ATV

Senatorët amerikanë: Të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me dhunë në komunat veriore

Written by

in

Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, thanë se ishin të zhgënjyer me vendimin që ata e quajnë të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës “për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme”.

Mes tjerash, ata i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin masa urgjente për deeskalimin e situatës në veri të komunave veriore. Përgjatë ditëve të fundit ka pasur tensione në këtë pjesë të Kosovës.

Mbi 20 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pasi protestuesit serbë – që kundërshtojnë kryetarët shqiptarë në veri – i sulmuan ata si dhe gazetarët bashkë me Policinë e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar këto veprime dhe kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës.

Serbët që po kundërshtojnë kryetarët e komunave veriore janë cilësuar si banda kriminale nga Qeveria e Kosovës, për të cilët u tha se janë dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

Nga ana tjetër, dy senatorët amerikanë deklaruan se përshkallëzimi i dhunës çoi në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë.

“Jemi shumë të shqetësuar për përkeqësimin e ndjeshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Jemi të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme. Përshkallëzimi i dhunës çoi në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë. Ne dënojmë dhunën dhe u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën”.

“Kosova dhe Serbia janë në prag të përmirësimit të marrëdhënieve të tyre diplomatike dhe ekonomike me njëra-tjetrën dhe me Evropën, por anëtarët e Kongresit dhe komuniteti ndërkombëtar janë gjithnjë e më të shqetësuar për kthimin alarmues që po ndodh. Udhëheqësit e të dy vendeve duhet të veprojnë në interesin më të mirë afatgjatë të kombeve të tyre në vend që të lejojnë mosmarrëveshjet e vazhdueshme të prishin paqen dhe stabilitetin dhe, rrjedhimisht, aspiratat e tyre për anëtarësim në BE”, thuhet në reagimin e tyre.

Senatorët nga radhët e demokratëve dhe republikanëve lëshuan një deklaratë të përbashkët në mars për marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

Në muajin prill, Shaheen vizitoi Kosovën dhe Serbinë në kuadër të vizitës së delegacionit të Kongresit Amerikan në Ballkan, e cila përfshinte edhe një vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Me iniciativën e senatorit Shaheen Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbajti një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në fillim të këtij muaji, i cili pasoi përpjekjet e saj për të avancuar legjislacionin që do të nxiste bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *