ATV

Author: ATVLive

  • Sveçla fton qytetarët mos të marrin pjesë në protestën e sotme në Mitrovicë: Thirrja po përhapet nga persona të panjohur

    Sveçla fton qytetarët mos të marrin pjesë në protestën e sotme në Mitrovicë: Thirrja po përhapet nga persona të panjohur

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të enjten se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe sipas tij, nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.

    Ai shtoi se përmes këtij organizimi në rrjetet sociale, po tentohet të nxiten tubime të panevojshme.

    “Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, shkroi i pari i MPB-së në Facebook.

    “Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit”, shtoi Sveçla.

    Krejt në fund, ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime.

    Njashtu si Sveçla, edhe Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët të shmangin këtë protestë.

    Disa thirrje janë përhapur në rrjetet sociale për organizimin e një proteste masive, sot në ora 12:00 në jug të Mitrovicës. Këto thirrje u drejtohen qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë kinse për marshim në veri të vendit.

    “Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend”, tha Policia e Kosovës.

  • Kryetari i Zubin Potokut vazhdon punën nga Zyra për Komunitete

    Kryetari i Zubin Potokut vazhdon punën nga Zyra për Komunitete

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër të kësaj komune.

    Ai shtoi se, aktualisht, është duke u vlerësuar gjendja e sigurisë në komunë, për të vendosur nëse do të shkojë në objektin komunal.

    Kujtojmë se serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të tria komuna në veri të Kosovës – janë duke protestuar prej ditësh kundër kryetarëve shqiptarë.

    Tensionet janë rritur nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ka ndihmuar ata të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve vendas./REL/.

  • Osmani sot takohet me Macron dhe Scholz

    Osmani sot takohet me Macron dhe Scholz

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për vizitë në Moldavi, ku me ftesë të organizatorëve ajo po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

    Në margjinat e këtij samiti, siç merr vesh Telegrafi, Osmani sot do të zhvillojë një takim trilateral me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

    Burime të Telegrafit gjithashtu kanë theksuar se në takim nuk do të jetë i pranishëm presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Gjatë pjesëmarrjes së saj në këtë samit, Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, dje ka bërë të ditur se bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë më 1 qershor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Macron i ka konfirmuar këto biseda në një fjalim të mbajtur në Konferencën GLOBSEC në Bratislavë.

  • Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

    Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

    Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

    Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

    Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

    Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

  • Komandanti i KFOR-it: Në Zveçan ka pasur profesionistë, të cilët me dashje kanë nxitur turmën

    Komandanti i KFOR-it: Në Zveçan ka pasur profesionistë, të cilët me dashje kanë nxitur turmën

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku ka theksuar se po të mos ndërhynte KFOR-i “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

    Ristuccia shtoi se në Zveçan ka pasur njerëz që me qëllim kanë nxitur turmën e banorëve serbë.

    “Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilët me dashje kanë nxitur turmën”, ka thënë ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

    Ai foli edhe për ushtarët e KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm.

    “Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”, ka thënë ai.

    Ai është pyetur edhe për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Wagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.

    Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.

  • “Nuk ka dorëzim” – Në Mal të Zi tubime përkrahëse për serbët në Kosovë

    “Nuk ka dorëzim” – Në Mal të Zi tubime përkrahëse për serbët në Kosovë

    Në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë, disa qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës para një kishe në Podgoricë të Malit të Zi.

    Në tubim nuk pati fjalime, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe mesazhe të tjera.

    Ata kishin veshur bluza me mesazhet “Vëllai për vëllain, nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, “Mali i Zi – Rusi”, si dhe me imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin.

    Ftesa për tubim është shpërndarë në rrjetet sociale dhe thuhet se është organizuar nga një grup qytetarësh.

    Pjesëmarrës ishin edhe disa deputetë të partive më të vogla pro-serbe, si Bogdan Bozhoviq nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiq nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit Popullor, Dejan Vukshiq.

    Në qytetin e Nikshiqit sot pritet të mbahet një tubim i ngjashëm.

    Rreth një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë dhe rreth dy të tretat i takojnë një dege lokale të Kishës Ortodokse Serbe.

    Tensionet me Beogradin janë zbutur ndjeshëm nga koha kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë në vitin 2006, por çështjet e identitetit kombëtar malazez dhe kulturës së përbashkët shkaktojnë ende dilema. /REL

  • AGK: Fushatë e rrezikshme me fotomontazhe ndaj gazetarëve

    AGK: Fushatë e rrezikshme me fotomontazhe ndaj gazetarëve

    Berat Buzhala, Bekim Kabashi dhe Lavdim Hamidi, janë bërë cak i foto-montazheve, të cilat po shpërndahen në rrjete sociale këtë pasdite.

    Foto-montazha e Buzhalës është krijuar në atë formë që të duket gjoja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ripostuar një cicërimë të Buzhalës, duke thënë se është njëri nga gazetarët më të mirë kosovarë.

    Ndërsa, Kabashit dhe Hamidit, u janë vendosur flamuj të Serbisë në ballë me mbishkrimet: “Zagarët e Vuciqit”, si dhe “Bravo vëlla” (duke aluduar se kështu po iu drejtohet presidenti Serb dy gazetarëve).

    Një fushatë e tillë, është shumë e rrezikshme dhe vë në cak të sulmeve online si gazetarët, ashtu edhe familjet e tyre.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.

  • Protestuesve në Zveçan u bashkohen edhe punëtorët e komunitetit serbë të Trepçës

    Protestuesve në Zveçan u bashkohen edhe punëtorët e komunitetit serbë të Trepçës

    Protestës së sotme të serbëve të veriut i janë bashkuar edhe punëtorët serbë të Trepçës

    Ata thonë se kanë dalë në përkrahje të protestuesve rreth kërkesave që ata kanë, dhe jo vetëm kaq.

    Sipas deklaratave, ata janë detyruar ta ndalin punën pasi thonë se rruga ka pesë ditë që është bllokuar dhe kjo ka bërë që të bllokohet edhe shpërndarja e materialit jashtë minierës.

    “Policia e Kosovës ka bllokuar rrugët dhe që 5 ditë nuk kemi punuar, nuk kemi pasur mundësi ta shpërndajmë materialin jashtë minierës”, thanë ata.

  • ​Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

    ​Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

    Në tre komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për katër ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

    Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

    Serbët kanë paralajmëruar edhe për sot protesta në këto komuna nga ora 7:00 e mëngjesit.

    Ndërsa dje në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

    Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

    Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • Schmidt nuk beson se do të ketë përshkallëzim në Kosovë

    Schmidt nuk beson se do të ketë përshkallëzim në Kosovë

    Christian Schmidt ka dhënë një intervistë për televizionin gjerman “Phoenix TV”, ku mes tjerash ka folur edhe për konfliktin ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.

    Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Bosnje dhe Hercegovinën e konsideron të pamundur përshkallëzimin mes Kosovës dhe Serbisë pas trazirave të fundit nga militantët serb në veri të Kosovës.

    Kur u pyet nëse mund të ketë një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, Schmidt u përgjigj:

    “Jo, nuk kam shqetësime të tilla. Sepse forcat e arsyes mbizotërojnë. Bëhet fjalë për argumente taktike, fatkeqësisht të dhunshme që mund të instrumentalizohen dhe që nuk pasqyrojnë ndonjë zemërim spontan të asnjë populli”.

    Në të kaluarën, ai ka përjetuar konflikte shumë më dramatike, por konflikti aktual mund të jetë “i kufizuar”, tha Schmidt.

    Megjithatë, një parakusht për një afrim është “që të ekzistojë një strukturë e orientuar drejt rregullave që u jep të dyjave – në këtë rast Kosovës dhe Serbisë – mundësinë e ekzistencës paralele”.

    Një problem në Ballkan është se konfliktet nuk mund të kufizohen në rajone, thotë ai.

    “Ballkani është në vetvete një rajon lehtësisht i ndezshëm në të cilin ne të gjithë duhet të bëjmë çmos për të mbështetur qetësinë, paqen dhe mungesën e dhunës”, tha Schmidt.

    Për këtë arsye, përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Evropian janë “të domosdoshme”.

    Schmidt tha gjithashtu se është e nevojshme të gjendet “një mënyrë e bashkëpunimit të ndërsjellë” dhe “njohjes së pavarësisë së vendeve përkatëse”.