ATV

Author: ATVLive

  • Kosova rrezikon të marrë edhe sanksione të tjera nga SHBA dhe BE

    Kosova rrezikon të marrë edhe sanksione të tjera nga SHBA dhe BE

    Anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”, ishte pasoja e parë për Qeverinë, për moskoordinim të veprimeve në veri me SHBA-në.

    Ndonëse, thotë se nuk frikësohet nga sanksionet, kryeministri Albin Kurti megjithatë është i brengosur.

    Por, acarimi i raporteve me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me SHBA-në, sipas njohësve mund të ketë pasoja edhe më të rënda, duke filluar nga mosanëtarësimi në organizata ndërkombëtare e deri tek pezullimi i liberalizimit të vizave.

    “Kosova është duke zhvilluar një proces të dialogut me Serbinë në Bruksel, e kemi marrëveshjen e Ohrit, e cila ka për qëllim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, që është pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës dhe në organizma të tjerë, pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë Kosova do të mbetet një vend vetë numri dhe do të jetë e zymtë”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

    “Nëse kryeministri Kurti ngrin kokën, sanksionet do të vazhdojnë nga SHBA-ja e Bashkimi Evropian. Do të kemi izolim total në arenën ndërkombëtare, do të kemi stopim të të gjitha fondeve financiare”, tha analisti Artan Behrami.

    Pas tensioneve të krijuara në veri, bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar ashpër autoritetet në Prishtinë. Madje, sipas SHBA-së, nëse Qeveria nuk reagon mund të përballet edhe me pasoja të tjera. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kushti i Kurtit tërheqja e bandave kriminale, pastaj ulja e pranisë së policisë

    Kushti i Kurtit tërheqja e bandave kriminale, pastaj ulja e pranisë së policisë

    Tërheqja e bandave nga veriu fillimisht, pastaj ulja e numrit të policisë dhe paralelisht avancimi i marrëveshjes së Brukselit sipas kryeministrit Albin Kurti, janë veprimet që mund t’i ulin tensionet në Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok.

    Këtë rrugëdalje për krizën në veri, kryeministri Albin Kurti e propozoi gjatë fjalimit në konferencën për sigurinë globale, Globsec që po mbahet në Bratislavë.

    “Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe zgjidhja nuk do të duhej të ishte rrugë me kthesa por hekurudhë me dy binarë. E para për të dalë nga kriza në veri që nënkupton sundim të ligjit, bandat kriminale ose të kthehen në Serbi ose në burg në Kosovë pastaj ulje të pranisë së policisë para objekteve të komunave dhe normalizim të situatës. E dyta zbatim i shpejtë, i plotë, pa shtyrje dhe i pakushtëzuar i marrëveshjes së Brukselit”, tha Kurti.

    Megjithatë, kryeministri Kurti nuk do t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale për të shmangur krijimin e strukturave paralele në atë pjesë.

    “Po t’i urdhëroja kështu, do të ishte sikur po nxis krijimin e strukturave paralele për struktura paralele. Pra të kopjoj metodat e tyre. Do t’u bashkohesha ilegalitetit të tyre. S’mund ta bëj këtë. Demokracia është që ligji të jetë mbi politikën”, tha Kurti.

    Teksa tregoi për takimin që pati me përfaqësuesit e BE-së në Bratislavë të mërkurën, kryeministri Albin Kurti theksoi se është gati t’i dëgjojë serbet nëse protestat janë paqësore.

    “Kam diskutuar me Borellin dhe Lajcak duke u thënë se nëse do të ishin protesta paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme do të kuptoja, por jo banda me shkronjën Z, që sulmojnë KFOR-in e policinë dhe të cilët bërtasin vrisni-vrisni. Para këtyre bandave unë nuk e dorëzoj republikën demokratike, por të ishin prapë protesta paqësore atëherë kanë një kryeministër që gjithë jetën e tij ishte aktivist politik dhe është më së i gatshëm t’i dëgjoj e ndoshta edhe të pajtohem me ta”, tha Kurti.

    Kryeministri, Albin Kurti ka treguar gatishmëri për takim më presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, derisa një takim brenda kësaj jave me dy liderët e presin edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca për situatën në veri: Po keqkuptohemi, deklaratat e Blinken gjë e keqe për Kosovën

    Konjufca për situatën në veri: Po keqkuptohemi, deklaratat e Blinken gjë e keqe për Kosovën

    Derisa protestat e serbëve lokalë vazhdojnë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se SHBA-ja nuk po e kupton drejt pozicionin e Kosovës.

    Sipas tij, në veri grupet e armatosura po e sfidojnë shtetin dhe po i sulmojnë zyrtarët policorë.

    “Kryefjala e gjithë procesit është aftësia jonë, kapaciteti ynë për t’i kryer detyrat tona shtetërore, edhe policia, edhe institucionet e sigurisë, në mënyrë që të garantojnë siguri dhe qetësi në atë pjesë të vendit. Siç po shihet atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme, të paligjshme, të cilat e sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë”, tha Konjufca.

    Pas kritikave të ashpra që SHBA-ja pati ndaj Qeverisë së Kosovës për situatën në veri, Konjufca shtoi se zgjedhjet janë mbajtur në koordinim me SHBA-në. Por, qortimet, sipas kryekuvendarit, nuk janë të parat.

    “Për t’u mirëkuptuar duhen natyrisht takime edhe më intensive, takime më të thella se Qeveria po shkon në atë rrugë për arsye se ashtu i ka lexuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… Kur nuk mori pjesë në zgjedhje Lista Serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kam dëgjuar duke thënë se këto zgjedhje duhen anuluar, nuk e kam dëgjuar duke thënë, d.m.th. tash qysh e kupton një politikan këtë çështje ose një zyrtar publik, kur thonë që SHBA-ja nuk duhet të anulojnë zgjedhje, i bie që kemi të drejtë me marrë pjesë, tash kur keni të drejtë me marrë pjesë ligjet e Kosovës nuk shohin prag sa duhet me marr pjesë”, tha Konjufca.

    Ndërkaq, Konjufca tha se ndërkombëtarët nuk kanë vija të kuqe për Serbinë.

    “E kemi pa që bashkësinë ndërkombëtare që ia tregon disa vija të kuqe Serbisë, unë s’po shoh që bashkësia ndërkombëtare ka vija të kuqe për Serbinë, por ka qysh definon Serbia provokim, Serbia e çon ushtrinë, është rrezik, Kosova duhet të zmbrapset, kështu është situata”, tha Konjufca.

    Serbët në veri, që nga e premtja janë duke protestuar kundër punës së kryetarëve të rinj shqiptarë. Dhunë protestuesit kanë ushtruar edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Situata në veri, opozita i kërkon dorëheqje Kurtit

    Situata në veri, opozita i kërkon dorëheqje Kurtit

    Sanksionet e Shteteve të Bashkuara karshi Kosovës pas situatës së tensionuar në veri të vendit, partitë opozitare po i vlerësojnë si jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën.

    Për këtë po e akuzojnë kryeministrin Albin Kurti se po e shkatërron aleancën me aleatët ndërkombëtarë e veçmas me ShBA-në.

    “Sot Albin Kurti ka zgjedhur të luftojë me aleatët ndërkombëtarë, kjo është e rrezikshme dhe nuk e ndihmon Kosovën”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Për këtë ata kërkuan që sa më parë kryeministri të raportojë në Kuvend.

    “Kjo është e dëmshme, e papranueshme dhe karshi kësaj situate, ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq. Prandaj, t’i marrim përgjegjësitë në duart tona dhe angazhimin, në mënyrë që të arrijmë të sanojmë dëmin të cilin e ka shkaktuar kjo qeveri dhe kryeministri Kurti”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Por veç kësaj, Kurtit po i kërkohet edhe dorëheqja.
    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon mocion mosbesimit për qeverinë Kurti.

    “E kemi përgjegjësi politike, shtetërore, institucionale me i thanë qeverisë Kurti, me i thënë popullit të Kosovës se kjo është rrugë qorre dhe sa më shpejt që të ndalet, sa më shpejt që e forcon lidhjen me aleatët tanë, bashkërisht do të jetë më mirë”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Këto deklarime u dhanë pas një mbledhje të shkurtër të Kryesisë, e cila dështoi të mbahet për mungesë kuorumi. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj del me logo të NATO-s në konferencë, kërkon largimin e Kurtit

    Haradinaj del me logo të NATO-s në konferencë, kërkon largimin e Kurtit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.

    Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë, ai pohoi se situata është më e rëndë që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës është vet kryeministri Albin Kurti, raporton EO.

    Prandaj sipas tij, ai duhet të largohet nga qeverisje ngase po paraqet rrezik për vendin.

    “Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999. E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti. Prandaj ai duhet të largohet menjëherë. Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin”.

    “Është hera e parë në histori që miku më i madh i Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës. Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti. Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit të tyre, qofshin në Vetëvendosje apo në partitë tjera politike, qytetarë në vend e në diasporë, që sot ta ndihmojnë Albin Kurtin”.

    “Dhe ndihma e vetme e tyre është që ta bindin Albin Kurtin që të largohet nga kreu i Qeverisë, sepse është bërë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen e këtij vendi. Kështu e ndihmojnë Kosovën, por e ndihmojnë edhe atë. Ai i cili i sjellë sanksione Kosovës nga Amerika, (kushdo qoftë ai) nuk mund ta drejtojë këtë vend”.

    Fjalimi i plotë:

    Të nderuar qytetarë të Kosovës,

    Të nderuara media,

    Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999. E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti. Prandaj ai duhet të largohet menjëherë.

    Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin. Është hera e parë në histori që miku më I madh I Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që I vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës.

    Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti. Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit të tyre, qofshin në Vetëvendosje apo në partitë tjera politike, qytetarë në vend e në diasporë, që sot ta ndihmojnë Albin Kurtin!

    Dhe ndihma e vetme e tyre është që ta bindin Albin Kurtin që të largohet nga kreu i Qeverisë, sepse është bërë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmën e këtij vendi.

    Kështu e ndihmojnë Kosovën, por e ndihmojnë edhe atë. Ai i cili I sjellë sanksione Kosovës nga Amerika, (kushdo qoftë ai) nuk mund ta drejtojë këtë vend!

  • ​Hill nga Beogradi: Pasojat për Kosovën po shihen, mund të ketë të tjera

    ​Hill nga Beogradi: Pasojat për Kosovën po shihen, mund të ketë të tjera

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit kanë pasur efekt negativ në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë pasojat po shihen, duke nënkuptuar për pezullimin e stërvitjeve ushtarake “Defender Europe ‘23”.

    Hill nga Beogradi tha se mund të ketë edhe pasoja të tjera për Kosovën, por tha se nuk është në gjendje të flasim tani për to.

    “Unë mendoj se, ashtu siç e bëri shumë të qartë z. Blinken, do të ketë efekte në marrëdhëniet tona dypalëshe, ne po i shohim tashmë ato. Nuk përjashtoj mundësinë se do ketë të tjera, por nuk jam në gjendje t’i identifikoj ato, përveçse mund të them se duam më shumë përparim në Kosovë, duam themelimin e Asociacionit të komunave serbe, duam normalizim. Angazhimi drejt normalizimit duhet të bëhet nga të dyja vendet duke përfshirë edhe Serbinë, por ne duam të shohim këtë lëvizje, dhe ne duam të shohim rivendosjen e dialogut dhe në fund, siç thashë pak minuta më parë, duam ta shohim Serbinë të vazhdojë këtë rrugëtim drejt perëndimit dhe të jetë realisht pjesë e strukturave euroatlantike”, deklaroi Hill, përcjell KP.

    Ambasadori amerikan në Serbi deklaroi se Ballkani duhet të qetësohet dhe të bëjë një rrugëtim të ri që është drejt Evropës dhe strukturave euroatlantike.

    “Ballkani duhet të qetësohet. Ne duhet të kemi një situatë ku të gjithë në Ballkan të mund të përgatiten për një rrugëtim tjetër dhe ai rrugëtim është drejt Evropës. Kështu që unë shpresoj se Serbia do të mbajë në fokus shumë të mprehtë dhe fokus të qartë nevojën për të vazhduar këtë dialog dhe nevojën për të arritur përfundimisht në destinacionin e strukturave euroatlantike”, tha Hill.

