ATV

Author: ATVLive

  • ​Kinematë portugeze humbën gati 300,000 spektatorë në shkurt, krahasuar me janarin

    ​Kinematë portugeze humbën gati 300,000 spektatorë në shkurt, krahasuar me janarin

    Në shkurt, kinematë portugeze regjistruan një humbje prej 1.9 milionë eurosh dhe rreth 296 mijë spektatorësh krahasuar me janarin, zbuloi sot Instituti i Kinemasë dhe Audiovizualit (ICA) në Portugali.

    Statistikat mujore të ICA-së mbi konsumin e kinemasë në qarkun komercial tregojnë se në 28 ditët e shkurtit, filmat u panë nga 781,809 spektatorë, duke gjeneruar 4.9 milionë euro në të ardhura bruto nga biletat.

    Krahasuar me 31 ditët e janarit, këto vlera përfaqësojnë një rënie prej 1.9 milionë eurosh dhe 296,246 hyrjesh, shkruan agjencia e lajmeve LUSA.

    Duke krahasuar shkurtin e kaluar me të njëjtin muaj të vitit 2024, shifrat tregojnë gjithashtu një humbje prej 8.7% në audiencë dhe 4.1% në të ardhurat nga biletat.

    Megjithatë, shuma e të dhënave të shfaqjeve për janarin dhe shkurtin e këtij viti tejkalon atë të së njëjtës periudhë në 2024, me një rritje prej 1.3 milionë euro në të ardhura (duke arritur në 11.8 milionë euro) dhe 123 mijë bileta të shitura (për një total prej 1,859,864 spektatorësh), përcjell KosovaPress.

    Nga filmat e shfaqur dhe premierat në janar dhe shkurt, më i ndjekuri ishte “I’m Still Here”, nga regjisori brazilian Walter Salles, i cili tërhoqi 293,267 spektatorë dhe gjeneroi 1.8 milionë euro në arkat e kinemave.

    Gjatë kësaj periudhe, filmi që i dha Fernanda Torres një Golden Globe dhe fitoi një Oscar për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar tejkaloi “Mufasa: The Lion King” të Barry Jenkins dhe “Sonic 3: The Movie” të Jeff Fowler, si në audiencë ashtu edhe në të ardhura.

    “Banzo”, nga regjisorja Margarida Cardoso, ishte filmi portugez më i ndjekur këtë vit në kinema, me 2,264 spektatorë dhe 12,326 euro të ardhura.

    Nga gjithsej 1.8 milionë hyrjet e regjistruara në janar dhe shkurt, çdo seancë kinemaje kishte mesatarisht 22 spektatorë.

    Në shkurt, qarku i shfaqjeve komerciale të kinemasë kishte 512 ekrane, nga të cilat 218 (42.6%) menaxhohen nga NOS Lusomundo Cinemas dhe 58 (11.3%) i përkasin ekspozuesit Cineplace.

  • ​Njeriu që jetoi 100 ditë me zemër artificiale titaniumi

    ​Njeriu që jetoi 100 ditë me zemër artificiale titaniumi

    Një australian jetoi për 100 ditë me një zemër artificiale titaniumi ndërsa priste një transplant donatori, periudha më e gjatë deri tani me këtë teknologji, raporton CNN.

    Pacienti, një burrë në të 40-at, mori implantin gjatë një operacioni në Spitalin St. Vincent’s në Sidney në nëntor të vitit të kaluar. Në shkurt, ai u bë personi i parë në botë që doli nga spitali me këtë pajisje, e cila e mbajti gjallë derisa një dhurues zemre u bë i disponueshëm më herët këtë muaj, pwrcjell KosovaPress.

    Zemra artificiale BiVACOR është bërë me një pjesë të vetme lëvizëse, një rotor të ngritur nga magnetet, dhe nuk ka valvula ose mbështetje mekanike që mund të dëmtohen. Ajo zëvendëson të dy ventrikujt e zemrës që nuk funksionojnë.

    Ambicja afatgjatë është që ky aparat të shpëtojë më shumë njerëz që presin për një zemër donatori, pasi çdo vit shumë njerëz vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare.

  • Begaj merr pjesë në Forumin Global “Baku 2025”

    Begaj merr pjesë në Forumin Global “Baku 2025”

    Presidenti i Republikës Bajram Begaj u nis sot për në Baku të Azerbajxhanit, ku do të marrë pjesë në Forumin e 12-të Global.

    Kreu i Shtetit do të ketë një fjalim të posaçëm në forum, i cili këtë vit trajton çështjen: “Rishikimi i Rendit Botëror: Shndërrimi i sfidave në mundësi”.

    Në axhendën e presidentit Begaj janë parashikuar edhe takime të veçanta me liderët pjesëmarrës në forum.

