ATV

Author: ATVLive

  • Themelimi i Asociacionit i rëndësishëm për Kosovën

    Themelimi i Asociacionit i rëndësishëm për Kosovën

    Mosnjohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë peng për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

    Parakusht sipas diplomatëve ndërkombëtar është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Ndërkohë në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, që u mbajt tre ditë më parë, Escobar potencoi se themelimi i asociacionit ka rëndësi sa i përket raporteve të Kosovës me pesë vendet mos-njohëse.

    “Një nga gjërat që këto pesë vende kanë kërkuar është implementimi i plotë i marrëveshjes bilaterale. Për disa arritja e një marrëveshje finale luan rol krucial për synimet e tyre politike. Për t’i hapë rrugë këtij presioni ne duhet të shohim implementim. Dhe nga ana e Kosovës, njerëzit presin që Kosova të implementojë Asociacionin”, tha Escobar.

    Megjithatë, analisti Tomor Avdiaj, vlerëson se themelimi i asociacionit, nuk do shënonte hapin kyq që do qonte drejt një njohjeje të shpejtë nga pesë vendet mos-njohëse.

    “Kërkesa e atyre është për zbatimin e këtij plani, por nuk mendoj që pas themelimit të asociacionit do të ketë njohje të shpejtë nga këto vende, pasi ato vende presin një raport tjetër. Ato presin që Serbia të jetë dakorduar për shumë gjëra, duke përfshirë këtu edhe një llojë njohje De-Jure”, tha Avdiaj.

    Ndërkaq, pesë vendet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin ende Kosovë janë Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

    Ndërkaq, gjatë mbledhjes së komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan Escobar dhe Chollet theksuan se nuk përkrahin asnjë formë të Republika Srpskës në Kosovë. /atvlive.tv

  • FSK-ja pjesë e ushtrimit amerikan “Defender 23”, rreth 1300 ushtarë të kosovës pjesë e operacionit

    FSK-ja pjesë e ushtrimit amerikan “Defender 23”, rreth 1300 ushtarë të kosovës pjesë e operacionit

    Kosova do të jetë nikoqire e organizimit ushtrimit më të madh ushtarak të SHBA-së që nga lufta e dytë botërore.

    Në mesin e 25 vendeve të botës, 1300 ushtarë nga Kosova do të jenë bashkë me mbi 22 mijë ushtarë nga shtetet pjesëmarrëse në ushtrimin ndërkombëtar “Defender 2023”.

    Ky sipas komandantes supreme të Ushtrisë së Kosovës, është simbol i vendosmërisë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në botë.

    “Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti e bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurte e paqësore. Objektivi kryesor është që ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftërave të ShBA-ve dhe forcave aleate kundër agresorëve të mundshëm. Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për forcën tonë të sigurisë”, tha Osmani.

    siguria e kontinentit evropian, sipas kryeministrit Kurti është interes jetik i Kosovës, si shtet që beson në atë që e do – të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, paqe dhe demokracinë.

    “Defender 2023 po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë, dhe se që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejtë jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por edhe mbarë botës, prandaj përgatitja për tu përballë me kërcënime të paparashikueshme është e domosdoshme”, tha Kurti.

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj vlerëson se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të përmbushur cdo detyrë.

    “Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është i qartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, tha Mehaj.

    Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, përgëzoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, për arritjet gjatë këtyre viteve.

    “Këtu në pjesën e stërvitjes në Ballkan, na vjen shumë mirë që po e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës si një prej kontribuesve më të mëdhenjtë të këtij ushtrimi me pjesëmarrjen e 1 mijë e 300 vetave. Me siguri më është thënë që kjo është ndërmarrja më e madhe dhe më ambicioze që FSK-ja ka ndërmarrë deri tani. Në më pak se katër vjet prej krijimit të FSK-së, kemi qenë të mahnitur dhe të lumtur me përparimin e FSK-së dhe me mirënjohjet e shumta gjatë historisë së saj profesionale”, tha Hovenier.

    Në këtë ushtrim ushtarak të SHBA-së, Kosova merr pjesë për herë të dytë, derisa ushtarëtë e FSK-së janë në mesin e ushtrive të shteteve të ndryshme që do të marrin pjesë në këtë stërvitje që do të mbahen në Babaj të Bokës së Gjakovës. /atvlive.tv

  • Escobar: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës

    Escobar: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës.

    Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

    “Në Serbi janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave të tjera. Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në fakt, nuk është pritshmëri. Është obligim”, tha Escobar.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

    “Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”.

    Ai përkujtoi se marrëveshja mes dy palëve është ligjërisht e detyrueshme dhe se tani shtrohet pyetja se si të zbatohet plotësisht.

    Escobar tha se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “mund të tregojnë guximin e nevojshëm politik për të ndërmarrë hapat e duhur”.

    Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin për zbatimin e saj. /REL

  • Bajrami: MF-ja i ka bllokuar 37.5 milionë euro, mjete vetanake të komunave

    Bajrami: MF-ja i ka bllokuar 37.5 milionë euro, mjete vetanake të komunave

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka akuzuar Ministrinë e Financave që buxhetin e planifikuar me Ligj për këtë vit e ka 3.2 miliardë euro, por sot e kësaj dite i mbanë të bllokuara 37.5 milionë euro, mjete këto vetanake të komunave.

    Bajrami ka shkruar në Facebook se si pasojë, janë qindra projekte kapitale që komunat as nuk mund t’i iniciojnë, sepse ministri i financave, Hekuran Murati, nuk lejon Thesarin ta bëj alokimin e mjeteve financiare.

    “Kush i ka fajet”, ka shkruar ajo.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë ka thënë se Ministria që udhëheq nuk është duke bllokuar të hyrat vetanake komunale.

    Ai në seancën e Kuvendit, e sqaroi edhe gjithë procesin teksa tha se po manipulohet me Ligjin për Buxhetin.

    “Po manipulohet se çfarë ka ligji i buxheti, MF-ja nuk ka problem me interpretime të buxhetit aty shkruan shumë mirë se të hyrat vetanake komunale nga viti 2022 barten në vitin 2023, opozita LDK-ja në këtë rast po kushtëzon barti edhe të hyrat e viteve paraprake kështu duke shkelur ligjin pasi kjo nuk parashihet në ligj. Këta pikërisht për këtë e kanë bërë një amendament kur ka qenë votimi në lexim të dytë i ligjit të buxhetit dhe patën thënë që e kanë rregulluar këtë çështje tash po del që s’është ashtu. Unë kërkoj që LDK-ja nëse kërkon të zbatohet duhet të ketë amendament të ligjit, Ministria e Financave nuk është duke e blloku procesin”, tha ai.

  • Mehaj konfirmon blerjet e pajisjeve ushtarake: Do ta mbrojmë atdheun e çliruar nga UÇK-ja

    Mehaj konfirmon blerjet e pajisjeve ushtarake: Do ta mbrojmë atdheun e çliruar nga UÇK-ja

    Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka treguar për punën që FSK-ja ka zhvilluar deri më tani.

    Ai është shprehur se rrugëtimi i Kosovës është i qartë e që është anëtarësimi në NATO, për të cilin ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht.

    Mehaj tha se “e kaluara na ka mësuar që për ta fituar lirinë duhet të derdhësh gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet të derdhësh mund dhe djersë”.

    “Republika e Kosovës do të ketë mbi 1 mijë e 300 ushtarak, do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarak që do jenë pjesëmarrës. Rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetmi, anëtarësimi në NATO”, tha ai.

    Këto fjalë ai i tha gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023”. Mes tjerash, ai konfirmoi se janë blerë pajisje të reja ushtarake, pasi para disa ditësh u raportua se Kosova ka blertë dronë “Bayraktar” nga Turqia.

    “Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është i qartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, u shpreh ai.

    “Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”.

  • Studimi i britanikëve: Prishtina, kryeqyteti ku mund të blihet më lirë një shtëpi

    Studimi i britanikëve: Prishtina, kryeqyteti ku mund të blihet më lirë një shtëpi

    DailyMail, duke u bazuar në një studim të ri tregon se Prishtina, është kryeqyteti europian ku mund të blihet më lirë një shtëpi.

    Duke bërë një krahasim, çmimi i banesave në Mbretërinë e Bashkuar shkon mesatarisht 294,910 £, ndërsa në Londër kushtojnë gati dyfish.

    Mirëpo, nëse në Britani me këtë çmim mund të blini një shtëpi normale, në Kosovë mund të merrni në super vilë.

    Studimi vë në pah se me 250,000 £ në Prishtinë mund të blihet një shtëpi me pesë dhoma gjumi me tre tualete, një garazh dhe kopsht të madh.

    Pronat në qytet kushtojnë 577 £ për metër katror, e ndërsa në Londër mesatarisht 8,091 £ për metër katror. Në vendin e dytë renditet Jerevani i Armenisë.

  • Mehaj: Rruga jonë e vetme është anëtarësimi në NATO

    Mehaj: Rruga jonë e vetme është anëtarësimi në NATO

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi se ‘Defender Europe 23” është stërvitje e Kosova në këtë stërvitje do të marrë pjesë më 1.300 ushtarë.

    Ai tha se plani ka filluar para një viti e gjysmë dhe sipas standardeve të NATO-s. “Rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në NATO”, tha ministri Mehaj.

    U deklaroi e Kosova do të përmbushë çdo detyrë të paraqitur në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe euro-atlantike.

    Mehaj tha se të gjitha vendet partnere janë bashkuar me një qëllim të përbashkët e që patjetër sipas tij, do t’i shërbejë botës edhe paqes.

    “Ushtria e Kosovës, me intervenimet e saj e zbarkimet jashtë vendit e operacione ndërkombëtare, ka dëshmuar që është aleate e besueshme e partnereve tanë, me në krye SHBA-në”, tha ministri Mehaj.

  • Investitorë nga Zvicra me ambasadorin Kelly ne Gjakovë, janë të interesuar në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

    Investitorë nga Zvicra me ambasadorin Kelly ne Gjakovë, janë të interesuar në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

    Gjatë kësaj jave, Kryeministri i vendit, z. Albin Kurti, bashkë me ambasadorin e Zvicrës, z. Kolly, ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë dhe disa investitorë nga Zvicra morën pjesë në inaugurimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura në Gjakovë, siç njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Ky projekt është zbatuar përmes Bankës për Zhvilli dhe Konfederatës Zvicerane përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), si dhe me kontributin vetanak të Komunës së Gjakovës.

    Në këtë takim morën pjesë gjithashtu ministri i ambientit dhe infrastrukturës, Liburn Aliu, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe Fjolla Lasku, drejtoresha e Impiantit në Gjakovë, dhe Ilmi Cakolli, veprimtar i njohur në Zvicër.

    Nga takimi i mëparshëm me z. Lajçak, Kryeministri shkoi drejt Gjakovës për të përuruar impiantin e tretë të ujërave të ndotura, në dy vitet e fundit.

    Impianti i ri në Gjakovë vjen pas atyre në Prizren dhe Pejë, dhe i paraprin atyre në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, synohet që brenda pesë viteve të ardhshme t’i kenë impiantet e tyre në shtatë qytetet kryesore, ndërsa në vetëm në dy vite janë siguruar mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.

    Nga shuma totale prej 16.8 milionë eurosh që ka kushtuar ky projekt i rëndësishëm, 6 milionë euro janë kontribut i Bankës Zhvillimore Gjermane, 7.6 milionë euro vijnë nga Qeveria Zvicerane dhe 3.2 milionë euro janë shtuar nga Komuna e Gjakovës.

    Zvicra deri tani ka dhënë mbi 600 milionë CHF për demokracinë, integrimin dhe zhvillimin e Kosovës.

    Zvicra ka dhënë 86 milionë euro për Kosovën me qëllim të mbështetjes së projekteve ekonomike, zhvillimit të demokracisë dhe kapaciteteve ujore. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori zviceran, Thomas Kolly.

    Ky program i bashkëpunimit zviceran me Kosovën ishte paraparë të realizohej për vitet 2022-2025 me investime në vlerë prej 86 milionë eurosh në fushat e “Qeverisjes demokratike dhe paqes”, “zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm” dhe “fushën e klimës dhe ujit”.

    Në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, ambasadori zviceran në Prishtinë, z. Thomas Kolly, tha: “Rreth 200,000 persona me origjinë kosovare jetojnë në Zvicër dhe kontribuojnë aktivisht në ekonominë, kulturën dhe politikën tonë vendase. Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë, me mbi 480 milionë euro. Zvicra ka ofruar ndihmë të rëndësishme për Kosovën që nga viti 1998. Deri tani, ajo ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri bilateral i tretë në zhvillimin e Kosovës. Ne jemi të bindur se ndihma zvicerane mbështet me efektivitet synimet e Kosovës për integrimin evropian dhe kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve kosovarë.”

  • Hovenier: Kosova, nga vend konsumi, në shtet që eksporton siguri

    Hovenier: Kosova, nga vend konsumi, në shtet që eksporton siguri

    Ceremonia e fillimit të stërvitjes “Defender Europe 2023” filloi me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Nga ana e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se është nder dhe kënaqësi të jetë prezent në këtë ceremoni.

    Ai tha se kjo ngjarje është arritje e madhe e Kosovës dhe paraqet përforcim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Derisa po shohim pasojat e tmerrshme të luftës së nisur nga Putini në Ukrainë, është shumë relevante një ushtrim i tillë”, tha Hovenier.

    Ai u shpreh se “Defender Europe 2023” është një ushtrim shumëkombësh, i hartuar për të rritur ndërveprimin midis SHBA-së dhe 26 shteteve të tjera.

    Ai tha se ky ushtrim drejtohet nga komanda e SHBA-së. Hovenier tha se kjo bëhet për të siguruar edhe aleatët dhe për të zmbrapsur ata që rrezikojnë dhe për të mbrojtur kontinentin evropian nga agresioni.

    Diplomati amerikan u shpreh se një nga qëllimet është që të demonstrohet përkushtimi i aleatëve dhe partnerëve për të rritur shkallën, kapacitetin dhe ndërveprimin e tyre.

    Ai tha se në këtë stërvitje janë mbi 9 mijë pjesëtarë të personelit amerikan të cilët do t’i bashkohen 17 mijë ushtarëve të tjerë.

  • Kurti në ushtrimet “Defender Europe ’23”: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet është e domosdoshme

    Kurti në ushtrimet “Defender Europe ’23”: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet është e domosdoshme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023” tha se FSK radhitet e katërta në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim.

    “Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes por edhe për përkushtimin e palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike”, tha ai.

    “Siguria kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmën e Evropës, por mbarë botës. Prandaj përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme. Ashtu sic është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ushtrimit “Mbrojtësi i Evropës 2023”, deklaroi Kurti.

    “Edhe ky togfjalëshi ‘Stronger together’ është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut ‘Bashkimi bën fuqinë’”, tha kryeministri.