ATV

Author: ATVLive

  • Escobar: Tensionet në veri kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

    Escobar: Tensionet në veri kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

    I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Ndërsa për të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, nëse situata nuk shensionohet mund të ketë viktima, gjë që nuk mund të lejohet.

    Këto deklarata ata i bënë në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.

    “Situata është shumë e vështirë. Jam shumë i shqetësuar, nuk e fsheh këtë. Që nga 26 maji ka njerëz në rrugë, aty është Policia e Kosovës, KFOR-i dhe tashmë kemi parë disa incidente. Unë vlerësoj se prioriteti i parë është shtensionimi, t’i largojmë njerëzit nga rruga dhe të rikthehemi në dialog. Si pjesë e procesit të normalizimit është që të kemi zgjedhje të reja, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës pa parakushte. Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], atëherë ne po presim që të kemi viktima”, tha Escobar.

    Pa dhënë ultimatum për Serbinë, të dy emisarët kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës.

    “Ne themi menjëherë. Pozicioni ynë është se nëse janë kidnapuar apo kanë hyrë gabimisht në territorin e Serbisë, s’e kanë pasur këtë qëllim. Ata duhet të kthehen”, tha Escobar.

    Mirosllav Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk ka pasur asnjë rast që liderët ta refuzojnë ftesën për në Bruksel, prandaj nuk jam shumë i shqetësuar për retorikat që do të vijnë, ne po punojmë në këtë takim. “Por t’i thuash jo ftesës së Bashkimit Evropian do të ishte një akt vërtet serioz dhe negativ… Nëse do të refuzohej do të kishte pasoja serioze dhe negative”, tha Lajçak.

    Duke folur për kërkesën për zgjedhjet e reja në veri, Lajçak tha se për këtë ka dy mënyra.

    “Ose përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë në veri të Kosovës, apo përmes referendumit. Ai tha se të dyja do të ndiqnin ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës “Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Lajçak.

    Ndërkohë, Escobar u pyet për akuzat se SHBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën.

    GABRIEL ESCOBAR, I DËRGUARI I WASHINGTONIT PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
    “Gjithçka që kemi bërë në 90 ditët e fundit dhe 15 vjetët, ka qenë në favor të Kosovës. Serbia s’donte që ta njihnim, por ne e bëmë. Serbia s’donte kampanjë njohjesh, por ne e bëmë. Edhe në 90 ditët e fundit, Serbia donte t’i bënim presion Kosovës që t’i shmangë zgjedhjet, ne nuk e bëmë. Donte që të thoshim se zgjedhjet ishin të paligjshme, ne nuk e bëmë. Donte të thoshte se kryetarët ishin të paligjshëm, ne nuk e thamë dhe i njohëm. Sfidoj këdo që të më tregojë se ku kemi qenë të vështirë me Kosovën e të butë me Serbinë”, tha Escobar.

    Ai tha se Kosova duhet të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që bazohet në modelin më të mirë funksionues të BE-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kleçka, fshati që po braktiset nga banorët, rrezikohet edhe nga mbyllja e shkollës

    Kleçka, fshati që po braktiset nga banorët, rrezikohet edhe nga mbyllja e shkollës

    Rreth 10 kilometra afër qytetit të Lipjanit ndodhet një nga fshatrat që njihet si fshati i themeleve të lirisë legjendare të kësaj komune.

    Dikur këtu jetonin me qindra familje, por me kalimin e viteve, shtëpitë u braktisën nga banorët.

    Shumë prej tyre u shpërngulën në qytet, ndërsa pjesa tjetër emigruan edhe jashtë vendit. Ajo çfarë e bënë me të veçantë këtë vend janë bukuritë natyrore e ajri i pastër.

    Shqetësimi më i madh i banorëve është edhe shkolla, e cila dita-ditës po mbetet pa nxënës.

    Sipas atyre që ende jetojnë në fshat, banorët u larguan nga aty për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

    “Jeta në fshat e mirë është, nuk është keq. Pakicë jemi mbetë, por jeta është e mirë. Këtu ajri është i mirë edhe të gjitha janë të mira, kurgjo të keqe s’ka pasë kush”, thotë në një bisedë për ATV-në, Milazim Shala, banor i fshatit Kleçkë.

    Ai tregon se më parë jeta ka qenë e vështirë, ndërsa tani kanë kushte me të mira për jetesë. /atvlive.tv

  • Shqiptarët e Finlandës protestojnë para Komisionit Evropian në Helsinki

    Shqiptarët e Finlandës protestojnë para Komisionit Evropian në Helsinki

    Gjatë ditës së sotme, në Helsinki të Finlandës, bashkatdhetarët shqiptarë kanë protestuar për qasjen e gabuar të ndërkombëtarëve karshi Kosovës.

