ATV

Author: ATVLive

  • Serbët heqin flamurin kuq e zi dhe vendosin atë të Serbisë në një kodër të Zveçanit

    Serbët heqin flamurin kuq e zi dhe vendosin atë të Serbisë në një kodër të Zveçanit

    Gjatë ditës së djeshme mediat serbe raportuan se flamuri shqiptar kuq e zi u vendos në një kodër në fshatin Grabovc të Zveçanit.

    Për të njëjtin rast, mediumi në gjuhën serbe “Kossev” sot po raporton se flamuri është larguar dhe se janë vendosur flamujt serbë, transmeton lajmi.net.

    Sipas Kossev të cilët kanë publikuar edhe pamje, aty tashmë valon flamuri serb.

    Sipas tyre, kjo është bërë nga banorët serbë të Grabovcit, të cilët kanë dërguar pamje nga momenti ku flamuri serb vendoset në këtë kodër.

    Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, dikush e largoi flamurin serb nga ky kërrsh dhe aty vendosi flamurin kombëtar të shqiptarëve. Nuk vonoi shumë dhe flamuri kuq e zi u largua.

  • ​Nëntë vjet nga vetërrëzimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

    ​Nëntë vjet nga vetërrëzimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

    Sot, mbushen nëntë vjet nga vetërrëzimi i qeverisjes PDK-AKR, si dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

    Koalicioni PDK-AKR ishte prishur me iniciativën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, por jo edhe me pëlqimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli. Këta të dy, bashkë me liderin e LDK-së opozitare Isa Mustafa kishin vendosur të shpërndahet edhe Kuvendi, pas takimeve me presidenten e atëhershme, Atifete Jahjaga.

    Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte marrë vendim më 7 maj 2014 që të shpërndante vetveten.

    Me këtë vendim, Kuvendi kishte vendosur që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat ishin mbajtur më 8 qershor 2014.

    Mocioni ishte ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

    Arsyetimin e kishte prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, i cili kishte thënë se me këtë vendim, Kuvendi kishte hapur procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

    Nisma e deputetëve ishte mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, përderisa ata të AAK-së kishin prezantuar qëndrime të ndryshme.

  • Asociacioni – “kusht mbi kushtet”

    Asociacioni – “kusht mbi kushtet”

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Pa përparim në këtë pikë, “nuk mund të ketë përparim as në çështjet tjera” për të cilat diskutohet në këtë dialog.

    Kështu thonë disa burime diplomatike në Bruksel, duke pranuar – ndonëse jozyrtarisht – se Asociacioni është prioriteti numër një, edhe pse Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë, që duhet të shpjerë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duhet zbatuar plotësisht.

    Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

    Në BE thonë se hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë me paraqitjen e draft-statutit të tij, këtë javë në Bruksel, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.

    Drafti-statuti u paraqit nga një ekip menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

    Kurti tha se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Vuçiq kritikoi Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë”.

    Për BE-në, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, as teksti i këtij drafti e as reagimi i palëve ndaj tij nuk kanë qenë befasi.

    Ky draft është përgatitur qysh nga viti 2018, por, deri më tash, nuk ka pasur pajtim mes palëve që ai të prezantohet në ndonjë takim të nivelit të lartë.

    Kjo, sipas burimeve të BE-së, është bërë e mundshme vetëm pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila është arritur në mars.

    Për BE-në, ndërkaq, prezantimi i draft-statutit ka “rëndësi edhe simbolike, edhe përmbajtjesore”.

    “Nuk e kishim parë dokumentin para prezantimit. Por, nuk ishte befasi për ne, sepse kishim dëgjuar qëndrimet e palëve më herët. Ishte propozim për kompetenca shumë të gjëra ekzekutive. Dhe, për ne nuk ishte befasi që Kurti e refuzoi. Kurti prezantoi propozimin e tij, krejt të kundërt nga drafti i Ekipit Menaxhues. Asgjë e papritur nuk ishte as kjo. Tash duhet të tentojmë t’i tejkalojmë dallimet mes palëve. Prandaj, prezantimi nuk ishte akt në vete, por nisje e një procesi të domosdoshëm“, thotë një zyrtar i lartë i BE-së.

    Ai paralajmëron se ekspertët dhe kryenegociatorët në dialog tashmë janë ftuar të shkojnë në Bruksel dhe të vazhdojnë të diskutojnë, në mënyrë që të krijohen kushtet për një kompromis.

    Data për këtë takim është duke u diskutuar mes ndërmjetësuesve nga BE-ja dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas zyrtarit të lartë të BE-së, “diskutimet duhet të bazohen në marrëveshje dhe në praktika të mira evropiane“.

    “Procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatin e dialogut. Pa pajtim rreth statutit dhe pa formimin e Asociacionit nuk mund të ketë sukses në dialog“, thotë ky zyrtar i lartë.

    Vendosja e çështjes së krijimit të Asociacionit si “kusht mbi të gjitha kushtet“, megjithatë, bie ndesh me një pikë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve – për ç’gjë palët janë pajtuar në Ohër, më 18 mars.

    Aty thuhet se renditja e pikave nuk reflekton edhe renditjen e prioriteteve dhe se të gjitha pikat kanë të njëjtën rëndësi. Por, përkundër kësaj, jo vetëm zyrtarë të lartë të BE-së, por edhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në secilën paraqitje publike, përmendin më së shumti krijimin e Asociacionit si prioritet kryesor.

    Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, nisja e procesit të themelimit të Asociacionit – që sipas Brukselit ndodhi në takimin e 2 majit – dëshmoi sesa larg janë palët nga njëra-tjetra. Sipas tij, ky takim tregoi se “kimia mes dy liderëve nuk është e mirë“.

    Bashkimi Evropian bëri tentime ta sqarojë edhe mënyrën e formimit të “Ekipit Menaxhues” dhe rolin e tij.

    BE-ja doli kundër interpretimeve të Kosovës se “me paraqitjen e draft-statutit, Ekipi Menaxhues e përfundon punën e vet dhe mund të shuhet“.

    Sipas BE-së, “vendimi për shuarjen e Ekipit Menaxhues shkel edhe tekstin, edhe frymën e marrëveshjes“ dhe ai ekip duhet të ekzistojë derisa të miratohet statuti i Asociacionit.

    BE-ja tha, po ashtu, se “Ekipi Menaxhues” ishte si një “delegacion në vete“ në takimin e nivelit të lartë në Bruksel dhe se nuk ishte “as në delegacionin e Serbisë, as në atë Kosovës“.

    Sipas BE-së, formimi i këtij ekipi, po ashtu, është i sqaruar në marrëveshje dhe ai përbëhet nga persona që i propozon Serbia, por formalisht i emëron Qeveria e Kosovës.

    Koordinatorja e këtij ekipi që udhëtoi në Bruksel për të paraqitur draft-statutin, është edhe deputete e Kuvendit të Serbisë.

    Për këtë, kryeministri i Kosovës, Kurti, tha se ajo “është në konflikt interesi“.

    Në BE pranojnë se dallimet rreth Asociacionit nuk do të jenë të lehta për t’u tejkaluar. Me gjithë vështirësitë, në BE këmbëngulin që të ketë një zgjidhje, sepse, në të kundërtën, siç përsërisin, dialogu nuk mund të ecë përpara. /rel

  • Presidentja Osmani: Aleanca e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar do të forcohet

    Presidentja Osmani: Aleanca e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar do të forcohet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se aleanca në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të forcohet përgjatë udhëheqjes së mbretit Charles III që u kurorëzua të shtunën.

    Osmani mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit në Londër. Ajo në një deklaratë pas ceremonisë ka uruar mbretin Charles III në emër të Kosovës.

    “Ndërsa jemi dëshmitarë të kësaj dite historike, le të kujtojmë fuqinë e miqësive dhe aleancave dhe rëndësinë jetike të forcimit të tyre. Jam e bindur se aleanca në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe lidhjet e forta në mes popujve tanë do të forcohen përgjatë udhëheqjes së Mbretit!” ka thënë më tej Osmani.

  • 90 vjet nga lindja e bilbilit të Kosovës

    90 vjet nga lindja e bilbilit të Kosovës

    Mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 07 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.

    Nexhmije Pagarusha, e cila njihet si ikona e muzikës shqiptare, sot do të mbushte 90 vjet, me një karrierë shumë të bujshme.

    Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera. Veprimtaria muzikore 50-vjeçare e Nexhmije Pagarushës është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i ka takuar. Ajo është njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

    ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.

  • Sot lansohet Fondi Sovran, merr pjesë edhe Kurti

    Sot lansohet Fondi Sovran, merr pjesë edhe Kurti

    Duke filluar nga ora 11:00, sot do të mbahet konferenca e lansimit të Fondit Sovran të Kosovës. Këtij Fondi, pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

    Konferenca është e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit.

    Sipas kryeministrisë, folës do të jetë edhe Kurti. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë si folës kyç në konferencën e Fondit Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung. Kjo konferencë do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në hotel “Emerald”.

    Kurse FES-i thotë se konferenca ka të bëjë me prezantimin e reformës më të madhe ekonomike në Kosovë në fushën e menaxhimit të aseteve shtetërore.

    Ata gjithashtu shprehen se që nga viti 2021, “dy grupe pune ekspertësh janë përfshirë në këtë proces të rëndësishëm të reformës ekonomike dhe legjislative, të përfunduar me një projektligj përfundimtar”.

    FES-i deklaron se konferenca e Fondit Sovran të Pasurisë së Kosovës do të mbledhë përfaqësues të Fondit Sovran të Pasurisë në Evropë, politikë dhe vendimmarrës ndërkombëtarë, pjesëmarrës nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore, drejtorë të ndërmarrjeve publike, grupe të ekspertëve, shoqëri civile dhe media.

    Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë:

    Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik, Trepça, Trainkos-i, Infrakos-i

    Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.

    Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.

    Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.

  • 24 vjet nga “Epopeja e Çabratit”

    24 vjet nga “Epopeja e Çabratit”

    Sot, në Gjakovë do të kujtohet 24-vjetori i “Epopesë së Çabratit”, në të cilën për lirinë e Kosovës janë flijuar dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.

    Datat 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999, për shumë nga qytetarët e Gjakovës, që atëherë kanë qenë në qytet, do të kujtojnë momentet e luftimeve të ashpra mes forcave të UÇK-së dhe policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

    Kjo betejë ka qenë e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ka qenë mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës.

    Në këtë betejë kanë rënë shtatë dëshmorë dhe 41 civilë. Po ashtu, më 7-8 maj janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagjeje.

  • Luizi shpallet fitues i edicionit të dytë të BBVA

    Luizi shpallet fitues i edicionit të dytë të BBVA

    Luizi u shpall fitues i këtij edicioni të dytë të Big Brother Vip, duke rrëmbyer çmimin e madh. Publiku shqiptar me shumicë votash, vendosi të shpallë Luizin fitues të këtij edicioni, si banori më i preferuar nga masa.

    Prej 133 ditësh, Luizi i ka dhënë këtij spektakli emocione pafund. Lot gëzimi, trishtimi, supriza pafund, histori, lojë e fortë, strategji, miqësi brenda shtëpisë, por edhe dashuri.

    Kanë qenë këto disa nga emocionet e forta që Luizi, protagonisti kryesor i këtij formati, dhuroi gjatë gjithë kësaj kohe për publikun shqiptar.

    Loja e tij mori rrjedhë tjetër kur u dashurua me Kiara Titon, me të cilën kurorëzoi dashurinë pak minuta më parë në Bashkinë e Tiranës.

    Lidhja e tyre ka qenë ngjarja më e përfolur prej 4 muajsh, histori e cila lindi ngadalë por u finalizua me martesë.

    Ky Big Brother mbërtheu përpara ekranit miliona shqiptarë, të cilët nisën ditën me këtë spektakël dhe e mbaruan po me të.

    Formati gjigand ka qenë kryefjalë e të gjitha mediave, shtypit të shkruar, por edhe i rrjeteve sociale përgjatë 133 ditëve, duke e kthyer Big Brother Vip në fenomen.

