të Rusisë në Urainë.

    SHBA-ja, mbështetësja kryesore ushtarake e Kievit, po synon që t’i japë fund shpejt konfliktit, duke mbajtur bisedime të drejtpërdrejta me Moskës, teksa Uashingtoni ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.

    Bisedimet SHBA-Ukrainë më 11 mars do të jenë bisedimet e para formale që nga përplasja në Zyrën Ovale mes Zelenskyt, presidentit amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidentit JD Vance më 28 shkurt. Pas përplasjes publike, presidentit ukrainas iu kërkua që të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

    Zelensky ka thënë se nuk do të jetë pjesë e bisedimeve SHBA-Ukrainë në Xheda. Delegacioni ukrainas do të përfshijë ministrin e Jashtëm, Andrii Sybiha, shefin e stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dhe ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov.

    Ata do të takohen me delegacionin amerikan që pritet të përfshijë të dërguarin e Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz. Rubio u nis për në Arabinë Saudite mbrëmjen e 9 marsit.

    “Ne jemi plotësisht të përkushtuar për një dialog konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të pajtohemi për vendimet dhe hapat e nevojshëm”, shkroi Zelensky më 9 mars në X. “Propozimet realiste janë në tavolinë. Çelësi është të veprojmë shpejt dhe në mënyrë efektive”.

    Kievi me gjasë do të propozojë një plan të paqes të hartuar nga Zelensky që përfshin një marrëveshje ajrore dhe detare si hap të parë.

    Zelensky po përballet me presion të madh nga Uashingtoni që shpejt të pajtohet për një marrëveshje armëpushimi me Rusinë, pavarësisht se SHBA-ja nuk është zotuar për garanci të sigurisë. Por, deri më tani Moska nuk ka shfaqur interes për ndaljen e armiqësive.

    Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj fqinjit të saj dhe ditëve të fundit është raportuar se ka bërë përparim në fushëbetejë.

    Më 9 mars, Trump sugjeroi se Ukraina mund të mos jetë në gjendje t’i mbijetojë luftës kundër Rusisë, edhe me mbështetjen e SHBA-së.

    Në një intervistë për Fox News, Trump mbrojti vendimin e tij për të reduktuar mbështetjen për Ukrainën duke thënë: “Epo, ata gjithsesi mund të mos e mbijetojnë [luftën]”.

    Trump po ashtu ka përsëritur pretendimin e tij se Zelensky nuk është “mirënjohës” për mbështetjen e SHBA-së, por e ka përshkruar presidentin ukrainas si njeri “të mençur” dhe “të fortë”.

  • I postoi fotografi ish të dashurës me mbishkrimin se ofron shërbime seksuale, Prokuroria kërkon paraburgim

    I postoi fotografi ish të dashurës me mbishkrimin se ofron shërbime seksuale, Prokuroria kërkon paraburgim

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj K.S. nga Peja që dyshohet për veprën penale “Ngacmimi”.

    Ai dyshohet se i ka vënë dy GPS në veturën personale të ish të dashurës.

    Sipas Prokurorisë ai ka hapur një profil në Instagram në emër të saj dhe ka postuar fotografi të saj duke i vënë mbishkrime denigruese dhe duke shkruar se ajo ofron shërbime seksuale pa pagesë e duke ia lënë edhe numrin e telefonit dhe adresën e banimit.

    “Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, në komunën e Shtimes, i pandehuri me dashje dhe në vazhdimësi është përfshirë në sjellje të vëmendjes së padëshirueshme, duke e vënë nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit të dëmtuarën V.Z., me të cilën ka qenë në lidhje dashurie, në atë mënyrë që në veturën e saj personale ka vendosur dy GPS për përcjellje të vendndodhjes dhe i ka hapur llogari në rrjetin social “Instagram”, në emër të dëmtuarës, duke postuar fotografi të ndryshme, me mbishkrime denigruese, dhe duke paraqitur se e njëjta ofron shërbime seksuale me pagesë, duke ia paraqitur edhe numrin e telefonit, dhe adresën e banimit, e që si rrjedhojë e këtyre veprimeve të dëmtuarën e ka vë nën shqetësim të madh emocional, me të cilën ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. I pandehuri K.S.,që nga data 08 Mars 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.”

  • Rama: Sot e filluam një nga projektet më të mëdha në Prishtinë

    Rama: Sot e filluam një nga projektet më të mëdha në Prishtinë

    Mbi 18 milionë euro do t’i kushtojë Prishtinës ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”, punimet për të cilin nisën të hënën.

    Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, të cilat parashihen të zgjasin një vit do të përfshijnë hapësirën prej katedrales “Nëna Terezë” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se ky projekt është ndër më të mëdha në Prishtinë.

    “Sot po e fillojmë ndër projektet më të mëdha në kryeqytet, transformimi i sheshit ‘Xhorxh Bush’ dhe pjesa te Biblioteka Kombëtare.

    “Punimet do të bëhen në tri faza për arsye që mos t’i bllokojmë zonat dhe njerëzit për të punuar. Numri i ditëve të punës parashihet të jetë 240 ditë pune, projekti është 18 milionë euro”, u shpreh Rama.

    Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, të cilat parashihen të zgjasin një vit do të përfshijnë hapësirën prej katedrales “Nëna Terezë” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

  • Në Zvicër ka mungesë të vezëve

    Në Zvicër ka mungesë të vezëve

    Në supermarkete, raftet e vezëve janë shumë të zhveshura në vende. Migros madje flet për mungesë të vezëve zvicerane me rreze të lirë. Daniel Würgler, një mbarështues nga Fribourg dhe president i shoqatës së prodhuesve të vezëve GalloSuisse, dha disa shpjegime në Forum.

    “Ne kemi një kërkesë sezonale për vezë në Zvicër, para Krishtlindjeve dhe para Pashkëve. Pra është diçka që ne e dimë”: kështu e shpjegon Daniel Würgler, president i GalloSuisse mungesën e vezëve në raftet e supermarketeve zvicerane.

    Të dielën në Forum, fermeri i Fribourg-ut pranon se këtë vit “situata është pak më e theksuar, sepse kërkesa është rritur më shumë se zakonisht”.

    Shpjegimi i parë i Daniel Würgler është se veza është e njohur. “Veza ka pak kohë që është rehabilituar. Është në modë. Është e lehtë për t’u gatuar. Ajo ka një vend të rëndësishëm si një ushqim i shëndetshëm që kontribuon në një dietë të ekuilibruar.”

    Shpjegimi i dytë, kostoja më e lartë e jetesës inkurajon konsumatorët të hanë më pak mish dhe më shumë vezë. “Vezët janë një proteinë e lirë. Kur blini vezë, mund t’i gjeni në rafte për një copë nga 30 cent deri në 1.30 franga. Dy vezë janë të barabarta me një biftek. Llogaritja është e lehtë, sidomos tani.”

    I pyetur nëse ka vend për manovrim mes prodhuesve të vezëve, Daniel Würgler thekson se pulat nuk mund të bëjnë mrekulli. “Ne punojmë me qeniet e gjalla. Ne duhet të vlerësojmë kërkesën një vit e gjysmë përpara. Kështu që ne nuk mund t’i përgjigjemi tendencave ose paqëndrueshmërisë së kërkesës siç e njohim aktualisht.”

    Për mbarështuesin, paqëndrueshmëria e tregut të brendshëm zviceran duhet të kompensohet nga importet. “Nëse vezët për konsum përfaqësojnë mesatarisht rreth 25% të importeve në vitet e kaluara, këtë vit do të jetë pak më shumë, do të jemi më shumë në 28 apo 30%. Nuk ka mungesë sepse mund të kompensojmë me importe”.

    Krahas importit, ai shpjegon se rritja e prodhimit vendas është shumë komplekse. “Është e shtrenjtë, kërkon shumë punë për të ndërtuar një kotec pulash, shumë kohë, si dhe një leje ndërtimi. Procesi zgjat dy deri në tre vjet nëse gjithçka shkon mirë. Dhe ndonjëherë duhet të presësh pesë deri në dhjetë vjet për të marrë lejen e ndërtimit.”

    Rritja e prodhimit vendas komplikohet edhe më shumë nga fakti se fermat familjare që ekzistojnë në Zvicër po përballen me sfidën e një pasardhësie që është ende në pritje të ardhjes. Dhe kjo vazhdimësi nuk do të ishte gati të punonte 365 ditë në vit, shtatë ditë në javë dhe të ishte aty 24 orë në ditë për kafshët, sipas Daniel Würgler.