ATV

Author: ATVLive

  • “Zoti na rujt”, moderatori i Ekipi A shkakton të qeshura në studio kur i drejtohet mysafirit!

    “Zoti na rujt”, moderatori i Ekipi A shkakton të qeshura në studio kur i drejtohet mysafirit!

    Mbrëmë në emisionin EKIPA A në ATV, pyetja e moderatorit Ylber Kelmendi ka shkaktuar të qeshura në studio, kur e pyet presidentin e KF Ferizajt se a do t’i qëndronte pas skuadrës nëse do të binte nga liga.

    “Nuk po kam qejf me e përmend as hipotetiken as kurgjo, veç po du me t’pyet në rast, ‘Zoti na rujt’, nëse bjen Ferizaj nga Liga, a do t’i qëndrosh pas kësaj skuadre?”, ishte pyetja e moderatorit që shkaktoi të qeshura në studio.

    Pas situatës komike që u krijua në studio, presidenti i KF Ferizaj, Lulzim Abazi, iu përgjigj duke i thënë se do të vazhdojë t’i qëndrojë prapa skuadrës edhe nëse bien nga Liga. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Rami Hadar zyrtarizohet trajner i Kosovës në basketboll

    Rami Hadar zyrtarizohet trajner i Kosovës në basketboll

    Trajneri i KB Peja, Rami Hadar është zyrtarizuar këtë të hënë trajner i Kombëtares së Kosovës në Basketboll.

    Trajneri izraelit do të drejtojë Kosovën për tri vitet e ardhshme.

    Prezantimin e trajnerit izraelit e ka bërë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu.

    Në konferencë për media, Fetahu tha se është nder që Hadar ka pranuar që ta drejtojë Kosovën dhe se nën drejtimin e tij pret rezultate të mira në ndeshjet kundër Danimarkës në udhëtim si dhe Zvicrës si vendas në parakualifikimet për Eurobasket 2025.

    Nga ana tjetër, Hadar tha se në Kosovë po ndjehet si në shtëpinë e tij dhe në momentin që ka marr ofertën e ka pranuar me shumë kënaqësi.

    Ai tha se objektivi i tij me Kosovën është që të ketë rezultate sa më të mira, por edhe krijimin e një gjenerate të re në Kombëtaren e Kosovës në Basketboll.

    Hadar gjithashtu tha se planifikon prurje të reja në kombëtare duke përfshirë edhe natyralizime të tjera përveç atyre katër që janë momentalisht në kombëtare.

    Në lidhje me përzgjedhjen e Hadar, i pari i FBK së bëri të ditur se vendimi ishte marrë disa javë më parë dhe jo për shkak të suksesit që ai pati me Pejën ku u shpall kampion i Kosovës duke e sjellë titullin pas 1 dekade pasi e mposhti Trepçën në finale. /atvlive.tv

  • “Lëkura duhet të mbrohet jo vetëm gjatë verës”, këshilla nga estetistja Lirjana Nimani

    “Lëkura duhet të mbrohet jo vetëm gjatë verës”, këshilla nga estetistja Lirjana Nimani

    Për kujdesin ndaj lëkurës, veçmas mbrojtjes nga dielli, u diskutua në emisionin “E Diela Vlen” në ATV.

    Meqë, maji është edhe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e lëkurës.

    Sipas estetistes Lirjana Nimani, kujdesi për lëkurë duhet të jetë gjatë katër stinëve të vitit, e jo vetëm gjatë verës.

    “Çka është një gjë shumë me rëndësi, jo vetëm kur vjen pranvera të përdoret kremi SPF, por gjatë gjithë stinëve. Disiplina e kujdesit të lëkurës të jetë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, sepse dielli është prezent gjithnjë”, u shpreh Nimani. /atvlive.tv

    Por, këshilla të tjera mund të ndiqni në linkun më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Fermeri nga Deçani që thotë nuk e lëshon Kosovën as për Amerikën

    Fermeri nga Deçani që thotë nuk e lëshon Kosovën as për Amerikën

    Ekipi i ATV-së ishte në vizitë të ferma e familjes Islamaj në fshatin Ratish të Deçanit.

    Pronari i kësaj ferme, Valdet Islamaj në rubrikën “Ferma Jonë” në emisionin “E Diela Vlen”, tregon se si e nis ditën, t’u e pas parasysh se kishte edhe kuaj dhe lopë, për vështirësitë të mirat dhe gjithçka tjetër.

    Ai tha së vetëm dashuria për kuaj dhe të mirat që sjellin lopët i mban, pasi që sipas tij, nga Komuna nuk ka asnjë mbështetje.

    “Edhe në Kosovë ka punë, vetëm se nuk po dojnë rinia. Ju ka ba truni veç jashtë. Mu me m’thanë qetash në Amerikë me shku, unë nuk shkoj se e kam biznesin tem, e njoh dhe e du”, tha ndër të tjera Islamaj.

    Islamaj gjithashtu foli edhe për një sfidë, të cilën e kishte kaluar, e pavarësisht kësaj, ai nuk e lëshoi vendin.

    “Mu vjet mu ka djeg posdomi ,diku 3000 danga sanë 1000 danga kashtë. I kam kërkua ndihmë Komunës, po më kanë thanë, por që nuk është realizu asnjë send, të paktën as 1 euro nuk është realizua”, u shpreh ai. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Sot fillon edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

    Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Kroacisë, me shfaqjen “Rusalka” të regjisores Ivica Shimiç.

    Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

    Ndërsa, drejtori i ART Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës.

    Në konferencën për media foli edhe aktorja kroate e shfaqjes “Rusalka”, Buga Marija Simiç, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.

    Ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë, ku po ndihet si në shtëpinë e vet për shkak të pritjes së ngrohtë në Kolegjin AAB.

    “Nuk patëm mundësi të shohim shumë gjëra, por nga ajo që pashë, ka një atmosferë të bukur që e dua midis të gjithëve, që është mikpritja nga njerëzit. Na pritën ngrohtësisht në aeroport dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë. Ky kompleks, nga ajo që kemi parë, është shumë impresionues. Ne thjesht po ecnim rreth tij, duket si një anije hapësinore. Pra, po ndjehem shumë e nderuar që jemi zgjedhur të jemi pjesë e festivalit. Është vërtetë një privilegj të jem në mes të të gjithë këtyre artistëve dhe të gjitha këtyre shfaqjeve të zgjedhura për këtë festival”, tha aktorja Buga Marija Simiç.

    Ajo tha se ky është festivali i parë ndërkombëtar në të cilën merr pjesë shfaqja “Rusalka” dhe se mezi pret të ndajë me publikun kosovar pjesë shumë të veçanta për shfaqjen dhe për teatrin të cilin e përfaqëson. /atvlive.tv

  • ​Sekuestrohen mbi 35 mijë litra pije alkoolike të prodhuar pa autorizim

    ​Sekuestrohen mbi 35 mijë litra pije alkoolike të prodhuar pa autorizim

    Njësit e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar mbi 35 mijë litra pije alkoolike të prodhuar pa autorizim në Novak të Prizrenit.

    Dogana njofton se njësit e saj pas bastisjes në lokacionin e dyshuar në fshatin Novak të Prizrenit, kanë gjetur sasinë 32,850.00 litra verë dhe 2,350.00 litra raki rrushi të prodhuara pa autorizim të nevojshëm e cila ishte në pronësi të kompanisë së dyshuar.

    Sipas njoftimit të Doganës, pijet alkoolike të konstatuara në depon e pa autorizuar nga dogana për prodhim dhe mbajtje janë pllombuara, derisa sasia e gjetur është si në vijim: Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2021, Merlot 14% alk., sasia 5,000.00 litra; Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2021, Cabernet Sauvignon 14% alk., sasia 7,000.00 litra; Raki rrushi 2021, 43% alk., sasia 2,150.00 litra; Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2022, Merlot 13% alk., sasia 5,000.00 litra; Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2022, Cabernet Sauvignon 12.5% alk, sasia 15,850.00 litra; Raki rrushi 2022, 45% alk., sasia 200.00 litra dhe mbetje te verës, sasia 200.00 litra.

  • Mediat turke: Ogan do të mbështesë Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve

    Mediat turke: Ogan do të mbështesë Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve

    E përditshmja turke Hurriyet raporton se Sinan Ogan, kandidati i ekstremit të djathtë, i cili fitoi 5.2 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, sot do të shpallë se kë do ta mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

    Siç raporton Hurriyet, teksa po vazhdonin konsultimet, u pa se brenda aleancës ATA që mbështeti kandidaturën presidenciale të Oganit, nuk kishte konsensus dhe se kishte tendenca për emra të ndryshëm.

    Sipas informacioneve të gazetës, Ogan është afër të vendos për t’i dhënë mbështetje Rexhep Tajip Erdoganit në raundin e dytë. Ogan pritet të nënshkruajë protokollin me pesë pika dhe të shprehë mbështetjen e tij për Erdoganin.

    Mësohet se Ogan është takuar me ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu përpara takimit të tij me Erdoganin. Siç mëson Hurriyet, Erdogan i ofroi Oganit në takim nënshkrimin e pesë kushteve dhe Ogan tha se nuk mund ta merrte vendimin i vetëm, por duhet të konsultohej me pjesëtarët e koalicionit.

    Kreu i Partisë së Drejtësisë dhe një prej pjesëtarëve të koalicionit ATA, Vecdet Öz, deklaroi dje në Halk TV se do të mbështesë Kiliçdaroglun në raundin e dytë të zgjedhjeve.

    Kujtojmë se raundi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet të dielën më 28 maj.

    Qytetarët do të zgjedhin mes presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, i cili fitoi 49.5 për qind të votave në raundin e parë dhe Kemal Kiliçdaroglut, i cili fitoi 44.88 për qind të votave.

    Kandidati Sinan Ogan fitoi 5.17 për qind të votave në raundin e parë dhe votat e tij mund të jenë një faktor kyç, megjithëse Erdogan ka një avantazh të konsiderueshëm nga raundi i parë i zgjedhjeve.

  • ​Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

    ​Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

    Nisi sot (e hënë) për herë të dytë në Shqipëri, stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s. Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes së përbashkët, krerët e shtetit dhe të ushtrisë vlerësuan lart bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse.

    Sipas tij, këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në Ballkanin Perëndimor, ku, sipas tij, aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre.

    “Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë… Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit, është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale”, deklaroi Begaj.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë e të dy vendeve.

    “Kjo stërvitje na rikujton edhe njëherë se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht pikërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Prandaj, të gjithë së bashku, jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, deklaroi Rama.

    Ndërsa, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin Shqipëri, Yuri Kim deklaroi se, amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah me njëri-tjetrin.

    Ajo tha se të dy vendet kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj së bashku si aleatë dhe partnerë të sigurisë, duke ngritur dy pranitë e para ushtarake të SHBA-së në historinë e Shqipërisë, shtabin rajonal pararojë të Komandës së Operacione Speciale të SHBA-së, Taskforcën për Ballkanin si dhe rotacionin e njësisë së Brigadës të Forcave të Sigurisë dhe ndihmës së SHBA-së.

    “Jemi këtu si aleatë, miq dhe partnerë. Amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah sikurse e thoni ju. Dikur të ndarë veçmas, tani aleatë të NATO-s dhe partnerët më të afërt ushtarakë. Në dy vjet, që prej ‘Defender Europe 2021’ bota ka ndryshuar, Rusia nisi një pushtim të plotë dhe brutal ndaj Ukrainës. SHBA, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, Heroi Kombëtar të Shqipërisë dhe madje heroi im vetjak ‘Bashkimi bën fuqinë’”, deklaroi Kim.

    Gjatë periudhës maj-qershor 2023, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë në stërvitjet e paketës të Komandës Amerikane për Evropën “Defender Europe 23”, e cila do të zhvillohet në disa vende të Evropës dhe do të demonstrojë aftësitë e aleancës për t’u dislokuar, për të shtuar kapacitet luftarake, unifikuar, gatishmërinë e njësive në një mjedis të përbashkët, si dhe për të ushtruar aftësitë dhe potencialet e vendeve pritës.

    Kjo stërvitje do të shërbejë gjithashtu për të testuar aftësitë dhe kapacitetet e NATO-s për të mbajtur një qëndrim frenues ndaj të gjithë agresorëve në Evropë.

    Stërvitja “Defender Europe 23”, është një stërvitje shumëkombëshe, shumëdimensionale, e përvitshme e drejtuar nga ushtria Amerikane (USAREUR-AF), e cila ka fokus konsolidimin e elementëve të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave amerikane, vendeve të NATO-s de atyre partnere.

  • Haradinaj kujton masakrën e Dubravës: Ky krim është i dokumentuar por askush nuk është përballur me drejtësinë

    Haradinaj kujton masakrën e Dubravës: Ky krim është i dokumentuar por askush nuk është përballur me drejtësinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrën e Dubravës në 24-vjetorin e saj.

    Haradinaj ka thënë se ato ditë maji të vitit 1999 Serbia kreu krimin më mizor ndaj shqiptarëve.

    “Për disa ditë me radhë, nga 19 deri më 22 maj 1999, ndodhi një ndër masakrat më makabre që pushtuesi serb bëri ndaj shqiptarëve. Ato ditë maji të vitit 1999, shteti serb kreu krimin më mizor e të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë, në burgun e Dubravës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se këto masakra janë mirë të dokumentuara por askush ende nuk është përballur me drejtësinë.

    “Kjo masakër e shpërfaqë qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”.

    “Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara, ende askush nuk është përballur me drejtësinë. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne nuk duhet të ndalemi në betejën tonë për zbardhjen e të vërtetës”, është shprehur Haradinaj.

    I pari i AAK-së ka shtuar liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë

    “Liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë! Sakrifica e të rënëve mbetet motivim për angazhim të gjithanshëm për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan ata”, ka përfunduar Haradinaj.

  • KEK: Pas fazës testuese, njësia A-5 është rikthyer në operim

    KEK: Pas fazës testuese, njësia A-5 është rikthyer në operim

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se njësia A5 është rikthyer në operim pas fazës testuese.

    Në njoftimin e lëshuar nga KEK-u thuhet se pas përfundimit të remontit kapital dhe eliminimit të të gjitha vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese, kjo njësi është rikthyer në operim sot pas mesnate.

    Sot në operim ka tri njësi të TC-A dhe një njësi të TC-B-së.