  • Të drejtat e grave në nivel jo të kënaqshëm/ Haxhiu: Pa barazia vjen si rezultat i mos pavarësisë ekonomike

    Të drejtat e grave në nivel jo të kënaqshëm/ Haxhiu: Pa barazia vjen si rezultat i mos pavarësisë ekonomike

    “Gratë, të drejtat e grave dhe studimet gjinore” ishte tema që u trajtua në konferencën e organizuar nga Kolegji AAB, ku ndër të ftuarat ishte edhe Minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në prezantimin e saj në ditën e parë të kësaj konferenca dy ditore, Haxhiu foli për dy nga aspektet e diskriminimit të grave në procesin e zbatimit të ligjit.

    “Gjendja në praktikë të zbatimit te ligjeve është e rëndë. Edhe sa i përket ndarjes se tokës e trashëgimisë se pastaj nuk i flet vllau ose baba. Një prej fenomeneve me së shumti qe përballet është dhuna në familje, dhuna në baza gjinore këto janë fenomene qe po përballemi shumë. Ka një emancipim shoqëror për raportim të dhunës, por, ende një numër i vogël raportojnë dhunën sepse besojnë se s’ka besim ne institucione dhe në anen tjetër mungesa e pavarësisë ekonomike”, tha Haxhiu.

    Nga ana e tij Zëvendës-rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, tha se për këtë institucion, tema të tilla, trajtohen shpesh me qëllim vetëdijesimit të shoqërisë.

    “TemaT me barazi gjinore janë tema qe trajtohen me seriozitet duke qene institucion serioz dëshira është të i ngrisim sa më shumë këto tema”, tha Vehapi.

    Edhe organizatorja e kësaj konference Uranela Demaj, njëherësh profesoreshë e këtij Kolegji tha se konferenca të tilla janë të një rëndësie të madhe.

    Konferencën e sotme e vlerësuan edhe studentët e Kolegjit AAB, që morën pjesë.

    Pabarazia në punë në dëm të grave u përmend si tjetër aspekt i shkeljes së të drejtave të tyre. /atvlive.tv

  • Tre persona akuzohen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Tre persona akuzohen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Për vrasjen e tre personave në mbrëmjen e 26 nëntorit të 2021, prokuroria themelore e Pejës ngriti aktakuzë tk pas afro një viti e gjysmë.

    Më 26 nëntor të vitit 2021, rreth orës 19:00, autobusi i linjës Gjakovë – Deçan u sulmua me kallashnikov. Në sulm u vranë shoferi Gani Gjokaj dhe nxënësit Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj.

    Provat e dëshmitë e mbledhura gjatë kësaj periudhe, sipas prokurores Sahide Gashi, janë mjaft bindëse për t’i akuzuar tre anëtarët e familjes Mehmetaj, të cilët ishin arrestuar disa ditë pas rastit.

    “Kemi ngritur aktakuzë ndaj Kastriot Mehmetajt dhe Kreshnik Mehmetajt për bashkëkryerje të veprës së rëndë. Ndërsa, ndaj Halil Mehmetajt për shtytje në veprën e rëndë”, tha Gashi.

    Ndaj një anëtarit tjetër të familjes Mehmetaj, hetimet ishin ndalur meqë nuk u gjetën prova se ishte i përfshirë.

    Opsioni për sulm terrorist është eliminuar, megjithatë plani për vrasjet, sipas prokurorisë, ishte i organizuar mirë.

    “Targeti i sulmit ishte shoferi i autobusit, se kemi të bëjmë me një sulm mirë të planifikuar. Kryerësi e ka ditur itinerarin e shoferit të autobusit mirë. Ka aktruar si i dehur, për ta ulur shpejtësinë e autobusit. Ikja e kriminelit pa asnjë gjurmë, është tregues i mirë se ai e ka ditur terrenin, ose ka bashkëpunuar me persona që e kanë ditur mirë”, tha Gashi.

    Deri te ngritja e aktakuzës, Prokuroria hetoi e intervistoi shumë persona, madje disa prova i dërgoi edhe jashtë shtetit për ekzaminim.

    “Kemi proceduar mbi 80 persona. Kemi analizuar 41 video. Ku kemi përcjellë ecjen e autobusit. 10 lokacione janë sekuestruar. Provat janë dërguar edhe në laboratorë jashtë shtetit”, tha Gashi.

    Në rastin në Gllogjan përveç tre të vrarëve, një udhëtar tjetër në autobus, ishte plagosur. /atvlive.tv