    Drejtues shtetesh dhe qeverish, liderë politikë dhe aktivistë me ndikim botëror mblidhen çdo vit në Forumin Global Baku, ku diskutojnë dhe adresojnë zgjidhjen e sfidave më urgjente të kohës.

  • Rubio rrit presionin ndaj Putinit për të pranuar armëpushimin – zbulon lëshimet territoriale të diskutuara me Ukrainën

    Rubio rrit presionin ndaj Putinit për të pranuar armëpushimin – zbulon lëshimet territoriale të diskutuara me Ukrainën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio është duke folur nga aeroporti Shannon, për planin e propozuar të armëpushimit 30-ditor që ai njoftoi mbrëmë.

    Marco Rubio po jep disa detaje të tjera në lidhje me bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, duke zbuluar se janë diskutuar koncesionet territoriale sipas çdo marrëveshjeje paqeje, transmeton Telegrafi.

    Ai theksoi se SHBA-ja shpreson të ketë një përgjigje pozitive për armëpushimin nga Rusia, duke shtuar se do t’i kërkonte Vladimir Putinit t’i jepte fund armiqësive “kështu që njerëzit të ndalojnë së vdekuri dhe që plumbat të pushojnë së fluturuari”.

    “Nëse [Rusia] thotë jo, do të na tregojë shumë për qëllimet e tyre dhe çfarë mendësie kanë”, shtoi ai.

    “Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt,” theksoi Rubio, por shtoi se Ukraina ka nevojë për një “parandalues ​​të mjaftueshëm kundër sulmeve të ardhshme”.

    Rubio thotë se nuk do ta karakterizonte një marrëveshje të propozuar minerale midis Ukrainës dhe SHBA-së, si një garanci sigurie.

    SHBA do të ketë kontakte me Rusinë sot, por nuk e di ende se cili është reagimi i Moskës ndaj armëpushimit të propozuar, thotë Rubio.

    Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, sanksionet evropiane kundër Rusisë do të jenë në tryezë në çdo marrëveshje armëpushimi.

  • Sekretari Rutte i la FSK’së  vetëm ‘‘rol humanitar’’, kështu përgjigjet Maqedonci

    Sekretari Rutte i la FSK’së vetëm ‘‘rol humanitar’’, kështu përgjigjet Maqedonci

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dje foli për “rol humanitar” të Forcës së Sigurisë së Kosovës. I pyetur nëse ka ndryshuar qasja e NATO-s lidhur me tranzicionin e FSK-së, ai tha se NATO sigurohet që ajo të jetë efektive “si force humanitare kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore”.

    Lidhur me këtë është dekalruar Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ai ka thënë se kjo s’është hera e parë që është bërë një deklaratë e tillë pasi që NATO dhe KFOR-i janë neutral ndaj ndryshimeve që janë bërë në vitin 2018 ku FSK-së i është dhënë mandat ushtarak.

    Ministri ka deklaruar edhe se, Kosova po ndërton kapacitetet ushtarake të saja me shtetet që kanë njohur këto ndryshime.

    ‘‘Rreth çështjes së deklaratës së sekretarit të NATO besoj që nuk është hera e parë që NATO dhe KFOR-i janë neutral karshi ndryshimeve kushtetuese të vitit 2018 në raport me mandatin e FSK, pra KFOR njeh FSK-në sipas mandatit, sipas ligjeve që kanë qenë para vitit 2018, në dhjetor të 2018 kuvendi i Kosovës ka votuar për ndryshimin e këtyre ligjeve duke i dhënë mandat ushtarak FSK. Dhe ky mandat është pranuar nga pothuajse të gjitha vendet e NATO-së në aspektin bilateral. Pra ne sot po ndërtojmë kapacitetet ushtarake të FSK pikërisht duke iu referuar raporteve bilaterale që kemi me SHBA-të, Britaninë e Madhe, Turqinë, Gjermaninë me Italinë por edhe me vendet e tjera, që njohin ndryshimet ligjore që i kanë dhënë mandat ushtarak FSK-së. Pra ky është një deklarim që vazhdon të jetë i tillë, dhe dihet që mandati i kaluar i FSK-së ka qenë forcë e armatosur lehtë me qëllim të realizimit të operacioneve të mbrojtëse civile, kurse prej vitit 2018 janë tri detyre kyçe për tëp cilat autorizohet FSK-ja, është mbrojtja e territorit, mbështetja ushtarake për autoritetet civile dhe është pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse. Ne do të vazhdojmë që të diskutojmë me partnerët tanë në NATO që edhe NATO të njoh mandatin e ri të FSK-së’’, ka thënë ai mes tjerash.

  • Krasniqi: Do të hyj në koalicion vetëm me Kurtin kryeministër

    Krasniqi: Do të hyj në koalicion vetëm me Kurtin kryeministër

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se do të hyjë në koalicion vetëm me Kurtin kryeministër.

    Ai tha se s’mund të flasë në emër të minoriteteve tjera jo serbe se me kë do ta bëjnë koalicionin.

    “Po, në bashkëpunim me kryeministrin Kurti do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe tashmë është shumë mirë i definuar ky partneritet i joni që fillon nga viti 2019 kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar të VV-së, kështu që gjithçka është parimore dhe është e bazuar në këtë mirëbesimin e krijuar në këto katër vite si ministër, kështu që s’ka asnjë dyshim që do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe do të jem vetëm pjesë e një koalicioni ku kryeministër është Kurti”, tha Krasniqi.

    “Por nga diskutimet që kam edhe me kolegë tjerë që janë në qeveri, partnerë kësaj qeverie, vullneti i gjithë tyre është që të jenë pjesë e Qeverisë Kurti 3 e cila do të jetë në ardhje shumë shpejt”, shtoi ai.

  • SHBA rrit tarifat ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, BE përgjigjet me kundërmasa

    SHBA rrit tarifat ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, BE përgjigjet me kundërmasa

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zyrtarisht ka rritur tarifat ndaj të gjitha importeve të çelikut dhe aluminit në 25 për qind më 12 mars, duke premtuar se tarifa do të ndihmojë krijimin e vendeve të punës në fabrikat në SHBA, në një kohë kur kërcënimet e tij me tarifa kanë tronditur tregun global, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Bashkimi Evropian tha se do të përgjigjet ndaj hyrjes në fuqi të tarifave amerikane me kundërmasa.

    Trump hoqi të gjitha përjashtimet e bëra nga tarifat e vendosura nga ai më 2018 ndaj metaleve, duke rritur po ashtu tarifat për aluminin nga 10 në 25 për qind.

    Ndaras, Trump ka vendosur tarifa të veçanta ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës dhe po ashtu ka thënë se ka në plan që të vendosë tarifa ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, Brazili dhe Koreja e Jugut me qëllim që të vendosë taksa “reciproke” që do të hyjnë në fuqi më 2 prill.

    Trump u tha udhëheqësve të biznesit gjatë një tryeze diskutimi të martën se tarifat po bëjnë që kompanitë të investojnë në fabrikat amerikane.

    Po të martën, Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa prej 50 për qind ndaj çelikut dhe aluminit nga Kanadaja, por vendosi që kjo masë të jetë në 25 për qind pasi provinca e Ontarios hoqi dorë nga planet për të vendosur një tarifë shtesë ndaj energjisë elektrike që shet në Miçigan, Minesota dhe Nju Jork.

    BE-ja, ndërkaq, më 12 mars njoftoi për kundërmasa që tha se do të hyjnë në fuqi më 1 prill, pas njoftimit të Trumpit për tarifa prej 25 për qind ndaj të gjitha importeve të çelikut dhe aluminit.

    “Teksa SHBA-ja po vendos tarifa në vlerë prej 28 miliardë dollarësh, ne po përgjigjemi me kundërmasa në vlerë prej 26 miliardë eurosh [28 miliardë dollarë]”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një deklarate.

    KE-ja menaxhon konfliktet tregtare dhe komerciale në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së.

    “Ne gjithmonë mbesim të hapur për negociata. Ne besojmë fuqishëm që në një botë të mbushur me pasiguri gjeopolitike dhe ekonomike, nuk është në interesin tonë të përbashkët që të rëndojmë ekonomitë tona me tarifa”, tha von der Leyen.

    KE-ja tha se nga kundërmasat do të goditen produktet e çelikut dhe aluminit, por edhe të tekstilit, prodhimet e lëkurës, pajisjet shtëpiake, produktet të plastikës dhe drurit. Produktet bujqësore do të preken po ashtu, përfshirë shpendët, mishi i viçit, disa produkte deti, frutat e thata, vezët, sheqeri dhe perimet.

    Më 2018, gjatë mandatit të parë presidencial, Trump kishte vendosur tarifa ndaj aluminit dhe çelikut, por ato humbën efektin për shkak të përjashtimeve të bëra.

    Pasi Kanadaja dhe Meksika ishin pajtuar me kërkesën e tij për rishikimin e një marrëveshjeje tregtare të Amerikës së Veriut më 2020, këto dy shtete shmangën taksa ndaj importeve të metaleve. Partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-së kishin kuota për import të cilat zëvendësuan tarifat. Po ashtu, gjatë mandatit të parë të Trumpit, u lejua që kompanitë amerikane të kërkonin përjashtime nga tarifat, nëse, për shembull, nuk mund të gjenin sasinë e nevojshme të çelikut te prodhuesit vendas.

