ATV

Author: ATVLive

  • Bashkatdhetari që bëri rrugë për 15 ditë me biçikletë nga Gjermania në Kosovë

    Bashkatdhetari që bëri rrugë për 15 ditë me biçikletë nga Gjermania në Kosovë

    Bashkatdhetari Albert Lubeniqi, i cili bëri 1.850 km rrugë me biçikletë nga Gjermania në Kosovë për 15 ditë rresht, ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV. Ai në këtë emision tregoi se kjo sfidë për të ka qenë e vështirë, por se ka shkuar shumë mirë.

    “Ky rrugëtim ka kaluar shumë mirë. Jam nisur me 13 maj nga Kasseli i Gjermanisë dhe kam arritur në Istog mbas 15 dite. Desha të bëj diçka ndryshe. Kanë ardhur edhe shumë tjetër, nuk jam i pari që kam ardhur në Kosovë me biçikletë, mirëpo unë vendosa një rrugëtim ndryshe nga të tjerët, mendova t’i ndihmoj edhe fëmijët e Kosovës”, tha Alberti.

    Ai thotë se kjo ka qenë një sfidë për të, por njëkohësisht edhe qëllim humanitar për t’i ndihmuar fëmijët në Kosovë.

    “Kjo ka qenë edhe për veti një sfidë, por edhe një qëllim humanitar për fëmijët në Kosovë. Normal që ka qenë sfidë e vështirë sepse unë i kam bërë nga 140 km në ditë përafërsisht dhe moti me shi, me diell i ka bërë ato tjerat. Vitin e kaluar kam qenë mbi 10 herë në Kosovë me veturë, mirëpo kësaj radhe erdha me biçikletë, edhe shumë mirë ka qenë, natyrë, peizazhe të ndryshme, mot me shi, me diell, të gjitha”, tha bashkatdhetari Albert Lubeniqi.

    Ai tregoi se këtë udhëtim e ka bërë nga Kasseli në Gjermani, pastaj ka vazhduar në Austri, Hungari, Serbi dhe në fund në Kosovë.

    Alberti tha se qëllimi i këtij udhëtimi ishte humanitar, ku për çdo kilometër të kaluar, do të dhurojë nga 1.00 Euro dhe jo vetëm, ai shtoi nga 0.50 cent për çdo kilometër për ata të cilët i bashkëngjiten këtij udhëtimi, ndërsa parat e grumbulluara iu dedikohen tri shoqatave të ndryshme: Shoqatës së SOS Fshatit te Fëmijëve në Prishtinë, Shoqatës Handikos në Istog dhe Shoqatës Autizmi Flet. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë në emisionin ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti: Të përkushtuar për mirëqenien e fëmijëve

    ​Kurti: Të përkushtuar për mirëqenien e fëmijëve

    Me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve sot është mbledhur Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.

    Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se teksa ka uruar Ditën e Fëmijëve, ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të rritur mirëqenien e fëmijëve.

    Sipas tij, mirëqenia e fëmijëve nuk është vetëm obligim ligjor dhe etik por edhe gurthemel për shoqëri prosperuese.

    Ai tha se të drejtat e fëmijëve janë përgjegjësi kolektive për të cilat duhet të angazhohen dhe punojnë krah per krah duke bashkuar forcat të gjitha institucionet.

    Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar për të komunikuar dhe koordinuar politikat, programet dhe proceset në lidhje me çështjen e të drejtave të fëmijëve, brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të lehtësuar realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre mundësi të barabartë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.

  • Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, i bashkohet protestës në Zveçan

    Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, i bashkohet protestës në Zveçan

    Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Miljana Nikoliq, raportohet se i është bashkëngjitur protestës që ka nisur mëngjesin e sotëm në Zveçan.

    Nikoliq, e cila ishte shprehur e pakënaqur me vendimin e Qeverisë Kurti rreth reciprocitetit me Serbinë, bashkë me deputetët e tjerë të Listës Serbe, kishin dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

    Kujtojmë se serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të tria komuna në veri të Kosovës – janë duke protestuar prej ditësh kundër kryetarëve shqiptarë.

    Tensionet janë rritur nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ka ndihmuar ata të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve vendas.

  • Gjobitet kuzhinieri që kërcënoi me thikë aktorin Benedict Cumberbatch

    Gjobitet kuzhinieri që kërcënoi me thikë aktorin Benedict Cumberbatch

    Një kuzhinier i quajtur, Jack Bissell, kishte hyrë në shtëpinë e aktorit Benedict Cumberbatch dhe kishte thënë: E di që jeni zhvendosur këtu.

    Aktori dhe familja e tij ishin të gjithë në shtëpi në momentin kur Jack kishte në dorë një thikë peshku dhe kjo bëri që ata të krijojnë panik dhe të frikësohen.

    Ai u gjobit me 250 paund dhe urdhër ndalimi për tre vjet duke e penguar të shkojë pranë familjes së Cumberbatch dhe zonës ku ata jetojnë.

    Sipas BBC, personi i cili është kuzhinier me profesion kishte hedhur një bimë në murin e kopshtit dhe e kishte kapur atë me thikë peshku.

    I akuzuar i kishte thënë shitësit në një dyqan aty pranë se do të hynte brenda dhe do të digjte shtëpinë e aktorit.

    Një burim i afërt i aktorit tha se : Benedict dhe bashkëshortja e tij kanë pasur shumë net pa gjumë që kur janë shqetësuar se mund të jenë sërish në shënjestër. /atvlive.tv

  • Bebe Rexha paralajmëron këngën e re në gjuhën shqipe

    Bebe Rexha paralajmëron këngën e re në gjuhën shqipe

    Bebe Rexha ka bërë të ditur se është në përgatitje të një kënge në gjuhën shqipe.

    Kënga është me ritme shqiptare dhe në video Bebe këndon së bashku me këngën në sfond.

    Për të gjithë që e ndjekin në rrjetin social Instagram , Bebe Rexha bëri pyetje : A ta publikojmë këtë?

    A ta publikojmë këngën shqipe në verë? Bebe Rexha është një këngëtare nga Dibra e cila u rrit në Bronx të New York-ut.

    Ndryshe, emri i vërtetë i saj është Bleta Rexha.

    Në intervista të ndryshme , shpesh Bebe ka treguar se di të flas shqip por ndonjëherë e gërsheton me anglishten.

    Bebe ka treguar se ajo gjithnjë e ndjenë vetën si shqiptare dhe se i pëlqen shumë dasmat shqiptare. /atvlive.tv

  • Konfirmohet se e dashura e Al Pacino-s është shtatzëne

    Konfirmohet se e dashura e Al Pacino-s është shtatzëne

    Al Pacino dhe e dashura e tij Noor Alfallah janë në pritje të një fëmije.

    Alfallah është në muajin e tetë të shtatëzanisë dhe ata po presin fëmijën e parë të tyre.

    Al Pacino është 83 vjecar kurse Alfallah është 29 vjecare.

    Ajo dikur ishte në lidhje dashurie Mick Jagger dhe bilionerin Nicolas Berrggruen.

    Aktori është baba i tre fëmijëve me dy gra të ndryshme.

    Ky lajm vjen në muajin e njëjtë kur u konfirmua se kolegu dhe miku i tij Robert de Niro, 79 vjecar u bë baba për herë të shtatë me të dashurën e tij, Tiffany Chen.

    Të dy aktorët kanë luajtur në filma të përbashkët si The Irishman, Heat dhe The GodFather. /atvlive.tv

  • Mblidhen serbët sërish në komunat veriore, aktualisht situata është e qetë

    Mblidhen serbët sërish në komunat veriore, aktualisht situata është e qetë

    Në komunat veriore të Kosovës serbët janë mbledhur sërish kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave.

    Në Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan, protestuesit serbë janë tubuar për herë të katërt këtë javë, mes tensioneve në rritje, pasi të premten e javës së kaluar Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të futeshin nëpër komuna.

    Situata aktualisht është e qetë në tri komunat. Megjithatë, kujtojmë se të hënën protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • Shkolla me 8 nxënës e 9 mësimdhënës

    Shkolla me 8 nxënës e 9 mësimdhënës

    Numri i nxënësve në shumicën e shkolla të vendit, e në veçanti në pjesët rurale, prej vitesh vazhdon të zvogëlohet.

    Njëri prej shkaqeve mbetet migrimi i jashtëm dhe i brendshëm i qytetarëve.

    Shumë prej tyre kanë zgjedhur vendet më urbane brenda Kosovës e disa shtetet perëndimore.

    Një rast i veçantë është në fshatin Zhiti të komunën e Podujevës.

    Në këtë fshat, shkolla ka më shumë mësimdhënës se sa nxënës. Aktualisht janë 8 nxënës të rregullt të moshave të ndryshme, ndërsa të punësuar figurojnë 9 mësimdhënës.

    Për më shumë, ndiqeni kronikën e plotë të ATV-së në videon e më poshtme nga minuta 25:00.

  • Rakiq ka një njoftim pas negociatave me KFOR-in

    Rakiq ka një njoftim pas negociatave me KFOR-in

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se pas negociatave të djeshme, KFOR-i ka dislokuar pjesëtarë të saj në pesë lokacione në Zveçan.

    Në një deklarim për media nga Zveçani të enjten në mëngjes, Rakiq tha se KFOR-i ka përmbushur premtimin e tyre.

    “Pas bisedës së djeshme me kolonelin amerikan të KFOR-it, kemi marrë garanci dhe shohim se ata e kanë përmbushur premtimin e tyre. Ata kanë vendosur forcat e tyre në pesë pika në rrugët përreth qytetit për të parandaluar hyrjen e forcave speciale të policisë dhe incidentet. I falënderoj për mirëkuptimin e tyre, do të thotë shumë për ne”, tha Rakiq.

    Ai ka thënë se “populli serb nuk ka asnjë problem me ushtarët e KFOR-it”.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë në shërbim të ushtarëve të KFOR-it nëse kanë nevojë për ndihmë, sepse ata janë aty për të mbrojtur njerëzit që po protestojnë në mënyrë paqësore”, ka shtuar Rakiq.

  • Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

    Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

    “NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, shkruan REL.

    Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

    Stoltenberg tha se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.