ATV

Author: ATVLive

  • Policia kërkon ndihmë për gjetjen e këtyre dy personave, dyshohen për vjedhje

    Policia kërkon ndihmë për gjetjen e këtyre dy personave, dyshohen për vjedhje

    Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi.

    Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast, vjedhje të ndodhur me datën 14.12.2022 , në rrugën “2 Korriku” në Prishtinë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • Dëgjohen zhurma nënujore gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur

    Dëgjohen zhurma nënujore gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur

    Një avion i mbikëqyrjes ushtarake kanadeze ka regjistruar zhurma nënujore gjatë kërkimit masiv në një pjesë të largët të Oqeanit Atlantik për një nëndetëse, e cila u zhduk përderisa po i dërgonte pesë persona te rrënojat e Titanikut.

    Por, në deklaratën e Rojës Bregdetare të SHBA-së nuk specifikohet se çfarë mund të kenë qenë zhurmat e dëgjuara.

    Megjithatë, kjo deklaratë jep një fije shprese për personat në nëndetësen e zhdukur, pasi që atyre vlerësohet se u ka mbetur oksigjen vetëm edhe për një ditë, nëse nëndetësja është ende në funksion.

    Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se si ekipet mund të arrijnë te nëndetësja e humbur, që mund të jetë deri në 12.500 metra nën sipërfaqen e ujit.

    Të humbur në bordin e anijes janë piloti Stockton Rush, drejtori ekzekutiv i kompanisë që drejton ekspeditën. Në mesin e pasagjerëve të tij janë një aventurier britanik, dy anëtarë të një familje biznesi pakistaneze dhe një ekspert i Titanikut.

    Roja Bregdetare shkroi në Twitter se një avion kanadez kishte “zbuluar zhurma nënujore në zonën e kërkimit”. Kërkuesit më pas dërguan një robot nënujor në atë zonë për kërkime. Sidoqoftë, këto kërkime “dhanë rezultate negative, por ato po vazhdojnë”.

    “Të dhënat nga avioni P-3 janë ndarë me ekspertët e marinës amerikane për analiza të mëtejshme, të cilat do të merren parasysh në planet e ardhshme të kërkimit”, tha Roja Bregdetare.

    Nëndetësja e ka humbur komunikimin me operatorët të dielën, kur ka qenë në zonën jugore të Njufaundllendit në Kanada.

    Kompania OceanGate që mundëson këtë udhëtim, u kërkon pasagjerëve 250.000 dollarë për t’i parë nga afër pjesët e fundosura të anijes së famshme.

    Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra me një anije të madhe, përmbi Titanik, dhe më pas e nisin një zhytje tetëorëshe me nëndetësen Titan, për të arritur në thellësi.

  • Mulolli: Terminologjia për konflikt rajonal është e ekzagjeruar, mund të ndodh vetëm në këtë rast

    Mulolli: Terminologjia për konflikt rajonal është e ekzagjeruar, mund të ndodh vetëm në këtë rast

    Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin A23 në ATV, duke komentuar deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se mund të ketë një konflikt rajonal, tha se ky term është i ekzagjeruar dhe mund të ketë tendencë për të frikësuar Kosovën dhe Serbinë.

    “Sa i përket terminologjisë së përdorur rreth konfliktit rajonal, po mënoj që është paksa e ekzagjeruar dhe është njëfarë tendence pak me e frikësu edhe Kosovën edhe Serbinë se mund të ndodh, mirëpo fatmirësisht për ne, e kemi ende KFOR-in prezentë këtu, një dorë të zgjatur të NATO-s, të cilët e rritën numrin e ushtarëve për shkak të paqëndrueshmërisë së situatës”, tha Mulolli.

    Sipas tij, tendencat për një konflikt rajonal mund të vijnë vetëm në rast të ndonjë eskalimi të skajshëm të Serbisë në bashkëpunim me federatën ruse.

    “Tendencat për ndonjë konflikt rajonal mund të vijnë vetëm në rast të ndonjë eskalimi të skajshëm nga Serbia me bashkëpunimin e federatës ruse të cilët çdo herë janë vigjilent për t’i shfrytëzuar këto situata dhe për të nxitur në eskalim”, theksoi Mulolli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Mulolli: Nuk mund barazohet rasti i policëve të kidnapuar me vandalët serbë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët

    Mulolli: Nuk mund barazohet rasti i policëve të kidnapuar me vandalët serbë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët

    Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin A23 në ATV, tha se ka indikacione që presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar negocim për shkëmbimin e policëve të kidnapuar me serbët e arrestuar për sulm ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në veri.

    Sipas Mulollit, një krahasim i tillë nuk ka analogji dhe se pala kosovare nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë.

    “Ka disa indikacione që ai ka kërkuar një negocim të tillë përmes kanaleve diplomatike. Unë po mendoj që pala kosovare duhet të jetë jashtëzakonisht e vendosur që të mos pranojë diçka të tillë, sepse nuk ka analogji në mes të kidnapimit të policëve tanë të cilët kanë qenë duke e bërë detyrën e vet zyrtare me veprimet e vandalëve serbë të cilët kanë qenë duke i bërë kundër KFOR-it dhe kundër gazetarëve tanë që kanë raportuar nga atje”, tha Mulolli.

    Ai tha se beson që për këtë, Kosova do të gjejë përkrahje edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

    “Nuk mund të barazohet në asnjë mënyrë pesha e veprës së atyre vandalëve serbë me peshën e tre policëve të cilët kanë qenë duke e bërë detyrën e tyre të patrullimit në atë zonë. Po besoj që do të vazhdojë me u mbajtë kjo linjë nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës. Po besoj se në këtë do të gjejë përkrahje edhe te bashkësia ndërkombëtare sepse nuk ka analogji në mes të burgosurve që gjenden burgjet tona të cilët kanë qenë vandalë dhe tre policëve tanë që mbahen në mënyrë të padrejtë të cilët e kanë bërë detyrën e tyre zyrtare”, tha Mulolli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Krasniqi: Tensionet nuk do të ulin ardhjen e mërgimtarëve, do të përdoren rrugët alternative

    Krasniqi: Tensionet nuk do të ulin ardhjen e mërgimtarëve, do të përdoren rrugët alternative

    Drejtori i organizatës “Gremin”, Lirim Krasniqi, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se problemet politike mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndikojnë në uljen e ardhjes së bashkatdhetarëve në sezonin e verës, mirëpo sipas tij, atyre do t’u duhet t’i përdorin rrugët alternative dhe të shmangin Serbinë.

    “Nuk e besoj që do të ndodh një gjë e tillë sepse bashkatdhetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se sidomos në raste të krizave, gatishmëria e tyre është edhe më e lartë dhe në këtë rast kur po përballemi me një krizë politike dhe të sigurisë në veri, nuk besoj se kjo do të jetë arsye për mos me ardhë, apo nuk besoj që rrugët e tjera të cilat do ta rrisin koston për 20-30 për qind, do të ndikojnë në vendimet e tyre për të ardhur në Kosovë, sepse ne jemi dëshmitar se lidhja e diasporës me vendin e origjinës është shumë e fortë”, tha Krasniqi.

    Ai tha se jo vetëm në këto tensionet e fundit me Serbinë, por përgjatë gjithë viteve të pasluftës, mërgimtarët që kanë kaluar nëpër serbi janë përballur me trajtime jo të dinjitetshme e shpesh herë edhe çnjerëzore nga policia e Serbisë.

    “Unë besoj se ky është një fat në fatkeqësi, sepse kalimi përmes Serbisë ka qenë i vështirë për krizën politike të cilën e kemi tash. Do të thotë përgjatë gjithë viteve, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më tani, bashkatdhetarët tanë janë përballur me probleme të shumta gjatë kalimit nëpër serbi, probleme të cilat nuk lidhen me siguri por me trajtimin jo të dinjitetshëm dhe çnjerëzor që u është bërë atyre nga ana e policisë serbe”, tha Krasniqi.

    Për këtë sezon, sipas Krasniqit, bashkatdhetarëve do t’u duhet ta përdorin rrugën përmes Kroacisë, apo transportin ajror për të ardhur në vendlindje. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​LVV vazhdon kritikat ndaj Borrell: Qasja e tij ndaj Kosovës është e padrejtë

    ​LVV vazhdon kritikat ndaj Borrell: Qasja e tij ndaj Kosovës është e padrejtë

    Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut, në prag të takimit të mundshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel. Sipas partisë në pushtet, qasja e përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak është e padrejtë ndaj Kosovës.

    Deputetja e mazhorancës, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se Borrell dhe Lajçak po dëshirojnë ta dërgojnë dialogun në temat që i leverdisin presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Prandaj, sipas saj, ky i fundit përmes strukturave kriminale po krijon tension në veri në mënyrë që të nxjerr diçka prej këtyre situatave.

    “Jam shumë e zhgënjyer dhe dëshpëruar prej qasjes që kreu i politikës së jashtme të BE-së ka treguar karshi krejt këtij procesi. Për mua vlerat e BE-së janë shumë më shumë përtej kësaj që ne kemi parë kohët e fundit, në veçanti me qasjen e pabarabartë që është treguar në raport me Kosovën dhe Serbinë… Tendenca e Vuçiqit ka qenë për të kthyer dialogun në drejtimin që ai ka dashur dhe për të kthyer në diskutim temat që atij i kanë konvenuar. Pak a shumë kjo ka qenë edhe ideja se si janë përpjekur edhe vet Brukseli të dërgojnë dialogun, por nuk ia kanë dal, në këtë moment që nuk ia kanë dal e kemi situatën që është krijuar në veri, pikërisht për shkak se edhe vet Vuçiq e kuptoi se dialogu i doli prej kontrollit dhe që nuk po mundet t’i arrijë kompromiset që po i dëshiron me kryeministrin Kurti. Andaj i është dashur të krijojë situata të tilla në mënyrë që të arrijë të nxjerr diçka prej këtyre situatave, por e ka të vështirë pasi ne nuk jemi duke bërë asgjë me atë që na lejon Kushtetuta dhe rendi juridik”, thotë ajo.

    Sipas deputetes Kryeziu-Hyseni, ftesa për takim të nivelit të lartë në Bruksel është e vonshme.

    Megjithatë, ajo shton se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në maksimum për deeskalimin e situatës në veri, por thekson se kjo do të varet edhe nga pala tjetër.

    “Një takim i tillë është kërkuar nga kryeministri Kurti pak javë më parë dhe nuk është pranuar me arsyetimin se nuk na duhet se fillimisht duhet të de-eskalohet situata. Ndërkohë, ndonjëherë më e eskaluar nuk ka qenë situata, pra palët është dashur të takohen më herët që mos të vinte situata deri këtu ku jemi sot. Ftesa për këtë takim është e vonshme, pasi është dashur të pritet të kidnapohen tre zyrtarët policorë për të shkuar në Bruksel për të vazhduar dialogun ose për të gjetur një kompromis. Si mund të gjesh kompromis me një president që të kërkon të lirosh kriminelët, ndërkohë ti je në anën tjetër që kërkon të lirosh tre policë të pafajshëm të cilët i arrestove në territor të huaj duke kryer detyrën e vet zyrtare… Qeveria jonë me qasjen e saj që ka treguar deri tani do të arrijë të ndërtojë një situatë ndryshe prej asaj që kemi pa së fundmi. Por mos të harrojmë se kjo nuk varet vetëm prej Republikës së Kosovës, pasi është shumë e rëndësishme që të paktën faktori ndërkombëtar mos të drejtoj presionin kah Kosova dhe mos të fsheh apo mbulojë atë që Serbia po bënë në këtë rast”, thekson Kryeziu-Hyseni.

    Duke folur për masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian po aplikon ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, ajo thotë se të njëjtat janë të padrejta.

    “Këto mund të jenë masa që mund të vendosen në raport me Kosovën, por unë mendoj se BE-ja duhet të jetë i kujdesshëm në kuptimin se çfarë mase i vendos Kosovës dhe për çfarë. Ti mund t’i vendosësh masa një shteti për rritje të krimit të organizuar, kriminalitetit, autokracisë, mungesës së reformave, lirisë së shprehjes, e këto elemente me radhë, në të cilat Republika e Kosovës ka shënuar progres. Si mund t’i vendosesh sanksione apo masa një shteti që përgjatë kësaj periudhe dyvjeçare ka treguar progres të jashtëzakonshëm”, deklaron ajo.

    Në anën tjetër, deputetja Kryeziu-Hyseni, thotë se tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe duhet të lirohen pa asnjë kusht.

    “Ata po akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe po mbahen në njërën prej qendrave të paraburgimit në Serbi. Fillimisht janë akuzuar për terrorizëm, mandej ka rënë poshtë. Kemi pa që ka shumë të meta në vet aktakuzën që është ngritur ndaj këtyre tre zyrtarëve policorë. Ka mjaftueshëm arsye për të kuptuar se cila ka qenë tendenca e Serbisë për ( t’i rrëmbyer) këta persona. Këtu ka vetëm një arsye, (pasi janë rrëmbyer) që të krijohet kjo situatë që është krijuar sot, të eksalohet më shumë tensionet në veri”, thotë ajo.

    Sipas kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, situata në veri po dëshmon se Serbia asnjëherë s’ka qenë e gatshme për të shkuar drejt normalizimit të raporteve, aq më pak drejt njohjes reciproke.

    Bashkimi Evropian po pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të pranojnë ftesën për takim në Bruksel, pa vendosur asnjë kusht. Kurti ka deklaruar gjatë së martës së është i gatshëm të shkojë në Bruksel, ndërsa Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të flasë me Kurtin./kp

  • ​Sermaxhaj: Nuk është koha për trajner vendor në krye të Kosovës

    ​Sermaxhaj: Nuk është koha për trajner vendor në krye të Kosovës

    Posti i trajneri të Kombëtares së Kosovës tashmë është i lirë. Megjithëse Trajneri francez Alain Giresse është shkarkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës pak orë pas humbjes së papritur nga Bjellorusia në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian 2024.

    Duke e vlerësuar si të duhur vendimin e FFK-së për t’i ndarë rrugët me Giressen, analisti Genc Sermaxhaj, thotë për KosovaPress se gabimi i madh nga federata u bë në momentin e emërimit të francezit në krye të Kosovës.

    “E dimë që shpresat e të gjithëve kanë qenë që Kosova të ketë paraqitje dhe rezultate më të mira në Euro 2024 duke i parë edhe kombëtaret e tjera të cilat ishin në grup, mirëpo maksimumi i përfaqësueses sonë ishte kaq duke u bërë disa gabime që nga fillimi, së pari me përzgjedhjen e trajneri Giresse të cilin krerët e federatës e përzgjodhën që ai të jetë në krye të përfaqësueses dhe më pas gabimet e tij në idenë, lojën, përzgjedhjen dhe në ekipin startues dhe ata që i kanë zëvendësuar startuesit”, tha Sermaxhaj.

    Sermaxhaj e konsideron si të vonshëm ndërprerjen e bashkëpunimit me Giressen, pasi, sipas tij, ai është dashur të largohet menjëherë pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve vitin e kaluar.

    “Në fakt është dashur që në fillim të shihet profili i trajneri dhe të vendoset për të se a duhet të jetë përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës apo jo. Më pastaj është dashur që rezultatet e tij të shihen mirë në Ligën e Kombeve sepse mendoj që aty trajneri është dashur të shkarkohet që të mos vazhdohet me të për kualifikimet e Euro 2024 sepse edhe aty Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka pasur nuk ka pasur paraqitje dhe rezultate të mira, nuk ka pasur lojë të mirë e as përzgjedhje të mirë të futbollistëve dhe të gjitha këto kanë bërë që, sipas meje, me të nuk është dashur të vazhdohet në kualifikimet e Euro 2024”, theksoi Sermaxhaj.

    Në lidhje me përzgjedhjen e re që duhet ta bëjë Federata e Futbollit, Sermaxhaj thotë se edhe më tutje nuk është koha që një trajner vendor të jetë në krye të ekipi përfaqësues, por duhet një trajner i kalibrit evropian, me ide të futbollit modern.

    “Unë nuk mendoj që është koha ta kemi një trajner vendor për të ardhmen sepse, pa dashur t’i nënçmoj, unë e di që kemi trajner të mirë në futbollin tonë, por, për nivelin e futbollistëve që ne e kemi, mendoj që duhet të jetë një trajner ri, një profili evropian, një trajner që është me ide të reja të futbollit modern… Unë mendoj që një profil i trajnerit inteligjent, trajner ri cili ka kohë për të përzgjedhur futbollistët, një trajner i cili mbase jo shumë ta njohë mentalitetin tonë, por e rëndësishme është ta njeh lojën e futbollit, metodat e reja, siç aplikojnë trajnerët e mëdhenj si Guardiola, Klopp e Tuchell, pra një trajner bashkëkohor”, tha Sermaxhaj.

    Për rezultatet negative të Kosovës në kualifikimet për Euro 2024, Sermaxhaj ka fajësuar edhe lojtarët, duke thënë se ata nuk kanë treguar vullnet dhe dëshirë për të fituar.

    “Natyrisht se edhe futbollistët kanë një pjesë të përgjegjësisë për mos rezultatet e mira, sepse ata janë që performojnë në fushe me udhëzimet që i jep kryetrajneri. Por tani, këta janë futbollistët që i kemi, e më të mirë se këta nuk kemi. Kështu që është rrezik i madh nëse mendohet që të startojnë apo të luajnë dikush tjetër sepse këta i kemi më të mirët. Është një problem, por një ide e re, një mënyrë e re e lojës, një nxitje më e madhe për angazhim, për dëshirë për fitore,, për ta djersitur fanellën e Kosovës, mendoj se mund të kemi rezultate më të mira në të ardhmen.”, tha Sermaxhaj.

    Sa i përket trajneri të ri, FFK nuk ka bërë të ditur se kur do ta emërojë atë, por se ka paralajmëruar reforma të thella brenda kombëtares. /kp

  • Ku i’a huqi Albin Kurti në lidhje me dialogun, sipas Haki Abazit

    Ku i’a huqi Albin Kurti në lidhje me dialogun, sipas Haki Abazit

    Deputeti Haki Abazi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çështja e dialogut është kthyer nga kornizimi i normalizimit dhe njohjes së ndërsjellët, në menaxhim të krizave.

    Ai tha se kjo është një huqje e kryeministrit Kurti.

    “Mendoj që nga momenti i targave, ne jemi kthy prej kornizimit për normalizim dhe njohje të dyanshme, në menaxhim të krizave, që është bërë shumë me kujdes nga ana e Lajçakut pse kjo ndodh kjo, sepse po shihet qartazi se hyrja në lojërat e targave, ka qenë transformim i dialogut, por jo ashtu si kemi premtu ne për që transformohet dialogu për çështje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por është thellu për çështje të brendshme në Kosovë dhe rrjedhimisht është transformu nga normalizimi me njohje në kornizë të menaxhimit të krizës. Këtu është huqje totale e Kurtit”, tha Abazi.

    Ai tha se deklaratat e Escbar-it për rrezik të konfliktit janë shumë shqetësuese për Kosovën.

    “Për një përfaqësues të SHBA-vë me thanë që ka rrezik për konflikt, unë e marr shumë seriozisht, jo për faktin që unë nuk e di që paska atje potencial për një grup kriminal serb për me e vra dikën ose me kriju konflikt, por për faktin se çfarë po dëgjon senati, kongresi dhe institucionet nëpër botë. Tha edhe sot në këtë diskutimin Escobar – Lajçak që korniza e diskutimit, e dialogut është për menaxhim të krizës dhe ky është shumë problem i madh për ne”, tha Abazi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Analisti serb: Veriu do sjellë konflikt rajonal, ja kur mund të lirohen tre policët

    Analisti serb: Veriu do sjellë konflikt rajonal, ja kur mund të lirohen tre policët

    Analisti serb, Dusan Janjic, tha në një intervistë për Euronews Albania se situata në veri të Kosovës mund të sjellë një konflikt rajonal.

    Ai iu referua mesazhit të emisarëve të BE-së dhe ShBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, nga Uashingtoni për rrezikun që bart situata në veri, teksa theksoi se njerëzit e zakonshëm janë kundër këtij konflikti.

    Janjic foli edhe lidhur me tre policët e Kosovës të kidnapuar në veri, të cilët sipas tij, nëse bëhet një hetim i plotë për të sqaruar gjërat mund të lirohen për tri ose katër ditë.

    “Është një çështje që mund të zgjidhet lehtë, por jo brenda natës. Për mendimin tim vizita e ambasadorit të Kosovës në Beograd tek tre policët në burg ishte diçka. Në të njëjtën kohë, familjarët e policëve kanë krijuar një grup të mirë avokatësh. Duhet një hetim për të sqaruar gjërat dhe çështja ndoshta mund të zgjidhet për 3-4 ditë”, tha ai.

  • Biden: Ballkani Perëndimor përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare të ShBA-së

    Biden: Ballkani Perëndimor përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare të ShBA-së

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, e ka vazhduar edhe për një vit Urdhrin Ekzekutiv për urgjencën kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor, transmeton Paparaci.

    Fillimisht, ky urdhër ishte firmosur më 26 qershor të vitit 2011. Atëherë, ShBA-të shpallën emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente që të merreshin me kërcënimet “e pazakonta dhe të jashtëzakonshme” ndaj ShBA-së, sigurisë dhe politikës së jashtme të saj.

    Ky urdhër përfshin po ashtu veprimet e personave të përfshirë ose që mbështesin dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut dhe gjetkë në Rajoni i Ballkanit Perëndimor.

    Në urdhër implikohen edhe personat që veprojnë duke penguar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje ose Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të datës 10 qershor 1999, në Kosovë.

    “Presidenti më pas e ndryshoi atë urdhër në Urdhrin Ekzekutiv 13304 të 28 majit 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me disa veprime që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë (ajo që tani është Republika e Maqedonia e Veriut)”, thuhet në urdhër.

    “Më 8 qershor 2021, nënshkrova Urdhrin Ekzekutiv 14033, i cili zgjeroi fushën e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, të ndryshuar, duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet ndër të tjera në Urdhrin Ekzekutiv.

    Sipas tij, “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

    “Për këtë arsye, urgjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 13304, dhe që u zgjerua në urdhrin Ekzekutiv 14033, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi pas datës 26 qershor 2023. Prandaj, në përputhje me nenin 202(d) të Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)), po vazhdoj për 1 vit urgjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, tha Biden.