ATV

Author: ATVLive

  • Gërvalla takohet me homologun Osmani

    Gërvalla takohet me homologun Osmani

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur ne takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili po qëndron në Kosovë në cilësinë e shefit të OSBE-së.

    Takimi mes Gërvallës dhe Osmanit dhe delegacionit të tij po mbahet i mbyllur për medie.

    Pas takimit të dy homologët në orën 10:00 do të kenë konferencë për medie.

    Ndërsa gjatë ditës së sotme shefi i OSBE-së, Bujar Osmani do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

  • Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Ditën e sotme do të kemi intervale të shkurtra diellore, po ashtu do të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 23 gradë Celsius.

    Edhe në ditën e nesërme në vendin tonë do të ketë vranësira si dhe reshje të shiut.

    Temperatura minimale do të jetë në Mitrovicë me 0 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 25 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Paralajmëron ish-preseidenti rus: Lufta në Ukrainë do të zgjasë me dekada

    Paralajmëron ish-preseidenti rus: Lufta në Ukrainë do të zgjasë me dekada

    Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjasë dekada, me periudha luftimesh të shoqëruara nga armëpushimet, njoftoi të enjten agjencia ruse e lajmeve RIA.

    Medvedev, i cili aktualisht është nënkryetar i këshillit të fuqishëm të sigurisë kombëtare të Rusisë, e bëri vlerësimin gjatë një vizite në Vietnam. Ish-presidenti, një aleat i presidentit aktual Vladimir Putin, është mësuar me qëndrime të ashpra ndaj luftës. Muajin e kaluar, ai e quajti qeverinë ukrainase një infeksion.

    “Ky konflikt do të zgjasë një kohë shumë të gjatë, ndoshta dekada”, tha Medvedev, sipas RIA.

    “Përderisa të ketë një qeveri të tillë atje, ne do të kemi tre vjet armëpushim, dy vjet luftë dhe përsëri”, parashikoi ai, duke përsëritur pretendimin e Moskës se Kievi sundohet nga nazistët.

  • Mbi 10 mijë serbë të Kosovës nisen në Beograd në përkrahje të Vuçiqit

    Mbi 10 mijë serbë të Kosovës nisen në Beograd në përkrahje të Vuçiqit

    Rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur dje dhe sot në mëngjes nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Shtërpc për në Beograd me ftesë (dhe me detyrim) të liderit serb, Aleksandar Vuçiq të marrin pjesë në kundër-protestën e organizuar nga ai ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë kundër despotizimit të tij në Serbi.

    Shumë serbë janë nisur me vetura, gjë që tregon se mbi 10 mijë serbë të Kosovës kanë shkuar në Beograd “për të mbështetur” presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Paparaci.

    Dje rreth orës 19:00 serbët e parë janë nisur nga Anamorava, ndërsa deri në mëngjes rreth 60 autobusë nga Ranillugu, Kamenica, Ropotova, dhe vende të tjera kishin kaluar vendkalimin kufitar, raporton media serbe “Kosovonline”.

    Serbët nga Shtërpce janë nisur rreth mesnatës me rreth njëzet autobusë dhe vetura, dhe pas mesnate janë nisur edhe kolona me dhjetëra autobusë nga Mitrovica e Veriut dhe Graçanica.

    Para mëngjesit janë nisur edhe autobusët nga Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

  • Flamuri evropian mbush 37 vjet

    Flamuri evropian mbush 37 vjet

    Komuniteti Evropian më 26 maj të vitit 1986, miraton flamurin evropian, simbol i Bashkimit Evropian, por edhe i identitetit në kuptim më të gjerë.

    Flamuri Evropian përbëhet nga 12 yje të arta në një rreth me sfond blu.

    Yjet simbolizojnë idealet e bashkimit, solidaritetit dhe harmonisë mes popujve të Evropës. Numri i yjeve nuk lidhet me numrin e shteteve anëtare të BE-së, edhe pse rrethi është simbol uniteti./KP

  • ​Bujar Osmani sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

    ​Bujar Osmani sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

    Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së, sot viziton Kosovën ku do të takojë krerët e shtetit.

    Takime të ndara Osmani do të ketë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe homologen e tij, Donika Gërvalla.

    Takimi i dy ministrave pritet të nisë prej orës 9:00, ndërsa për në ora 10:00 ëhstë paralajmëruar konferencë për media.

    Takimi mes Bujar Osmanit dhe presidentes Osmani nis në orën 10:25, ndërsa me kryeministrin Kurti prej orës 12:20 në ndërtesën e qeverisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

  • ​Tetë vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

    ​Tetë vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

    Mijëra qytetarë nga mbarë vendi, por edhe nga troje të tjera shqiptare, para tetë vjetësh, u kanë dhënë lamtumirën e fundit tetë prej nëntë kosovarëve të vrarë në Kumanovë të Maqedonisë.

    Pas homazheve dhe një akademie përkujtimore, djem me uniforma të UÇK-së kanë përcjellë për në banesën e fundit, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve, në Prishtinë, trupat e Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës dhe Arben Rexhajt.

    Nga Këshilli Organizativ, në përbërje të shoqatave të dala nga lufta, familjarëve e personaliteteve të tjera, të rënët në Kumanovë gjatë një konflikti me policinë maqedonase më 9 dhe 10 maj, janë nderuar si dëshmorë. Përveç disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje e të AAK-së, askush nga institucionet e larta të shtetit nuk ka qenë as për homazhe e as në varrimin e organizuar në kryeqytet.

    Teksa varrimi është mbajtur në orën 17.00 në praninë e mijëra qytetarëve nga tërë Kosova, paraprakisht në sallën e sporteve “1 Tetori” janë bërë homazhe për më shumë se një orë, ndërsa është mbajtur edhe një akademi përkujtimore.

    Qindra qytetarë kanë bërë homazhe pranë arkivoleve të cilët ishin të mbuluara me flamuj kombëtarë. Veteranë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të veshur me uniformën e dikurshme të UÇK-së qëndronin pranë arkivoleve.

    Në duar ata mbanin fotografitë e të vrarëve në Kumanovë, fotografi këto të montuara, sipas të cilave këta të fundit paraqiteshin të kenë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në fakt, disa prej tyre kanë qenë në UÇK, kanë qenë pjesë edhe e UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, por në vitin 2001 edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. /KosovaPress/

  • ​Shkathtësitë që kërkohen nga një recepsionist/e

    ​Shkathtësitë që kërkohen nga një recepsionist/e

    Profesioni i recepsionistëve është shumë i rëndësishëm pasi që ata janë personat e parë të kompanisë me të cilët takohen klientët apo mysafirët. Janë edhe personat e parë që takohen me stafin çdo ditë.

    Recepsionistët kanë një përgjegjësi të madhe për reputacionin e organizatës për të cilën punojnë, kjo është arsyeja pse punëdhënësit janë shumë të interesuar për të gjetur një profesionist me të gjitha aftësitë e nevojshme të recepsionit për të mbështetur kompaninë/biznesin e tyre.

    AkademiPune më poshtë liston disa nga aftësitë që kërkojnë sot rekruterët nga ata që duan ta ushtrojnë profesionin e recepsionistit/es.

    Aftësi të forta teknologjike

    Vendet e punës po ecin me trendët e dixhitalizimit dhe çdo pozitë e punës është e ndikuar nga kjo. Këtu përfshihet edhe pozita e punës së recepsionistit. Përveç aftësive standarde të paketave të Microsoft dhe njohjes me sistemet telefonike, printerët dhe fotokopjueset, recepsionistët tani do të duhet të mësojnë se si të përshtaten me sisteme softuerike më të sofistikuara.

    Kjo pozitë tani mund të përfshijë gjithashtu teknologji të reja të tilla si mjetet e menaxhimit të mediave sociale.

    Një qasje e pavarur ndaj punës

    Profesionistët që janë në hyrje të kompanisë duhet të jenë gjendje të punojnë në mënyrë të pavarur. Punëdhënësit janë në kërkim të stafit të recepsionistëve që mund të mendojë shpejt, të ketë aftësi të mira për zgjidhjen e problemeve dhe një qëndrim qetësues.

    Aftësi të shkëlqyera komunikimi

    Pavarësisht nëse janë me shkrim apo në mënyrë verbale, detyrat e recepsionistit mbështeten gjithmonë në aftësinë për të komunikuar në një mënyrë të saktë, të qartë dhe koncize – komunikimi është kryesori për këtë pozitë.

    Menaxhimi i kohës

    Nuk është e pazakontë që recepsionistët të kryejnë disa detyra çdo ditë. Recepsionistët më të suksesshëm do të jenë ata që mund t’i japin përparësi detyrave kryesore, të kryejnë shumë detyra dhe të menaxhojnë kohën në mënyrë të përsosur. Profesionistët e kësaj pozite shpesh mund të jetë nën presion të lartë dhe profesionistët duhet të jenë në gjendje që ta ruajnë qetësinë.

    Një organizator i lindur

    Pritet që recepsionistët të jenë në gjendje të gjejnë shpejt atë që nevojitet, qofshin ato dokumente, shkrim apo skedarë digjitalë. Çdo gjë duhet të jetë e organizuar mirë për qasje të shpejtë dhe të lehtë. Kjo aftësi nuk ka të bëjë vetëm me aftësinë për të punuar shpejt, por edhe për të ndjekur proceset, për të lënë përshtypje të mirë te mysafirët dhe për të ndihmuar kompaninë të ruajë standardet e sigurisë së të dhënave.

    I besueshëm

    Besueshmëria është një ndër veçoritë thelbësore të një recepsionisti. Profesionistët në të gjitha nivelet duhet të jenë në gjendje të ndihen të sigurt se telefonatat dhe mesazhet e rëndësishme po monitorohen dhe regjistrohen dhe se vizitorët trajtohen me respekt dhe mirësjellje.

    Aftësi të larta ndërpersonale

    Pothuajse të gjitha aftësitë dhe cilësitë kryesore të recepsionistit varen nga aftësitë ndërpersonale të individit. Punëdhënësit/ rekruterët do të kërkojnë prova për këtë që në fillim të procesit të intervistës.

    Pse është e rëndësishme të kesh aftësitë e duhura të recepsionistit?

    Një recepsionist i mirë duhet të ketë aftësitë sociale për të qenë në gjendje të ketë bashkëpunim të mirë me të gjitha ekipet brenda një kompanie (pavarësisht se nuk ka gjithmonë të njëjtat aftësi, interesa ose kualifikime). Një recepsionist është gjithashtu personi i parë dhe i fundit me të cilin vizitorët kanë kontakt, kështu që cilësia e aftësive të tyre ndërpersonale vepron si një reflektim i reputacionit të kompanisë në tërësi. Nëse jeni duke kërkuar për një pozitë të re si recepsionist/e, duhet të mendoni se si t’i demonstroni këto aftësi si personalisht ashtu edhe në CV-në tuaj./ AkademiPune

  • Miratohet paketa e ligjeve të reformës së pagave, mesatarja shkon në 900 euro në Shqipëri

    Miratohet paketa e ligjeve të reformës së pagave, mesatarja shkon në 900 euro në Shqipëri

    Kuvendi miratoi dje me 93 vota pro dhe 2 kundër një ndryshim në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    Kuvendi miratoi me 95 vota pro dhe 3 vota kundër ndryshimet në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

    Me 97 vota pro dhe 2 kundër, Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi””.

    Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku u diskutuan ligjet e paketës së reformës së pagave tha se, kur kjo mazhorancë ka marrë drejtimin e vendit paga mesatare ishte 259 euro, ndërsa në prillin e vitit që vjen do të shkojë 900 euro.

    “Është koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk mbaron këtu, por këtu ndalojmë një moment për të vlerësuar faktin”, tha Rama.

    Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur në fjalën e saj në Kuvend, gjatë seancës së djeshme se reforma e pagave në administratë krijon kushtet e duhura për ta bërë administratën konkurruese.

    “Synojmë të përmirësojmë hierarkinë, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Realizojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse me pagën. Po japim një pagë më të mirë për pozicionet e punës dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë”, tha ajo.

    Ministrja bëri të ditur se, kjo reformë mundëson që për çdo dy lekë që mblidhen në buxhet, nga tatimet dhe taksat, një lek shkon për transferta direkte te qytetarët.

    Paga bruto e Presidentit nga 257 mijë lekë aktualisht, shkon në 425 mijë lekë ose 65.3 % më shumë. Mjekut specialist i shkon paga bruto 174 mijë lekë ose 115 mijë lekë në muaj më shumë se në 2013-ën, mjekut të përgjithshëm i shkon paga 137 mijë lekë, ose 77 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, infermierit i shkon paga në 87 mijë lekë, ose 25 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, mësuesit në arsim parauniversitar i shkon paga 99 mijë lekë, ose 40 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Në Policinë e Shtetit, paga e një komisari shkon 105 mijë lekë, ose 36 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Ndërsa inspektori i parë i Policisë së Shtetit do të përfitojë një pagë prej 90 mijë lekësh në muaj, ose 37 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, shkruan ATSh.

    Paketa e ligjeve të reformës së pagave përfshin edhe amendimet e propozuara nga deputetët e komisionit të Ekonomisë dhe Financave për ndryshimin e indeksit të pagave për deputetët dhe ministrat.

    Në draftin fillestar qeveria propozoi që paga e deputetëve të jetë sa 36 % e pagës së Presidentit, ndërsa Komisioni miratoi që paga për deputetët të jetë sa 73 % e pagës së Presidentit, ndërsa paga për ministrat të jetë sa 75 % e pagës së Presidentit.

  • Senatori Murphy: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohet shpejt

    Senatori Murphy: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohet shpejt

    Senatori amerikan Chris Murphy, ka thënë të enjten në Beograd se, Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, është një hap përpara, për të cilin, duhet të jenë krenare të dyja palët.

    Megjithatë, ai ka theksuar se marrëveshja duhet të zbatohet shpejt.

    “Ndonjëherë, është më e lehtë të arrihet marrëveshja, sesa të zbatohet”, ka thënë ai.

    Murphy ka thënë, po ashtu, se e di që në Beograd, fokusi qëndron te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, mirëpo, sipas tij, “marrëveshja kërkon që të dyja palët të marrin hapa drejt zbatimit”.

    Senatori amerikan ka thënë se çështja e afateve kohore për zbatim të marrëveshjes, duhet të trajtohet nga negociatorët dhe ekspertët, mirëpo beson se duhet vepruar shpejt.

    “Nuk mendoj se duhet të kalojë edhe një vit për ta kuptuar si të krijohet Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kalojë edhe një vit që Serbia t’i përmbushë obligimet, dhe ta lejojë Kosovën që t’iu bashkohet organizatave ndërkombëtare”, ka thënë ai.

    Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, derisa më 18 mars, janë pajtuar për aneksin e zbatimit.

    Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

    Komentet për rezultatin e zgjedhjeve në veri të Kosovës

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Murphy ka folur edhe për zgjedhjet në veri të Kosovës, të mbajtura më 23 prill.

    Kryetarët e zgjedhur, të gjithë shqiptarë, janë betuar më 19 dhe 25 maj.

    Komunat në veri, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, janë të banuara me shumicë serbe.

    Këto zgjedhje janë bojkotuar nga popullsia serbe dhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

    Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë mbajtur më 23 prill, pas dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

    Murphy ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, dhe zbatimi i saj, janë shumë të rëndësishme për veriun e Kosovës.

    “Mënyra më e shpejtë për t’i zgjidhur këto tensione në komunat me shumicë serbe, sa u përket zgjedhjeve dhe zyrtarëve policorë – është që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, ta zbatojnë marrëveshjen”, ka thënë ai.

    Murphy është takuar të enjten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Bërnabiq.

    Murphy, dhe senatori tjetër amerikan, Gary Peters, janë duke realizuar vizita nëpër Ballkanin Perëndimor.

    Deri më tani, ata i kanë vizituar zyrtarët më të lartë në Prishtinë dhe Podgoricë.