ATV

Author: ATVLive

  • ​Borrell-Serbisë: Ruajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën drejt BE-së

    ​Borrell-Serbisë: Ruajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën drejt BE-së

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka kujtuar Serbisë se ruajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE. Ai ka folur në Bruksel, pas takimit të ministrave të bllokut, ku gjithashtu kërkuar zbatim të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është rruga e vetme drejt normalizimit.

    Borrell ka thënë se në takim kanë diskutuar për ndikimin e Rusisë e cila po përpiqet të devijojë rrugën evropiane të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor.

    “Ne mirëpresim zgjedhjet inkurajuese strategjike të disa prej tyre, të cilët janë plotësisht në linjë me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet, dhe gjithashtu u treguam atyre që nuk janë rreshtuar plotësisht ose nuk janë rreshtuar fare, dhe dua të përmend Serbinë, se ruajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrell.

    Ndërsa duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se tensionet dhe provokimet duhet të marrin fund.

    “E përmendëm konkretisht dialogun Beograd-Prishtinë, edhe një herë më duhet të sqaroj se të jesh anëtare e Bashkimit Evropian është ushtrim bashkëpunimi, është ushtrim i shteteve që kanë luftuar në të kaluarën, që të bëhen jo vetëm fqinjë, por edhe miq e partnerë. Ky është një ushtrim i të jetuarit së bashku, dhe për këtë, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes, është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të marrin fund. Dhe atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit gjithashtu duhet të ndalojë. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të jesh në gjendje të bashkëpunosh dhe të veprosh si fqinjë i mirë, duke kapërcyer të gjitha vështirësitë e së kaluarës”, ka thënë ai. /KP

  • Hetimet për masakrën e Dubravës, prokuroria i identifikon mbi 40 të dyshuar

    Hetimet për masakrën e Dubravës, prokuroria i identifikon mbi 40 të dyshuar

    Derisa deputeti i Kosovës, Enver Dugolli, i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, ta hetojë masakrën e Dubravës, Prokuroria Speciale në Prishtinë thotë se i ka intensifikuar hetimet.

    Prokurori i rastit Ilir Morina në një intervistë për ATV-në, ka thënë se kanë arritur të identifikojnë mbi 40 të dyshuar, por të cilët nuk jetojnë në Kosovë.

    Lidhur me këtë rast, një person është në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

    “Kemi arritur të identifikojmë mbi 40 të pandehur, mbi 60 të dëmtuar dhe mbi 100 dëshmitarë, në këtë fazë për shkak të hetimeve, nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Morina.

    Duke marrë parasysh që tashmë lejohet gjykimi në mungesë, Morina nuk e përjashton mundësinë që të aplikohet një gjykimi i tillë, meqë aktualisht bashkëpunimi juridik me Serbinë mungon.

    DEK: Ilir Morina, Prokuror Special
    “Në parim kemi synimin që t’i kompletojmë hetimet dhe në momentin që vijmë në atë fazë dhe nuk i kemi të pandehurit prezentë do t’i aplikojmë dispozitat për gjykimin në mungesë”, tha Morina.

    Derisa ZPS-ja nuk e ka mohuar e as pohuar mundësinë për nisjen e hetimeve pas kërkesës së Dugollit, Morina ka thënë se rasti është në kompetencë të Prokurorisë Speciale.

    “Ju deklaroj që aktualisht çështja është në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe jemi duke punuar me lëndën dhe kemi kompetencë të plotë”, tha Morina.

    Ndërkohë, juristët thonë se dy Prokurori të të njëjtit shtet nuk mund ta hetojnë të njëjtin rast. Ligji për Dhomat e Specializuara specifikon se brenda juridiksionit lëndor të tyre, Dhomat kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera të Kosovës.

    “Dy prokurori nuk mund të njëjtën kohë me zhvillu hetime. Nëse vlerësohet se ZPS-ja ka juridiksion që të merret edhe me masakrën e Dubravës, atëherë Prokuroria duhet t’i ndërpresë hetimet”, tha Artan Qerkini, Avokat.

    Hetimet për masakrën e Dubravës kishin nisur në vitin 2013 nga prokurorët e EULEX-it. Dy vjet më vonë për të ruajtur afatin e hetimeve ishte bërë pezullimi i tyre, teksa rasti ishte vazhduar në vitin 2018, kur edhe lëndët e krimeve të luftës ishin transferuar te prokurorët vendorë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

    Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

    Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.

    “Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.

    Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.

    “Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.

    Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.

    Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Me regjisor Ivica Šimić shfaqja “Rusalka” impresionoi publikun me personazhet që trajtonin temën e një ëndrre të personazhit të arrinte të bëhej një këngëtare e operës por që duhej të ndiqte hapat, vështirësitë e sfidat. Gjithashtu duke përbërë një perspektivë psikologjike se secili duhet të jetë vetëvetja pavarësisht paragjykimeve nga të tjerët. Publiku nderoi aktoret me duatrokitje dhe mirënjohje.

    Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:

    -Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
    – Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
    – Çmimin për regjinë më të mirë;
    – Çmimin për shfaqjen më të mirë.

    Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:

    Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
    – Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
    – Bislim Muçaj, aktor;
    – Zijad Meheiç, producent.

    Juria e medias:
    Lumira Kelmendi, RTK
    Xhejlane Terbunja, aktore dhe
    Erona Salihu, ATV.

    Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.

    PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.

    Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “Boxes” nga Turqia me regji të Balım Kar dhe Semih Değirmenci, duke filluar nga ora 20:00. /atvlive.tv

  • ​Gërvalla: Serbia të zbatojë marrëveshjen, Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tonë

    ​Gërvalla: Serbia të zbatojë marrëveshjen, Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tonë

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se shpreson që Presidenca suedeze e Këshillit të Bashkimi Evropian të ketë rezultate konkrete në bisedat që po bën me anëtarët e tjerë të Unionit në lidhje me aplikimin e Kosovës për në BE.

    Këto deklarata, Gërvalla i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të BE-së, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gërvalla tha se në këtë takim e kanë paraqitur qartë pozicionin e Kosovës në lidhje me raportet me Serbinë ndërsa kanë kujtuar se Beogradi zyrtar në vazhdimësi refuzon të zbatojë marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në Bruksel dhe aneksin e saj të 18 marsit në Ohër.

    “Kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që në marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngaqë jeni vetë dëshmitarë, që presidenti Vuçiq, ministri i Jashtëm Daçiq por edhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm refuzojnë implementimin por shpesh edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. Ka pasur intervenime të ndryshme nga disa ministra të cilat e kanë shprehur rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj që pozicionin e Republikës së Kosovës e kemi shfaqur shumë qartë”, deklaroi Gërvalla.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës foli edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ku deklaroi se Suedia ende është duke biseduar me shtetet anëtare rreth kësaj kërkese, por tha se ky shtet gjatë presidencës së saj është treguar i gatshëm për të çuar përpara kërkesën e Kosovës.

    “Ne shpresojmë që Presidenca suedeze të finalizojë bisedat që po zhvillon me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vijnë me një rezultat konkret, parashikimi se cili mund të jetë rezultati dhe kur nuk jam në gjendje të jap se nuk do të ishin serioze por besoj që me qasjen të cilën Suedia ka pasur gjatë presidencës së saj është treguar shumë e gatshme për të çuar përpara kërkesën tonë dhe për të biseduar me të gjithë anëtarët, pra edhe me ata që janë përkrahës të kërkesës sonë dhe me ata që hezitojnë pak më shumë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla tha se takimet e tilla ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkani Perëndimor janë mundësi e mirë për të diskutuar sfidat për të cilat është duke kaluar Evropa dhe rajoni ynë.

    “E rëndësishme është gjithashtu që Evropa ka filluar, Bashkimi Evropian ka filluar të ndërgjegjësohet që Ballkani Perëndimor jo vetëm që është pjesë gjeografike e Evropës por duhet edhe më shumë të afrohet politikisht me Bashkimin Evropian me qëllim që në një të ardhme integrimi të jetë i shpejtë dhe i natyrshëm”, tha Gërvalla.

    Përpos Gërvallës, në këtë takim në Bruksel morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm nga pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. /KP

  • ATK kërkon nga sektori gastronomisë dhe këngëtarët të deklarojnë detyrimet tatimore

    ATK kërkon nga sektori gastronomisë dhe këngëtarët të deklarojnë detyrimet tatimore

    Duke pas parasysh që tani më kemi hyrë në sezonin kur disa sektorë të bizneseve rrisin aktivitetin e tyre, Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve të cilët në aktivitetet e tyre kanë veprimtarinë e gastronomisë/hotelerisë, këngëtarëve, stilistëve, si dhe salloneve të bukurisë, që të deklarojnë saktë detyrimet e tyre tatimore, pasi që në të kundërtën do të duhet të veprojmë sipas thirrjeve ligjore.

    “ATK paralajmëron se para se të fillojmë me verifikimet dhe kontrollet tatimore, i bëjmë thirrje të gjithë personave e bizneseve të deklarojnë dhe paguajnë saktë obligimet e tyre të përcaktuara me Legjislacionin Tatimor në fuqi, në të kundërtën ne jemi të obliguar që të fillojmë me verifikime dhe hapjen e kontrolleve tatimore, të cilat mund të rezultojnë me ndëshkimet nga parregullsitë dhe pasaktësitë e hasura”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    Sipas ATK-së, sezonit të verës shumëfishohen aktivitetet e lartpërmendura, të cilat bazuar në aktivitetin që kanë, janë si një zinxhir, ku kryesisht janë shumë evidente ndeja të ndryshme, si në restorante ashtu edhe në diskoteka, në të cilat ndërlidhen pjesa e këndimit ose DJ, si dhe përgatitja nga sallonet e bukurisë dhe stilistet.

    “Për ketë qëllim ATK ka dizajnuar projektin për Akomodim dhe Shërbime Ushqimore, i cili bazuar në të dhënat e përmbushjes, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2022”, thuhet në njoftim.

    Modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, kanë nxjerrë faktorët të ndryshëm që kanë kontribuar në përzgjedhjen e kësaj industrie si: pagesa/të hyra përgjithësisht të ulëta, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në cash të realizuara në mes të konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj.

  • ​Konjufca takoi senatorët amerikanë: Nuk mund të formohet mekanizëm që cenon sovranitetin

    ​Konjufca takoi senatorët amerikanë: Nuk mund të formohet mekanizëm që cenon sovranitetin

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk mund të formohet Asociacion, apo ndonjë mekanizëm tjetër, që cenon sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Këtë qëndrim ai e ka ndarë edhe me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

    Në takimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, Konjufca ka theksuar se mbështetja e shteteve të bashkuara është qenësore për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

    “Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatën e Kuvendit.

    Sipas kësaj komunikate, Konjufca dhe senatorët amerikanë kanë konstatuar se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-ve është speciale dhe se ata kanë shprehur përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve.

  • ​Sveçla vizitoi kryetarin e veriut të Mitrovicës

    ​Sveçla vizitoi kryetarin e veriut të Mitrovicës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar kryetarin e veriut të Mitrovicës, Erden Atiq. Ai ka thënë se kjo pjesë e Mitrovicës do të përjetojë progresin e merituar.

    Pas takimit në zyrën e kryetarit të zgjedhur, Sveçla ka thënë se i ka ofruar atij gatishmërinë e plotë në zbatimin e prioriteteve të tij.

    “I urova punë të mbarë në detyrën e tij të re duke i ofruar gatishmërinë time të plotë në zbatimin e prioriteteve të tij. Do të angazhohemi bashkërisht, si nivel qendror dhe lokal, që qytetarëve tanë të Mitrovicës së Veriut të ju sigurojmë mirëqenie, arsim, shëndetësi, siguri e kushte të qëndrueshme jetese. Mitrovica e Veriut si çdo komunë e Republikës së Kosovës do të përjetojë progresin e merituar”, ka shkruar ministri i Brendshëm.

    Më 19 maj, Erden Atiq është betuar kryetar i veriut të Mitrovicës, pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës.

    Këto zgjedhje janë bojkotuar nga Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

  • ​Gjenden mbetje mortore, dyshohet të jenë të një shqiptari të zhdukur gjatë luftës së fundit

    ​Gjenden mbetje mortore, dyshohet të jenë të një shqiptari të zhdukur gjatë luftës së fundit

    Sot (e hënë) ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) bashkë me ato të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kanë gjetur mbetje mortore në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë dhe sipas ekspertëve dyshohet se i përkasin një personi të nacionalitetit shqiptar të vrarë e më pas të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Mbetjet u gjetën gjatë gërmimeve që po kryheshin për të katërtën herë në të njëjtën lokacion, ku dyshohet se ishin mbetjet e dy personave të zhdukur. I gjithë procesi është ndjekur nga afër edhe nga ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, deklaroi për KosovaPress se duhet të priten procedurat e tjera deri në marrjen e raportit të ADN-së për të konfirmuar identitetin e mbetjeve mortore.

    “Aktualisht ekipet tona të IML-së, të policisë dhe ekipet e komisionit e kanë has me një varr dhe në atë varr është gjetur një trup që sipas ekspertëve dyshohet të jetë person i zhdukur i luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht këtë nuk mund ta vërtetojmë deri në procedurat e tjera të ekspertëve, deri në marrjen e raportit të ADN-së. Megjithatë, për mua në këtë rast, jo vetëm si kryetar i komisionit por edhe si familjar, sa herë një pajisje e tillë gërmon nën tokë e kemi një ndjesi të rëndë ndër vete, mirëpo tash kur e gjetëm ishte një ndjesi edhe më e rëndë por edhe lehtësimi që megjithatë shpresojmë se do të arrijmë te rezultati i personave të zhdukur. Shpresojmë se familjes, personi që i përket, t’ia lehtësojmë sado pak dhimbjen”, deklaroi Hoti.

    Në lidhje me personin e dytë që po kërkohet, Hoti deklaroi se kërkimet do të vijojnë në të gjitha pikat ku dyshohet.

    “Nuk e di nëse do të mund të gjejnë prapë në të njëjtin varr apo në varre të tjera personin tjetër nëse ky është person i zhdukur, mirëpo ne nuk do te ndalim deri në gjitha pikat e tjera që kemi dyshime për persona të zhdukur”, tha Hoti.

    Në të njëjtin lokacion më parë janë gjetur edhe trupa të tjerë, prandaj është vlerësuar se at mund të ketë prapë mbeteje. Se si dyshohet se përfunduan aty viktimat e gjenocidit serb tregon Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    “Në bazë të dhënave që paraprakisht kemi lexuar, forcat serbe nga Spitali i Prishtinës gjatë viteve 99-të kanë bartur, në përpjekje të tyre për te fshehur gjurmët e krimit, mbetjet mortore kufomat e tetë viktimave në këtë lokacion dhe gjashtë nga tetë në bazë të dhënave janë gjetur të zhvarrosur, qoftë duke i identifikuar me metodë tradicionale nga ana e vet familjeve apo edhe me metodë shkencore të ADN-së nga ana e mekanizmave ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e këtij procesi, siç kemi pas rastin në vitin 2009 nga ana e EULEX-it”, tha Gara.

    Mbi 1600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

  • Kurti pas takimit me senatorët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime

    Kurti pas takimit me senatorët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë të shkëlqyera dhe çdo ditë sa vijën e forcohen e thellohen.

    Kurti pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, shtoi se të dy ka pasur një bisedë të përzemërt me senatorët.

    Ai theksoi se marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime.

    “Me senatorët patëm një bisedë të përzemërt, folëm për marrëdhëniet e shkëlqyera që sa vijnë e thellohen e forcohen. Diskutuam mbi zhvillimet në vend, arritjen dhe synime. Bisedim edhe për dialogun me Serbinë, me theks te marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit. Na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime. I falënderojë ata për kontributin, jeni të mirëseardhur çdo herë”.

    Të dy senatorët fillimisht janë pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

    Në prillin e vitit të kaluar senatori amerikan Chris Murphy kishte vizituar Prishtinën e Beogradin.

    Murphy në atë kohë shprehej i prerë se duhet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai madje e kishte vlerësuar si “kokëforte” qasjen e kryeministrit Kurtit.

  • Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Nagip Krasniqit

    Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Nagip Krasniqit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me datë 19.05.2023 ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin N.K, në kohëzgjatje edhe për dy muaj. Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit”, ka thanë ajo në një përgjigje me shkrim për Kosovapress.

    Më 19 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nagip Krasniqin.

    Ndërkohë, më 25 prill Bordi i kompanisë publike të KEK-ut, ka pezulluar nga detyra e kryeshefit Nagip Krasniqin.