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet në veri të vendit.

    Duke dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe veprimet përshkallëzuese në veri të Kosovës, Blinken ka apeluar të dyja palët që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

  • ​Përfundon protesta në Zubin Potok

    ​Përfundon protesta në Zubin Potok

    Protestuesit në Zubin Potok kanë filluar të shpërndahen. Ata qëndruan para objektit të Komunës per ore të tëra, ndërkohë që në QMF vendosen një flamur gjigant të Serbisë.

    Në protestën e sotme nuk u panë serbë me maska, ndërsa në mesin e tyre pati edhe fëmijë.

    Ajo që ra në sy ishte edhe fakti se protestuesve iu soll ushqim në mënyrë të organizuar.

    Ndërkaq, në fund të ditës një protestues që u dyshua të jetë i dehur, ka tentuar t’i afrohet Policisë së Kosovës, por i njëjti u largua nga qytetarët e tjerë serbë.

    Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

    Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni ndërsa në Zveçan kanë dëmtuar edhe veturën e policisë.

  • ​Prokuroria përfundon intervistimin e dëshmitarit të shtatë në gjykimin kundër Shalës

    ​Prokuroria përfundon intervistimin e dëshmitarit të shtatë në gjykimin kundër Shalës

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar intervistimin e dëshmitarit të shtatë të mbrojtur, në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

    Pas pauzës së drekës, seanca është zhvilluar e hapur vetëm për disa minuta, ku dëshmitari ka folur për periudhën pas lirimit nga vendi që ai pretendon se është mbajtur gjatë periudhës së luftës.

    Prokurori: Na treguar për ushqimin që ua dhanë gjatë ndalimit, e cekët që nuk u interesonte fort ushqimi, por a ratë në peshë, a humbët kile si pasojë e ndalimit atë muaj?

    Dëshmitari: Kur kam ardhur në shtëpinë time nuk i kam pas as 45-50 si kam pas.

    Pas kësaj, prokurori ka kërkuar nga trupi gjykues të kalohet në seancë të mbyllur për publikun.

    Ndërsa pas pyetjeve të ZPS-së, fjalën e ka marrë trupi gjykues, por seanca është zhvilluar e mbyllur.

    Dëshmitari i shtatë i mbrojtur i ZPS-së është dëgjuar edhe të martën kryesisht në seancë të mbyllur për publikun.

    Ndërsa Shala, i cili ndodhet në bankën e të akuzuarit, ka kërkuar që dëshmitë të jenë publike meqë po aplikohen masa mbrojtëse për dëshmitarët.

    Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /kp

  • Vazhdojnë bisedimet e krerëve të Listës Serbe me përgjegjësin e ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Vazhdojnë bisedimet e krerëve të Listës Serbe me përgjegjësin e ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

    KFOR-i dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë të përballen me kundërshtimin e grupeve protestuese në Zveçan për ardhjen e kryetarit të ri në objektin e komunës.

    Zyrtarët e KFOR-it janë të angazhuar në bisedime me kryesuesit e Listës Serbe, Igor Simiqin dhe Goran Rakiqin, bisedime këto që po vazhdojnë, por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, raporton gazetari i ATV-së në një lidhje të drejtpërdrejtë nga objekti i Komunës së Zveçanit.

    Ai tregon se KFOR-i ka kërkuar leje për të vendosur trupat përtej barrikadave, kërkesë që ata e kanë bërë edhe të hënën, ndërsa përgjigja e Rakiqit ishte që nuk e ka nën kontrolle të gjithë turmën e protestuesve. /atvlive.tv

  • “Largohu nga këtu”, një qytetar serb i bërtet gazetarit të ATV-së derisa po raportonte live!

    “Largohu nga këtu”, një qytetar serb i bërtet gazetarit të ATV-së derisa po raportonte live!

    Gazetari i ATV-së, Armand Hoti, derisa po raportonte në një lidhje të drejtpërdrejt nga Leposaviqi, një protestues serb i afrohet dhe i thotë në gjuhën serbe që të largohet nga ty.

    Gjatë raportimit të tij para objektit të komunës, dëgjohen brohoritje të vazhdueshme nga protestuesit, të përcjella nga këngë nacionaliste.