    Organizatori i kësaj proteste, Albi Zogiani, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tregoi arsyet e organizimit të kësaj proteste, duke thënë se Bashkimi Evropian po reagon vetëm për dërgimin e njësisë speciale në veri, ndërsa sipas tij, po heshtë për arrestimin e policëve dhe kërcënimin e vazhdueshëm me luftë nga ana e Serbisë.

    “Arsyeja ka qenë arrestimi i tre policëve të Republikës së Kosovës në territorin e Kosovës, provokimet e vazhdueshme të xhandarmerisë serbe të cilët nonstop po i çojnë serbët në kufi dhe po na kërcënojnë me luftë, sulmet ndaj gazetarëve që janë të vazhdueshme dhe reagimi i Bashkimit Evropian po mungon për këto gjëra. Ata po reagojnë vetëm për njësinë speciale që po e çojnë në veri, por për këto tjera gjera po sheshtin”, tha Zogiani. /atvlive.tv

  • Konjufca zhvilloi takime me drejtues të AP të Këshillit të Evropës dhe delegacione pjesëmarrëse në APKE

    Konjufca zhvilloi takime me drejtues të AP të Këshillit të Evropës dhe delegacione pjesëmarrëse në APKE

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës zyrtare në Strasburg, ka zhvilluar takime me drejtues të Asamble​së Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe delegacione të ndryshme pjesëmarrëse në punimet e kësaj asambleje.

    Në fillim të agjendës së tij kryetari Konjufca zhvilloi takime me Grupin Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE) dhe Kryesuesin e ALDE-së për Evropën, Iulian Bulai.

    Kreu i Kuvendit u prit gjithashtu në një takim të veçantë nga Presidenti i APKE-së, Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme të APKE-së, Despina Chatzivassiliou.

    Po ashtu kryetari Konjufca zhvilloi takime me Kryesuesin e Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, Damien Cottier, ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, si dhe me Delegacionin Parlamentar të Turqisë në APKE, të kryesuar nga Ahmet Yildiz.

    Në këto takime u diskutua lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës e të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

    Në fokus të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, për të cilin kryetari Glauk Konjufca kërkoi mbështetjen e të gjithë faktorëve vendimmarrës, në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtat që mundëson ky anëtarësim.

    Kryetari Konjufca foli po ashtu për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe hapat konkretë që vendi ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit euro-atlantik, i cili, siç tha kryetari Konjufca, mbetet një objektiv i fortë strategjik i Kosovës.

    Në disa prej takimeve kryetari Konjufca shoqërohej nga anëtarë të delegacionit të Kuvendit në APKE, të cilët po qëndrojnë në Strasburg në kuadër të sesionit të pjesës së qershorit të kësaj asambleje.

    Vizita e kryetarit Konjufca vazhdon me takime të tjera me udhëheqës të delegacioneve pjesëmarrëse dhe grupe politike të APKE-së.

  • U21/Kosova-Estonia, formacionet zyrtare

    U21/Kosova-Estonia, formacionet zyrtare

    Pas shijes së hidhur që ka lënë paraqitja e Kosovës ndaj Bjellorusisë të hënën ku u mposht me rezultat 2-1, duke u shuar pothuajse të gjitha shpresat për kualifikim në Kampionatin Evropan Euro 2024, sot është radha e grupmoshës U21 që do të ballafaqohen me Estoninë.

    “Dardanët” e rinj janë pjesë grupit D të kualifikimeve për Euro 2023, në të cilin përveç Estonisë, janë edhe Bullgaria, Gjermania, Izraeli, dhe Polonia, raporton KosovaPress.

    Kjo ndeshje do të nis me fillim nga ora 20:00 dhe do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Tanimë të dy trajnerët kanë vendosur për formacionet zyrtare, dhe ato i gjeni më poshtë.

    Kosova U21 (4-4-2): Besson; Haxha, Hoti, Zumberi, Letaj; Avdyli, Emërllahu, Smakaj, Zeneli; Krasniqi, Llugiqi

    Estonia U21 (4-4-1-1): Kivila; Hussar, Kallas, Liit, Sotsugov; Kuraksin, Vassiljev, Vetkal, Ivanov; Sapovalov; Mihhailov.

  • Shefi i zyrës ndërlidhëse në Beograd ka takuar policët ndaras secilin nga 15 minuta

    Shefi i zyrës ndërlidhëse në Beograd ka takuar policët ndaras secilin nga 15 minuta

    Tre zyrtarët policorë të rrëmbyer nga Forcat Speciale të Serbisë, një javë më parë, të martën janë vizituar nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

    Pjesë nga biseda që shefi i zyrës së Kosovës në Serbi pati me policët veç e veç, me gazetarë në një konferencë për media, ndau kryeministri Albin Kurti.

    “Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”, tha Kurti.

    Zyrtarët policorë janë duke qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë, derisa sipas ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, nuk janë keqtrajtuar.

    “Gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë keqtrajtuar fizikisht, por nuk u është dhënë ushqim i mjaftueshëm, pra nuk u është dhënë më shumë se një copë bukë. Ata tani janë të vendosur në dhoma të veçanta, tek e tek, dhe nuk kanë qasje as në televizion apo diçka tjetër. Z. Shemë Mustafa ka njoftuar se ende i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson gjendjen e tij në burg. Atyre u është thënë se do të mund të vizitohen nga familjarët e tyre të premten”, tha Gërvalla.

    Pasi kryeministri Albin Kurti u njoftua për gjendjen e tre policëve kufitarë, tha së është i gatshëm ta takojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që deeskalimi të cilin po e kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

    Po të njëjtën ditë, është raportuar se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë, Dejan Pavicevic, ka vizituar serbët e arrestuar së fundi nga autoritetet e Kosovës. Të pyetur nëse vizita e Jetish Jasharit në Kralevë është kushtëzuar me vizitën e Dejan Paviçeviq, Kurti e Gërvalla e mohuan një gjë të tillë.

    Shemë Mustafa, Beqir Sefa dhe Rifat Zeka u rrëmbyen më 14 qershor në pjesën veriore në kufirin me Serbinë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Bllokimi i kamionëve nga Serbia rrezikon rritjen e çmimeve në Kosovë”

    “Bllokimi i kamionëve nga Serbia rrezikon rritjen e çmimeve në Kosovë”

    Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë dhënë në emisionin DIREKT në ATV, tha se pas zhvillimeve të fundit në vend, tensionit në veri dhe bllokimi i kamionëve, do të ndikojë në rritjen e çmimeve.

    Ai tha se Qeveria nuk duhet të merret me poletizime, por duhet të merret me politika.

    “Politika e parë dhe më e thjeshtë që është obligim mandatar i Qeverisë është që ta njoh qytetarin konsumator edhe në formatin e konsumatorit si komponent kryesor socio-ekonimik, por edhe si taksapagues dhe gjenerues kryesor të buxhetit. I ka dy obligime Qeveria, pastaj shohim për të tjerat. Asnjërën prej këtyre dyja, asnjë qeveri, e as kjo e fundit nuk e ka përmbushë dhe natyrisht se ne ndjehemi edhe të frikësuar edhe të indinjuar. Pra, e dyta do të ishte që të na konsultojë. E treta do të ishte që t’i përmbushë premtimet që nga Qeveritë e më hershme që shumicën e prodhimeve të importit t’i zëvendësojë me prodhime vendore duke aplikuar politika stimuluese, përkrahëse që japin vetëbesim te çdo qytetar që ka dell afarist”, tha Kaçaniku. /atvlive.tv

  • Transportuesit nga Kosova të rrezikuar në territorin e Serbisë

    Transportuesit nga Kosova të rrezikuar në territorin e Serbisë

    Pas bllokimit të pikave kufitare me Serbinë për kalimin e kamionëve dhe autobusëve me targa të Kosovës, transportuesit nga Kosova ndjehen të rrezikuar dhe të pambrojtur në territorin e Serbisë.

    Derisa qarkullimi i veturave është tejet i ulët në pikën kufitare në Merdare për shkak të bllokadës të vendosur andej kufirit me Serbinë me protesta nga qytetarët serbë për të mos kaluar asnjë autobusë dhe kamionë nga Kosova.

    Valent Topalli shoferi i kamionit me targa të Kosovës i bllokuar në pjesën e Serbisë shprehet i shqetësuar për situatën, derisa thotë se kamioni me mallra të Kosovës duhet të kaloj në pjesën e Kosovës pasi që sipas tij gjendja është e rrezikshme.

    “Jemi të bllokuar qysh nga dita e mërkurë nuk kemi qenë të informuar që qeveria ka vendos masa, ne kemi ngarkuar dhe kur kemi ardhur këtu kemi pa që është vendim i qeverisë bllokada. Pas kësaj kemi mbetur të bllokuar e kemi informua Ministrinë e Punëve të Brendshme, Doganën dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Unë kam bërë apel që para asaj ditë, bllokadës të orës 16:00 me na lirua me u futur brenda, por që nuk kanë marrë asnjë masë. Ne si qytetarë të Republikës së Kosovës nuk kemi asnjë mbrojtje që kemi mbetur në territor të Serbisë”, theksoi ai.

    Për më tepër, vozitësi Topalli ka bërë ftesë institucioneve të Kosovës që t’i mundësojnë të kalojnë kamionët e tyre në terminalin e Kosovës

    “Kemi bërë apel me hy vetëm në terminalin e Kosovës se jemi të rrezikun nga kolonat situata po përkeqësohet dhe nuk merë masa askush edhe nga ana e Serbisë është bllokuar rruga jemi mbetur as në këtë pjesë e as në pjesën tjetër ….. Kamioni është me targa të Kosovës kemi grurë dhe malli është i rrezikuar, është malli i joni dhe nuk kthehet prapa” u shpreh Topalli.

    Sipas Topallit janë afër 30 maune me targa të Kosovës që kanë mbetur të bllokuara në territorin e Serbisë.

    Ndërkaq, qytetari serb Dragan Kuzmanoviq i cili hyri me veturë në territorin e Kosovës nëpërmjet pikës kufitare në Merdare, ka treguar se me vetura qarkullimi është i kalueshëm, ndërsa sipas tij kamionët dhe autobusët nuk lejohet të kalojnë në territorin e Serbisë.

    “Me automjet kalohet pa problem, ka pritje dy-tre minuta dhe kalohet pa problem… Kamionë nuk ka, sigurisht nuk vjen askush, njerëzit sigurisht kanë dëgjuar dhe nuk vijnë”, theksoi ai.

    Ndërsa, qytetari Adem Rrahmani ka deklaruar për KosovaPress se nuk do të kalojë këtë pikë kufitare as për t’u kthyer nga Kosova për shkak se situata nuk është e mirë në këtë pjesë, dhe sipas tij parashihet rrezik kalimi në Merdare.

    “Kemi kaluar kufirin Kroaci-Mali i Zi dhe Shqipëri, arsyet për shkak të gjitha këtyre çrregullimeve që mos të rrezikojmë, sepse po dëgjomë gjithçka, edhe arsyeja më e mirë me u kthyer prapë nga jemi ardhur… Mbi 20 vjet kaloi këtu, asnjëherë nuk kemi pas problem, kësaj radhe po shihet situata më mirë për mos me rrezikua”, thekson Rrahmani.

    Ministria e Jashtme ka njoftuar se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.

    MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët tashmë kanë hyrë në territorin e Serbisë, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

    Ministria e Jashtme ka njoftuar të hënën në mbrëmje se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.

    MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët tashmë kanë hyrë në territorin e Serbisë, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

    “Nëse nuk kanë hyrë në Serbi, luten qytetarët, të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

    Qytetarët nga Kosova me vetura po përdorin alternativa tjera për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.

  • 600 euro arrin paga mesatare në Maqedoninë e Veriut

    600 euro arrin paga mesatare në Maqedoninë e Veriut

    Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi ka bërë të ditur se për një vit e gjysmë përpara përfundimit të mandatit në qeveri kanë plotësuar premtimin e tyre zgjedhor për 600 euro pagë mesatare.

    Sipas Grubit, paga mesatare neto në muajin prill ka arritur vlerën prej 36.134 denarë dhe është rritur për 14,6 për qind në krahasim me të njëjtin muaj në vitin e kaluar.

    “Paga mesatare neto në muajin prill ka arritur vlerën prej 36.134 denarë dhe është rritur për 14,6 për qind në krahasim me të njëjtin muaj në vitin e kaluar. Qeveria mbetet e përkushtuar për të përmirësuar në vazhdimësi standardin jetësor të qytetarëve përmes aplikimit të metodologjisë efikase për rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave”, ka shkruar Grupi në Facebook.

  • Situata në veri, Parlamenti Evropian bën thirrje për uljen e tensioneve

    Situata në veri, Parlamenti Evropian bën thirrje për uljen e tensioneve

    Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Ajo ka thënë se nuk mund të lejojnë të shohin më shumë dhunë në një kohë kur sipas saj kontinenti evropian po kalon nëpër një situatë të ndjeshme.

    Metsola ka folur gjatë vizitës në Kroaci ku po qëndron për shënimin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Zagrebit në Bashkim Evropian.

    “Parlamenti Evropian ka bërë thirrje, që kur pamë tensionet mes tyre, do të përmend Serbinë dhe Kosovën në këtë drejtim, për de-përshkallëzim, dhe nuk ka asnjë fjalë tjetër që mund të përdoret që të vendoset de-përshkallëzimi”, ka thënë ajo.

    Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

    Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

    Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe ekipet e mediave të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

    Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

    Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.