ATV

Author: ATVLive

  • “Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

    “Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

    Shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar ndaj shtetit serb pas ndaljes dhe intervistimit të dy policëve kosovarë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

    Me anë të një postimi në Twitter, Vela këtë veprim e ka konsideruar dëshmi të veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes.

    “Në javën e kaluar, Policia e Serbia dhe BIA, ndaluan dhe intervistuan 2 policë të Kosovës në kufi, të cilët po kalonin transit. Kjo është dëshmi e veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes. Në vend që të bashkojë forcat me Kosovën për të luftuar krimin ndër-kufitar, Serbia bën të kundërtën”, ka shkruar Vela.

  • Chollet flet me Kurtin, zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit temë diskutimi

    Chollet flet me Kurtin, zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit temë diskutimi

    Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar në Twitter se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me takimin 2 majit në Bruksel.

    Chollet tha se temë diskutimi me kreun e ekzekutivit kosovar ishte ndër të tjera edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe partneriteti i fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurtin për takimin e liderëve të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”. – tha ai.

    Për bisdën telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, ka njoftuar edhe kryeministri Kurti i cili e cilësoi një bisedë të mirë.

    Më tej Kurti shtoi të ketë theksuar rëndësinë e zbatimit “në tërësi dhe në mirëbesim” të Marrëveshjës Themelore dhe Aneksit të saj.

    “Patëm një telefonatë të mirë me Chollet, ku diskutuam axhendën e takimit të nesërm. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e SHBA-së.” – shkroi Kurti.

  • Kurti mblodhi mbrëmë vartësit e këshilltarët në Bruksel para takimit të sotëm me Vuçiqin

    Kurti mblodhi mbrëmë vartësit e këshilltarët në Bruksel para takimit të sotëm me Vuçiqin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tërë ditën e ka shpenzuar duke u përgatitur për takimin e 2 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin në Bruksel.

    Kurti thotë se përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë, por që sipas tij, dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike.

    “Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin. Përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar Kurti.

    Kurti dje tregoi se ka biseduar me këshilltarin e lartë amerikan Derek Chollet në lidhje me këtë takim dhe se i ka treguar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohet tërësisht.

    Ndërsa Chollet tha se pikë e bisedës me kryeministrin kosovar ishte themelimi i menjëhershëm i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë në Kosovë ende marrin pagë 170 euro

    Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë në Kosovë ende marrin pagë 170 euro

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ishte mysafir në emisionin LIBERO në ATV.

    Ai në këtë emision tregoi se në Kosovë, janë mbi 50 mijë punëtorë që ende marrin pagën 170 euro.

    “Gjendja ekonomike në vend nuk është mirë. Nuk është mirë as gjendja e punëtorëve, sepse punëtorët janë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Pa ata nuk mund të zhvillohet ndërmarrja, as sektori privat e as publik. Sektori privat është duke përmirësuar kushtet. Ne kemi bërë thirrje që të përmirësojmë edhe pagat. Por, nëse flasim ne për paga, janë mbi 50 mijë punëtorë që ende marrin pagë minimale me 170 euro”, tha Shahini. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë mund ta shikoni në videon e më poshtme:

  • Ankesa e qytetares: Unë deri t’shkoj n’shpi shkon rroga, 28 ditë jetoj veresi

    Ankesa e qytetares: Unë deri t’shkoj n’shpi shkon rroga, 28 ditë jetoj veresi

    Më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarë të shumtë në Kosovë dolën në rrugë për të kërkuar ngritje të pagave.

    Përfaqësuesit e punëtorëve thanë se në Kosovë ka ende shumë qytetarë që për punën që bëjnë paguhen më pak se 200 euro. Me të ardhurat e ulëta, sipas sindikalistëve, vështirë të zhvillohet jeta.

    Edhe pas përfundimit të protestave, qytetarë të shumtë u ankuan se pagat janë shumë të ulëta në krahasim me rritjen e pothuajse përditshme të çmimeve.

    “Unë sa të shkoj në shtëpi edhe vi, rroga më shkon. Edhe 28 ditë tani veç veresi marrim. Rrogën sa te marrim e pagujmë veresinë, me veresi jetojmë. Tash edhe pak vizat u lëshuan, rinia e jonë ikin krejt”, thotë për ATV-në një qytetare në Prishtinë.

    Sipas saj, Kosova ka me mbetë vend i pensionistëve, pasi që rinia do të ikin për një jetë më të mirë nëpër vendet perëndimore. /atvlive.tv

  • Si dukej sot festa e 1 Majit në parkun e Gërmisë?

    Si dukej sot festa e 1 Majit në parkun e Gërmisë?

    Më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarë të shumtë në Kosovë dolën në rrugë për të kërkuar ngritje të pagave. Pavarësisht protestave, pati edhe qytetarë që këtë ditë kishin vendosur ta festonin.

    Ekipi i ATV-së vizitoi Parkun Nacional të Gërmisë për të vëzhguar nga afër se si po festohej 1 Maji nga qytetarë të shumtë, të cilët tashmë tradicionalisht e shënojnë këtë ditë në këtë park.

    Në videon e më poshtme mund ta shikoni se si ishte atmosfera në parkun e Gërmisë në 1 Majin e sivjetmë.

  • Në ditën e punëtorëve, kujdesi parësor e QKUK ja “mbyllin” dyert për pacientët

    Në ditën e punëtorëve, kujdesi parësor e QKUK ja “mbyllin” dyert për pacientët

    Gani Berisha, i cili jeton në Bardhosh, thotë se përveç festave edhe në vikende ballafaqohen me këtë gjendje.

    “As festave nuk punohet, por është shumë e nevojshme, pasi edhe laboratori na vyen për analiza. Për analiza tash më duhet me shku në fshatin Besi për t’i kryer. Probleme kemi edhe në ndërrimin e natës, meqë numri i banorëve është i madh, festave dhe vikendeve gjithqysh duhet me punu”, tha Gani Berisha, banor i fshatit Bardhosh të Prishtinë.

    Situatë e njëjtë ishte edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sakip Thaçi nga Rahoveci, i cili tash e disa ditë është i hospitalizuar në Emergjencë, thotë se është shqetësuese që në festa punon një numër i vogël punëtorëve shëndetësorë.

    “Duhet me punu, se i smuti nuk vet kur ka festë. I kanë lonë qaty do mjekë t’ri sot, që kurrëgjo s’po dinë”, tha Sakip Thaçi, pacient.

    Se duhet të punohet edhe për 1 Maj e thonë edhe familjarët e pacientëve.

    “Stafi mjekësor duhet me punu nonstop, pavarësisht nëse është 1 maj, se pacientët nuk e dinë kur sëmuren. Sëmundja nuk e di kur ka festë. Të ëmën që dy ditë e kam pru, hala asnjë fotografim nuk ia kanë bërë, megjithëse ka pasur sulm në zemër. Duhet me punu se vetë janë betu para hipokratit që kanë me punu nonstop”, tha Vlora Veseli, familjare.

    Derisa thotë se 1 Maji duhet të shihet si një ditë sensibilizimi, deputeti nga radhët e Partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli, e sheh të nevojshëm rishikimin e ligjit për festat zyrtare.

    “1 maji, si festë e punëtorëve duhet të shikohet si një ditë e sensibilizimit të opinionit, punëdhënësve, punëmarrësve, për shkeljet që i bëhen punëtorëve në të drejtat e tyre. Në Kosovë kemi një ligj jo të duhur për festimin e festave, duhet t’i reduktojmë pushimet”, tha deputeti i partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli.

    Sipas ligjit për shëndetësi, qasja në kujdes shëndetësor sigurohet gjatë 24 orëve pa ndërprerje, nëpërmjet punës në orar të rregullt, punës në ndërrime, kujdestarisë, si dhe punës në kuadër të shërbimit të urgjencës, në pajtim me orarin e përcaktuar nga institucioni shëndetësor. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • 1 Maji, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

    1 Maji, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

    Sakibe Hoti ka ardhur nga Gjakova për t’i shprehur pakënaqësitë me kushtet e punës, bashkë me qindra të punësuar të tjerë.

    Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve këta punëtorë të sektorit privat kanë zgjedhur të protestojnë.

    “Shumë vështirë, pagat janë minimale, sot kemi ardhur ekstra vetëm për t’i kërkuar të drejtat tona”, tha Sakibe Hoti, qytetare nga gjakova.

    “Faturat po vijnë, pagat shumë të vogla. Të drejtat e punëtorit nuk po respektohen aspak në asnjë aspekt”, tha Sadete Idrizi, qytetare.

    Përfaqësuesit e punëtorëve thonë se në Kosovë ka ende shumë qytetarë që për punën që bëjnë paguhen më pak se 200 euro. Me të ardhurat e ulëta, sipas sindikalistëve, vështirë të zhvillohet jeta.

    “Ju drejtohem me çështje urgjente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficioneve në lartësi të pagës minimale në Kosovë. Ky projektligj ka ngecur që nga qershori i vitit 2022, që nënkupton se ka tejkaluar afatin procedural ku duhej të hidhej në votimin e dytë”, tha kryetarja e një sindikate të punëtorëve, Hafije Statovci.

    Kryetari i sindikatës së pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi, fajëson udhëheqësit e qeverisë, të cilët, sipas tij, kanë hedhur poshtë të gjitha premtimet e bëra për punëtorët e sektorit privat.

    “Fatkeqësisht Kosova është e para në rajon me vdekjen e punëtorëve të sektorit privat dhe ne si sindikatë shpeshherë kemi telashe edhe ta kryejmë ceremoninë e varrimit, përderisa kemi kërkuar nga shteti ta kemi një fond, po nuk e bën. Nuk do t’ju lusim më, qeveri për të mirat që ju kemi dhënë juve sipas të gjitha gjasave tani do t’i fitojë dikush tjetër. Momenti i fundit që keni humbë ju edhe ne, shpëtoni atë që mundet, ndryshe realiteti është realitet, vitin 2021/22 na kanë ikur nga Kosova mbi 100 mijë kësi punëtore që kemi përballë… 21:22 Qeveri, punën që e ke bërë gjatë periudhës që ke ardhur, në raport me punëtorët e sektorit privat është e barabartë me zero, kthjelluni sa nuk është bërë vonë”, tha kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.

    Ai bashkë me punëtorët e tjerë kërkuan që paga minimale të jetë 450 euro, të nënshkruhet kontrata kolektive dhe të ketë trajtim të barabartë të punëtorëve të sektorit privat me ata në sektorin publik.

    Përveç kësaj, Azemi ka kërkuar të krijohet një fond për punëtorët që humbin jetën dhe ata që lëndohen në vendin e punës. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Qytetarët ankohen se s’ka punë, bizneset se s’ka punëtorë

    Qytetarët ankohen se s’ka punë, bizneset se s’ka punëtorë

    Derisa qytetarët ankohen se nuk ka punë, punëdhënësit ankohen se nuk ka punëtorë.

    Mekanizmat ndërmjetësues që bëjnë lidhjen mes punëkërkuesve dhe tregut të punës nuk funksionojnë si duhet, sipas njohësve të çështjeve socio-ekonomike.
    Sipas tyre, çështja e punës nuk ka qenë kurrë temë politike në vend.

    “Pa u bërë çështja e punës temë politike nuk ka demokratizim domethënës të shoqërisë së Kosovës. Ikja masive drejt perëndimit e ka origjinën pikërisht te çështja e demokracisë në vendin e punës, të ardhurat shumë të ulëta, pabarazia shumë e lartë, sistemi i mbrojtjes sociale i cili është tepër primitiv”, tha Artan Mustafa, socio-ekonomist.

    Megjithatë, për ta rregulluar raportin punëtor – punëdhënës, Ministria e Financave ka bërë gati një Koncept-Dokument.

    Ky ka për qëllim shkrirjen e 3 ligjeve, përfshirë atë për ofrimin e shërbimeve për të papunët, punëkërkuesit dhe punëdhënësit, Ligjin për Agjencinë e Punësimit dhe atë për Aftësimin, Riaftësimin Profesional, në një ligj të vetëm; atë për politikat e tregut të punës.

    Një nismë e tillë, vlerësohet se mund të ketë sukses në uljen e papunësisë në vend.

    “Rritja e efiçiencës së administratës, do t’i kontribuojë implementimit më të suksesshëm të këtyre politikave. Nuk është me rëndësi çfarë rezultati kanë sot këto politika, sot për sot është me rëndësi fillimi i ndryshimit të paradigmës dhe nuk do të ketë maksimizim të shkallës së punësimit, nuk do të arrijmë shkallën e punësimit 60 për qind e më lart, pa një formë gjithëpërfshirëse”, tha Mustafa.

    Një plan i tillë parashihet të kontribuojë në punësim më të lartë dhe gjithëpërfshirës, si dhe të zvogëlojë barrën administrative të bizneseve që ofrojnë shërbime të punësimit, për rreth 12 mijë euro.

    Për t’u bërë i plotfuqishëm, sipas Ministrisë së Financave, këtij ligji do t’i duhen plot 2 vjet kohë. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Asnjë nga pesë ish-drejtorët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk janë të angazhuar në pozita të larta në institucionet shtetërore të sigurisë e as pjesë e kabineteve të presidentes apo kryeministrit.

    Vite më parë, disa prej tyre, punuan si këshilltarë për siguri në Presidencë, por një praktikë e tillë nuk u vazhdua – pasi legjislacioni aktual nuk krijon obligime ndaj institucioneve për angazhimin e tyre pas përfundimit të mandatit në Agjenci.

    Ekspertë të sigurisë e vlerësojnë moskujdes institucional në dëm të sigurisë kombëtare, mos-angazhimin e personave që kanë ushtruar ndonjërën nga tri pozitat kyçe në AKI: drejtor, zëvendës-drejtor dhe kryeinspektor.

    “Kjo është një neglizhencë nga niveli politik që nuk e ka paraparë fare mundësinë e inkorporimit të tyre për një periudhë afatgjate, për arsye se këta persona, të cilët kanë bartur funksione të larta në këtë institucion kanë klasifikuar informacione që e atakojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    Duke përmendur ndjeshmërinë e informacioneve dhe përvojën e tyre, ekspertët vlerësojnë se duhet të bëhen ndryshime në legjislacion – për të mundësuar sistemimin në pozita të përhershme këshillëdhënëse.

    “Këta të mbesin në rrugë, në mëshirën e grupeve të tjera të interesit. Mendoj se në këtë aspekt duhet që sa më parë të jetë e mundur që këta persona të ri-inkorporohen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku mund të japin mendime, sugjerime në aspektin profesional, duke pasur parasysh përvojën e tyre. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet fillimisht të ndryshojë ligji, në rend të parë, por njëkohësisht t’u jepet mundësia që të gjithë akterët, edhe ish-drejtorët e Policisë të inkorporohen në këtë mekanizëm”, tha Shala.

    “Do të duhej që kjo çështje të rregullohej me Ligjin për AKI-në, të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, në mënyrë që këto tri figura kryesore udhëheqëse në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë të angazhohen dhe të japin kontribut në ato vende ku japin kontribut për sigurinë kombëtare të Kosovës”, tha Avni Islami, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Angazhimi si ligjërues në Akademinë për Siguri Publike përmendet si opsion tjetër.

    Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi ish-zëvendësdrejtoren e AKI-së, Vlora Hyseni, për ta udhëhequr inteligjencën shqiptare. Tri javë më parë ajo mori detyrën në krye të shërbimeve sekrete shqiptare, pas dekretimit nga ana e Presidentit, Bajram Begaj.

    Bashkim Smakaj, Agron Selimaj, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi janë pesë ish-drejtorët e AKI-së në periudhën 2009-2020. Nga vitit 2021, në këtë pozitë është Petrit Ajeti. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: