ATV

Author: ATVLive

  • Çeku: Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do ta bëjmë të përmasave botërore

    Çeku: Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do ta bëjmë të përmasave botërore

    Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se është shpallur konkursi për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

    Çeku përmes një postimi në Facebook, është shprehur se nuk do të kursehet asgjë për të pasur një kompleks memorial, siç u shpreh ai, të përmasave botërore.

    “Pas angazhimit të Komisionit të ekspertëve për hartim të detyrës projektuese, dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Kosovës, kemi shpallur konkursin për hartimin e Master Planit”, ka thënë.

    Tutje, ministri ka bërë të ditur se konkursi është hapur dje dhe afati i fundit për dorëzim është deri më 07.07.2023.

    “Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, shkroi tutje Çeku.

  • SHBA dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

    SHBA dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

    Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

    Ambasada e Ukrainës, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

    “Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.

    “Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.

    Qeveria e Serbisë dhe BIA pa përgjigje

    Media shtetërore ruse ka raportuar më 24 maj se drejtori i BIA-s, Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

    Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.

    As Qeveria e Serbisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë çështje.

    Në fotot e publikuara nga Russia Today Balkan, në gjuhën serbe, si pjesë e lajmeve të 24 majit, Vulin shihet me pjesëmarrësit e tjerë të Konferencës, përfshirë Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska – njërën prej entiteteve të Bosnje-Hercegovinës.

    Pyetjes së REL-it, lidhur me këtë çështje, nuk i është përgjigjur BIA.

    Lëvizja Socialiste, themeluesi i së cilës është Vulin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë në dijeni për aktivitetet e tij si drejtor i BIA-s, sepse “menjëherë, pasi është emëruar në pozitën e drejtorit të BIA-s, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Socialiste, dhe e ka pezulluar anëtarësinë e tij në parti”.

    Lëvizja Socialiste është partnere e koalicionit me Partinë Progresive Serbe, në pushtet.

    Vulin është një nga zyrtarët e paktë evropianë që ka vazhduar vizitat te zyrtarët rusë në Kremlin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    “Lëvizje kundërproduktive”

    Një pjesëmarrje e tillë sigurisht që dërgon një imazh negativ në botë, veçanërisht për partnerët tanë, që janë investitorët më të mëdhenj, dhe gjithashtu partnerët më të mëdhenj tregtarë sot, ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Darko Obradoviq nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike, me seli në Beograd.

    “Mendoj se është kundërproduktive që dikush nga Serbia të marrë pjesë në konferencat parandërkombëtare të Moskës”.

    Sipas tij, lëvizjet e zyrtarëve në politikën e jashtme “duhet të jenë në përputhje me interesat strategjike të Serbisë”.

    “Bashkëpunimi ndërkombëtar për sigurinë bazohet në orientimet e politikës së jashtme dhe duhet të shtrohet pyetja e saktë, se deri kur Serbia do ta mbajë bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë dhe për çfarë interesi”, ka thënë mes tjerash Obradoviq.

    Sipas të dhënave zyrtare, Bashkimi Evropian, në të cilin Serbia aspiron anëtarësimin, ka qenë investitori dhe partneri tregtar i jashtëm më i rëndësishëm i Serbisë në 10 vjetët e fundit.

    “Shqetësim për qytetarët rusë në Serbi”

    Petr Nikitin nga Shoqëria Demokratike Ruse, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimin e kreut të Shërbimit sekret serb me Rusinë, e sheh si “shqetësues për qytetarët rusë që jetojnë në Serbi, dhe që thonë mendimin e tyre”.

    Shoqëria Demokratike Ruse është një shoqatë e diasporës ruse në Serbi. Anëtarët e saj e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës.

    Megjithatë, siç ka thënë Nikitin, pjesëmarrja e Vulinit në Konferencën e Sigurisë në Moskë, është çështje e qytetarëve të Serbisë.

    “A është në rregull që zyrtarët e lartë të Serbisë të shoqërohen me një pushtet të tillë (të Rusisë) dhe të flasin me të, dhe cilat janë avantazhet e një sjelljeje të tillë për Serbinë?”

    Nikitin është aktivist kundër luftës, i cili për shumë vite jeton në Beograd, dhe që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ka marrë pjesë në organizimin e tubimeve në mbështetje të Ukrainës.

    Për këtë shkak, ai ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve nga lëvizjet dhe organizatat e djathta.

    Nga fillimi i luftës në Ukrainë, e deri në dhjetor të vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare, besohet se më shumë se 380.000 rusë kanë shkuar në Serbi.

    Megjithatë, jo të gjithë kanë qëndruar. Aktualisht, rreth 30 mijë prej tyre jetojnë në Serbi.

    Më 24 maj, disa media në Serbi publikuan lajmin se në Konferencën në Moskë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

    Daçiq e ka mohuar më pas këtë informacion.

    Ai ka thënë se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në atë konferencë, dhe për këtë arsye as që ka planifikuar udhëtim në Rusi.

    “Nuk kam marrë as ftesë për ndonjë konferencë, kështu që as që ishte planifikuar të merrja pjesë në të”, ka thënë Daçiq, më 25 maj.

    Në hapjen e Konferencës, e cila zyrtarisht quhet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë, ka folur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

    Siç kanë raportuar mediat shtetërore ruse, Putin ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve me vendet mike.

    Serbia, me gjithë përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me bllokun evropian, dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

  • Partia serbe “Zavetnici” i kërkon qeverisë “të shpallë okupimin e Kosovës”

    Partia serbe “Zavetnici” i kërkon qeverisë “të shpallë okupimin e Kosovës”

    Partia serbe “Zavetnici” i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që “të shpallë okupimin e Kosovës”, duke thënë se të njëjtën gjë e ka thënë edhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë”, Petar Petkoviq pas betimit të kryetarëve shqiptarë nëpër katër komunat veriore.

    “Pas vendosjes së autoritetit të institucioneve të vetëshpallura në Prishtinë dhe në katër komuna në veri të krahinës, mund të konstatojmë se asnjë pëllëmbë e Kosovës nuk është e lirë nga çizma e Prishtinës”, thotë “Zavetnici”, raporton “Danas”, transmeton Klankosova.tv.

    “Marrja e një vendimi zyrtar që do të përcaktonte gjendjen e okupimit është e vetmja mënyrë për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe sigurinë e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, në këtë moment”, theksohet në këtë komunikatë.

    Partia “Zavetnici” është parti politike e së djathtës ekstreme në Serbi. Ata e përkufizojnë veten si parti politike konservatore dhe rusofile dhe kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

    Kujtojmë se dje, tre kryetarë të zgjedhur kanë dhënë betimin e tyre për të drejtuar tri komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, betimin e ka dhënë ditë më parë.

  • Kryetarët e rinj zotohen se do të punojnë në të mirë të qytetarëve

    Kryetarët e rinj zotohen se do të punojnë në të mirë të qytetarëve

    Kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

    Të tre ata u zotuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke respektuar ligjin.

    “Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

    “Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im”, tha ai pas betimit.

    Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa ceremonia për Ilir Pecin në Zveçan u zhvillua në shkollën fillore “Isa Boletini”, në fshatin Boletin të kësaj komune.

    “Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit”, tha Peci.

    Betimin e bëri të enjten edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica” në fshatin Bistricë të kësaj komune.

    Ai tha se, aktualisht, do ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë në këtë fshat, por, sipas tij, “është afër dita” kur do të shkojë në komunë.

    “Ne do të shkojmë me qeveri aty [te objekti i komunës], ku kemi fituar, sepse nga këtu nuk ushtrohet detyra e kryetarit… Nëse nuk mundemi, do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Hetemi.

    Ai, po ashtu, njoftoi se nënkryetare e Komunës së Leposaviqit do të jetë Dragana Milletiq e komunitetit serb, ndërsa kryetar i Asamblesë, Gorski Buriq, gjithashtu nga komuniteti serb.

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua më 19 maj.

    Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

    Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre – që të gjithë nga Lista Serbe – kanë dhënë dorëheqje.

    Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

    Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

    Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t’i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, “represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

    Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor” me “të gjitha mjetet”.

    Simiq nuk ka specifikuar më shumë.

    Reagimet nga Beogradi

    Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është përpjekje për “presion mbi serbët” që “të largohen nga shtëpitë e tyre”.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur
    “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

    As Vuçiq, as Petkoviq nuk kanë ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre.

    Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?

    Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.

    Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”. /REL

  • ‘Marrëveshja edhe 100-vjet me qenë, Asociacioni nuk bëhet’ – Isa Mustafa komenton marrëveshjen që e nënshkroi vetë

    ‘Marrëveshja edhe 100-vjet me qenë, Asociacioni nuk bëhet’ – Isa Mustafa komenton marrëveshjen që e nënshkroi vetë

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se marrëveshja e 2015-ës ka qenë marrëveshje e vetë zbatueshme, e që sipas tij, nënkupton që Asociacioni nuk bëhet pa u bërë statuti, i aprovuar nga Kuvendi, nga Qeveria dhe me pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Kemi kërkuar atëherë që Bashkimi Evropian t’i sqarojë pozicionet e veta karshi Asociacionit. Sepse ajo që shkruhet në letë është diçka tjetër, ajo që pastaj vazhdon të dialogohet edhe më tutje është çështje tjetër sepse ne kryer atëherë bisedat lidhur me parimet themelore, do të thotë me njëfarë kornize në të cilën do të bëhej statuti i Asociacionit në të ardhmen sepse marrëveshja e vitit 2015 nuk ka qenë marrëveshje e vetë zbatueshme. Që nënkupton që edhe marrëveshja mundet edhe 100 vjet me qenë, por Asociacioni nuk bëhet. Asociacioni bëhet vetëm kur të bëhet statuti, kur ta aprovojë statutin Kuvendi, kur ta aprovojë Qeveria dhe kur ta japë pëlqimin Gjykata Kushtetuese që ai statuti është në harmoni me Kushtetutën”, tha Mustafa.

    Ai tha se atëherë kanë pranuar që ta nënshkruajnë marrëveshjen, por se kanë kërkuar nga BE zotimin që pastaj në statutin e Asociacionit edhe në përmbajtjen e fushë veprimit të tij, të mos kemi funksione ekzekutive ose të mos kemi një pushtet të tretë.

    “Kot janë mundu atëherë, janë shpenzuar, kemi pasur gjuajtje, kemi pasur dhunë, sepse Asociacioni nuk ishte bërë asnjëherë në bazë të marrëveshjes së 2015-ën pa u kry procedura tjera. Ne për procedura tjera pastaj preokupoheshim që BE të mos provojë me i ndërrua qëndrimet. Kemi thënë në rregull, ne mund ta nënshkruajmë këtë marrëveshje por duhet të kemi zotimin e BE-së që pastaj në statutin e Asociacionit edhe në përmbajtjen e fushë veprimit të tij, të mos kemi funksione ekzekutive ose të mos kemi një pushtet të tretë”, tha Mustafa. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Mustafa thotë se kanë akuzuar që në gjendje të dehur, është nënshkruar marrëveshja për asociacionin

    Mustafa thotë se kanë akuzuar që në gjendje të dehur, është nënshkruar marrëveshja për asociacionin

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi një ngjarje qesharake që e kishte parë në një debat televiziv në kohën kur kishin nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin.

    Ai tha se një analist kishte thënë se ekipa e Qeverisë së Kosovës kishte qenë e dehur kur e kishte nënshkruar marrëveshjen.

    “E përcillja një debat në një televizion tonin, edhe doli njëri në rolin e analistit edhe tregojke tani në pikëpamjet e tij edhe njohuritë e tij e informatat që ai ka pasur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjes së Asociacionit, edhe thojke ‘kanë shku delegacioni i jonë në Austri, i Qeverisë së Kosovës, janë pirë në mbrëmje dhe e kanë nënshkrua marrëveshjen, edhe pastaj kur të nesërmen e kanë pa çka kanë bërë, kanë lyp me e fut edhe një nen për Gjykatën Kushtetuese me e trajtu këtë’. Deri këtu shkojnë situatat”, tregoi Mustafa.

    Ai shpjegoi se nuk kishin biseduar për këtë temë asnjëherë në Vjenë dhe as që kishin pasur dikë në ekipë të dhënë pas alkoolit.

    “Në fakt, ne nuk kemi bisedu kurrë në Vjenë për marrëveshje të Brukselit as s’ka qenë asnjëri prej ekipës tonë që të themi që ka prirje të alkoolit ose të darkava, por tani konstruksionet janë të lloj lojshme. Po dua të them më këtë se në atë periudhë është zhvillur dialog. Se a ka mundur të nxirret më e mira për Kosovën, apo jo, është çështje tjetër, sepse vet dialogu nënkupton që t’i s’ki qare pa lëshu pe dikah”, tha Mustafa. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Mustafa: Kurti e ka pranuar edhe asociacionin edhe vetmenaxhimin

    Mustafa: Kurti e ka pranuar edhe asociacionin edhe vetmenaxhimin

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Kurti ka pranuar, me marrëveshjen e arritur në Bruksel, të përfunduar në Ohër, ka pranuar edhe Asociacionin, edhe vetmenaxhimin e komunave me shumë serbe.

    “Kryeministri mund të shtrojë teza teorike para opinionit, mirëpo kryeministri i ka pranu të dyja. Kryeministri e ka pranu edhe vetmenaxhimin, e ka pranuar edhe Asociacionin. Kryeministri është përbetuar që do të zbatojë pikën 10 të marrëveshjes, në të cilën thuhet se do të implementohen të gjitha marrëveshjet që janë arritë përpara”, tha Mustafa.

    Mustafa tha se Kurti do të zbatojë edhe pikën 7 për vetmenaxhimin sepse ai ka shprehur edhe gatishmëri që ta nënshkruajë edhe marrëveshjen e shkurtit dhe planin e zbatimin e Ohrit. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Zhvillimet politike në Serbi, indirekt ndikojnë në procesin e dialogut

    Zhvillimet politike në Serbi, indirekt ndikojnë në procesin e dialogut

    Në dy ditët e ardhshme Serbinë e presin dy protesta të mëdha.

    Të premten, Vuçiq do t’i mbledhë përkrahësit e tij, si përgjigje ndaj protestës së të shtunës, e cila është organizuar nga opozita, kundër tij.

    “Mund të jetë njëra prej protestave më të mëdha. Opozita synon t’i mbledhë 1 milionë protestues”, tha Belgzim Kamberi nga instituti “Musine Kokalari”.

    Vuçiq e ka përmendur edhe çuarjen e vendit në zgjedhje. Në rast se ato mbahen, kjo mund të ndikojë edhe në procesin e dialogut me Kosovën.

    “Mbajtja e zgjedhjeve në Serbi, mund të ndikojë në vonesa për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, tha Kamberi.

    Zgjedhjet mund t’i konvenojnë Vuçiq it, për disa arsye.

    “Vuçiqit i konvenon të mbahen zgjedhje. I ikë presionit për Marrëveshjen e Ohrit, fiton mandat tjetër”, tha njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi.

    Përmes protestës së të shtunës, e cila për moto ka “Serbia kundër dhunës”, kërkohet shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe mbyllja e dy televizioneve të cilat përkrahin pushtetin e Vuçiqit. /atvlive.tv

  • Varhely thotë se Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë

    Varhely thotë se Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë

    Kosovës i është bërë me dije edhe nga një tjetër zyrtar i lartë evropian se duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e se nga normalizimi i raporteve me Serbinë do të përfitonte i tërë rajoni.

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, gjatë vizitës në Prishtinë ka theksuar që Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë.

    Varhely pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet të vazhdojë me reforma sidomos në fushën e drejtësisë, duke theksuar se duhet të vazhdohet lufta kundër krimit të organizuar.

    “Të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar, përfshirë ato të viteve 2013 e 2015, dhe atë për themelimin e Asociacionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve, por për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme”, tha Varhely.

    Komisionieri Evropian është pritur në takim edhe nga kryeministri Kurti. Ai ka përmendur edhe rastet e dhunës dhe presioneve ndaj mediave, duke kërkuar që të ndalen.

    Ndërkohë, në konferencën për media është bërë e ditur se Bashkimi Evropian do të financojë programin për sundim të ligjit në vlerë prej 6.5 milionë eurosh.

    Qëllimi i këtij programi sipas njoftimit të Komisionit Evropian është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së, i cili pritet të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh. /atvlive.tv

  • Trotuaret në Prishtinë shërbejnë për parkim të taksive, qytetarët rrezikojnë jetën duke ecur në rrugë

    Trotuaret në Prishtinë shërbejnë për parkim të taksive, qytetarët rrezikojnë jetën duke ecur në rrugë

    Një muaj më parë komuna e Prishtinës ka nisur projektin “Rruga e fëmijëve”, me qëllim që qytetarët të lëvizin lirshëm, pa u penguar nga veturat.

    Por me leje të këtij institucioni, qytetarëve po u vështirësohet lëvizja. Taksitë të cilat janë të licencuara nga komuna me lehtësi parkohen në trotuare, e ketë e kanë të rregulluar edhe me shenjë të komunikacionit.

    “Shumë e pengojnë, pos taksive këtu po parkohen edhe veturat e tjera. Na detyrohemi me ecë në rrugë. Komuna po e bën këtë qysh po i shkon për qefi”, tha Ilir Mustafa, qytetar.

    “Me i hjek normal që ish bo ma mirë, se s’po kemi ka me kalua, e kjo për qytetarët e Prishtinës po pengon shumë”, tha Fisnik Zeka, qytetar.

    Këtë problem përgjegjësit në kryeqytet thonë se e kanë trashëguar, por janë në proces të riorganizimit të parkingjeve për taksitë.

    “Plani i Mobilitetit, të cilin e kemi trashëguar, parasheh një rregullim të tillë të mobilitetit, ku njëri krah është planifikuar të jetë vendparkim për taksi, ndërsa krahu tjetër është në dispozicion të kalimtarëve, pra hapësirë për këmbësorë. Gjithsesi tani jemi në proces te riorganizimit të vendparkimeve për taksi, andaj në këtë rast do ta shohim se ky organizim të cilin e kemi trashëguar, a është i duhuri apo jo”, ishte përgjigja e drejtorit të Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

    Ndërkaq, pronarët e taksive për ta parkuar veturën e tyre në trotuar paguajnë 160 euro çdo tre muaj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: