ATV

Author: ATVLive

  • Serwer: Për situatën në veri, ShBA po mbështet 100% Serbinë

    Serwer: Për situatën në veri, ShBA po mbështet 100% Serbinë

    Profesori amerikan, Daniel Serwer, i cili është njohës i zhvillimeve politike në Ballkan. në RTK deklaroi se e kupton dëshirën e kryeministrit Albin Kurti për të ushtruar autorizimet ligjore në tërë Kosovën.

    “Kjo në fakt është dakorduar edhe nga Serbia me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, tha Serwer duke shtuar se është e qartë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është duke bashkëpunuar dhe përkundrazi, ka krijuar një situatë ku Kosova është braktisur nga aleati më i fuqishëm i saj, SHBA-ja.

    “Nuk pajtohem me amerikanët për atë se çfarë po bëjnë, por duhet të jemi realist se Kosova ka nevojë për pranimin nga BE-ja dhe SHBA-ja për të gjitha veprimet që do të ndërmarrë në vijim”, tha profesori Serwer.

    Ai u shpreh në këtë intervistë se më pas, Kosova ka nevojë për pranim nga popullata serbe në veri. Serwer nuk pret që kryetarët e rinj të komunave të jenë në gjendje të ushtrojnë autoritete pa këtë pranim.

    Sipas tij nuk është me rëndësi se në cilat objekte do të qeverisin apo do të punojnë. “Por besoj se është me rëndësi që të qeverisin në mënyrë efektive”, tha Serwer.

    Më tej ai theksoi është i bindur se do të ketë shumë presion mbi ta që të realizojnë punë për komunitetin serb. “Do të ketë presione dhe tek Kurti për t’ju ofruar resurset e nevojshme, por gjëja kryesore është që tashmë të dilet nga ky lëmsh”, tha Serwer në këtë intervistë.

    Profesori amerikan tha se Beogradi e ka kaluar Kosovën me anë të banditëve dhe ata nuk janë kritikuar nga amerikanët për sulmet e tyre ndaj trupave të KFOR-it. “Dhe kjo nuk është fare gjë e mirë”, tha Serwer.

    I pyetur se si e shpjegon situatën kur mbajtja e zgjedhjeve nuk është kritikuar, por madje janë cilësuar si të ligjshme dhe të mbajtura në mënyrë të rregullt, ndërkohë që tani SHBA paralajmëron masa ndaj Kosovës, profesori Serwer tha se amerikanët po e mbështesin Beogradin 100%.

    “Besoj që amerikanët po e mbështesin Beogradin 100% në këtë situatë. Nuk i kanë kritikuar sulmet e banditëve, nuk e kanë kritikuar Serbinë. Amerika ka dalë në anën e këtij ekuacioni 100 për qind”, tha profesori Serwer.

    Sipas tij, duhet të ketë një lloj de-eskalimi. “Nuk jam në terren, nuk arrij të flas me njerëzit që të di më saktësi se cili do të ishte veprimi, por supozoj që nëse amerikanët kërkojnë që kryetarët të qëndrojë në objekt tjetër, nuk besoj se ky është problemi më i madh në botë”, tha ai. “E shoh si problem kërkesën e tërheqjes së Policisë së Kosovës”.

    Profesori Serwer tha se përshtypja e tij është se ka pasur dhunë minimale nga policia, derisa dhunë maksimale ka pasur nga serbët, e sidomos dje (e hënë).

  • Senatorët amerikanë: Të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me dhunë në komunat veriore

    Senatorët amerikanë: Të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me dhunë në komunat veriore

    Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, thanë se ishin të zhgënjyer me vendimin që ata e quajnë të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës “për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme”.

    Mes tjerash, ata i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin masa urgjente për deeskalimin e situatës në veri të komunave veriore. Përgjatë ditëve të fundit ka pasur tensione në këtë pjesë të Kosovës.

    Mbi 20 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pasi protestuesit serbë – që kundërshtojnë kryetarët shqiptarë në veri – i sulmuan ata si dhe gazetarët bashkë me Policinë e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar këto veprime dhe kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës.

    Serbët që po kundërshtojnë kryetarët e komunave veriore janë cilësuar si banda kriminale nga Qeveria e Kosovës, për të cilët u tha se janë dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

    Nga ana tjetër, dy senatorët amerikanë deklaruan se përshkallëzimi i dhunës çoi në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë.

    “Jemi shumë të shqetësuar për përkeqësimin e ndjeshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Jemi të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme. Përshkallëzimi i dhunës çoi në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë. Ne dënojmë dhunën dhe u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën”.

    “Kosova dhe Serbia janë në prag të përmirësimit të marrëdhënieve të tyre diplomatike dhe ekonomike me njëra-tjetrën dhe me Evropën, por anëtarët e Kongresit dhe komuniteti ndërkombëtar janë gjithnjë e më të shqetësuar për kthimin alarmues që po ndodh. Udhëheqësit e të dy vendeve duhet të veprojnë në interesin më të mirë afatgjatë të kombeve të tyre në vend që të lejojnë mosmarrëveshjet e vazhdueshme të prishin paqen dhe stabilitetin dhe, rrjedhimisht, aspiratat e tyre për anëtarësim në BE”, thuhet në reagimin e tyre.

    Senatorët nga radhët e demokratëve dhe republikanëve lëshuan një deklaratë të përbashkët në mars për marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

    Në muajin prill, Shaheen vizitoi Kosovën dhe Serbinë në kuadër të vizitës së delegacionit të Kongresit Amerikan në Ballkan, e cila përfshinte edhe një vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Me iniciativën e senatorit Shaheen Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbajti një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në fillim të këtij muaji, i cili pasoi përpjekjet e saj për të avancuar legjislacionin që do të nxiste bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor.

  • Lista Serbe thirrje qytetarëve “mos të rrezikojnë sigurinë” e KFOR-it

    Lista Serbe thirrje qytetarëve “mos të rrezikojnë sigurinë” e KFOR-it

    Lista Serbe sonte u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos rrezikojnë sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, “sepse kushdo që e bën këtë është duke punuar kundër interesave të popullit serb”.

    Reagimi i tyre vjen pasi sonte u raportua se ka pasur një shpërthim në Zveçan, në drejtim të personelit të KFOR-it.

    “Pasi mësuan se në media doli informacioni se sonte është hedhur një mjet shpërthyes ndaj ushtarëve të KFOR-it në afërsi të ndërtesës së komunës së Zveçanit, përfaqësuesit e Listës Serbe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në një bisedë me përfaqësuesit e KFOR-it në terren mësuan se me shumë gjasa ka qenë fishekzjarre”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

    Gjatë ditëve të fundit ka pasur tensione të shumta në komunat veriore të Kosovës. Nga kjo, mbi 20 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pas sulmeve nga protestuesit serbë, të cilët nuk po kundërshtojnë kryetarët veriorë shqiptarë.

  • Milot Rashica shpallet kampion i Turqisë me Galatasarayn, feston me flamur të Kosovës

    Milot Rashica shpallet kampion i Turqisë me Galatasarayn, feston me flamur të Kosovës

    Ylli i Kosovës, Milot Rashica, është shpallur kampion i Super Ligës së Turqisë me skuadrën e Galatasarayt.

    Në sezonin e tij të parë me Galatasarayn, tek i cili gjendet në formë huazimi nga skuadra e Norwichit, Milot Rashica e ka fituar titullin e kampionit të Turqisë.

    Ndeshja e sotme kundër Ankaragucut, e cila përfundoi 4:1 në favor të Galatasarayt ishte vendimtare për titullin e kampionit në kampionatin turk.

    Sikurse në ndeshjet e tjera, Rashica shkëlqeu edhe sot duke dhënë asistim te goli i parë i Icardit kundër Ankaragucut.

    Në total, Rashica ka arritur të bëjë 29 paraqitje në të gjitha garat me Galatasarayn, ndërsa ka regjistruar gjashtë gola dhe gjashtë asistime mbi emrin e tij.

    Po ashtu, ai ka publikuar pamjet në Facebook ku shihet duke festuar trofeun me flamurin e Kosovës.

  • Rusia i del në mbrojtje Serbisë për situatën në Kosovë

    Rusia i del në mbrojtje Serbisë për situatën në Kosovë

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, situatën e fundit në veri të Kosovës e quan “përshkallëzim të dhunës anti-serbe”.

    Në një deklaratë të saj, ajo shprehet se trupat e NATO-s në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq jo vetëm që demonstruan mungesën e tyre të profesionalizmit, por u bënë edhe burim dhune të panevojshme dhe faktor për rritjen e tensioneve.

    Zakharova tutje vlerëson se ende nuk është vonë për të ndryshuar historinë e zgjedhjeve komunale, që ajo i quajti të rreme, të mbajtura më 23 prill, nëse sipas saj, perëndimorët interesohen vërtet për paqen dhe stabilitetin.

    “Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në formën e saj origjinale, siç parashihej në marrëveshjet me shkrim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën garancitë e Brukselit dhjetë vjet më parë, është ende detyra numër një. Ky është një kusht kyç për një dialog, i cili është mundësia e vetme për të garantuar stabilitet dhe siguri në rajon”, shprehet zëdhënësja Zakharova.

  • Arifi dënon ashpër dhunën në veri, bën një thirrje për Qeverinë Kurti

    Arifi dënon ashpër dhunën në veri, bën një thirrje për Qeverinë Kurti

    Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga huliganët serbë ndaj gazetarëve si dhe ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it në veri të Kosovës.

    “Dënojmë ashpër dhunën nga banda të komunitetit serb të organizuara nga Beogradi në Veriun e Kosovës, ndaj gazetarëve, personave dhe institucioneve publike, si dhe pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të KFOR-it”.

    Arifi ndër të tjera i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ruaj marrëdhëniet me shtetet ndërkombëtare, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ftojmë Qeverinë e Kosovës që me përkushtimin më të thellë të ruajë marrëdhëniet e ndërtuara me dekada me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Arifi në Facebook.

  • Kryeziu: Asnjë individ nuk ka legjitimitet më shumë se sa kryetarët e zgjedhur që të jenë në ato ndërtesa

    Kryeziu: Asnjë individ nuk ka legjitimitet më shumë se sa kryetarët e zgjedhur që të jenë në ato ndërtesa

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një intervistë në emisionin A23 në ATV, tha në komunat veriore, nuk ka asnjë individ që ka më shumë legjitimitet për të qenë në ato ndërtesa sesa këta katër kryetarë.

    “Dje, por edhe të hënë edhe të premten, duhet të themi që ne edhe në të kaluarën po edhe tash së fundmi sidomos kryeministri Kurti me adresimin e tij të sotshëm, tha se ne e njohim faktin që kryetarët e sapozgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit kanë një legjitimitet të zbehur, për shkak të bojkotit të imponuar të serbëve në zgjedhjet e mbajtura, por edhe pse me legjitim legjitimitet të zgjedhur, realisht nuk ka asnjë individ që ka më shumë legjitimitet për të qenë në ato ndërtesa sesa këta katër kryetarë”, tha Kryeziu.

    Ai tha se, në qoftë se dikush vë diçka në flakë ata janë persona me maska, me të kaluar kriminale që nuk bëjnë asnjë lloj përzgjedhjeje se kush është para tyre, për aq kohë sa nuk janë serbë ose serbëfolës.

    “Dëshmitarët më të mirë të kësaj, përveç ushtarëve të KFOR’it e veçanërisht ata të lënduarët, për të cilët pa dyshim që shprehim urimin për shërim e rikuperim sa më të shpejtë, janë edhe vetë gazetarët të cilët nga biseda që kanë pasë me ta, asnjëherë nuk kanë qenë më shumë target në veri kur ka situata të tensionuara sikurse kësaj radhe. Janë diku rreth pesëmbëdhjetë raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Praktikisht çdo medium atje ka qenë i sulmuar, automjete të tyre kanë qenë të vandalizuara e të dëmtuara madje në një rast edhe të djegura edhe gazetarët vazhdimisht kanë qenë të penguar atje gjatë punës së tyre. Këto janë dëshmitë më të forta që tregojnë se ajo protestë e djeshme, sidomos e djeshme, nuk e ka fort raportin me komunën po e ka raportin me njëfarë lloj pushteti territorial aty, për të cilën nuk zgjedhin asnjëfarë lloj metode apo mënyre”, tha Kryeziu.

    Arsyeja pse cak i sulmeve ka qenë Zveçani, edhe pse kryetari i komunës nuk gjendej në ndërtesë, sipas Kryeziut është se ata individë që kanë sulmu me qenë në ato komuna.

    “Dje targeti kryesor për një kohë të gjatë ka qenë Zveçani edhe sulmet dhe përleshjet më të mëdha kanë ndodhur në atë komunë. Në Zveçan, kryetari i komunës nuk ka qenë në ndërtesë, që do të thotë synimi ka qenë jo mos me pasë kryetarin në ndërtesë po që atë individë të cilët i kemi pa duke hedhur gjësende, duke sulmu KFOR-in, të jenë në ato komuna. Kjo është arsyeja se pse ka prezencë të policisë në këto komuna dhe kjo është arsyeja pse ka prezencë të KFOR-it në këto komuna për shkak, se sidomos për nga përgjegjësia jonë ne kemi detyra e detyrim kushtetues i ligjor që kryetarëve të komunave të zgjedhur e të zotuar, tua ofrojmë mundësinë që të kryejnë detyrën e tyre prej vendit të punës”, theksoi Kryeziu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Keni ide të çmendura” Kosova është në flakë/ debati Pozhari- Kabashi

    “Keni ide të çmendura” Kosova është në flakë/ debati Pozhari- Kabashi

    Ngjarjet e fundit në veri të vendit dhe reagimi i sotëm i ambasadorit amerikan Jeffery Hovenier, për përjashtimin e Kosovës nga pjesëmarrja në stërvitjet “Defender Europe 2023”, në emisionin CONTEXT në ATV, shkaktoi përplasje mes analistëve Bekim Kabashi dhe Xhevdet Pozhari.

    “Kërkesa eksplicite e ambasadorit amerikan ka qenë që ata kryetarë të mos udhëheqin nga objektet e komunave”, i tha Kabashi – Pozharit.

    “Bekim, tregom kush duhet me shku në qato ndërtesa dhe pse mbahen zgjedhjet e lira”, pyeti Pozhari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Më ke shpëtuar, të dua shumë, por çka po lyp prej meje” – Dimal Basha për reagimet e ndërkombëtarëve

    “Më ke shpëtuar, të dua shumë, por çka po lyp prej meje” – Dimal Basha për reagimet e ndërkombëtarëve

    Deputeti i VV-së, Dimal Basha, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se ndërkombëtarët duhet të mësohen që të mos i trajtojnë kosovarët si klasë e tretë.

    Ai mori shembull reagimin e euro deputetes, Viola Von Cramon, e cila iu ishte drejtuar policëve të Kosovës me “çka dreqin po lypni këtu”, në vizitën e saj në veri të vendit.

    “Unë nuk thash për shembull të atyre, por është në interes tonin me e shtri sovranitetin me e ndihmu komunitetin serb atje. A e patë kjo euro deputetja, vjen këtu edhe shkon te policia e Kosovës, Viola Von Cramon, edhe “shka dreqin keni lyp këtu”. Edhe ti ndalesh edhe mendoj mos rastësisht ministri i jonë e ka bërë komandante të policisë. Ky është mentalitet i keq i evropianëve që vijnë e na shohin si klasë e tretë. Ajo mundet me ardhë, është mike e Kosovës, dorën në zemër na ndihmon në shumë sende. Por këtë qasje duhet me kuptu ajo, që mundem me kanë i varfër, por e kam njëfarë dinjiteti. Fukara jam, po çka tash a me ta dhanë shpirtin a? Po me kë shpëtu, po me kë shpëtu, të dua shumë, po çka po do prej meje? Jo po shka po lyp policia e jote këtu, po a ty me tu përgjigj unë ku rrin policia?”, u shpreh Basha. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Rreth 50 serbë e 30 ushtarë të KFOR it u lënduan të hënën në veri

    Rreth 50 serbë e 30 ushtarë të KFOR it u lënduan të hënën në veri

    Si pasojë e përleshjeve që ndodhën të hënën në komunën e Zveçanit, mes ushtarëve të KFOR-it e protestuesve serbë, vlerësohet se u lënduan rreth 50 protestues.

    Sipas drejtorit të spitalit të Mitrovicës së Veriut, Zlatan Elek, tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë.

    Nga ata 52, tre meritojnë vëmendjen më të madhe, ndër ta është Dragisa Galjak, i cili ka dy plagë me armë zjarri, njëra në pjesën e gjysmës së majtë të legenit dhe tjetra në pjesën e gishtit tregues të dorës së majtë. Ai është i plagosuri më i rëndë dhe aktualisht ndodhet në reanimacion dhe mjekët po luftojnë për jetën e tij, edhe pse ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar”, tha Zlatan Elek, drejtor i spitalit në Mitrovicë e Veriut .

    Megjithatë, sipas qytetarëve që panë përleshjet nga afër, numri i të lënduarve dyshohet të jetë më i madh.

    Sidoqoftë, në mesin e të lënduarve nuk pati vetëm protestues. Sipas një njoftimi për media nga Misioni i NATO-s në Kosovë, si pasojë e përleshjeve të së hënës në Zveçan u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR-it, 19 nga kontingjenti i Hungarisë, ndërsa 11 nga ai i Italisë.

    Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri, Aleanca veri-atlantike, NATO, ka dislokuar forca shtesë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: