ATV

Author: ATVLive

  • ​Disa rrugë të Prishtinës do të mbyllen për qarkullim gjatë fundjavës

    ​Disa rrugë të Prishtinës do të mbyllen për qarkullim gjatë fundjavës

    Kryqëzimi i rrugës “Ukshin Hoti” me rrugët “Garibaldi” dhe “Luan Haradinaj” në Prishtinë do të mbyllet për qarkullim gjatë kësaj fundjave.

    Kjo për shkak të disa punimeve që do të zhvillohen për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, ka njoftuar “Termokos”.

    “NP “Termokos” SH.A., njofton opinionin e gjerë se këtë fundjavë, më 13 dhe 14.05.2023, për shkak të punimeve, që do të zhvillohen për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, do të mbyllet për qarkullim rruga “Ukshin Hoti”, përkatësisht kryqëzimi i saj me rrugët “Garibaldi” dhe “Luan Haradinaj”, thuhet në njoftim.

    Aktualisht, “Termokos” është duke punuar në pesë projekte për zgjerim të ngrohjes.

    Ndërsa dy javë më parë ka përfunduar sezoni i ngrohjes 2022/2023.

  • Ambasadori amerikan thotë se dezinformimi në Kosovë është në rritje

    Ambasadori amerikan thotë se dezinformimi në Kosovë është në rritje

    Konferenca për Integritetin e Informacionit organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, “Disicion”, ka mbledhur ekspertë të ndryshëm të fushës së teknologjisë, sigurisë kibernetike, mediave si dhe përfaqësues të qeverisë, për të diskutuar rreth sigurisë kibernetike, qasjes gjithëpërfshirëse dhe dezinformimit si kërcënim, raporton EO.

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili ka marrë pjesë në hapjen e kësaj konferenca tha se në Kosovë dita ditës po rritet dezinformimi.

    Sipas tij, shteti që përfaqëson është i interesuar që të rritet siguria kibernetike dhe e informacionit.

    “Dezinformimi në Kosovë është i vazhdueshëm dhe gjithnjë po rritet. Prandaj prioritet kryesore është rritja e sigurisë kibernetike dhe informacionit, kjo përfshin edhe ndalimin e dezinformatave”.

    AnnaCarin Platon, shefe e Sektorit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian, kërcënimet kibernetike i ka quajtur sfidë globale, për këtë ka kërkuar edhe angazhimin e të gjithë në këtë luftë.

    “Kërcënimi i sigurisë kombëtare është sfidë globale dhe kërkon që ne të punojmë së bashku. Këto kërcënime kibernetike janë rritur dhe po rrezikojnë që të qojnë edhe në eskalim konflikti mes shteteve”.

    “Reformat vendore dhe bashkëpunimet ndërkombëtare janë të domosdoshme për ta adresuar këtë çështje në Ballkanin Perëndimor. Është me rendësi që të ketë mekanizma që të mbikëqyr sigurinë kibernetike”.

    Në temën “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, edicioni i 5-të do të fokusohet kryesisht në kornizën ligjore të Kosovës për sigurinë kibernetike dhe dezinformimin si kërcënim kibernetik nga një perspektivë globale.

    Gjithë gjithë ditës do të mbahen panele të diskutimit në lidhje me këtë çështje. Pjesëmarrës në konferencë është edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti.

  • Lajçak në takim me Hamzën, diskutohet për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit

    Lajçak në takim me Hamzën, diskutohet për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po zhvillon takim me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën.

    Siç mësohet, në takim po bisedohet për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit.

    Lajçak do të shkojë edhe në veri për të kuptuar situatën atje.

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti deklaroi ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.

    Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se në takimin me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak theksoi nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht. Sipas tij, BE-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes.

    Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti./KosovaPress

  • Sulm me armë në fabrikën e Mercedesit në Gjermani, vriten dy persona

    Sulm me armë në fabrikën e Mercedesit në Gjermani, vriten dy persona

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në hapësirat e fabrikës së Mercedes-Benzit në Sindelfingen të Gjermanisë, ku si pasojë e të shtënave me armë kanë humbur jetën dy persona.

    Raportohet se autori është një 53-vjeçar, punonjës i jashtëm i një kompanie logjistike.

    Policia ka sekuestruar armën e dyshuar për vrasje. Një zëdhënës tha se nuk kishte informacion se çfarë lloj arme ishte.

    Për aktin dhe motivin duhet të merret në pyetje i dyshuari i arrestuar (53). Gjithashtu, u bënë edhe pyetje të shumta të dëshmitarëve.

    Disa punonjës të Mercedesit që u larguan nga uzina raportuan për BILD se sulmi thuhet se kishte për qëllim drejtuesit e ekipit. Të shtënat janë qëlluar në zonën e zyrës së drejtuesit të ekipit.

  • AAK kërkon interpelancë për ministrin Murati – Tahiri: Ekonomia buzë kolapsit, qytetarët të shtyrë ta lëshojnë vendin

    AAK kërkon interpelancë për ministrin Murati – Tahiri: Ekonomia buzë kolapsit, qytetarët të shtyrë ta lëshojnë vendin

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar që të ftohet në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati, raporton Ekonomia Online.

    Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri. Ai më këtë rast ka kërkuar rishikim të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik.

    Sipas tij, ekonomi është buzë kolapsit si dhe qytetarët janë të shtyrë që ta lëshojnë vendin.

    “Ndërhyrja e Qeverisë në strukturën e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore ka qenë shumë e dëmshme në rrjedhat e zhvillimit në vend duke i ngritur normat e tatimit në njërën anë, e në anën tjetër duke i bllokuar investimet kapitale. Vetëm për dy vjet qeverisje janë bllokuar rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale, me çka është dëmtuar ekonomia e vendit për rreth 200 milionë euro si pasojë e inflacionit dhe vonesës se investimeve kapitale”.

    “Gjendja e rëndë socio–ekonomike në vend, e krijuar nga niveli i lartë i inflacionit, rritja e çmimeve të konsumit, shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe vendimi për rritjen e tatimit në pronë, ka bërë që qytetarët të përballen me vështirësi të shumta”.

    “Rritja e pagave në sektorin publik do të ishte zgjidhje që do të lehtësonte sado pak këtë situatë, pasi kjo është kërkesë e kohës. Kjo rritje do të duhej të ndodhte menjëherë me rishikimin buxhetor dhe kjo do të ndikonte në rritjen e konsumit të përgjithshëm por edhe indirekt në rritjen e pagave në sektorin privat. Nëse ky veprim nuk ndodh menjëherë, Kosova rrezikon të zbrazet dhe të mbes pa shumë profesionistë të zotë”.

  • Kurti kërkon nga Lajçaku që Marrëveshja të zbatohet në tërësi

    Kurti kërkon nga Lajçaku që Marrëveshja të zbatohet në tërësi

    Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

    Kurti ka bërë të ditur, se nga Lajçak ka kërkuar që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që Bashkimi Evropian ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje.

    “Theksova nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”, ka shkruar Kurti në Twtitter.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut gjatë gjithë ditës.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 14 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira, ndërsa pas ditës pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 19 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Gjenocidi ndaj romëve e sintëve shpeshherë është lënë në harresë

    Kurti: Gjenocidi ndaj romëve e sintëve shpeshherë është lënë në harresë

    “Never forget: Kurrë mos e harro” dhe “Never again” apo “Kurrë më”, janë udhëzimet për ta kujtuar gjithmonë Holokaustin, që për rastin e romëve dhe sintëve kanë një domethënie të veçantë sepse, gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë dhe ata vazhdojnë të përballen me diskriminim të hapur në Evropën e sotme.

    Kështu tha Albin Kurti në hapjen e ekspozitës për Holokaustin kundër romëve dhe sintëve, që u bë dje në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

    Ai i inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë këtë ekspozitë shumë me vlerë dhe shumë me rëndësi, për një histori gati të harruar të Holokaustit.

    Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, zëvendësambasadori i Italisë Ugo Ferrero, Drejtori Ekzekutiv i “Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, deputeti Ergjan Galushi e zyrtarë tjerë të institucioneve të shtetit.

    Kurti tha se për sa i përket numrit të saktë të viktimave romë dhe sintë në Holokaust, shifrat e historianëve dallojnë.

    “Por, të gjithë pajtohen se pasojat e Holokaustit për popullatën e tyre, kanë qenë shkatërruese: Nazistët me bashkëpunëtorët e tyre eliminuan më shumë se gjysmën e popullatës rome dhe sinti në Evropë. Mes këtyre viktimave ishin mijëra persona të vrarë brenda një nate të vetme, me 2 gusht të vitit 1944, në kampin e përqendrimit ‘Auschwitz-Birkenau’”, tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit.

    Kurti, romët dhe sintët i konsideroi shembuj frymëzues të rezistencës ndaj projektit gjenocidal të Hitlerit.

    Kryeministri kërkoi nga vendet evropiane që të dyfishojë përpjekjet e veta për ta luftuar diskriminimin ndaj romëve dhe sintëve, në mënyrë që, siç tha ai, të mos përsëritet një gjenocid i tillë në Evropë.

    Veç kësaj, ai kërkoi që romët dhe sintët të bëhen pjesë në jetën sociale, ekonomike, kulturore dhe politike, si qytetarë të lirë dhe të barabartë.

    Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, përkatësisht për komunitetet romë, egjiptian dhe ashkali.

    Ai theksoi se janë ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 mijë euro për nxënës të shkollave të mesme këtyre komuniteteve.

    “Kemi dhënë edhe 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Ndërkaq, kemi rekrutuar 100 praktikantë për 6 muaj praktikë në institucione publike, me prioritet për rininë e komuniteteve jo shumicë. Dhe, bashkë me Zërin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe partnerët e tjerë, kemi lansuar për herë të parë një platformë kombëtare ku mund të denoncohen rastet e diskriminimit”.

  • Vendimi i Kurtit për shpronësime në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Lista Serbe

    Vendimi i Kurtit për shpronësime në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Lista Serbe

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin preliminar për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.

    Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.

    “Regjimi i Kurtit, i inkurajuar nga disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”, thuhet në reagim.

    Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë për këtë vendim.

    “Populli serb nuk do të lejojë që banditi Kurti t’i vjedhë trashëgiminë e tyre ashtu dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe legjitime kundër këtij vendimi anti-serb, që vjedh hektarë tokë serbe”, thuhet në reagim.

  • Konjufca para amerikanëve: Kosova nuk pranon modele që e rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve

    Konjufca para amerikanëve: Kosova nuk pranon modele që e rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti dje Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

    Takimi ishte për të diskutuar temat e interesit të përbashkët për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konjufca e vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane në zhvillimin e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai po ashtu theksoi se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

    Kryetari i Kuvendit, Konjufca, foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Megjithatë, ai tha se asnjëherë nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

    Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve theksuan mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj.

    Kjo është komunikata e plotë rreth takimit:

    Kryetari Glauk Konjufca takoi Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

    Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, kryetari Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.

    Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

    Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.

    Duke folur lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i Kuvendit theksoi se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Por kryetari Konjufca tërhoqi vëmendjen se assesi nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.

    Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ritheksuan vazhdimësinë e mbështetjes së popullit dhe shtetit amerikan për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj. ​