    Përderisa tarifat e Trumpit mund të ndihmojnë fabrikat e çelikut dhe aluminit në SHBA, ato mund të rrisin çmimet për prodhuesit që i përdorin metalet si lëndë të parë.

    Trump i sheh tarifat si një mënyrë për të rritur fabrikat vendase dhe Shtëpia e Bardhë ka theksuar se Volvo, Volkswagen dhe Honda po e shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të pranisë së tyre në SHBA. Megjithatë, mundësia e çmimeve më të larta, shitjeve më të ulëta dhe fitimeve më të vogla mund të bëjë që disa kompani të hezitojnë që të investojnë në objekte të reja prodhimi. /REL

  • ​Maqedonci: Marrëveshja me SHBA-në ka qëllim avancimin e bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

    ​Maqedonci: Marrëveshja me SHBA-në ka qëllim avancimin e bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar të mërkurën nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se kjo marrëveshje ka për qëllim që të dyja palët të angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

    “Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike në bashkëpunim me shtetet aleate, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dyja palët të angazhohemi në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike dhe ngritje të kapaciteteve strategjike ushtarake. Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, cenimit për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, deklaroi ai.

    Qeveria i dha dritën e gjelbër edhe marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë me Slloveninë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm.

    “Arritja e marrëveshjes për sigurinë në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Sllovenisë është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte. Forcimi, bashkëpunimi dypalësh, sigurimi i informacioneve të klasifikuara, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe mbështetja për integrim euroatlantik”, tha Kurti.

    Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar tri marrëveshje mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se marrëveshja e parë është për transferimin e personave të dënuar.

    “Qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë, vendosja e drejtësisë dhe rehabilitimi social i personave të dënuar, duke mundësuar ekzekutimin e sanksioneve penale në shtetin vendbanimit të përhershëm të personit të dënuar. Kjo marrëveshje rregullon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përmes transferimit të personit dënuar në rastet kur një shtetas i shtetit të administrues është duke vuajtur dënimin në shtetin dënues dhe kërkon transferimin në shtetin administrues me qëllim të rehabilitimit social”, tha ajo.

    Marrëveshja e dytë e miratuar është nisma për marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkaq, marrëveshja e tretë është për ekstradim, për çka Haxhiu tha se bazohet në zotimin e Kosovës për të zhvilluar partneritet evropian.

    Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ndër tjera, u miratua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për menaxhimin e grant-kontratës të asistencës teknike, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Shqipëri.

    Nismë për lidhje të marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për menaxhimin e grant-kontratës të asistencës teknike, kabineti qeveritar miratoi edhe me Malin e Zi. /kp

  • Korenica tregon se a do të garojë Koalicioni për Familje në zgjedhjet lokale

    Korenica tregon se a do të garojë Koalicioni për Familje në zgjedhjet lokale

    Kandidati për deputet nga Koalicioni për Familje, Visar Korenica, në emisionin COMPASS në ATV, tha se ende nuk ka një vendim të prerë nëse ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

    Sipas tij, vendimmarrja varet nga konsultimet dhe organizimi i projektit të tyre politik në terren.

    “Nuk kanë ndonjë vendimmarrje të caktuar, sepse nuk janë kryer ende konsultimet e nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Çfarëdo vendimmarrjeje e ardhshme do të ketë një emër, një projekt dhe një orientim konservator politik që do t’i përfaqësojë kandidatët tanë potencialë”, tha Korenica.

    Ai tha se nëse arrijnë të organizohen si duhet, do të angazhohen edhe në zgjedhjet lokale.

    “Gjithçka varet nga sa do të mund të organizohemi me projektin e ri politik. Nëse koha dhe organizimi na premtojnë, pse jo, me shumë kënaqësi”, u shpreh Korenica.

    Deklaratën e plotë të Visar Korenicës në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

    Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

    Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje, Kosova dhe SHBA-ja angazhohen për avancimin e bashkëpunimit “në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kjo nismë është në përputhje me qëllimet e Kosovës për integrimin në të madh euroatlantik.

    “Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, thellimit të kërcënimeve për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Maqedonci gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    Ekzekutivi nuk dha detaje të tjera lidhur me nismën për lidhjen e kësaj marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

    Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe kanë dhuruar pajisjeve të ndryshme ushtarake.

    Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me SHBA-në, por edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

    Po ashtu, janarin e vitit të kaluar SHBA-ja njoftoi se Kosova kishte bërë kërkesë për blerjen e mbi 200 sistemeve kundërajrore,Javelin, që prodhohen në SHBA.

    Për shitjen e këtyre sistemeve, të cilat pritet t’i kushtojnë Kosovës 75 milionë dollarë, Uashingtoni ende nuk ka marr vendim. /REL