ATV

Author: ATVLive

  • Escobar: Ka rrezik që Rusia të ndikojë në zgjedhjet në Mal të Zi

    Escobar: Ka rrezik që Rusia të ndikojë në zgjedhjet në Mal të Zi

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar se ekziston rreziku i ndërhyrjes ruse në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi.

    Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, MINA, Escobar tha se ky rrezik ka ekzistuar gjithmonë edhe në zgjedhjet në SHBA.

    “Të jeni të sigurt se ata do të përpiqen të përdorin të gjitha dallimet dhe të gjitha metodat e vendosura – bots dhe dezinformata në përpjekje për ta devijuar Malin e Zi nga rruga e tij europiane. Prandaj, po, më shqetësojnë zgjedhjet jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon”, tha Escobar.

    Ai tha se nga ana tjetër qytetarët e Malit të Zi kanë bërë zgjedhjen e duhur.

    “Sa herë që qytetarët duhej të bënin zgjedhje, ata zgjodhën të vetmen rrugë reale përpara Malit të Zi – integrimin euroatlantik”, shtoi Escobar.

    Escobar tha se “kushdo që e mban Malin e Zi në kursin e tij europian, kushdo që mbetet i përkushtuar ndaj detyrimeve të Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO dhe që është aleat në luftën kundër korrupsionit, mund të presë mbështetjen e SHBA-së”.

    Për këtë ai i dha merita ish-presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, për të cilin tha se e udhëhoqi vendin në një rrugë shumë të mirë përmes pavarësisë kombëtare përmes anëtarësimit në NATO dhe përmes afirmimit të anëtarësimit të vendit në BE.

    “Mendoj se ajo që kemi parë është vazhdimi i praktikës që Mali i Zi të zgjedhë njerëz që duan të shkojnë në Europë. Dhe ne (SHBA) duam t’ju ndihmojmë në këtë”, tha Escobar.

  • Jo vetëm nga Ballkani, Gjermania po kërkon punëtorë edhe nga këto vende

    Jo vetëm nga Ballkani, Gjermania po kërkon punëtorë edhe nga këto vende

    Në kërkimin e saj për fuqi punëtore, Gjermania synon të fokusohet në vende jashtë Evropës, si Brazili, Meksika dhe Indonezia, tha Ministri i Punës Hubertus Heil.

    “Së bashku me përfaqësuesit e ekonomisë, ne po punojmë për një strategji në vendet ku ka shumë më shumë punëtorë të rinj dhe të kualifikuar në tregun e punës sesa mund të thithin tregjet vendase të punës,” tha Ministri Heil (Partia Social Demokrate e Gjermanisë, SPD) në një intervistë me të përditshmen Neue Osnabruecker Zeitung.

    Heil tha se do t’i kushtohet vëmendje që të mos privohet tregu i brendshëm i punës nga ekspertët e nevojshëm. Ai tha se ishte një situatë “win-win”.

    “Ne përfitojmë, por edhe vendet e origjinës. Do të investojmë në formimin profesional të të rinjve aty për aty dhe personat që do të vijnë në Gjermani do të përfitojnë nga një punë e mirëpaguar që u jep mundësinë të financojnë familjet e tyre në shtëpi”, tha Heil.

    Marrëveshjet me një sërë vendesh

    Heil duhet të udhëtojë në Brazil me ministren e Jashtme Annalena Baerbock në qershor për të diskutuar mundësinë e sjelljes së më shumë infermierëve, të cilët janë shumë të nevojshëm nga tregu gjerman i punës.

    Marrëveshje të ngjashme duhet të lidhen me Meksikën dhe Indonezinë, dhe Heil tashmë vizitoi Ganën në shkurt me të njëjtin qëllim.

    Siç raporton shërbimi publik ARD, qeveria gjermane po zhvillon gjithashtu diskutime për tërheqjen e fuqisë punëtore me Kolumbinë, Tunizinë, Marokun, Egjiptin, Indinë, Filipinet dhe Vietnamin.

    Përveç fuqisë punëtore të kualifikuar në fushën e kujdesit, nga vendet e përmendura duhet të vijnë edhe punëtorë të tjerë të nevojshëm për tregun gjerman të punës.

    Siç njoftoi Instituti për Ekonominë Gjermane (IW), në fund të vitit 2022, më shumë se 630,000 vende pune u raportuan në agjencitë e punësimit në Gjermani, të cilat nuk mund të plotësoheshin për shkak të mungesës së një fuqie të caktuar punëtore.

    Kushte më të mira pune

    Vetëm 33 punëtorë të kualifikuar janë në dispozicion për 100 vende pune të hapura në sektorin e kujdesit të huaj.

    Presidenti i Fondacionit për Mbrojtjen e Pacientëve, Eugen Brysch, kritikoi njëkohësisht importimin masiv të infermierëve dhe vuri në dukje se potenciali për plotësimin më të lehtë të pozitave të hapura në sektorin e kujdesit ekziston edhe tani në Gjermani, por se kushtet e punës duhet të përmirësohen në mënyrë që për të përdorur këtë potencial dhe vendet e punës u bënë më tërheqëse.

    “Disa qindra infermierë nga Brazili nuk do t’i zgjidhin këto probleme. Është e nevojshme të përmirësohen kushtet në këtë sektor”, tha Brysch. Ai paralajmëroi se shumë ish-kujdestarë janë ritrajnuar për profesione më pak stresuese dhe më të paguara.

    Vlerësohet se sektori privat i kujdesit të huaj tashmë do të shembet pa punëtorët e shumtë nga Evropa Lindore që janë të punësuar në familje. Paga mesatare vjetore bruto në sektorin e kujdesit është afro 40,000 euro.

  • Lajçak thotë se u arrit “njëfarë progresi” në dialog, paralajmëron takime të ardhshme

    Lajçak thotë se u arrit “njëfarë progresi” në dialog, paralajmëron takime të ardhshme

    Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar diskutime mes ekipeve të negociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë për javët në vazhdim.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se javën e kaluar në bisedimet që i pati me kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë për dialogun arritën njëfarë progresi.

    “Përderisa kjo javë nis me pikat e tjera të mandatit tim, java e kaluar ishte tërësisht e fokusuar në atë kryesoren – dialogun për normalizim. E nisa duke pritur kryenegociatorët për një raund tjetër të negociatave të dialogut në Bruksel”.

    “Ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam t’i qartësojmë çështjet që kanë mbetur të hapura. Ndërsa gjetja e bazës së përbashkët mund të jetë sfiduese, ne arritëm njëfarë progresi. Diskutimet tona do të vazhdojnë sërish në javët në vijim”, ka thënë Lajçak.

    “Përderisa kjo javë nis me pikat e tjera të mandatit tim, java e kaluar ishte tërësisht e fokusuar në atë kryesoren – dialogun për normalizim. E nisa duke pritur kryenegociatorët për një raund tjetër të negociatave të dialogut në Bruksel”.

    “Ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam t’i qartësojmë çështjet që kanë mbetur të hapura. Ndërsa gjetja e bazës së përbashkët mund të jetë sfiduese, ne arritëm njëfarë progresi. Diskutimet tona do të vazhdojnë sërish në javët në vijim”, ka thënë Lajçak.

  • Kosova do të përfshihet në një raport të NATO-s

    Kosova do të përfshihet në një raport të NATO-s

    Kuvendi i Kosovës bën të ditur se një delegacion i kryesuar deputeti Driton Hyseni është duke qëndruar në ditën e dytë të punimeve të sesionit pranveror të Asamblesë së Parlamentare të NATO-s.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se delegacioni i Kosovës se kishin takime me delegacionin e Kanadasë, SHBA-së, Danimarkës, Gjermanisë, Sllovakisë, si dhe me delegacionet e Holandës e Finlandës.

    “Temat e diskutimit përfshinin kërkim-mbështetjen e Kosovës në proceset e përfshirjes sa më të madhe të delegacionit te Kuvendit të Republikës se Kosovës në AP të NATO-s, si dhe ne institucionet e organizatat tjera ndërkombëtare”.

    “Gjithashtu, në sesionin e Komisionit për Politikë, Driton Hyseni ngriti çështjen e përfshirjes në mënyrë specifike të Kosovës në raportin e Audronius Azubalis ‘E ardhmja e politikës së dyerve të hapura të NATO-s’, ku përfshihen vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”.

    “Pas diskutimit të kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës, raportuesi e pranoi se do të bëjë përfshirjen e Kosovës në raportin e këtij viti”, thuhet në njoftim.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimin ndaj krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Edhe sot do të flas dëshmitari i pestë i cili filloi dhënien e dëshminë, javën e kaluar, një pjesë e së cilës u dha në seancë private dhe një pjesë në seancë publike.

    Ndryshe javën e kaluar, ka dhënë dëshminë edhe dëshmitari i katërt i thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët vazhdoi dhënien e dëshmisë.

    Gjatë kësaj kohe Mbrojtja mori në pyetje dëshmitarin. Dëshmitari e dha dëshminë në seanca private.

    Po ashtu Trupi Gjykues shprehu shqetësimin se pothuajse të gjitha dëshmitë deri tani në këtë çështje gjyqësore janë dhënë në seanca private ose të mbyllura, dhe u kujtoi palëve se është në interesin publik që ky proces të zhvillohet, për aq sa është e mundur, në mënyrë publike.

    Trupi Gjykues udhëzoi palët të mbajnë parasysh parimin e procesit publik dhe lëshoi një urdhër gojor ku kërkoi parashtrime mbi hapat konkretë për të siguruar një shkallë më të lartë publiciteti të procesit gjyqësor.

    Seancat në DHSK janë publike përveçse kur Trupi Gjykues vendos të mbajë seancë të mbyllur ose të kalojë në seancë private në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.

    Sipas rastit, Trupi Gjykues vendos që pjesë të procesit gjyqësor t’i mbajë në seanca private ose të mbyllura dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave.

    Mbrojtja, Prokuroria, ose mbrojtësi i viktimave mund të kërkojnë që e gjithë seanca, ose pjesë të saj, të mbahet në seancë private ose të mbyllur. Vendimi i gjykatësve për miratimin ose jo të kërkesës merret pas shqyrtimit të kujdesshëm, ndër të tjera edhe të rrethanave specifike të dëshmisë ose argumenteve të planifikuara për atë ditë.

    Gjykatësit kujdesen që të balancojnë nevojën për të mbrojtur dëshmitarët me të drejtat e të akuzuarve.

    “Pra, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre mund të dëgjojnë se çfarë thotë dëshmitari dhe kanë të drejtë ta marrin në pyetje dëshmitarin”, Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së në inforimin javor.

    Në Urdhrin mbi Zhvillimin e Gjykimit, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët bëri të qartë se “argumentet ligjore dhe paraqitja e provave nga palët dhe pjesëmarrësit do të bëhet në seanca të mbyllura ose private vetëm kur të jetë absolutisht e domosdoshme.

    Seancat në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për këtë javë janë planifikuar të vazhdojnë nga sot deri të mërkurën.

  • Kurti sot pret në takim senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters

    Kurti sot pret në takim senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të pres në taim dy senatorë amerikane, Chris Murphy dhe Gary Peters.

    Kështu ka treguar zyra e kryeministrit teksa ka publikuar agjendën e Kurtit për sot.

    Takimi me senatorët do të nis në ora 15:00.

    Ky takim me senatorët nuk përbën gjithë agjendën e kreut ë ekzekutivit.

    Kurti në ora 10:00 do ta vizitojë Qendrën Korrektuese të Dubravës, me rastin e 24-vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës. Ndërsa, në ora 18:00 kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e ”Bibliotekës së Adem Demaçit”.

  • Rruga Pestovë-Druar plot gropa

    Rruga Pestovë-Druar plot gropa

    Rruga Pestovë-Druar në Komunën e Vushtrrisë është e dëmtuar pothuajse çdo 3-4 metra.

    Për këtë rrugë sipas banorëve, askush nuk u interesua derisa e njëjta në këtë gjendje është tashmë me vite.

    Në shtator të vitit 2021, deputetja Fjolla Ujkani kishte njoftuar se me shumicë votash të deputetëve kishte kaluar amendamenti që ajo kishte propozuar për rindërtimin e rrugës Druar-Pestovë. Shuma e projektit arrinte në 350 mijë euro.

    Por, përse fillimet në rregullimin e rrugës nuk filluan, Ujkani nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në.

    Në anën tjetër, Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi thotë se kurrë s’ka marrë përgjigje as nga Ministria e Infrastrukturës për këtë projekt.

    Por, sipas tij deri në shtator të këtij viti, komuna e Vushtrrisë do të planifikojë në linjën buxhetore rindërtimin e rrugës.

    Në gjendje më të mirë nuk është as rruga e fshatit Samadrexhë ku në mes tjerash mungon edhe rrjeti i kanalizimit. /atvlive.tv

  • Që 3 vjet Kosova s’ka ligj për investime strategjike

    Që 3 vjet Kosova s’ka ligj për investime strategjike

    Tash e tri vjet Kosova nuk ka ligj për investimet strategjike. Ndërkohë që as projektligji për investime të qëndrueshme ende nuk është shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit po u shkakton telashe të mëdha.

    “Ky ligj ka disa vite që është dashtë të vazhdohet dhe të ndryshohet dhe fatkeqësisht është shtyrë shumë. Kjo është një nga urgjencat më të mëdha që i duhet Kosovës në mënyrë që të nxisim investime vendore dhe të huaja për të pasur mundësi tërheqjen e këtyre investimeve dhe mundësinë që investimet që janë duke pritë me vite, të cilat fatkeqësisht një pjesë e madhe janë kthyer nga ligji i mëhershëm për investime strategjike të mund të jepet mundësi të kthehen”, tha kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi.

    Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, Qeveria është vonuar në procedimin e këtij ligji.

    “Është shumë e nevojshme që të procedohet më shpejtë Projektligji i ri për investime të qëndrueshme. Është një ligj i mirë punuar, shumë më i avancuar sesa ligji që është për momentin, sepse ligji që është në fuqi nuk ka qenë edhe shumë lehtësues për sjelljen e investimeve të huaja. Së paku, në ligjin e ri janë të parapara kriteret, kushtet, janë të parapara edhe fusha ku shteti i konsideron si fusha për investime strategjike”, tha Rafuna.

    Pakënaqësi lidhur me mos procedimin e ligjit, kanë shprehur edhe deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Parimisht qeveria është vonuar shumë, sepse tashmë po bëhet më shumë se një vit që institucionet e shtetit nuk kanë ligj për investime strategjik. Kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së qeverisë dhe paaftësisë për të hartuar një ligj kompatibil me nevojat dhe rrethanat ekonomike që ka Kosova”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Sa i përket investimeve strategjike, Kosova ka ngecur edhe për shkak të mungesës së ligjit, mirëpo edhe për shkak të qeverisë që nuk është bërë joshëse për investitorët, e sidomos për ata strategjik që ndikojnë dukshëm në zhvillimin ekonomik”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë bërë të ditur se ky ligj do të jetë në rend të ditës në seancën e parë që do të mbahet në Kuvend, ku edhe presin kontribut nga deputetët. /atvlive.tv

  • Vidhen dy arkat në xhaminë “Sinan Katibi”

    Vidhen dy arkat në xhaminë “Sinan Katibi”

    Duart nuk i pati aq te fuqishme, kështu iu deshë ta shqelmoi arkën e xhamisë për ta thyer.

    Hajni i cili dy ditë më parë kështu i vodhi dy arkat e xhamisë, sipas imamit të xhamisë, dyshohet të ketë hyrë nga kati i dytë.

    Ai tha se kjo nuk është hera e parë që i njëjti kishte vjedhur në këtë faltore.

    Veçse kësaj radhe hajni ishte maskuar ndryshe, por jo mjaftueshëm për të mos u identifikuar.

    Ky akt ka shqetësuar qytetarët, sipas të cilëve as me fe nuk lejohet vjedhja.

    ATV- ka provuar te marr përgjigje edhe nga Këshilli i Bashkësisë islame, por qe e pamundur.

    Dy dite para se ta kryente vjedhjen, i dyshuari i cili dyshohet se është nga Zhuri i Prizrenit, në xhami kishte ardhur për të vëzhguar terrenin, para se ta kryente aktin. /atvlive.tv

  • I mbijetuari i masakrës në Dubravë, kërkon të nisin hetimet nga Specialja

    I mbijetuari i masakrës në Dubravë, kërkon të nisin hetimet nga Specialja

    I mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli, i ka bërë kërkesë publike Gjykatës Speciale që të fillojnë hetimet për këtë masakër.

    Ai vlerëson se ka dhënë mjaftueshëm argumente që Specialja të nis hetimin e kësaj masakre. Por, pavarësisht kësaj ai ende nuk ka marrë një përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    “Jo nuk kam marrë ende asnjë përgjigje, por të them të drejtën dhe nuk pres përgjigje të shpejt, por pres përgjigje meritore, pozitive që të fillojnë hetimet për masakrën e Dubravës për shkak se në letrën e parë apo kallëzim penal edhe pse se ka pas emrin kallëzim penal, por materia e letrës është kallëzim penal.Është dokumentuar me shkresat që i kam përcjell edhe gjendja faktike numri i dëshmitarëve më pastaj krejt ajo që ka ndodhur në masakrën e Dubravës… Besoj që argumentet që i kam sjellë në atë letër por edhe në letrën që e kam nisur drejt Hagës janë materiale të padiskutueshme dhe të argumentueshme që gjykata Speciales, gjegjësisht Prokurori i Dhomave të Specializuara ka autoritet dhe autorizime, por edhe juridiksion lëndor e mos të flasim për juridiksion territorial e personal edhe kohor për shkak se të tria as që diskutohen, mirëpo për juridiksionin lëndor kam nis…edhe disa argumente që janë në favor të kërkesës sime”, tha Dugolli.

    Sipas tij, nëse kjo nuk ndodh, nga Gjykata Speciale duhet të deklarohen se janë të njëanshëm.

    “Masakra e Dubravës është një ndër masakrat që askush deri më tani nuk është dënuar kanë nisur disa procese, por kanë mbetur në gjysmë, pra mos ndëshkueshmëria është prezente që përmendet në raportin e Dick Martyt, janë krime të organizuara dhe të ekzekutuara…pra ekzistojnë të mjaftueshme që kjo gjykatë, gjegjësisht Prokuroria e Dhomave të Specializuara të fillojë hetimet ose në të kundërtën le të dalin dhe lë të thotë se kjo gjykatë është një etnike gjë, të cilën e ka mohuar kryetarja e Dhomave të Specializuara”, tha Dugolli.

    Ndërkohë, avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini tha se gjithmonë ka pasur dyshime nëse kjo gjykatë do t’i gjykojë drejt krimet e pretenduara në Kosovës.

    “Gjithsesi se është një test dhe ky veprim është i duhuri ngase gjithmonë ka pas dilema se Gjykata Speciale a do t’i trajtojë të gjitha krimet e pretenduara në Kosovës, apo vetëm krimet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja. Kështu që, tani është një test për Gjykatën Speciale, sepse kallëzimi penal është me shkrim dhe natyrisht që deputeti Dugolli do të duhej të merrte një përgjigje me shkrim që edhe përgjegjësitë për masakrën e Dubravës të procedohen penalisht para Dhomave të Specializuara dhe të shohim se si do ta arsyetojë prokurori nëse eventualisht e hedh atë kallëzim penal apo ta shohim edhe ndoshta do ta pranoj”, tha Qerkini.

    Megjithatë, sipas Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare ekziston mundësia që ZPS mos ta merr parasysh kallëzimin penal të Dugollit, meqenëse neni i 6 i ligjit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ja mundëson këtë gjë.

    “Deputeti Dugolli e ka vënë në test Prokurorinë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës megjithatë ligji për këto Dhoma të Specializuara në nenin 6 e parasheh saktë se cili është juridiksioni lëndor i këtyre gjykatave dhe aty thuhet qartë se juridiksioni lëndor janë krimet e pretenduar që kanë qenë subjekt në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga Dick Marty…Ky neni 6 është i qartë dhe aty ne e dimë që subjekt i hetimeve të Task-Forcës speciale hetuese kanë qenë krimet e pretenduara nga UÇK nga pala shqiptare dhe nuk përmenden krimet masive të kryera nga forcat serb…Do ta shohim se si do të jetë përgjigja, mirëpo mendoj se ky nen do t’ia jap një hapësirë Prokurorisë Speciale që mos ta marrë parasysh kallëzim penal të bërë nga deputeti Dugolli”, tha Blakaj.

    Para 24 viteve, në masakrën e Burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptar, ndërkohë më shumë se 300 të tjerë, të burgosur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit janë plagosur. /atvlive.tv